Mendime
Gjokë Dabaj: Bashkimi, i mundshëm më shumë se kurrë
E hene, 31.05.2021, 04:06 PM
BASHKIMI I DY REPUBLIKAVET SHQIPTARE, I MUNDSHËM SOT MË SHUMË SE KURRË
Nga
Gjokë Dabaj
Shkas për të
hartuar këtë platformë konkrete, u bë një kërkesë e mikut tim të ngushtë,
shkrimtarit dhe veprimtarit të dëshmuar kombëtar nga Mati, Hamdi Hysuka. Z.
Xhemil Meço kish publikuar një shkrim me këtë temë dhe Hamdiu më kërkoi mendim
konkret.
…Në këtë periudhë
historike që po kalon kombi shqiptar, ka një mori faktorësh që u sugjerojnë
shqiptarëvet: Bashkohuni, o sot o kurrë! Por ka edhe një
mori faktorësh, të brendshëm dhe të jashtëm, që e pengojnë këtë proces, sa
shpëtimtar për vetë ne shqiptarët, aq edhe kohezionues për krejt gadishullin
tonë, për krejt atë që është bërë traditë të quhet rajon, por dhe për kontinentin
tonë.
Them kohezionues,
sepse, me aktin e bashkimit në një shtet të vetëm të të dy republikave
shqiptare, do të shuheshin gjithfarë lakmishë të babëzitura të një morie
forcash shoviniste e regressive që gëlojnë rrotull nesh, dhe do t’u jepej
mundësia fqinjëvet tanë të shikojnë punët e veta, jo grabitjet e luftërat, por
progresin ekonomik e kulturor brenda vetes.
Ashtu si në të
gjithë rastet decizivë, edhe sot është e domosdoshme të shtrohet dhe t’u jepen
përgjigjet përkatëse pyetjevet: Ç’duhet bërë?! Si duhet vepruar?!
Forcat
atdhedashëse në kombin tonë nuk kanë munguar asnjëherë dhe nuk mungojnë as sot.
Përkundrazi, duke gjykuar sidomos nga zhvillimet në terren dhe nga rrjetet
socialë, duket se ato janë më të shumta se kurrë. Prandaj, unë them se, kurorëzimi
me sukses apo shuarja e kësaj aspirate, varet shumë pikërisht prej mënyrës se
si do të veprojnë forcat tona të vetëdijshme atdhetare. Nuk mund të presësh të
ta bashkojnë atdheun ata që s’e kanë në mendje një të këtillë punë.
Grupet e folklorit
shqiptar, ata të cilëve u këndon shpirti më shumë se kujtdo tjetër për kombin e
për atdheun, shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë kudo që ato ekzistojnë, shoqatat
kulturore me misione kulturëzhvillues, formacione të ndryshëm intelektualësh,
shoqata pedagogësh, shoqata studiuesish albanologë, shoqata sudentësh
shqiptarë, shoqata të rinjsh të shkollavet të mesme, organizata apo shoqata
atdhetarësh shqiptarë që veprojnë në dhjetëra shtete e qytete të botës, shoqata
pensionistësh dhe veteranësh, të gjithë këta, duhet në mënyrë institucionale
t’u dërgojnë dy qeverive tona dhe dy kuvendeve (parlamenteve) tanë kërkesa
zyrtare për ta nismuar, për ta inicuar punën e bashkimit të dy shteteve tanë.
Pa u filluar zyrtarisht në këtë mënyrë, ne mund të flasim sa të duam e ç’të duam
(s’po dua të shprehem ndryshe), kjo punë nuk mund të kryhet!
Vetëm mbasi t’u
kenë shkuar organeve tanë ligjëhartues dhe ligjëzbatues, kërkesat zyrtare të
organizmave tanë patriotikë, vetëm atëherë këta organe do të mund të veprojnë
praktikisht!
Sigurisht, në po
këtë drejtim, në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi tonë të madh kombëtar,
duhet dhe mund të angazhohen shumë njerëz edhe individualisht.
Sot është koha që
të gjithë shqiptarët duhet të konvergojnë dhe të fokusohen në kryerjen
pikërisht të kësaj detyre historike. Gazetarët dhe organet e mediave tona duhet
ta kthejnë në temë dite bashkimin e dy shteve tanë dhe detajet e këtij
bashkimi, duke synuar që të shmangen të gjitha pengesat. E gjithë kjo,
natyrisht që e do njëfarë kohe për t’u zhvilluar si proces, por unë nuk besoj
të dojë aq shumë kohë sa ne ta shohim veten një ditë të vonuar. Përfundimisht,
mbasi të jenë bërë të gjitha përgatitjet, detyra historike kombëtare, por edhe
më shumë se kombëtare, duhet t’i mbledhë dy qeveritë tona, për ta diskutuar
këtë punë dhe për të hartuar e nënshkruar aktet përfundimtarë, të cilët t’u
dërgohen shteteve dhe organizmave ndërkombëtarë për t’i pranuar e miratuar.
Vetëm atëherë do
të mund të thonë patriotët e sotëm shqiptarë: E kryem detyrën që na kish ngarkuar
historia.