E diele, 25.10.2020, 09:50 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: A u pagëzua presidenti Ibrahim Rugova?

E marte, 11.08.2020, 08:20 PM


A u pagëzua presidenti Ibrahim Rugova?

Nga Gani Mehmetaj

Presidenti historik, Ibrahim-Pjetër Rugova, sikurse shumica e shqiptarëve të Dardanisë nuk ishte mysliman, por u pagëzua katolik, në moshë të pjekur, në Vatikan. Pati edhe transmetim televiziv. Shumë nga dëshmitarët e pagëzimit janë gjallë, disa kanë vdekur si Papa Gjon Pali i Dytë, ipeshkvi Mark Sopi etj. Me ceremonitë e pagëzimit iu kthye fesë së moçme, rrënjëve, ndërsa a e trashëgoi emrin e një stërgjyshi Pjetër, apo e mori emrin e Pjetër Bogdanit të famshëm, të cilin e kishte idhull e fanar ndriçimi, është vështirë të thuhet.  Pjetër Bogdani i udhëhoqi rugovasit dhe gjithë Kelmendin deri në Peshterë në luftë kundër pushtuesve turq dhe kundër ushtrisë tartare me 1688. Pjetër Bogdanit, Ibrahim Rugova ia kushtoi një pjesë të krijimtarisë letrare dhe një pjesë të jetës.

Ndërkaq, rugovasit Perandoria osmane me terror kanë nis ti kthejnë në fenë e turkut pas vdekjes së Pjetër Bogdanit, veçmas kthimi në fenë islame deri në një, me terror, u bë pas vitit 1821, prandaj nuk u duhet të rrëmojnë shumë në histori. Rugovasit, sot, kur i flasin shtatores a varrit të presidentit, i drejtohen me : Ooo, Ibrahim-Pjetër Rugova!

Ibrahim- Pjetër Rugova para dhe pas pagëzimit ishte dhe mbeti personaliteti më i famshëm dhe më i adhuruar ndër shqiptarë jo vetëm në Dardani, por edhe në territoret etnike dhe në Evropën Perëndimore. Pagëzimi i tij e bëri edhe më popullor. Të gjithë shqiptarët e dinin se ai është pagëzuar, të gjithë e tumirnin pagëzimin e tij, nuk e di të ketë pasur ndonjë shkrim a reagim kundër. Mesazhi që e dha në botë me këtë ceremoni simbolike ishte shumë i fuqishëm, e hoqi çdo dyshim se e keqja mund t'u vinte evropianëve nga shqiptarët, për të cilët propaganda serbe trumbetonte se janë myslimanë-islamistë të rrezikshëm, se janë kanceri i Evropës etj.  Ibrahim Rugova ishte  vizionar, personalitet i përmasave kontinentale.

Takimet me Papa Gjon Palin e Dytë ishin të shpeshta dhe miqësore. Papa Vojtilla polak, ishte burri më i dashur për 95 për qind të shqiptarëve të Dardanisë. Njeriu i parë i katolicizmit ishte mbështetës i madh i çështjes sonë kombëtare. Prapë kjo afri e bënte edhe më popullor në mesin e shqiptarëve. Mijëra  familje shqiptare e mbanin dhe e mbajnë në dhomën e ditës fotografinë e Ibrahim Rugovës me Papa Gjon Palin e Dytë. Atëherë të gjithë ishim shqiptarë, atëherë nuk kishin depërtuar shoqatat turko-arabe si mizat në plehra me ryshfete dhe me shantazhe. Ishim të varfër, por shqiptarë e krenarë, nuk na blinte askush me bakllava e kofsha pule, nuk na blinte as me mallin e botës.

Nuk jam i sigurt e ka praktikuar apo jo Rugova fenë e moçme, së cilës iu kthye, nuk ishte me rëndësi a do ta praktikonin apo jo edhe shqiptarët që do ta ndiqnin shembullin e presidentit të tyre, por me rëndësi ishte ta hiqnin njollën e dhunës e të përdhunimeve të pushtuesve osman, sepse feja myslimane ishte fe e turkut, fe që na e dhanë me dhunë.  Rugova në biseda me miq, shpesh e thoshte: ku na gjeti kjo fatkeqësi.

Por dihet se ai ashtu sikurse pjesa dërmuese e intelektualëve shqiptarë ishin mirënjohës ndaj Kishës Katolike Shqiptare - shtylla e kombit që e mbajti gjallë gjuhën shqipe dhe frymën kombëtare shekuj me radhë. Po ashtu ndaj veprës madhore të Nolit, pavarësimit të Kishës Autoqefale Shqiptare, kishte respekt të veçantë. Nderime të veçanta i bëri varrit të Fan Nolit dhe veprës së tij .

Ibrahim Rugova kishte afri po aq të madhe edhe me Kishën Protestante. Ai ishte anëtar nderi i kësaj kishe në SHBA, dinte edhe për kontributin e protestantëve në organizimin e Kongresit të Alfabetit në Manastir.  Është Kisha Ungjillore në Dardani që ende e feston Darkën e Lamës.

Sikurse shumica e intelektualëve e krijuesve e dinte se feja e turkut, jo vetëm na la prapa pesëqind vjet, një herë sepse Perandoria Osmane e këputi lidhjen me kontinentin, dhe e ndaloi gjuhën shqipe, herën e dytë sepse vendi mysliman në Evropë, do të thoshte oazë vetmitare, që do ta shqyejnë armiqtë mu si e shqyen historikisht serbët, grekët dhe malazezët, pra të shpallësh se je 95 për qind në fenë e turkut dmth  t'ia varesh vetës gurin në qafë e të fundosësh.  Ta vrasësh kombin e ta rrënosh shtetin.

Dhe këtë ide dëbimi të mishit të huaj në trupin tonë e përçonte në mënyrë fine, por me këmbëngulje Rugova. Të gjithë shqiptarët e Dardanisë e dinin se ai ishte properëndimor, mu si Pjetër Bogdani, që mbështeti shpresat e shpëtimit në Austro-Hungarinë. Ishte pagëzuar që t'u jepte shembull të tjerëve dhe shembullin e tij e kanë ndjekur mijëra shqiptarë.

Turqia dhe shtetet arabe kurrë nuk e qasen Ibrahim Rugovë dhe Dardaninë në kohën e tij, nuk donin të acaroheshin me Serbinë dhe Rusinë, por edhe sepse ishin kundër projektit që Dardania të futej në Bashkimin Evropianë, në miqësi të përhershme me SHBA-të.

Kështu, kur ishim 95 për qind shqiptar mendonim shqip, me mend në kokë, por mbi të gjitha mendonim në mënyrë të qytetëruar. Ata që nisen të shesin interesin kombëtar, e ndotën vendin, gjuhën dhe atmosferën e përgjithshme, e kriminalizuam politikën dhe ekonominë, dolën në sipërfaqe kërcënimet, vrasjet dhe shantazhet. Kur ishin 95 për qind shqiptarë, nuk na shkonte ndër mend të pyesnim i cilës fe je, sepse feja ishte personale, nuk na shkonte ndër mend të keqtrajtonim apo të vrisnim shqiptarë, sepse të gjithë shqiptarët i kishim vëllezër.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora