E premte, 02.12.2022, 04:23 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Madhështia e gjeneratave që po vijnë

E enjte, 03.12.2020, 08:42 PM


Madhështia e gjeneratave që po vijnë

Mësimi si thesar i ndritur e një gjimnazisteje në Pejë

DITURIA ËSHTË PJESË E JETËS SIME, OSE, SPECIFIKAT E PUNËS SË NXËNËSES, ELA BYTYQI, DUKE “TUNDUR” DETIN E DITURISË...!

Nga Sejdi BERISHA

Gjithmonë, dituria e ka pasur peshën e lumturisë dhe të zhvillimit të shoqërisë. Për këtë arsye, pothuaj se në të gjitha shkollat, gjeneratat e reja angazhohen që të arrijnë atë diturinë e cila i bën krenarë, por edhe vetë ata bëhen faktor i diturisë, shkencës, arsimit, i historisë, mjekësisë dhe i të gjitha fushave, të cilat një komb e bëjnë krenar e të lumtur, atdheun e bëjnë me peshë e me rëndësi në të gjitha aspektet. Në këtë drejtim ka shumë nxënës që dallojnë dhe janë edhe më të përkushtuar, që të arrijnë dituri dhe njohuri sa më shumë, të cilat hapin rrugën për studime të mëtejme, për të ecur drejt arritjeve që edhe kalojnë përmasat kombëtare. Raste të tilla ka pasur shumë e shumë në periudhat e shkuara, por ka edhe tash, të cilat duhet mbështetur dhe të gjithë atyre nxënësve që janë të përkushtuar mësimit, t’u jepet mbështetje dhe kuraje.

E bëra këtë hyrje me qëllim për të përshkruar dhe theksuar angazhimin dhe përkushtimin e një nxënëseje, e cila që nga klasa e parë kur u ulë në bankat shkollore, angazhimi i saj ishte unik për të mësuar dhe për t’u pajisur me dituri. Kështu, pesat e saj stolisen ditarin dhe librezën e saj shkollore për nëntë vite radhazi në Shkollën Fillore të Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, e për të vazhduar tani në gjimnazin “Bedri Pejani”, po ashtu në qytetin e Haxhi Zekës. Kjo është, nxënësja, Ela BYTYQI, e cila nuk rresht së mësuari dhe kështu për t’i radhitur pesat edhe në gjimnaz, e cila mësimet i vijon në klasën e X/8.

Ela Bytyqi, nxënëse që diturinë e ka pjesë të jetës

Është karakteristike, se kjo nxënëse asnjëherë dhe as tash nuk mëson vetëm sa për të marrë një notë të mirë-pesë, por mësimin e ngulitë në mendje dhe e bën pjesë përbërëse të punës së saj mësimore. Ajo, që në fillim, vuri angazhimin e saj në binarët e mësimit, me mendjen se ata janë të gjatë dhe plot sfida, risi, lumturi por edhe sfida të cilat vetëm me mësim dhe dituri duhet tejkaluar.

Atë, gjithnjë në shtëpinë e saj deri në orët e vona të natës e gjen me libra dhe fletore, duke e “tundur” detin e diturisë! Për këtë, dëshmojnë edhe rezultatet në gjimnaz, në të gjitha lëndët mësimore, që, të gjitha, pa dallim, i ka për shpirt, i do dhe i respekton shumë. E për çfarë stoliset me pesa...

Nga lënda e mikrobiologjisë

Vetëm pak histori për Elën në shkollën fillore të mesme të ultë

Ajo që në klasën e parë, iu përkushtua mësimit, ndoshta gjithnjë për të trasuar rrugën mu ashtu sikurse edhe motra e saj, Gresa. Ela, asnjëherë nuk kishte ndodhur që të shkojë në mësim e papërgatitur, për çfarë më së miri e din mësuesja e saj por më vonë edhe mësimdhënësit, të cilët edhe sot e kanë shembull se si arrihet dituria e një shkollari, që para vetes i sheh qartë horizontet e ndritura të jetës dhe mësimdhënies, studimit dhe shkencës.

Kjo nxënëse, edhe aty tregonte talentin dhe dashurinë e saj për të arritur sa më shumë në të gjitha lëndët mësimore, por edhe në aktivitetet e lira.

Të gjitha këto, Ela i përmbylli me krenari për t’i vazhduar tash edhe në gjimnaz.

Ela Bytyqi: Jam krenare me punën që bëj, sepse, vetëm dituria njeriun, kombin dhe njerëzimin e bën të lumtur

Dhe çfarë është edhe më me rëndësi, ajo krahas mësimit, është shumë e kujdesshme, e përgjegjshme dhe pedante edhe në realizimin e detyrave me përkushtimin më të madh. E krahas kësaj, ajo është nxënëse e veçantë mbase edhe e rrallë, e cila i kushton kujdes dhe respekt bukurshkrimit, që është një prej faktorëve që dëshmon për qasjen serioze dhe studiuese mësimit në të gjitha fushat mësimore. Për këtë dëshmojnë edhe fletoret e saja, disa prej të cilave po ua dëshmojmë edhe në këtë shkrim.

Nga lënda e biologjisë

Ajo, njëjtë i çmon dhe i konsideron të gjitha lëndët mësimore. krahas lëndëve shkencore, i ka për zemër edhe ato që e fisnikërojnë shpirtin, si arti figurativ, edukata fizike dhe edukata muzikore. Për këtë dëshmojnë edhe këto piktura dhe faksimile që e begatojnë opusin e punës mësimore dhe studimore...

Është njohëse e mirë e gjuhës angleze, për çfarë i ka vijuar të gjitha nivelet e kursit të kësaj gjuhe. Relativisht mirë e njeh edhe gjuhën frënge.

Nga lënda e gjuhës angleze dhe matematika

Mona Liza në kolazh dhe portret-vizatim

Të gjitha këto, jo pa qëllim i vumë në spikamë, për të treguar se ka shumë të rinj e të reja që gjatë shkollimit dallohen me talentin dhe përkushtimin e punën e tyre, për çfarë, ato filiza diturie të së ardhmes përherë duhet mbështetur dhe trimëruar për të ecur gjithnjë të sigurt se mundi dhe aftësitë e tyre nuk do t’iu shkojnë huq, por do të bëhen ata që i dhurojnë vepra shoqërisë, atdheut dhe kombit.

Ela Bytyqi, edhe motrën e saj, Gresa Bytyqin e ka të shkëlqyer, e cila tani me sukses të lartë studion shkencat kompjuterike, ndërsa i vëllai i saj, Dreni, në shkollën fillore të mesme të ultë, nuk njeh asnjë notë tjetër përveç se pesave.

Kjo është krenaria e prindërve, kjo është krenaria e familjes, kjo është krenaria e kombit dhe e atdheut.

Elës i uroj rrugëtim të mbarë dhe suksese në punën që është duke e bërë realitet dhe vepër me themel, por edhe të gjitha gjeneratave të reja që janë e që do të vijnë...!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora