Editorial
Ryzhdi Baloku: Mohuesit e vetvetes!
E hene, 23.11.2020, 09:44 PM
MOHUESIT E VETVETES, APO "VETËVRASJA E PERSONALITETIT"
Nga
Ryzhdi Baloku
Platformat
politike të shteteve fqinje, Serbisë, Greqisë dhe të disa shteteve tjera,
tashmë janë të njohura për historiografinë shqiptare.
Kryeministri
i Serbisë Ilia Garashanin në vitin 1844, e miratoi programin ekspansionist
"Naçertanije", me të cilin pos tjerash parashihej edhe zgjerimi i
territorit të shtetit serb. Po në atë vit, Asambleja Kombëtare e Greqisë
aprovon platformën politike "Megali idea", të cilën Kryeministri Jani
Koleti e shpall si themel të ekzistencës politike të Greqisë, me pikëpamje të
njëjtë, pothuajse si ajo e shtetit serb.
Pos
programeve të cekura antishqiptare, kemi edhe shumë të tjera si këto, të cilat
janë hartuar nëpër periudha të ndryshme historike, por me këtë rast nuk janë
objekt trajtimi, andaj edhe nuk do t'i përmendim në këtë shkrim.
Pas
shthurjes së Perandorisë Osmane, në periudhën kur fuqitë e mëdha i përcaktonin
kufijtë e shteteve nacionale në Gadishullin Ballkanik (Ilirik), politikani serb
me koncepte raciste e shoviniste dr.Vladan Gjorgjeviq, me 1913 botoi librin
"Arnautët dhe fuqitë e mëdha" i cili qëllim kryesor kishte që para
fuqive të mëdha të vihej në pyetje pjekuria civilizuese e shqiptarëve, e me
këtë edhe e drejta për ta pasur shtetin, derisa "Arnautët si njerëz me
bisht" ishte vetëm njëri ndër epitetet që u vihej shqiptarëve, në
përshkrimin antropologjik të tyre.
Propagandës
antishqiptare të këtij politikani iu bashkëngjitën edhe një numër
intelektualësh serbë të asaj kohe, edhe pse ata posedonin njohuri se shqiptarët
i kishin dhënë civilizimit botëror udhëheqës shpirtërorë dhe njerëz të dijes.
Lidhur
me këtë propagandë është një tregim interesant që ndërlidhet me poetin tonë të
madh, At Gjergj Fishtën, ngjarje kjo e cila shpjegohet si vijon:
Poeti
At Gjergj Fishta kishte shkuar në një konferencë shkrimtarësh në Romë. Në atë
konferencë merrte pjesë edhe një shkrimtar serb, i cili në librin e tij kishte
shkruar se shqiptarët janë me bisht.
Kur
të gjithë u ulën për të filluar konferencën, Gjergj Fishta ndenji në këmbë.
-
Zotëri a nuk keni karrige ? - pyeti drejtuesi i seancës.
-
Karrigen e kam, por nuk ka vrimë ku ta fus bishtin, - u përgjigj Fishta.
-
Cilin bisht ? - e pyeti i habitur drejtuesi i seancës.
-
Bishtin që e kemi ne shqiptarët për të cilin ka shkruar ky shkrimtar serb, -
tha Fishta, duke shënjuar serbin.
-
Ju lutem zotëri, mos bëni shaka! - foli përsëri drejtuesi i seancës.
-
Nuk po bëj aspak shaka, - u përgjigj Fishta, sepse serbi, o do ta gjej bishtin
për të cilin ka shkruar se e kanë shqiptarët, o le të dalë përjashta i
turpëruar.
Për
serbët e grekët dihet botërisht se janë armiqtë e shqiptarëve, andaj çfarëdo që
vjen prej tyre nuk është për t'u çuditur. Pra, kur pushtuesit flasin dhe
shkruajnë keq për të pushtuarin, ose për atë që pretendojnë ta pushtojnë, nuk
është aspak e çuditshme. Mirëpo, të flasësh dhe të shkruash keq për vetveten,
jo vetëm që është për t'u çuditur, por është edhe për t'u studiuar, si një
koncept që e pasqyron mohimin e vetvetes.
Ky
fenomen psikik i shfaqur te disa personalitete të caktuara, ka kohë që më
sillej në mendje, si një ves që duhet studiuar, andaj në këtë shkrim vendosa ta
trajtoj si një temë shqyrtimi nga këndvështrimi im.
E
kam menduar bukur gjatë, se në çfarë mund të përngjajë mohimi i vetvetes.
Pas
shumë përsiatjesh lidhur me këtë, kam ardhur në përfundim se ka goxha
ngjashmëri me vetëvrasjen.
Meqë
ka të bëjë me një të metë mendore që sjell dëme, atëherë vetvetiu lind pyetja
se çfarë është dhe ku është arsyeja që e shtyn dikë ta mohojë vetveten, apo
çfarë e shtyn atë të bëjë "vetëvrasje".
Në
biseda mes njerëzve më ka rënë ta dëgjoj një thjeshtëzim të arsyetimit, i cili
ka të bëjë me çështjen e shfaqjes së ekstremeve të ngjashme më arsyen e atyre
që vetveten e mohojnë, kur arsyetuesit thonë "qëllimi është për të krijuar
emër, apo për të dalë nga anonimiteti". Mirëpo, sipas mendimit tim arsyeja
është shumë më e thellë, se sa që është fama, për të cilën dikush e mendon për
arsyetim.
Për
ta zgjidhë më lehtë këtë enigmë, e kam nisur analizën e çështjes me shembujt
konkretë, të atyre personaliteteve që jo vetëm nuk janë anonimë, por edhe kanë
krijuar emër, para se ta fitonin epitetin "mohues i vetvetes".
Lidhur
me këtë, për lexuesit është i njohur qëndrimi mohues i dy personave, të cilët
kishin krijuar emër edhe para se të personifikoheshin me epitetin e
"mohuesit të vetvetes", apo thënë ndryshe, para se ta bënin
"vetëvrasjen" e personalitetit të cilin e kishin ndërtuar më herët.
Për
këta dy persona mund të themi se, njëri prej tyre që është albanolog dhe
shkrimtar me famë kombëtare (që tani jeton në një shtet të zhvilluar të
Evropës), kishte emigruar në Shqipëri në kohën e regjimit të Enver Hoxhës,
kurse tjetri që është publicist, jeton në Kosovë dhe merret me analiza
politike, sidomos në periudhën e pasluftës së fundit.
I
pari prej të përmendurve, e kishte botuar një roman shumë interesant me titull
"Tradhtia", i cili asokohe konsiderohej ndër më të mirët e letërsisë
shqipe. Megjithëkëtë, më vonë i njëjti ka vuajtur shumë nëpër burgjet e
Shqipërisë, gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës. Mirëpo, pas rënies së
këtij regjimi dhe daljes së tij nga burgu, ai e mohoi përkatësinë e tij prej
shqiptari, duke e proklamuar veten malazez. Proklamimi se nuk është shqiptar, u
deklamua nëpër disa media me një tezë antishqiptare, lidhur me prejardhjen e
këtij kombi, për çfarë edhe zgjoi shumë polemika mbi këtë çështje, ndërsa i
dyti doli me tezën kontroverse për "kombin kosovar" dhe deklaratën e
çuditshme se "kombi shqiptar u krijua me ndihmën e Perandorisë
Osmane", për të cilën gjë ka shkruar "Periskopi" dhe shumë
portale tjera, me 29 tetor të vitit 2020, e më pas.
Së
pari ta analizojmë tezën e personit të dytë lidhur me "kombin
kosovar", e pastaj edhe atë lidhur me "kombin shqiptar të krijuar me
ndihmën e Perandorisë Osmane"
Sipas
mendimit tim, kjo tezë për "kombin kosovar" na përkujton pretendimet
politike të shovinistëve serbë të Jugosllavisë së dikurshme nga koha e
"Rankoviqit", të cilët pretendonin në copëzimin e shqiptarëve me
teorinë e tyre në "shiptari" dhe "albanci".
Pra
ky publicist, nuk u kënaq me pretendimin e "kombit kosovar" i cili
"nuk i piu ujë", andaj doli me tezën tjetër edhe më ekstreme dhe
vetëmohuese se "kombi shqiptar u krijua me ndihmën e Perandorisë
Osmane".
Të
kthehemi pak në histori, për ta kuptuar më mirë tezën pretenduese të këtij
vetëmohuesi, e cila bie ndesh me realitetin e asaj kohe, për të cilën kohë flet
ky publicist kosovar.
Gjatë
një interviste të cilën e kanë publikuar shumë gazeta, revista dhe portale,
shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ndër të tjera thotë: Asnjë gjuhë
tjetër dhe asnjë shkollim në Evropë nuk kanë pasur një martirizim të tillë, pesë
shekuj dënim.
Për
të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e
shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006 në Paris. Tabloja
e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla,
prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private
greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me
drejtor Pandeli Sotirin!
Pra,
gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në "perandorinë tolerante", përveç njërës,
gjuhës shqipe! Dhe historia s'mbaron me kaq. Katër vite më pas, vritet Pandeli
Sotiri, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është
shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të
vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori.
Shikuar
nga ky aspekt, logjika e shëndoshë e njeriut nuk e kapërdin tezën e këtij
publicisti se "kombi shqiptar u krijua me ndihmën e Perandorisë
Osmane", kur e njëjta Perandori ia ka ndaluar dhe mohuar gjuhën këtij
kombi!
Kur
është fjala për albanologun dhe autorin e romanit "Tradhtia", të
cilin e kemi marrë si shembull të kësaj teme, duhet pranuar faktin se i njëjti
pastaj ka vuajtur shumë nëpër burgjet e Shqipërisë, gjatë kohës së sundimit të
Enver Hoxhës.
Lidhur
me autorësinë e romanit "Tradhtia" (me të cilin kishte krijuar emër
para se të burgosej ky shkrimtar nga regjimi i Enver Hoxhës), në portalin
"Iliria News" të dt.18.04.2018 shkrimtari Nafi Çegrani ka shkruar
artikullin me titull: "Kush ishte autori i vërtetë i romanit »Tradhtia«...",
me të cilin shkrim e vë në dyshim autorësinë e kësaj vepre, nën pretekstin se
UDB-a jugosllave ia ka konfiskuar dorëshkrimin e këtij romani autorit të
vërtetë, të cilit i humbin gjurmët dhe ia japin "agjentit" të vet,
këtij gjuhëtari e shkrimtari, që pas arratisjes së planifikuar nga burgu i
"Idrizovës" ta botojë atë në Shqipëri. Por, meqë kjo çështje nuk
është temë e këtij shkrimi, do ta përmbyllim me kaq, duke mos e marrë si të
vërtetë absolute pretendimin e parashtruar të shkrimtarit Çegrani, për autorësinë
e veprës së cekur.
Në
portalin "Balli Kombëtar Demokrat" të datës 23 tetor të vitit 2018,
është publikuar artikulli me titull "Kocaqi: Greqia, Turqia dhe Serbia
kanë financuar prej njëqind vitesh politikanët shqiptarë", në të cilin
shkruan se historiania Elena Kocaqi e ftuar në emisionin "360 Gradë"
të "Ora News", tha: "Greqia ka financuar prej më shumë se
njëqind vitesh në politikën shqiptare ...
...
Unë të paktën si historiane e kam gjetur në arkiva që para njëqind vjetësh
Greqia financonte politikanët tanë për vendimmarrje.
Financon
Serbia, financon Turqia. Fondet që jepen në Shqipëri janë jo qindra milionë
dollarë, por mendoj se është një buxhet që shkon sa buxheti i Shqipërisë.
Gjithë
ky investim ka prapavijë politike të qartë. E ka bazën tek nacionalizmi ekstremist,
për të krijuar perandori neo-otomane, bizantine, të Stefan Dushanit, etj.
...
Ky problem është i madh sepse dëmton interesat kombëtare ...
Grekët
kanë program të caktuar, ndarjen veri-jug të Shqipërisë dhe rritjen artificiale
të numrit të minoritarëve".
Nëse
sipas Elena Kocaqit, politikanët shqiptarë paguhen nga Turqia dhe shtetet
fqinjë, Serbia e Greqia, atëherë lirisht mund të nxjerrim konkluzion (për të
gjitha trojet shqiptare) se edhe një numër i caktuar gazetarësh, analistësh dhe
shkrimtarësh, ka gjasa që paguhen sikurse politikanët, por ndoshta me shuma më
të vogla parash, krahasuar me politikanët vendimmarrës.
Sa
i përket deklaruesve të tezave antishqiptare, përgjigjen demantuese më të mirë
ndaj tyre mund ta gjejmë edhe në shkrimin e vitit 1914 të dijetarit dhe
diplomatit amerikan George Fred Williams, i cili ka qenë ambasador i ShBA-ve në
Greqi dhe Mal të Zi, si dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e
kufijve të Shqipërisë gjatë viteve 1913-1914, i cili shkruan:
"Po
të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe
heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i
njohur me emrin Pellazg.
Shqiptarët
janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot nga kjo racë e fuqishme parahistorike.
Vetëm vitet e fundit është përcaktuar se Pellazgët kanë qenë Ilirët e lashtë…
Këta, Ilirët kaluan edhe në Itali me emrin Toskë, siç quhen ende edhe në
Shqipëri, ndërsa në Itali kanë mbetur si Toskë, toskane, etruskë…
Shqipja
ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, sepse grekët e kanë huazuar nga rapsodët
Pellazgë eposin e tyre të shquar… Shqipja ka qenë gjuha amtare e Aleksandrit...
dhe e Pirros së Epirit, një prej gjeneralëve më të mëdhenj të historisë…
Është
tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të
katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandali i qytetërimit
Evropian.
Nuk
është për t’u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdolloj gërmimesh në
tokën shqiptare, që mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme…
Ç’pasuri
e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e
historisë së Pellazgëve !".
P.S. George Fred Williams është autor i librit "The
Shkypetars" e përkthyer në shqip "Shqiptarët" nga Shaban Balla,
botuar në "Dielli" Tiranë me 1934.