Kulturë
Fran Gjoka: Era dhe shkumëzimet e detit të trazuar, akuzojnë!
E marte, 09.02.2021, 11:42 AM
Era dhe shkumëzimet e detit të trazuar, akuzojnë!
(Përjetime
rreth librit të shkrimtarit Viron Kona “Përbindëshat e Otrantos”)
Nga Fran GJOKA
Sapo ka dalë libri më i ri i shkrimtarit të njohur Viron
Kona, i titulluar “Përbindëshat e Otrantos”, një novelë, e cila qysh në
kopertinë dhe në titull, të bën kureshtar dhe të nxitë t`ia nisësh menjëherë
leximit. Kështu më ndodhi dhe mua. Nisa ta lexojë librin me kureshtje, nga faqja
në faqe. E, siç ndodh me një libër të mirë, dëshira të mban të mbërthyer për të
mësuar sa më shumë për subjektin, fatin e personazheve, bukuritë dhe befasinë e
gjetjeve dhe shprehjeve artistike, i
shoqëruar çdo çast me ndjenjat të thella emocionale. Me “Përbindëshat e
Otrantos” po më ndodhte si me një ëndërr të keqe, që, edhe doja ta largoja nga
vetja, sepse ishte shumë dramatike dhe e dhimbshme, por njëherazi, edhe nuk shkëputesha dot pa
mësuar deri në fund sesi do të shkonte më tej fati atyre njerëzve që kishin
hipur në atë skaf lundrues për të shkuar në Itali, ku mendonin se do të gjenin
parajsën....
Kur lexon një libër artistik, të duket sikur autori e ka gjithnjë mundësinë që t`i shkruaj episodet dhe ngjarjet me fund të pëlqyeshëm, të lumtur, por mendoj se nuk është kështu. Autori, sipas mendimit tim, ecën në rrjedhën e ngjarjeve mbështetur në përfytyrimin e tij artistik dhe nuk mund t`u shmanget dot rrjedhës dhe përfundimit të tyre, pavarësisht sesi është ai, i gëzuar apo i hidhur. Është jeta me realitetet e saj që ia imponojnë shkrimtarit zgjidhjet. Ai, kur përshkruan një lundrim në oqean, nuk mund të shkruaj se gjithçka do të shkojë siç shpreson e dëshiron ai, sepse, oqeani ka “huqet” e tij, edhe dallgë e cuname, edhe erëra dhe stuhi, por edhe defekte të mundshme të anijes apo të mjetit lundrues. Jeta dhe historia na kanë treguar për plotë raste të tilla. Ndërkaq, siç e dimë, është njeriu që bënë, edhe të mirën, edhe të ligën, ndaj shkrimtari, në këtë kontekst, nuk mund të nxjerrë zemërdhembshur një pirat detesh. Piratët e deteve janë piratë me tërë përfytyrimin që ne kemi për ata soj njerëzish. Ata, në tërësinë e tyre pasqyrojnë ligësi, dhunë, vjedhje, shkatërrim, pangopshmëri shtazarake dhe krime të përbindëshme. Kështu, shkrimari nuk mundet të abstragojë nga realitetet dhe personazhet kriminelë, ai nuk mund t`u largohet rrjedhave reale dhe objektive të episodeve apo ngjarjeve, ai “vozit” në ato rrjedha pa e frenuar imagjinatën dhe përfytyrimin artistik, dhe, me talentin e tij i bënë ato çfarë ai shkruan reale dhe të besueshme, por edhe tërheqëse me bukuri artistike, qoft edhe tronditëse, ndërkohë që ai jep njëherazi edhe mesazhe të vlefshme për lexuesin, duke shprehur artistkisht qëndrimin e tij për ngjarjet apo tipat dhe karakteret që përshkruan. Kështu që, edhe unë si lexues, doja apo s`doja, ndiqja përmbajtjen dhe rrjedhën artistike të librit të Z. Kona, ashtu dhe fatin e personazheve të tij, pavarësisht se, nga faqja në faqe më shtonin ankthin, dëshpërimin dhe një gjendje të rëndë shpirtërore dhe emocionale. Duket se edhe shprehja franceze “C`est la vie!”, nuk është vetëm qejf e muzikë, si te kënga franceze, por jeta i ka dhe i përfshin të gjitha, ashtu siç jeta është dhe siç vjen, me të mirat dhe me të ligat e saj, e ku njeriu, më shumë është rob i jetës, sesa lider i saj. Ai udhëheq vetveten, por dallgëve të jetës mund t`i shmanget, ai edhe do të përplaset, edhe do përpiqet t`i përballojë dhe t`i kalojë ato, ndryshe s`mund të jetojë dhe të mbijetojë.
E, pikërisht, drejtuesit e atij skafi klandestin - piratesk,
kishin marrë përsipër të çanin Otranton përkudrejt fitimeve të majme, duke u
treguar vazhdimisht të pangopur dhe duke i konsideruar udhëtarët e tyre të
mjerë si një plaçkë apo mall tregu. Ata ishin dhe janë si ujku që kërkon
mjegullën dhe, në Shqipëri, veçanërisht në vitet 1990 – 2000, atë mjegull e
kishin me bollëk, ata mund të tregonin fare hapur grykësinë e ujkut dhe të çakallit.
Ujqërit janë ujqër, çakejt janë çakej, piratët janë piratë, e kanë të shkruar në
ballë dhe në veprimet e tyre mashtrimin dhe zhvatjen, mashtrimi dhe ligësia janë
të shkrirë në tërë karakterin e tyre, pavarësisht
pamjeve dhe fjalëve që mund të thonë. Siç mund të kuptohet, shkrimtari nuk mund
të bëj dot zgjidhje të pëlqyera, që janë larg të vërtetave të dhimshme, aq më
tepër kur bëhet fjalë për ikjet në mënyrë klandestine, siç kanë ikur në këto dy-tri
dekada shqiptarët, thuajse gjithnjë “nga sytë këmbët”. Jeta e tyre, ikjet e
tyre në mënyrë klandestine në shtetet fqinjë, nga malet, nga detet, brenda
frigoriferëve, etj., janë bërë dhe bëhen vetëm për të kërkuar një jetë më të
qetë, për të mbijetuar apo për të siguruar jetën e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre. Realitetet dhe
jeta që ne shqiptarët kemi përjetuar, në ka shkuar shpesh herë keq e më keq,
jeta ka kaluar përmes dramave dhe tragjedive, ashtu siç ndodhi gjatë vitit
1997, vit, të cilin duam ta harrojmë por nuk e harrojmë dot, sepse, sa herë
përmenden krimet dhe armët, ajo atmosferë na shfaqet përpara syve, duam apo nuk
duam. Janë realitetet e egra që i detyrojnë
shqiptarët të marrin arratinë, ashtu si delet që u vërsulet ujku, iknin ku të
mundin duke iu larguar pa dëshirë atdheut të tyre, vendlindjes ku kanë
prindërit, historinë, kujtimet, pronat... Ata marrin me vete kujtimet, mallin
për të dashurit, historinë e kombit dhe, veçse ikin e ikin papushim. Vektori i
tyre është vetëm ikja... Ndërkaq, subjekti dhe rrjedhja e ngjarjeve të librit të
Viron Konës, nuk më linte ta ndërprisja dhe të meditoja më shumë, sepse ai më
tërhiqte si filli i Ariadnës. Në skafin që ishte mbushur plot e përplotë me
klandestinë dhe ishte gati të nisej, kapiteni dhe ndihmësi i tij po bisedonin
për vajtjen dhe kthimin me atë skaf në Itali, madje, me nepsin për të fituar sa
më shumë, ata po planifikonin të bënin jo një, por dy rrugë vajtje kthim, se
edhe fitimi sigurisht që do të ishte shumë herë më i madh. Teksa ata bëjnë
llogaritë e fitimeve, lexuesi mëson se në atë skaf kanë hipur shtrënguar njëri pas
tjetrit një grup njerëzish, krejt të
panjohur me njëri –tjetrin, që ishin grumbulluar aty buzë detit, mes erësirës së thellë, me të vetmin qëllim që të
iknin si mërgimtarë në Itali... Atë natë, ata klandestinë u kishin besuar jetën
dhe ëndrrat e tyre dy aventurierëve, teksa i shihnin me druajtej dhe gjithë
frikë, edhe kapitenin mjekrosh, edhe ndihmësin e tij, një shkurtabiq
hundështypur, që komunikonin me zëra të egër e kërcënues, me fjalorin dhe gjuhën
e tyre:
- Ka ndonjë nga këta që s’i ka paguar
të gjitha paratë?-pyeti kapiteni.
- Të gjithë paguan aq sa u kërkuam, deri në qindarkën e
fundit.
- E dëgjove në radio parashikimin e
motit? - vijoi ta pyeste kapiteni.
- Jo, nuk e dëgjova, por duket që do të
jetë kohë e mirë. Pulëbardhat fluturojnë të qeta, ndërsa delfinët...
- Idiot! - i gërthiti kapiteni i
zemëruar, - Ne s’do të shkojmë në Gjolin e Nartës për ngjala, por do të çajmë mespërmes
Otranton.
Ndërsa bisedonte me ndihmësin, kapiteni
hidhte ca vështrime të ndezura te vajza e fejuar, bukuria e së cilës provokonte
lakmi spontane. Fytyra e tij e zgjatur te turinjtë, sytë ngulmues e të
lëngëzuar dhe vetullat në ngjyrën e kuqërremtë të karkalecave të detit, e
frikësonin vajzën dhe ajo ngjishej më shumë pas të dashurit të saj...
Pas prezantimi me skafistët, me ata që do t`i çonin në
Itali kundrejt fitimeve të majme, shkrimtari, përshkruan nisjen e skafit nëpër
det, duke çarë dallgët dhe duke përshkruar mjedisin që ata i rrethonte,
erësirën, situatën dramatike dhe të pasigurt ku ndodheshin asaj nate
ndjellakeqe. Kështu, novela nis dhe zhvillohet në mënyrë intriguese. Lexuesi
dridhet nga zemërimi, kur lexon se ata aventurierë, i trajtonin këta njerëz
qyqarë, të mjerë dhe të frikësuar, si
ata tregtarët që kanë rënë në mall të mirë dhe bëjnë llogari fitimet që do të
nxjerrin. Por, edhe para skafistëve piratë shfaqen pengesa dhe kurthe, ata
druajnë nga anijet e rojes bregdetare,
të cilat i pengojnë dhe nuk i lejojnë të kalojnë Gjirin e Vlorës dhe të futen
në Otranto, ku është destinacioni i skafit të tyre lundrues. Me stil të
zhdërvjelltë dhe origjinalitet, shkrimtari Kona e “mbërthen” fort lexuesin në
dramën që rrëfen dhe, si pasojë lexuesi ndjek me dhembje dhe frikë në zemër
fatin e atyre të mjerëve, që, atë natë u ishte mbushur mendja të nisnin një
rrugëtim-aventurë drejt Italisë. Sigurisht që nuk e dinin përfundimin, s`dinin
ku po i çonin, në parajsë, apo në ferr? Ishte deti dëshmitarë, por një
dëshmitar i heshtur...
Nisja dukej aventureske, por herë-herë ajo duke edhe e
mbarë, por, sado trima dhe besimplotë që
ata të tregoheshin, ishte vet mjedisi ku ndodheshin, ishte ajo errësirë e
thellë, ishin ata dy skafistë, kapiteni dhe ndihmësi, që pak ngjasonin me
njerëzit e vërtetë, sepse me çdo fjalë e veprim ata veçse përhapnin frikë e
tmerr te “kilentët” e tyre. Aq më tepër që, ai skaf i tyre, i thjeshtë dhe
sportiv, shërbente për shëtitje brigjeve
të detit, kurse në atë lundrim që ata kishin nisur ai mund të ishte veçse një
lëvozhgë mbi ujë. Ndërkaq, atyre u shtinin tmerr dhe frikë format e brigjeve të
herrëta e shëkmbore, që në erësirë merrnin forma dhe trajta figurash mitike,
por edhe si gojë përbindëshash. Po ashtu, edhe gjijtë e Karaburunit, që
shfaqeshin plotë shkrepa, shpellat, që nxinin herë diku afër dhe herë më larg
përgjatë gadishullit, i cili dukej më i zi se nata, ndaj, jo rastësisht, siç shkruan
autori, ai jo më kot mban atë emër, Karaburun, që në gjuhën turke përkthehet
“hundë e zezë”. Dhe, vërtetë, ato çaste,
për klandestinët ai ishte vetëm i zi,
sterrë i zi...
Shkrimtari, vijon:
Papritmas,
një sirenë e mprehtë dhe e zgjatur, e shoqëruar me një lumë të shndritshëm drite verbuese sikur çau qiellin dhe
perden e natës.
Klandestinët
shtangën.
-
Është anija e patrullimit. Fike fenerin! - i bërtiti kapiteni ndihmësit.
Pa e
humbur toruan, ai e ktheu skafin djathtas në mënyrë të rrufeshme dhe ndërroi
kursin e lundrimit. Që të mos binin në ujë, klandestinët u kapën me thonj pas
njëri-tjetrit. Skafi nisi të bëjë një hark
të madh për t`iu larguar sa më shumë anijes luftarake, që i ishte vënë
pas...
Plot frikë dhe ankth, ata ndiqnin me sy trembur
drejtuesit e skafit, të cilët përballë
anijes patrulluese që i ndiqte dukej sikur luanin me fatin, ata dukeshin se ishin
vet djalli. Dhe, çuditërisht, ata e kishin për nder kur dikush i quante “djall”...Siç shkruan autori, në mjediset e klandestinëve, tregoheshin
ngjarje që të ngjethnin mishtë kur i dëgjoje: ndodhte që kapiteni i skafit, kur
shihte se anija luftarake e patrullimit që e ndiqte, do ta kapte nga çasti në
çast, duke mos parë asnjë mundësi tjetër shpëtimi, papritmas, kthehej mbrapsht,
merrte hov dhe, duke i lemerisur e tmerruar klandestinët që kishte në bord, i
vërsulej drejt për drejt, me shpejtësi të llahtarshme anijes luftarake si të
donte të sfidonte vdekjen: “Ose më hap rrugë dhe mos më pengo të shkoj për ku
jam nisur, ose përndryshe prano sfidën time. Unë s’kam rrugë tjetër. Kjo është
puna dhe jeta ime. Ky është fati dhe Zoti im, dhe unë, i bindem vetëm atij!”.
Por drejtuesit e anijes luftarake shihnin se përpara kishin djallin dhe, djallit,
duhet t`i shmangeshin, më mirë të mos ngatërroheshin me të. Me këtë logjikë, anija luftarake, i shmangej
përplasjes me atë djall – përbindësh, që s’donte t`ia dinte për asgjë në botë.
Pas kësaj, tek e shikonte veten të lirë dhe të pakërcënuar më, përbindëshi ulte
krifën, hapte krahët dhe, duke u shndërruar në “pulëbardhë” elegante, vazhdonte
i patrazuar lundrimin...
Dhe në vazhdim:
-Tani
hymë në ujërat neutrale! - u dëgjua zëri i kapitenit, i cili duke shtuar në
maksimum shpejtësinë e lundrimit, thirri me të gjithë forcën e zërit: - E
gjithë Otrantoja është e imja. Unë jam zot i saj!
E, atëherë, ata sa nuk u hodhën përpjetë nga gëzimi,
ëndrrat e tyre po merrnin jetë...Ja, ai djaloshi, Tiku, po e përfytyronte të
bukur vazhdimin e jetës. Do të shkonte në Itali, do të punonte dhe, kur e
dashura e tij të mbaronte universitetin, ai do të ishte një mbështetje për të
vijuar jetën të dy, të lumtur...Ndiheshin të gëzuara sa s`thuhej dy vajzat e
vogla, që mbante në krahë babai i tyre, i cili po u thoshte se, ja, së shpejti
ato do të hidheshin në krahët e mamit të tyre të dashur që i priste diku në
brigjet e Italisë. Po shprehnin një gëzim të përmbajtur dy pleqtë e urtë, që po
shkonin te djali i tyre të cilin nuk e kishin parë prej disa vjetësh. Po
gëzonin, kurdët dhe kinezët, se, më në fund po shkonin në një shtet perëndimorë
dhe këtej e tutje filli i jetës së tyre do t`u shkonte mbarë. Po gëzonte fëmija
i vogël, lypësi, i cili kishte hipur fshehurazi në skaf dhe, në ato çaste, duke
përfituar nga gëzimi i klandestinëve, ai po niste që aty në skaf zanatin e
lypësit...Ndiheshin të lumtur çifti, vajza dhe djali, që qëndronin gjatë gjithë
kohës, gati si një trup i vetëm, duke përfytyruar të ardhmen dhe jetën në një
familje të ngrohtë. Po gëzonte edhe prostituta, e cila po shpaloste planet e
saj, duke përmendur sheshe dhe rrugë të herrëta të Italisë. E, pra, thoshë Tiku me
vete, ”Djalli nuk është kaq i zi sa ç`e bëjnë!”...Ja, pas rreth gjysmë ore, ky skaf
pulëbardhë do të kapte finishin dhe në horizont do të shfaqej fari i
Otrantos...
Por, përse skafi
po e ulte shpejtësinë dhe sikur po rëndohej?! Tiku, kthehu vështrimin nga
kapiteni dhe, i shkoi një e rrëqethur që ia bëri lëkurën akull! Ai njeri,
që deri në ato çaste i ishte dukur i
pamposhtur, gati si heronjtë mitologjikë, tani sepse po ndihej i shqetësuar.
Fytyra i kishte ndërruar shprehje dhe s’po dukej më i sigurt si më parë. Ç`po ndodhte?! Kjo pyetje, tani po bëhej nga
të gjithë klandestinët. Ata ndiqnin me ankth e zemërngrirë çdo fjalë, gjest e
veprim të drejtuesve të skafit. Kapitenin s’po e mbante vendi. Ia lë timonin
ndihmësit duke hungëruar e sharë, herë nëpër dhëmbë e herë me zë të lartë.
-Fenerin! - thirri ai dhe u përkul të shihte
diçka në pjesën e skafit të zhytur në ujë.
-Fik motorët! - urdhëroi. Urdhri u
zbatua. Motorët u fikën dhe pas pak çastesh skafi ndaloi.
Një heshtje e rëndë u nder në errësirën
e thellë. Qe një heshtje e frikshme, kur mendja të vete në të liga, kur
përfytyrimet janë ndjellakeqe, ogurzeza dhe njeriu e sheh veten si një krijesë
tepër të dobët e të pambrojtur.
Dhe, të gjithë ata të gjorë, i përfshiu
një drithërimë tmerri, kur dëgjuan zërin e ngjirur të kapitenit:
-Skafi po fut ujë! - tha duke mos
mundur të fshehë dot mynxyrën që po ndodhte...
...Një heshtje
sublime, e shoqëruar me drithërima, përshkoi të gjithë klandestinët. Ata njerëz
të pafat e ndjenin thellë se tashmë ishin pa asnjë rrugëdalje dhe, përmes një
bese të pashpallur, vendosën t’i nënshtroheshin në heshtje fatit të tyre të
hidhur. Edhe shpresa që vdes e fundit, tani nuk ekzistonte më. Kurse Hëna? Ajo
dukej si e lodhur nga shoqërimi i tyre dhe tashmë edhe ajo po hiqte dorë
përfundimisht dhe po zhytej në erësirën e thellë të reve si për të fjetur
gjumë. Asnjë nuk fliste. Vetëm dy vajzat e vogla, që burri trupimët mbante në gji,
diç i thoshin të atit, ndoshta i kujtonin mamin e tyre të dashur, që i priste e
përmalluar në bregun tjetër. Ai s`bënte gjë tjetër vetëm i përqafonte
fort-fort, i ngrinte sa mundte mbi kokën e tij, sa më lart sipërfaqes së ujit
dhe dridhej i tëri. Ato ishin dy qenie njerëzore krejtësisht të pafajshme, që s’kuptonin
asgjë përse ndodheshin në atë skaf në mes të ujit dhe se për ku po shkonin...
Autori duke shprehur një gjendje të fortë emocionale,
krijon për lexuesin një atmosferë krejt tjetër, duke përshkruar me nota të dhimbshme
skafin që po shkonte në fund të detit, duke marrë me vete të gjithë ata njerëz
të mjerë e të pafajshëm...
Në mbyllje të këtij artikulli them se dëshmitarë për sa
ka ndodhur në udhëkalimet e refugjatëve shqiptarë për në Itali, janë era dhe
shkumëzimet e detit të trazuar, që akuzojnë pareshtur dhe ngrejnë piskamën e
dhembjes drithëruese në kupë të qiellit. Do të jetë koha, ajo që do t`i zbulojë
të vërtetat lakuriq dhe do të bëj ndëshkimin. Mbase, mjaft prejtë vërtetave do
t`i shndërrojë në mite e legjenda për të evokuar një të kaluar më shumë se
tragjike. Një mit i ri, një mit ende pa emër, ndodhta po lindte nga akti i dy
pleqve të mirë e të urtë që u hodhën në ujë për të lehtësuar peshën e skafit që
po mbytej, për t`u zgjatur sado pak shpresën bashkudhëtarëve fatkeq. Sakrificën
ata e besonin si të vetmin mjet për të
treguar se në kohën e zhvatjes, të pangopshmërisë shtazarake dhe të shqyerjes,
pulson edhe diçka njerëzore. Me siguri atë sakrificë nuk e kuptuan të gjithë.
Kapitenit të skafit dhe ndihmësit të tij, ndoshta as që u shkoi mendja dhe natyrisht, mendja s`do t`u shkonte edhe
shumë të tjerëve kur të lexonin në gazetë një lajm tashmë fare të zakonshëm për
mbytjen e një skafi dhe “disa njerëzve’. Të vetmin që do ta shfrytëzonin këtë
lajm, do të ishin politikanët. Ata, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit, mbase
do t`u vinte “mirë” që u erdhi në dorë një fakt i hidhur për të manipuluar ata
njerëz që kanë ende qejf të manipulohen.