Editorial
Xhemal Ahmeti: Pse varfëria nuk luftohet me bamirësi
E merkure, 30.12.2020, 07:25 PM
PSE VARFËRIA NUK LUFTOHET ME BAMIRËSI, PËRKUNDRAZI
Nga
Xhemal Ahmeti
Oscar
Wilde provokoi kur tha: «Po mos të ishin skamnorët kaq të shëmtuar, moti do të
ishte zgjedhur problemi i varfërisë». Si atëherë kur e shkruajti [1894] këtë
liriku irlandez si tash kur rilexohet njejtë keqkuptohet. Çdo shkontekstualizim
ka pasojat e njëjta: përdoret ashtu siç duan veshët e injorancës e jo siç e
synuan fjalët e autorit. U morr si arrogancë ndaj të varfërve. Ndërkaq Wilde
thoshte se bamirësia që u ofrohet të varfërve asnjëherë nuk është e orientuar
për t'i zhvarfëruar ata por për t'iu siguruar një strehë që edhe për një kohë
të gjatë ta ruajnë atë gjendje që kanë, aq gjatë gjersa t'i vijë radha
bamirësit tjetër. E rifrabikimi i varfërisë nëpërmjet bamirësit dhe të varfërit
vetë patjetër se është shëmti. Është pengmarrje djallëzore me plan e strategji
- vjen ajo nga shteti apo nga kleri, s'ka rëndësi. Nga ky aspekt filozofik i
dukurisë thoshte Wilde se të varfrit janë të shëmtuar: sepse lejojnë të jetojnë
qençe me kafshatën e atij që bën biznes me ta. Prandaj ndoshta edhe dramatiku
tjetër, kësaj radhe gjerman, August von Kotzebue, 78 vite më herët [1816] se
Wilde thoshte se; «varfëria herë pas herë gjen bamirës, por asnjëherë miq»,
ngase po e gjeti të fundit nuk është më. E çdonjë që e zgjat atë nuk mund të
jetë mik i bartësve të saj, ngase miqësi kanë vetëm njerëzit e dukuritë jo. E
ai që donë tjetrin si të varfër nuk mund të jetë mik i tij [këtu është baza e
paradoksit], por armiku i cili jeton në sajë të ekzistencës së të parit. Pa
skllav s'ka pronar dhe ansjelltas. Shul shqip e në praktikë kjo i bie kështu:
po të isha pasanik do të isha armik i varfërisë nëse do hapja një shitore
syzesh për një grup njerëzish që mund të punësoheshin aty dhe të siguronin
ekzistencën, të ndërtonin kulm mbi kokë e të llojit. Mik i varfërisë do isha
nëse u jepja atyre nga një thes me miell për festa, aty këtu do tua ndërtoja
ndonjë kulm mbi kokë (ama pa u dhënë para për nxjemje) dhe kështu në këtë
stil...Varfëria nuk luftohet me bamirësi! Përkundrazi.
_____________
KUNGUJT E SENECA-S
Nga
Seneca i Riu (rreth -4 deri +65) ka mbetur fjalia «Manus manum lavat», [njëra
dorë lanë tjetrën] në kuptimin: i korruptuari [parimisht shikojeni nga aspekti
imaterial si bazë e çdo veprimi pasues (i)material] ka gjithmonë nevojë për të
korruptuarin tjetër, ndryshe nuk e ka suksesin e njejtë. Fjalia gjendet në
veprën, satirën «Apocolocyntosis», që do të thotë «Kungullëzimi» [i perandorit
Claudius]. Seneca e bëri satirën kundër Claudius-it, duke qenë shërbetor i
oborrit të tij. E bëri, siç thuhet në gjuhën vullgare, «për t'i hyrë në bythë»
Neronit, për të cilin ishte i sigurt se do ta marrë shpejtë pushtetin. Satira
është interesante dydimensionalisht: 1. Denoncon karakterin e individit që hanë
mitet e djeshme në favor të miteve të nesërme për t'ia siguruar qenien vetes
dhe 2. Nuk i gjykon njerëzit për atë çka janë por për atë çka s'janë [më =
Claudius nuk do jetë më perandor dhe Nero s'do jetë më vetëm senator i
zakonshëm].
Kemi
të bëjmë me një tip elementi specifik human që qenien dhe aftësinë e vetë e
kushtëzon me pozitën e tjetrit dhe shpresat se ai nuk do harrojë se ky e ka
përkrahur. Shembulli nuk vlen vetëm brenda temes së pushtetit por edhe famës e
tjerave. Prandaj Nero apo Claudius janë kungujt e vegjël të historisë e
kryekungulli : Seneca i Riu. Prandaj filozofi gjerman i ditëve tona Andreas
Tenzer ka të drejtë kur thotë se «Çka ne urrejmë është projeksion i urrejtes së
vetes», e njejta mund të thuhet edhe për dashurinë, simpatinë, mbështetjen pa
bazë. Kungujt jetojnë nga iluzionet, të cilat ua varin qafe herë Hatës e herë Hitës,
jo se dy të fundit janë Claudiusi apo Nero-ni, perandori potencial porse që të
gjithë janë kunguj dhe jetojnë sipas imperativit «Manus manum lavat»!
______________
LUGATI [NË KATUNDIN TIM]
«Idrizi
ishte gjeni i matematikës. Pronar i një biblioteke të shkëqyeshme, të fshehur e
sistemuar nën tavan. Komunistët e katundit e suspenduan prej funksionit të
«vodaç»-it dhe e bënë Rasimin manaxher të ujit gjatë tharrjeve verore. Në
shenjë hakmarrjeje. Idrizi Ishte një perlë e hudhur nga fati mbi një gërmadhë plehu.
Ky vetëm me Rrustën e Stepeve dhe Zabel Lekën i kishte punët mirë dhe me
askënd.Vërdallej katundit përherë me një pallto gri, me kapelë franceze dhe me
sfurk nën sjetull. Më së shumti e urrente Muli Zeqon, atë informantin zvarranik
të milicisë që mbante shënim edhe për ndërzyerjen e gomerëve e lere më për
gjërat që s'bënin njerëzit.
«Kush
i ka prish gurrët?» bëriti njëri nga milicët, Vangjeli, një komarxhi plak që
jetonte përballë ambulancës së Vrapçishtit. Dikush kishte deformuar gurrët e
bardhë me të cilët shkollat kishin shënuar emrin e Titos në syprinën e kodrinës
përballë Xhamisë së Re. Muli Zeqo
përsëriti edhe më me zë: «Kush ia ka prajsh emnin Titës», Idrizi drejtoi
sfurkun drejt Mulit duke uluri «Luuugaaaatiiii». Ishte skenë e hatashme, komike
se si rrëmbente Mulin bashkë me Vangjelin dhe vartësin e tij drejt «gropës së
qenve» që kishte hapur Haxhi Ferrati. Vangjeli shpëtoi duke u futur në taksinë
e Selimit, ndërkaq Muli, ah Muli...»
[Fragment nga romani «Lugati – kronikë në lëkurë e katundit
tim», Fq. 312. (në dorëshkrim)]