Editorial
Nikë Gashaj: Intelektualët dhe politika
E hene, 02.11.2020, 10:19 PM
INTELEKTUALËT DHE POLITIKA
Nga
Nikë Gashaj
Shikuar
historikisht, në përgjithësi dallohen dy rryma të kundërta dhe të fuqishme
intelektuale në raport me politikën si atribut i pushtetit shtetëror.
Rrymën
e parë e përbëjnë intelektualët-ithtarë të filozofisë pozitiviste,
respektivisht funksionale. Sipas tyre, e gjithë ajo që shmanget dhe që del
jashtë regjimit politik është vetëm devijim, deformim dhe rast patologjik. Kjo
rrymë intelektuale vazhdimisht është imponuar me një ofertë të hapur, që është
e gatshme të veprojë në ruajtjen e regjimit politik dhe mbrojtjen e interesave
të veta nga sulmet revolucionare-ndërrimet.
Një
drejtim i tillë social ka qenë i përbashkët për të gjithë protagonistët e tij,
që nga Konti, përmes të Dirkemit, deri te Veberi.
I
tërë kapitali intelektual ishte i përqëndruar në hulumtimin e një ane të
realitetit: rendit shoqëror, stabilizimit të strukturës politike
ekzistuese-edhe pse ajo në raste të shpeshta ka qenë një sistem politiko-shoqëror
jo human. Në të vërtetë, ky drejtim në thelb ka qenë një koncept statik për
mbrojtjen e status quo-s, si dhe një ideologji konservatore mbi shoqërinë dhe
politikën.
Rryma
e dytë intelektuale ka qenë bartëse e filozofisë dialektike-kritike, që do të
thotë një vizion i ri mbi mundësitë e
reja njerëzore dhe shoqërore, që e ka kapërcyer strukturën ekzistuese politike
dhe njëherit ka qenë armë ideore për ndërrimin e saj. Kjo rrymë ka qenë ana
intelektuale e procesit të emancipimit historik të njëmendësisë shoqërore. Këtë
orientim e kanë përfaqësuar një plejadë e autoriteteve të njohura intelektuale
sikurse janë: Llukaç, Korsh, Blloh, Sartr, From, Markuze, Mills, Golldman,
Kosik, Goulldner, Horkhajmer etj.
Nga
kjo rrjedh se të gjitha konfliktet e mëdha globale në fushën e shkencës, artit,
moralit, fesë dhe politikës kanë qenë konflikte të intelektualëve me qëndrime
dhe përcaktime të ndryshme dhe divergjente mbi drejtimet dhe orientimet
socio-historike. Miti mbi intelektualët është prishur edhe me faktin që një
numër i madh i personave të arsimuar shpesh herë është bërë pjesë e pandarë e
regjimeve politike autokratike. Janë bërë pjesë të sistemeve politike të
bazuara në dominim, tjetërsim dhe dehumanizim.
Intelektualët
e tillë në punën e vet janë të përulur dhe të përvujtë, si dhe të nënshtruar
qëndrave të forcave politike dhe interesit për profit.
Po
ashtu, fatkeqësisht, në histori ndodh që politikën shtetërore ta drejtojnë
strukturat mediokër, të cilat shpesh i persekujtojnë dhe i dënojnë krijuesit
dhe intelektualët e denjë, si dhe personat me të cilët nuk u përputhen
mendimet, duke i kompensuar kështu ndjenjat e veta të paaftësisë dhe të
sterilitetit. Arsimimi i tyre është i përcjellur me një verbërim shpirtëror,
josensibël për probleme jashtë rrethit të tyre të ngushtë të interesit.
Njohuritë
e tyre janë të njëanshme dhe të përcipta. Ata në praktikën politike drejtohen
dhe udhëhiqen nga pozita e utilitarizmit, korrupsionit, kontrabandës,
malverzimeve dhe krimeve të ndryshme.
Natyrisht
se personat e tillë në mjedisin në të cilin jetojnë, përjetojnë qortime e
përbuzje, mospërfillje dhe injorim. Në këtë mënyrë ata janë të zhvlerësuar në
pikëpamje morale, politike, intelektuale dhe njerëzore. Ndërkaq, duhet të themi
se përkufizimi i vjetëruar që çdo person që e ka kryer ndonjë fakultet apo
shkollë të lartë e konsideron si intelektual dhe i cili mbështetet në kriteret
formale burokratike, nuk është më i mjaftueshëm për t’u kuptuar esenca e jetës
intelektuale dhe roli i intelektualëve.
Meqënëse
me një klasifikim të tillë edhe oficeri policor paraqitet si intelektual vetëm
për arsye se e ka studiuar akademinë policore, drejtësinë apo kriminalistikën,
edhe pse horizonti i tij mendor nuk e tejkalon teknikën e thyerjes,
shpartallimit dhe ndërprerjes së demonstrative të punëtorëve, studentëve etj.
Në
anën tjetër kemi intelektualët humanistë dhe kreativë, të cilët sipas natyrës
së vet dëshirojnë të jenë autonomë dhe jokonformistë. Ata synojnë të jenë
mendimtarë të lirë, krijues të ideve, vlerave dhe marrëdhënieve të reja. Janë
mendjethellë dhe qënie humaniste, sensibilë për problemet e njeriut, të popujve
dhe të pakicave etnonacionale. Mirëpo, politika dhe raporti i saj ndaj
humanizmit shumë herë janë koncepte jokompatibile dhe në kundërthënie. Politika
e tillë për krijuesin dhe intelektualin e denjë ka njëfarë ngjyrosjeje
socio-etike, për çka ata ngrihen kundër kësaj politike, e cila nuk është në
favor të së vërtetës, të progresit, si dhe të emancipimit njerëzor dhe
kombëtar.
Në
botën në te cilën jetojmë, jemi dëshmitarë të lëvizjeve dhe ngjarjeve historike
në të cilat logjika e forcës dhe logjika e të vërtetës janë në kundërshtim. Ne
na duket se atë raport e ka shpjeguar bukur Gorki, kur ka thënë: “shteti e vret
njeriun në mënyrë që në të të ngjallet kafsha, e mbasi me forcën e asaj kafshe
e forcon pushtetin e vet, lufton kundër mprehtësisë së arsyes, e cila gjithmonë
është armik i dhunës”. Ato janë momentet më të errëta të historisë. Por, ajo
pasqyron raportin midis politikës joliberale në njërën anë dhe qytetarëve e
inteligjencës në anën tjetër. Po ashtu, kjo tregon arsyet kryesore pse
intelektualët krijues e të denjë nuk janë të angazhuar në politikë. Sepse, ata
dëshirojnë të ruajnë dhe të mbrojnë dinjitetin
dhe integritetin e vet njerëzor dhe intelektual.
Historia
ka mjaft shembuj të antiintelektualizmit
si politikë iracionale e mohimit të veprimtarisë kritike të inteligjencës
humaniste dhe krijuese. Por edhe kur krijuesit dhe intelektualët e denjë kanë
qenë krejtësisht afër rrethit më të ngushtë politik, numri më i madh i
mendimtarëve nuk kanë arritur që plotësisht të depërtojnë në fshehtësitë
politike. Teoria politike tregon se është e vështirë për të njohur tabiatin e
politikës. Ajo u ka përgatitur befasi edhe intelektualëve më të njohur të
mëndimit njerëzor e politik. Që ironia të jetë më e madhe edhe atëherë kur ata
kanë qenë në miqësi dhe krah për krah me pushtetarët. Platoni dy herë përpak që
nuk e ka paguar me kokë, për arsye se pushtetarëve të Sirakuzës, përndryshe miq
të tij dhe me ftesën e tyre, u ka dhënë këshilla të “tepërta”.
Kemi
gjithashtu edhe një rast tjetër, vetëm se me një epilog më të rëndë, që ndodhi
dy mijë vjet më vonë me Tomas Morin, të cilin Henrik VIII, përndryshe admirues
dhe mik i madh i tij, ia ka prerë dënimin që ka paraqitur një shembull më
drastik të brutalitetit në mesjetë. Edhe në kohët më të reja kemi dukuri të
ngjashme.
Një
raport i tillë i politikës ndaj mendimtarëve shpie deri në rezignacioni, i cili
është i natyrës jo vetëm gnoseologjike, por edhe morale-politike. Nga ajo parashtrohen
pyetje të shpeshta nga mendimtarët politikë: çfarë është rëndësia e kuptimit
dhe e njohjes së politikës, në qoftë se ajo nuk mund të ketë ndikim në rrjedhat
e zhvillimit dhe të artikulimit të politikës shtetërore.