E premte, 24.09.2021, 01:30 PM (GMT+1)

Mendime

Gjokë Dabaj: Bashkimi, i mundshëm më shumë se kurrë

E hene, 31.05.2021, 04:06 PM


BASHKIMI I DY REPUBLIKAVET SHQIPTARE, I MUNDSHËM SOT MË SHUMË SE KURRË

Nga Gjokë Dabaj

Shkas për të hartuar këtë platformë konkrete, u bë një kërkesë e mikut tim të ngushtë, shkrimtarit dhe veprimtarit të dëshmuar kombëtar nga Mati, Hamdi Hysuka. Z. Xhemil Meço kish publikuar një shkrim me këtë temë dhe Hamdiu më kërkoi mendim konkret.

…Në këtë periudhë historike që po kalon kombi shqiptar, ka një mori faktorësh që u sugjerojnë shqiptarëvet: Bashkohuni, o sot o kurrë! Por ka edhe një mori faktorësh, të brendshëm dhe të jashtëm, që e pengojnë këtë proces, sa shpëtimtar për vetë ne shqiptarët, aq edhe kohezionues për krejt gadishullin tonë, për krejt atë që është bërë traditë të quhet rajon, por dhe për kontinentin tonë.

Them kohezionues, sepse, me aktin e bashkimit në një shtet të vetëm të të dy republikave shqiptare, do të shuheshin gjithfarë lakmishë të babëzitura të një morie forcash shoviniste e regressive që gëlojnë rrotull nesh, dhe do t’u jepej mundësia fqinjëvet tanë të shikojnë punët e veta, jo grabitjet e luftërat, por progresin ekonomik e kulturor brenda vetes.

Ashtu si në të gjithë rastet decizivë, edhe sot është e domosdoshme të shtrohet dhe t’u jepen përgjigjet përkatëse pyetjevet: Ç’duhet bërë?! Si duhet vepruar?!

Forcat atdhedashëse në kombin tonë nuk kanë munguar asnjëherë dhe nuk mungojnë as sot. Përkundrazi, duke gjykuar sidomos nga zhvillimet në terren dhe nga rrjetet socialë, duket se ato janë më të shumta se kurrë. Prandaj, unë them se, kurorëzimi me sukses apo shuarja e kësaj aspirate, varet shumë pikërisht prej mënyrës se si do të veprojnë forcat tona të vetëdijshme atdhetare. Nuk mund të presësh të ta bashkojnë atdheun ata që s’e kanë në mendje një të këtillë punë.

Grupet e folklorit shqiptar, ata të cilëve u këndon shpirti më shumë se kujtdo tjetër për kombin e për atdheun, shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë kudo që ato ekzistojnë, shoqatat kulturore me misione kulturëzhvillues, formacione të ndryshëm intelektualësh, shoqata pedagogësh, shoqata studiuesish albanologë, shoqata sudentësh shqiptarë, shoqata të rinjsh të shkollavet të mesme, organizata apo shoqata atdhetarësh shqiptarë që veprojnë në dhjetëra shtete e qytete të botës, shoqata pensionistësh dhe veteranësh, të gjithë këta, duhet në mënyrë institucionale t’u dërgojnë dy qeverive tona dhe dy kuvendeve (parlamenteve) tanë kërkesa zyrtare për ta nismuar, për ta inicuar punën e bashkimit të dy shteteve tanë. Pa u filluar zyrtarisht në këtë mënyrë, ne mund të flasim sa të duam e ç’të duam (s’po dua të shprehem ndryshe), kjo punë nuk mund të kryhet!

Vetëm mbasi t’u kenë shkuar organeve tanë ligjëhartues dhe ligjëzbatues, kërkesat zyrtare të organizmave tanë patriotikë, vetëm atëherë këta organe do të mund të veprojnë praktikisht!

Sigurisht, në po këtë drejtim, në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi tonë të madh kombëtar, duhet dhe mund të angazhohen shumë njerëz edhe individualisht.

Sot është koha që të gjithë shqiptarët duhet të konvergojnë dhe të fokusohen në kryerjen pikërisht të kësaj detyre historike. Gazetarët dhe organet e mediave tona duhet ta kthejnë në temë dite bashkimin e dy shteve tanë dhe detajet e këtij bashkimi, duke synuar që të shmangen të gjitha pengesat. E gjithë kjo, natyrisht që e do njëfarë kohe për t’u zhvilluar si proces, por unë nuk besoj të dojë aq shumë kohë sa ne ta shohim veten një ditë të vonuar. Përfundimisht, mbasi të jenë bërë të gjitha përgatitjet, detyra historike kombëtare, por edhe më shumë se kombëtare, duhet t’i mbledhë dy qeveritë tona, për ta diskutuar këtë punë dhe për të hartuar e nënshkruar aktet përfundimtarë, të cilët t’u dërgohen shteteve dhe organizmave ndërkombëtarë për t’i pranuar e miratuar.

Vetëm atëherë do të mund të thonë patriotët e sotëm shqiptarë: E kryem detyrën që na kish ngarkuar historia.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora