Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Pesha e mesazhit dhe horizontit jetësor në këndimin poetik
E shtune, 11.01.2020, 12:18 PM
Analizë libri
Sejdi BERISHA:
PESHA E MESAZHIT DHE E HORIZONTIT JETËSOR NË
KËNDIMIN POETIK
(Fitore HAKLAJ: “Shpirti peshon”- PoezI,
botoi MESHARI-Prishtinë, 2019)
Rrugëtimi
jetësor është ai tharmi dhe themeli që njeriun shpeshherë e detyron të
përballet me të gjitha sfidat të cilat provokojnë shpirtin që t’i qaset edhe
këndimit, edhe shkrimit, edhe vargut e pikturës, që janë reflektim i dhembjes,
i mallit por edhe i lumturisë, e të gjitha këto, njeriun e bëjnë pjesë të
madhështisë dhe e kalitin me njerëzoren, të cilat e mundin atë që përbrenda
mendjes dhe vetvetes krijon e shkruan histori të kujtimeve të trishta por edhe
të bukura. Ndërsa, krijimtaria, jo vetëm se fisnikëron, por edhe hapë horizonte
për të thënë e për përjetësuar shumëçka në jetë. Si duket, i tërë ky konstatim,
edhe pse është libri i parë, është mbrumur në “Shpirti peshon” i autores,
Fitore Haklaj.
Moment nga promovimi i librit
Pesha e fjalës që shndërrohet në këngë, edhe në hidhërim,
edhe në lumturi, edhe në dhembje...
Duke iu referuar biografisë së saj, atëherë, edhe
këndimi poetik, s’do mend se kapërthehet me personalitetin e saj të kalitur
pastër e qëndrueshëm, për çfarë na dëshmojnë edhe vargjet kushtuar peshës dhe
mesazhit të asaj që quhet “fjalë”, e cila, edhe shndërrohet në këngë, edhe në
hidhërim, edhe në lumturi, edhe në dhembje, e që bashkërisht krijojnë histori
jete. Andaj, edhe pse në mënyrë të thjeshtë por të kapshme, autorja fjalën e
konsideron diçka që kapërthehet e mishërohet me mirësinë, me edukimin, me
qetësinë e shpirtit dhe me tërë madhështinë e ndijimin shpirtëror. Për këtë,
tanimë poetja, në mes tjerash vargëzon: “Fjala është si mjalti/Ta lehtëson
shpirtin /Ta ngrit ballin”!
Pra, kështu, ajo, fjalën e konsideron si nismën e
të gjitha rrjedhave. Kjo, nënkupton se fjala si kuptim nuk është gjë e thjeshtë
dhe as e lehtë, por edhe shumë e rëndësishme, nga e cila varet pothuaj se
gjithçka!
Pas promovimit një foto me peshën e kujtimit
Autorja, në shikim të parë na duket se lexuesit i
sjell diçka të thjeshtë dhe modeste, por, nëse e analizojmë më thellë vargun e
saj, ndoshta modest, mund të konstatohet se ajo bën përpjekje për të na ofruar
atë zjarrminë e dilemave të rrugëtimit jetësor, i cili rrugëtim nuk është aspak
i lehtë dhe as i thjeshtë. Për çfarë, në mes tjerash vë në spikamë edhe këtë,
se: “Shumë herë mendja më shkon /A ta bëjë atë rrugë që ka dy kahe/Duke e ditur
që nuk ka ndalje/Apo ajo që është shumë e drejt/Dhe e pafund”.
Duke e lexuar me përkushtim librin “Shpirti
peshon”, sikur para nesh na del një pikturë e paparë dhe e veçantë, e vargu
është shpirti i pikturës, përbrenda saj mund të lexojmë e përjetojmë gjërat që
peshojnë shumë, dhe si të tilla na detyrojnë edhe mesazhin e veçantë e shumë të
përgjegjshëm, sepse: “Mos i harroni të gjitha kujtimet/Ato të bukurat i ruaj në
zemrën time”. Vargjet e tilla, gjithsesi tingëllojnë edhe si këshillë por edhe
si qortim!
Edhe etja, si pjesë e fuqishme e vargut dhe e
këndimit, si pjesë e jetës së njeriut tonë për shumëçka e gjithçka, në këtë
libër e hasim si një peshë që nuk dëshmon thjeshtë vetëm etjen, por edhe shumë
gjëra që e rëndojnë apo e madhështojnë historinë e njeriut por edhe të kombit,
e që etja më e rëndë dhe më e tmerrshme është kurbeti, malli dhe dashuria për
vendlindjen dhe atdheun: “Etja ishte e madhe/Dhe buzët ishin tharë/Nuk më mbeti
tjetër/Veç të filloj të qajë...”. Mirëpo, autorja nuk dorëzohet dhe as nuk i
shuan shpresat për jetë të lumtur, pra, edhe për ta shuar etjen e cilitdo lloj
qoftë. Për këtë edhe vargëzon: “Etja/Më shikoi në sy/Ma dha një buzëqeshje/Më
tha ec përpara/Se do ta shuaj etjen”!
Fitore HAKLAJ
Këtë temperament këndimi, autorja e ka në shumë
poezi, dhe se ajo, nuk heziton, që ashtu si ia thotë mendja e shpirti, lexuesit
t’ia ofrojë mendimin dhe qëndrimin e saj: “Ah shpirt i pastër e në paqen e
botës/Shikoje sa bukur është jeta në mendimet e mia/Vlerat e çdo mendimi që ke
në kokë/Janë gjërat më të bukura që mund t?i shijosh”.
Ose, kur thotë: ”Të lutem dritë e vogël, bëhu e
madhe/Shndrit rrugën time, shndrit zemrën time/Çdo rreze e jotja më ngroh në
shpirt/Më ndez ndjenjat dhe ëndrrat çdo ditë”.
Në këtë mënyrë, autorja shpërfaq diapazonin e saj
të pastër, njerëzor, të begatë e të qëndrueshëm për ta përqafuar lumturinë dhe
për ta luftuar dhembjen, e cila jo rrallë na zë gafil gjatë rrugëtimit jetësor,
apo edhe na kapërthurë në rrjetin e saj.
Vargu që ngrit lartë bukurinë dhe mesazhin e poezisë
Nganjëherë, tek poezia e Fitore Haklajt, hasim edhe vargje të cilat sertshëm reflektojnë sfidat me jetën, siç është poezia “Amaneti”, por, vijnë e shndrisin edhe vargjet që dëshmojnë për qëndresën, për optimizmin dhe për jetën e lumtur, e që më së miri, më duket se ngritin lartë bukurinë dhe mesazhin e vargëzimit: “Ju dua sa yjet që janë në qiell/Ju dua sa diellin që çdo ditë na ngroh /Ju dua sikur ujët që etjen na e shuan/Ju dua sa jetën që nuk ka më”.
Në “Shpirti peshon”, autorja ligjëron edhe për
shumë gjera që bëjnë trakullima në jetë, mbase edhe turbulenca, të cilat
ndonjëherë dot nuk përballohen, si te poezitë, “Gabim”, Ik, shko” e të tjera.
Mirëpo, kjo autore, që këtë libër e ka si fëmijën e parë, do të thotë gëzimin e
parë, këmbëngulë dhe heshtjen asnjëherë nuk e pëlqen. Për këtë dëshmojnë edhe
vargjet: “Largoje atë dhimbje/Se të lëndon shumë/Fole atë fjalë/Mos e mbaj si
plumb”.
Të kësaj fryme i ka edhe shumë poezi, siç është
ajo “Fryma” e të tjera.
Përmes këndimit poetik, autorja ka shprehur
ndijimin shpirtëror edhe për figura të larta dhe për persona të dashur të saj,
që, veç sa e shtojnë peshën përmbajtjesore të librit.
Poezitë në këtë libër, të cilat lëvizin si
grafikon, sa poshtë lartë, trajtojnë thjeshtë e fuqishëm jetën me tërë atë
bagazhin kurrë të pa shpjeguar dhe të papeshuar deri në fund, dhe vargëzimi me
thjeshtësinë e vetë, lexuesin, jo vetëm se e bën për vete, por ia mundëson që
edhe ai vargjet dhe poezitë t’i përjetojë dhe komentojë ashtu siç do vetë.
Dhe krejt në fund. Fitore Haklaj, kam përshtypjen
se nuk i vë pranga as vargut dhe as këndimit. Gjithashtu, as nuk i vë me zor
hijeshi relievit dhe as horizontit të vargut dhe poezisë, prej nga shijohet e
përjetohet gjithçka, edhe pse, nganjëherë edhe autorja edhe vargu, reflektojnë
zemërimin dhe hidhërimin bashkë!
Dua të shpresoj, se autorja në librin e radhës do
ta na sjell këndim edhe më madhështor, duke kuptuar se krijuesi, në këtë rast,
poetja, krijon paqe me vargun dhe kështu u jap përjetësi thellësive të mendjes
dhe cilësisë, të cilat gjithnjë i kërkojmë. Është kënaqësi të krijosh, por edhe
më shumë është guxim dhe përgjegjësi...!
Shkrimin do ta përfundoj me disa nga vargjet e
autores së këtij libri kushtuar nënës: “Ah, fjalë e ëmbël fjala nënë/Kush ta
shuan mallin si ti/Askush në botë nuk të kupton/Ti veç më ata sy kur të
shikon”!