Kulturë
Agron Xhagolli: Rreth veprimtarisë së një shoqate me vlerat e një institucioni
E marte, 09.02.2021, 12:52 PM
RRETH VEPRIMTARISË SË NJË SHOQATE ME VLERAT E NJË INSTITUCIONI
NGA
PROF.DR. AGRON XHAGOLLI
Ka qenë një rastësi e këndshme që në një
nga ditët e shtatorit të vitit 1979, kur një grup studiuesish nga ish-Instituti
i Kulturës Popullore dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë Shqipe, pranë
Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, që ishim për kërkime
folklorike dhe gjuhësore në Kosovë, na u ofrua të bënim një vizitë në Shkup. Do
të na shoqëronte studiuesi kosovar Rexhep Ismajli, që mësuam se ishte nga
Presheva. Ai na mundësoi që gjatë rrugës të ndalonim edhe në qytetin e tij, ku
kishte dhe njerëzit e afërt.
Pranuam me kënaqësi dhe pas një udhëtimi,
që ishte tepër interesant për ne që nuk e kishim njohur atë hapësirë deri në
Preshevë, mbërritëm atje. Informacionet tona rreth Preshevës dhe preshevarëve
ishin shumë të kufizuara, për shkaqe që tashmë janë të njohura. U habitëm nga
pritja në shkollën e mesme të qytetit, ku nga hyrja dhe deri te zyra e
drejtorit të shkollës ishin vendosur në të dyja anët nxënësit që na pritën me
duartrokitje dhe na shikonin me një lloj habie. Ishte gjaku i përbashkët që dhe
ne na përloti nga ajo mirëseardhje shumë entuziaste. Por e papritura vazhdoi
kur na priti stafi pedagogjik, me në krye drejtorin e shkollës. U takuam me vëllezërit
tanë, të përmallur dhe me shumë kërshëri për njëri-tjetrin. Për mua
personalisht ishte e papritur e këndshme, që na e mundësoi vetëm ngulmimi i
shoqëruesit tonë, të nderuarit Rexhep Ismajlit. Unë i jam mirënjohës për mundësinë
e krijimit të një ideje fillestare rreth Preshevës dhe preshevarëve.
Do të kalonim shumë vite dhe më nuk
kisha dëgjuar ndonjë gjë për Luginën e Preshevës. Erdhi rasti që një kolegu im në
Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit në Tiranë kishte
një ftesë nga Presheva dhe kishte vajtur atje për të mbajtur një kumtesë. Tema
e asaj Konference kishte të bënte me vallet popullore në Preshevë dhe rrethinë.
Kolegu më dha dhe librin me përmbledhjen e kumtesave të mbajtura. E lexova me vëmendje
atë libër, nisur nga fakti se nuk kisha informacione për jetën dhe natyrën e
folklorit në trevën e Luginës së Preshevës. Kushtet politike nuk më kishin mundësuar
njohjen nga afër të atij folklori, ndaj përmes leximit të përmbledhjes me
kumtesa mora dëshmitë e para rreth natyrës, afërsive dhe veçorive të folklorit
në ato mjedise. Kureshtja profesionale ishte shumë e madhe dhe më hoqi
ndrojtjen e të “lypurit” të ndonjë përmbledhjeje me krijime folklorike. Dy vëllime
të kësaj natyre shumë shpejt ishin në duart e mia, që i përpiva duke i
shfletuar me vëmendje të madhe.
Mësova nga kolegu se pothuajse çdo vit në
Preshevë organizohej një konferencë shkencore me tema nga fusha të ndryshme të
albanologjisë. Pas kësaj, erdhi rasti që edhe unë të isha pjesëmarrës shumë
shpejt në një veprimtari të tillë. Ishte viti 2011 kur u ftova të merrja pjesë
me kumtesë në Konferencën Shkencore me temë Këngët e dasmës – vendi i këngëve
të dasmës në Luginën e Preshevës në këngët shqiptare të dasmës, organizuar nga
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë.
Ndjeva një kënaqësi që do të
rikthehesha edhe një herë tjetër në Preshevë, por kisha dhe kureshtjen se si do
të ishte organizimi, cilët do të ishin pjesëmarrësit, cili do të ishte niveli i
Konferencës. Sidoqoftë, përgatita kumtesën me titull Këngët e dasmës – Vendi i
këngëve të dasmës në Luginën e Preshevës në këngët shqiptare të dasmës dhe në
datën e caktuar ndodhesha në Preshevë. Ishte paraparë që Konferenca do të
zhvillohej në datat 24 – 25 dhjetor 2011. Pritja ishte befasuese. Në atë të
ftohtë dimri ishin mbledhur për të pritur të ftuarit në një nga lokalet e
qytetit një numër i konsiderueshëm vendasish, me të cilët na prezantoi ai që
ishte kryetari i Shoqatës që na kishte ftuar. Ky ishte z. Xhemaledin Salihu, një
burrë në moshë të pjekur, me një buzëqeshje në buzë, brenda seriozitetit të
tij, që përcillte respekt. Pas përshëndetjes me të gjithë, filluan njohjet më
konkretisht dhe unë pashë se kishim të bënim me njerëz të formuar, me interesa
dhe shqetësime, jo vetëm mikpritës, ashtu si i kujtoja në vitin 1979. Duhet thënë
se nga të pranishmit në Konferencë, që ishin të shumtë, pati vlerësime shumë
pozitive dhe inkurajuese për ecurinë e saj, për temat e trajtuara dhe u kërkua
që veprimtari të tilla të organizoheshin sa më shpesh.
Kjo e fundit ishte një fjalë goje, por
sa e vështirë ishte për organizatorët, me në krye kryetarin fjalëpak dhe punëshumë,
z. Xhemaledin Salihun. E ndoqa nga afër punën dhe përpjekjet e organizatorëve,
që nuk ishin përqendruar vetëm tek organizimi i veprimtarive shkencore. Krahas,
siç e ka dëshmuar ndër vite puna konkrete e Shoqatës, interesimet dhe nismat
konkrete kishin të bënin me hetimin, gjurmimin dhe dokumentimin e vlerave të
ndryshme të trashëgimisë kulturore shqiptare në Luginën e Preshevës, për të
arritur deri në botimin dhe ekspozimin e tyre. Qëllimi i të gjithë kësaj
veprimtarie ka qenë dhe është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, si
dhe kultivimi i kulturës shqiptare. Më pëlqeu dhe m”u duk me shumë interes kjo
platformë e një pune të organizuar dhe të mirëmenduar, ndaj e vazhdova edhe më
tej bashkëpunimin me Shoqatën për Trashëgimi
dhe Krijimtari Kulturore në Luginën e Preshevës, që vazhdoi gjatë, deri në
ditët e sotme.
Rezultatet e deritanshme, të arritura
nga Shoqata janë impresionuese. E mbështes këtë pohim duke u nisur nga fakte të
shumta. Së pari, do të shënoja se formimi dhe funksionalizimi i saj ka fillesë
nga viti 2010; dhe deri më sot ka organizuar suksesshëm 12 Konferenca
Shkencore, me pjesëmarrje, jo vetëm të studiuesve lokalë, por dhe nga të gjitha
trojet shqiptare. Së dyti, dhe me shumë rëndësi është dokumentimi i tyre përmes
botimit të trajtesave të realizuara nga studiuesit, jo thjesht në nivel
kumtese, por edhe të zgjeruara. Deri më sot në duart e studiuesve dhe të
interesuarve, po të shtojmë edhe ndonjë botim individual, janë 11 botime, që
bindshëm përcjellin me objektivitet problematika nga më të ndryshmet. Së treti,
tematika e veprimtarive shkencore dhe, si rrjedhojë edhe e botimeve të
realizuara, nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me trashëgiminë kulturore të Luginës
së Preshevës, por zgjerohet në nivel gjithëshqiptar. Së katërti, janë
organizuar gjatë ditëve të Konferencave edhe veprimtari të tjera, si: ekspozita
fotografike dhe nga kultura materiale e Luginës; akademi përkujtimore;
promovime librash; vizita në objekte kulturore të dalluara për vlerat e tyre
kulturore; së pesti, Shoqata ka bërë të mundur realizimin e projekteve të
ndryshme, që kanë të bëjnë me regjistrimin e trashëgimisë kulturore dhe
natyrore në Luginën e Preshevës, me kohëzgjatje 6-mujore. Së shtati, Shoqata
nuk ka qenë e mbyllur në vetvete, por ka bashkëpunuar me shoqata të tjera
ekzistuese, si në vetë Luginën, po ashtu dhe me shoqata të tjera simotra, me të
cilat ka realizuar projekte të ndryshme, por edhe me Institutin Albanologjik në
Prishtinë. Së fundi, por jo për nga rëndësia, është fakti se Shoqata për
realizimin e pikësynimeve të veta ka pasur dhe ka vështirësi të ndryshme, midis
të cilave sigurimi i fondeve monetare. Kryesia dhe kryetari i Shoqatës, përmes argumentimit
të punës së tyre, kanë bindur, kryesisht, individë të ndërgjegjshëm, me mundësi
financiare, që të kontribuojnë në realizimin e nismave të saj, duke shënuar të
gjitha arritjet që u përpoqa t’i sjell me lart.
Këto përpjekje dhe punë të kryera tashmë
e kanë shndërruar me të drejtë Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore
në Luginën e Preshevës në një lloj institucioni shkencor, që ka marrë përsipër
për të zëvendësuar rolin e nje instuti kërkimor-shkencor, në kushtet kur mungon
një i tillë. Dhe nuk kanë të ndalur nismat e saj për të vazhduar me dëshirë dhe
pasion këtë trashëgimi të arritur deri më sot. Dhe jo vetëm kaq. Shoqata ka
marrë përsipër që bashkë dhe me OJQ të ndryshme të organizojë dhe të trajtojë
debate për ato problematika që kanë të bëjnë me shoqërinë civile dhe rolin e saj
në komunën e Preshevës, faktorët e zhvillimit ekonomik të kësaj komune, duke
ndikuar në ndërgjegjësimin për ndjeshmëri më funksionale të organizmave shtetërore
dhe sociale.
Në kushtet kur në Luginën e Preshevës
mungon një institucion shtetëror për të realizuar projekte shkencore të trashëgimisë
kulturore shqiptare, mund të them me bindje se puna dhe veprimtaritë e
zhvilluara nga Shoqata për Trashëgimi dhe
Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës kanë ndikuar së tepërmi në
nxjerrjen në pah të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës, bërjen e
saj të njohur për të gjithë të interesuarit, nxitjen dhe hapjen e fushave
studimore.
Të gjitha këto që përmenda më lart janë
vetëm një paraqitje e shkurtër e atyre përpjekjeve të mëdha të Shoqatës, dhe në
veçanti të kryetarit të saj, profesorit Xhemaledin Salihu. Ai është një
organizator i përkushtuar, që ka, jo vetëm një formim për të kuptuar dhe për të
përcaktuar fushat e punës së Shoqatës, por edhe organizimin e punës dhe
ndjekjen e tyre në vazhdimësi. Për më tepër, duhet të shënoj ndihmesën e tij
prej vitesh si pjesëmarrës aktiv në Konferencat Shkencore, jo thjesht si
organizator dhe drejtues, por dhe me kumtime, dëshmi për një njohje shumë të
mirë të trashëgimisë kulturore në Luginën e Preshevës. Ndaj fushëveprimtaria e
tij e ka mundësuar dhe shtyrë si një nxitje për hartimin dhe botimin e disa
veprave me interes shkencor, që kanë të bëjnë me problematika të Luginës së
Preshevës, midis të cilave do të veçoja librin voluminoz, “Presheva pjesë e
pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, botuar në vitin 2017. Do të
shprehesha se një vepër e kësaj natyre, që bën fjalë: për mëhallat dhe
toponiminë e Preshevës; aspekte të historisë së saj; trashëgimi kulturore,
natyrore dhe shpirtërore; arsimi, kultura dhe informimi në Preshevë etj i ka
dhe të gjitha të dhënat e nevojëshme shkencore, si burimet dhe literaturën e
shfrytëzuar nga autori. Me këtë vepër z. Xhemaledin Salihu dëshmon për
interesat e tij shkencore, pikësynimet që ka, jo vetëm për punët e veta shkencore,
por dhe për gjallërimin e jetës shkencore, në shërbim të Luginës së Preshevës.
Ndaj shpreh besimin personal, por besoj edhe të mjedisit më të gjerë, jo vetëm
të Luginës së Preshevës, se me një drejtues të tillë puna shkencore do të marrë
përmasa të reja, me thellime dhe prezantime gjithënjë e më cilësore.
Së fundi, dëshiroj që Shoqata për Trashëgimi
dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës dhe kryetari i saj të kenë
suksese të tjera, edhe më të ndjeshme, në shërbim të komunitetit të kësaj
krahine, si pjesë me rëndësi e trashëgimisë kulturore shqiptare.