Kulturë
Meri Lalaj: Shqipëruesi Klodian Briçi dhe “Përrallat e Andersenit”
E marte, 15.12.2020, 08:48 PM
Shqipëruesi Klodian Briçi dhe “Përrallat e Andersenit”
Nga
Meri Lalaj
Para
nja njëzet vitesh kam bërë fjalë me përkthyesin Klodian Briçi lidhur me
përkthimin e librit “Të ikësh me erën” të shkrimtares Margaret Mitchell, sepse
ai më tha se zhargonin e të folurës së zezakëve në atë libër do ta përkthente
në të folmen ‘tironse’. Po kështu nuk mbeta e kënaqur nga përkthimi “Portreti i
Dorian Greit” të Oscar Wilde. Me fjalë të tjera, unë e vura veten në pozitat e
mësuesit kur i vë një notë pakaluese një nxënësi dhe kujton se ai aq meriton dhe
pikë.
Këto
ditë lexova librin “Përrallat e Andersenit”, botuar nga Shtëpia Botuese “ALBAS”
dhe sjellë mrekullisht në gjuhën shqipe nga shqipëruesi Klodian Briçi. Dikur
është botuar ky libër, por tani del i plotë me gati 900 faqe (ndonëse i
përkthyer nga gjuha angleze), Hans Christian Andersen, ky autor i
jashtëzakonshëm danez, që ka mbajtur peshë zemrat e sa e sa breza lexuesish.
Ky
libër i sjellë në gjuhën shqipe më kujtoi përkthyesit tanë që na kanë ushqyer
me dashuri për letërsinë e huaj: Petro Zheji, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona,
Skënder Luarasi e të tjerë dhe të vetmen Shtëpi Botuese “Naim Frashëri” që
kishim dikur. Në këtë kohë që po jetojmë kemi me dhjetëra shtëpi botuese dhe e
keqja është sepse ndodh që një libër i përkthyer nga dikush që di gjuhë të huaj
ashtu siç është pa u redaktuar, pa u korrigjuar futet në shtyp. Ndodh edhe më
keq, botuesit nga mania e fitimit sa më të shpejtë një libër e japin për ta
përkthyer në disa duar duke i ndarë kapitujt dhe duke paguar sa më pak sidomos
studentët e gjuhëve të huaja.
Shqipëruesi
Klodian Briçi e ka sjellë këtë libër voluminoz në gjuhën shqipe duke punuar me
shumë dashuri, me shumë përkushtim, me shumë këmbëngulje, me shumë besim tek
vetja, duke bërë një punë të jashtëzakonshme me fjalën shqipe, kështu hera-herës
në përshkrimet e natyrës, kopshteve me lule e të tjera, gjuha e përdorur
tingëllon si prozë poetike. Shqipëruesi duke e kërkuar fjalën shqipe e gjen
edhe të largët në kohë (duhet menduar se Përrallat janë shkruar në kohën kur
nuk ekzistonin telefonat, trenat, avionët e të tjera mjete të kohëve tona
moderne). Në përkthimin e këtij libri në fund të faqeve ka shumë shpjegime për
fjalë të rralla, të veçanta, pak të përdorura dhe ky është një libër që do t’u
mbetet brezave dhe është një libër që nuk lexohet vetëm nga fëmijët e vegjël,
por edhe nga të rriturit që mund ta lexojnë, gjyshi apo gjyshja, nëna apo
babai, dhe ia rrëfejnë fëmijëve duke ua shkëputur vëmendjen nga celulari,
video-games apo tableti.
Meritë
e veçantë për botimin kaq dinjitoz të këtij libri i takon edhe Shtëpisë Botuese
“ALBAS” me botuesit e përkushtuar Latif Ajrullai dhe Rita Petro, kryeredaktores
Natasha Pepivani, redaktores Sevi Lami, korrektores Medina Mehmeti dhe autores
së artit grafik dhe kopertinës Eva Kukaleshi. I përmenda gjithë këta emra sepse
kështu bëhen librat e mirë. Meqenëse edhe unë kam përkthyer disa libra, mund të
them se ndihma e redaktorëve dhe korrektorëve është shumë e çmuar, se mjafton
të ngatërrosh një nyjë apo mbaresën e emrit dhe ndryshon kuptimi i rasës dhe
kuptimi i krejt fjalisë.
Së
fundi, dua t’i uroj Klodian Briçit suksese në shqipërimet e librave të tjerë.