E marte, 02.03.2021, 11:42 PM (GMT)

Kryeshkrim

Sami Islami: Ezani dhe ritualet e tjera me altoparlantë

E enjte, 12.11.2020, 09:58 PM


EZANI DHE RITUALET E TJERA ME ALTOPARLANTË

Nga Sami ISLAMI

Për ndyshim nga kristianizmi që u reformua 4 shekuj më parë me Martin Luterin,  feja islame  mbeti, ashtu  siç ka qenë në shekullin e gjashtë, kur u proklamua si fe e re! Deri para 4 shekujsh edhe kristianizmi ishte fe radikale (ashtu siç është sot feja islame). Feja islame pra, si e tillë s’ka ndryshuar fare! Me një fjalë gjithçka ka mbetur e njejtë si në kohën e para 14 shekujve.

Edhe ezani, si një ritual, ka mbetur njësoj në strukturë, por jo edhe në paraqitje! Bile vetëm këtu mund të themi se ka një ndryshim! Dhe ndryshimi është se, që nga gjeneza,  ezani është thirrë drejtpërdrejt nga hoxhallarë, të cilët është dashur të hipin vetë në minare. Kurse në këto dekadat e fundit u gjet “zgjidhja” që hoxha të mos të “lodhet” më m’u ngjitë në minare! Kjo “punë” tash e tutje  iu la altoparlatit.

Dhe , vërtetë, në këto vjetët e fundit nuk ka xhami në territoret shqiptare të besimit islam, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e, edhe  në trevat e tjera ku ka shqiptarë të besimit islam,  të mos jenë të pajisura me altoparlantë! Ezani është i incizuar në disk, caktohet dikush për ta “lëshu” aparatin dhe puna u kry!  Atje lart, në minare, vihen altoparlantë të mëdhej, që mund të prodhojnë zëra  me amplituada shurdhuese.

Si mund të shpjegohet kjo, nga ana fetare, pa të mos flasim për atë humane, se humaniteti u pa!? A e lejon feja që me thirrjen e ezanit me altoparlantë shurdhues t’i tranosh fëmijët në gjumë, por edhe njerëzit e tjerë, që nuk duan t’ia dinë për këto rite fetare? A është kjo sipas kodit fetar gjë  e mirë, apo mëkat, se mos të flasim për ligje, nga se ato tek ne janë vetëm në letër!? Si shpjegohet kjo nga autoritetet e fesë islame?  A duhet dikush me marrë përgjegjësi për këtë? Më intereson të di si e “arsyeton” këtë kreu i BIK ut Naim Tërnava, apo ai e ka shti kryet në zall, si struci, për mos me “pa” asgjë jashtë!

Nëpër qytete, për ndryshim nga fshatrat,  ka shumë xhami dhe po aq edhe minare. Bile  po ndërtohen edhe xhami të reja, se! Në Prishtinë, fjala vjen, që deri para 4-5 vjetësh ishin nja 7o xhami, por tash iu shtuan edhe shumë të tjera!   Dhe, në çdo vakt, kur thirret ezani hallakama nga altoparlantët  ushton  edhe më fuqishëm gjithandej! Kjo duket më së miri në kohën e ramazanit.  Dhe,  kur xhamitë janë afër njëra-tjetrës,   si në Prishtinë ose Prizren, për shembull, në ato momente duket sikur  ato po  bëjnë gara, se cila nga to e ka altoparlantin më të fortë!  Ezanet dalin me zëra të ndryshëm, disa me pak më të trashë, disa me pak më të hollë…Disa ia nisin pak më heret , disa pak sekonda më vonë! Thjesht, për disa minuta, njeriu e dëgjon çierrjet më të çudishme në botë, që s’i merr vesh njeri! Truri të vlon prej CD-ve të ardhura nga Arabia, Turqia, Pakistani a Avganistani!

Por kështu nuk është në të gjitha trevat shqiptare të besimit islam. Në Maqedoninë e Veriut, p.sh.  situata është pak më ndryshe. Edhe pse, edhe atje, ezani thirret me altoparlantë,  edhe pse, edhe atje  ka plot xhami, shteti maqedon ka sjellë ligjin për amplitudat e lejuara! Atje nuk mundet asnjë xhami t’ia “ngritë” zërin altoparlanteve  sa të duan vetë, si në Kosovë dhe Shqipëri! Se,  po qe se ndodh kjo Bashkësia Islame atje  do të përgjigjet për thyerje të ligjit.

Edhe në të gjitha shtete e Evropës, ku ka pjestarë të fesë islame, disa  hoxhallarëve shqiptarë, për të cilët, atje,   liria fetare është më e madhe se kudo, atje ezani nuk lejohet fare, si në Angli, Zvicër, Gjermani! Të gjithë kanë të drejtë të mbajnë fetë e tyre, por pa i penguar qytetarët e tjerë. Në botën e qytetëruar funksionon ligji, e jo si tek ne anarkia.

Një ligj i tillë duhet të nxjerret   edhe në Kosovë e në Shqipëri! Sepse vërtetë kjo që po ndodh me ezanin (por jo vetëm)  tek ne i ka kapërcy caqet ligjore dhe  humanitare. Autoritetet shetërore duhet ta nxjerrin ligjin për amplitudat e lejuara  dhe atë  sa më shpejt që është e mundur!  Kjo që po ndodh tek ne nuk mund të merret me mend. Kjo është anarki fetare! Ky lloj ezani nuk është asgjë tjetër, pos provokim i hapët kundër të gjithë atyre që nuk i përkasin fesë islame, si dhe kundër  të gjithë afetarëve! Në të njejtën kohë ky fenomen reflekton imazh të gabueshëm dhe aspak të mirë  në sytë e turistëve të huaj! Kosova e Shqipëria me kushtetutë  janë shtete laike. Nuk janë shtete fetare, si Irani apo Afganistani. Shetet tona duhet t’i zbatojnë kushtetutat e tyre!

Ky marifet nuk përfudon vetëm me kaq! Derisa në Maqedoninë e Veriut shteti ka vu ligje për amplitudat lejueshme të zërit, përsa i përket ezanit, siç theksuam pak më lart, në Kosovë e Shqipëri po vazhdon avazi i vjetër. Tani vetëm sa po shtohen xhamitë edhe më shumë, e bashkë me to edhe altoparlantët me zhurma të padurueshme.

Për sa i takon kësaj teme, çuditërisht Shkodra është një përjashtim! Këtu, përveç se ezani thirret me altoparlant, si kudo,  atje edhe krejt falja e namazit bëhet me altoparlant! Domethënë krejt lutjet fetare që hoxha i reciton brenda në xhami,  qytetarët e Shkodrës  janë “të detyruar”  t’i  dëgjojnë jashtë, qofshin ata të besimit katolik, të besimit ortodoks, apo njerëz ateistë, apo ndoshta edhe turistë të rastit! Çka mund t’i thuhet kësaj  pune ore? S’ka asnjë kualifikim tjetër, pos se ky është një provokim i hapët  ndaj të gjithë të tjerëve, që janë ndryshe me besim ide ose me formim intelektual!

Këtë që e theksova më lart e pashë me sytë e mi. Më rastisi të jem në Shkodër në mesditë në fund të shtatorit  bashkë me një mik timin dhe po e dëgjonim edhe ne  këtë “marifet”! E pyes një avokat shkodran: Ç’është kjo kështu? Ai na përgjigjet: Kështu e kemi për ditë. Në mesditë për një orë a më shumë jemi të detyruar ta dëgjojmë këtë hallakamë lutjesh! Unë e kam zyrën përballë xhamisë dhe gjatë “faljes” mua më duhet t’i mbyll dritaret, sepse nuk mund të punoj nga zhurma që vjen nga maja e minares!

Ky është realiteti i sotëm i shteteve shqiptare dhe i shqiptarëve të besimit islam edhe në trevat e tjera etnike! Uroj që qeveritë tona të marrin masa dhe t’ua ndalin hovin këtyre dukurive! Se çka do të sjell e nesërmja, mbetet të shihet!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora