E hene, 10.08.2020, 11:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Kujdes miqtë e mi!

E hene, 13.07.2020, 07:02 PM


Kujdes miqtë e mi,

kujdes momentet e fundit!

-Rrëfim-

Nga Viron Kona

Stamboll, korrik 1982. Turneu kishte përfunduar. Kishte përfunduar me sukses të plotë. Tashmë merrja frymë i lehtësuar nga  pesha e përgjegjësisë që më kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës që dhamë koncertet tona. Tani s`na mbetej gjë tjetër veçse të niseshim drejt Shqipërisë sonë. Dolëm të gjithë përpara hyrjes së Konsullatës Shqiptare në Stamboll dhe ishin gati të  hipnim në autobus.

-Si thoni, bëjmë edhe një fotografi këtu së bashku me punonjësit e konsullatës, - tha dikush.

-Me kënaqësi, - u përgjigj Gentiani, kërcimtari që bënte edhe fotografitë e ansamblit,por që unë i kisha besuar të mbante edhe një valixhe ku mbanim gjëra të rëndësishme (fatura shpenzimesh karburanti, hotelesh, disa qindra dollarë të pashpenzuardhe pasaportat e disa ansamblistëve).

Në çast  u mblodhëm të gjithë në grup. Gentiani, vendosi valixhen në xhade pranë këmbëve të tij, nxori aparatin fotografik dhe nisi të  bëj disa shkrepje, herë nga larg dhe herë nga afër.

-Këtej, këtej, - i thërrisnim ne dhe ai djalë i papërtuar, tregohej i gatshëm dhe kthehej e bënte shkrepje andej nga  e kërkonin.

Ndërkaq nisëm të takoheshim me punonjësit e konsullatës që kishin dalë për të na përshëndetur.

-Do t`ju përcjellë deri në kufi, - tha konsulli, Ali Ymeri.

-Atëherë ju nisuni përpara, ne vijmë pas, - i them shoferit të autobusit ku ndodheshin shumica e ansamblistëve,kurse pjesa tjetër ishin në mikrobuz.

Ndihesha i gëzuar dhe i kënaqur sa s`thuhej. Gjithçka kishte kaluar më mirë se ç`mund të pritej. Kishim marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare,në atë të Bursës dhe të Stambollit, si dhe kishim dhënë koncerte në disa qytete të tjera të Turqisë dhe kudo na kishte shoqëruar suksesi. Ndjenja e gëzimit më përshkonte gjatë gjithë rrugës duke  dalë nga Stambolli. Trafiku ishte i rënduar së tepërmi dhe shpesh herë na duhej  të ndalonim pas vargut të gjatë të makinave.Befas, në një shesh pushimi, vura re se autobusi ynë kishte ndaluar. Disa nga anëtarët e grupit kishin dalë në xhade dhe, sapo panë veturën e Konsullit, zunë të bënin me duarqë të ndalonim. Diçka kishte ndodhur.

Më shkoi mendja për keq dhe dola  me ngut nga “Superbuicku” i konsullit.

-Ç`ka ndodhur? - pyeta gjithë shqetësim.

-Gentiani ka harruar valixhen  atje ku bëri fotografitë, përpara konsullatës. Ju e dini se çfarë kishte në atë valixhe...

-Çfarë!? E harroi, e la valixhen atje?- pyetjet e mia tingëlluan  gati si klithma.

-Po, ashtu ndodhi...

Disa çaste e humba dhe mbeta pa gojë. M`u duk sikur gjithçka e mirë dhe bukur e arritur gjer atëherë po hidhej në erë, po përmbysejthjesht nga një  pakujdesi e çastit, që s`kishte asnjë lidhje me koncertet, por që na përfshinte, ishte tronditëse. Bota po më vinte rrotull. Këtë e ndjeu edhe kërcimtari i madh i ansamblit Rexhep Çeliku,i cili më vuri dorën në sup si të donte të më qetësonte.

-Të mos i humbim shpresat, mbase e gjejmë, - po thoshte ai.

-Ju vazhdoni rrugën dhe, në pikën e parë të karburantit ndaloni. Ne po kthehemi, të shohim një herë, kushedi, mbase.. - po thosha duke u afruar  tek  “Superbuicku”, ku Aliu po më priste, edhe ai me shqetësim.

Ia tregova se ç`kishte ndodhur dhe, ai burrë i ditur dhe aq i mirë, u trondit së tepërmi.

-Kthehemi në  konsullatë, - urdhëroi  ai shoferin.

Trafiku i dendur po na pengonte  të ktheheshim shpejt me shpresën se kushedi mund ta gjenim atje valixhen. Por, në ato çaste  kjo gjë ishte vetëm një ëndërr e pamundur, diçka që s`mund të ndodhte. Atje ishte xhade. Kalonin qindra njerëz dhe makina, si mundej të qëndronte një valixhe  e patrazuar?! Heshtja dëshpërues më kishte përfshirë të tërin. Edhe Aliu, ashtu ndihej, si unë. Dukej sikur një  dorë e fshehtë kishte shkatërruar gjithçka. Ajo nuk ishte thjesht një valixhe personale, por në të kishte dokumente që vërtetonim shpenzimet që kishim bërë gjatë afro një muaji qëndrimi në Turqi. Ishin edhe ato qindra dollarë që nuk i kishim shpenzuar, por më e keqja ishte se, atje, ndodheshin më shumë se 10 pasaporta,kryesisht të disa vajzaveansambliste që ndiheshin të pasigurta t`i mbanin me vete dhe kishin kërkuar t`i futnim në valixhe. Mirë në kufirin turk që do të kalonim, po në kufirin grek? Po në Qafë Thanë, në kufirin jugosllav, si do të kalonim? Po jehona  e keqe që do të kishte ky aksident në Shqipëri?

Ndërkohë shoferi i konsullatës, një djalosh mjaft i shkathët, e futi makinën në disa rrugica, parakaloi disa makina dhe, shumë shpejt u gjendëm në rrugën që të shpinte te Konsullata Shqiptare. E shihja rrugën pëllëmbë për pëllëmbë dhe, gjithçka që shikoja, më bëhej se merrte formën e valixhes sonë që në ato çaste ishte shndërruar    një fantazë. Ajo valixhe po bëhej e “famshme” dhe ogurzezë për të keqen time. E kisha fituar në  një konkurs Kombëtar të Letërsisë, ku kisha fituar çmimin e dytë me një tregim. Qenkej e “shkruar” që ajo valixhe trofe, të humbiste në Stamboll dhe humbja e saj do të më kushtonte rëndë,shumë rëndë.Nga detyra, sigurisht qëdo të më shkarkonin, por do të kisha edhe pasoja të tjera sepse vargu i dyshimeve, i pyetjeve zhbiruese do të ishte i pafund; pastaj, ndjenja e turpit, sytë e habitur dhe gjestet e njerezve që do të pyesnin njëri – tjerin: “Si e humbën xhanëm,kaq të pazotë,kaq të paaftë ishin! Ama gjetën dhe këta se këçuan në krye të ansamblit,atë të humburin,atë ...” Sigurisht, të gjeje atë valixhe në qendër të Stambollit gjigand, ishte si “Të gjeje gjilpërën në kashtë”.Mbase, kjo thënie popullore në rrethana tëatilla mund të kishte lindur dhe populli e kishte kthyer në sentencë.Eh, gjithçka mund të kisha menduar dhe përfytyruar, por jo këtë. Jo! - gati thërrisja brenda qenies sime! Mbase edhe po e zmadhoja më shumë nga ç`duhej atë aksident apo pakujdesi, që ndodhte jo rrallë në udhëtime, por, për ne dhe për mua veçanërisht ajo ishte një ngjarje e hidhur, tronditëse.Më mirë të kisha pësuar vetë një aksident,sesa të pësoja atëtë keqe! Sapo të kthehesha në Atdhe, zërat hetues do të më drejtoheshin me vrazhdësi: “- Pa na i shpjego pakëz këtë skandal, që është një njollë turpi për ty dhe ansamblin që ti drejtoje? Ku e kishe vigjilencën? Si mundet që, një drejtues me eksperiencë të gabojë kaq rëndë?” - Pastaj, ata do të heshtnin dhe do të hidhnin dhe dyshime të tjera: “- Mbase nuk ishte rastësi kjo që ju ndodhi, sepse, nga informacionet që kemi mbi ecurinë e Ansamblit që ju drejtonit, na kanë ardhur në vesh edhe disa  episode të tjera të pakëndshme, dyshuese e deri edhe armiqësore. Juve nuk jeni treguar vigjilent, nuk i keni zbatuar me seriozitet porositë që ju janë dhënë nga Partia, madje jeni treguar liberal, tolerant, miop politik”.  Dhe, teksa përfytyroja këto fraza dyshuese dhe britma gërvishtëse, përpara syve më shfaqeshin pareshtur vështrimet ironike dhe tinëzare të Syqelqit. 2). ”-Hë, - më bëhej sikur më thoshte ai, - ty të përfshiu mendjemadhësia dhe euforia  e disa sukseseve të ansamblit dhe ia vare fare punës dhe detyrës që të është ngarkuar. E po, nuk thonë kot se “Macja e ngopur nuk gjuan minj”. Në ato çaste e përfytyroja Syqelqin si një qen që hungërinte i egërsuar dhe po më priste me gojën hapur e dhëmbët jashtë, i gatshëm të më shqyente. Ai ishte një Cerber i vërtetë!”

U afruam tek Konsullata dhe ndaluam, por s`dukej asgjë, rruga qe krejt  e pastër. Konsulli zbriti dhe u afrua tek dera. Vuri dorën në butonin  e ziles dhe pas një apo dy rënie të saj, në derë u duk zëvendës konsulli, Ibrahimi,Ibrahim Çavolli.

Sapo na pa, Aliun dhe mua të tronditur,  Ibrahimi tha:

-Mos u shqetësoni. Djali i bakallit këtu pranë, gjeti një valixhe dhe e dorëzoi të paprekur në Konsullatë. Fjodori, punonjësi ynë, po shkon me makinë pas autobusit.

S`po u besoja syve dhe veshëve.

-Vërtet!?

- Po, shumë e vërtetë, - tha Ibrahimi.

Iu hodha në qafë dhe, në ato çaste Ibrahimi m`u duk njeriu më i mirë në botë. Valixhja ishte gjetur. Një“dorë” e fshehtë na e mori për disa çaste atë valixhe, kurse një dorë e artë na e kishte dorëzuar. Fshiva djersën me shami. Aliu më shtrëngoi dorën dhe më përqafoi fort.

-E kaluam edhe këtë, - tha dhe kaloi shaminë në ball.

-Po, - i thashë, - e kaluam.

Dhe, duke hipur në veturë ai më shpjegoi:

-Jemi fat.  Sot është ditë Bajrami dhe sendet e gjetura  dorëzohen.

Tashmë kishim dalë në periferinë perëndimore të Stambollit dhe dalëngadalë po linim pas metropolin gjigand dhe të zhurmshëm. Morëm superstradën kryesore që gjarpëronte pothuajse përgjatë bregut të detit Marmara.

-Me siguri, - thosha me vete, - Fjodori e kishte arritur autobusin dhe e kishte dorëzuar valixhen te Gentiani.

Autobusi kishte ndaluar në pikën e parë të karburantit. Të gjithë kishin dalë dhe na i bënin me dorë nga larg. Dukeshin të gëzuar. Sapo hapa derën e veturës, një djalë turk si nja 12-13 vjeç, erdhi me një tabaka në dorë ku kishte karamele dhe disa lloje ëmbëlsirash.

-Ai do që ta urosh për Bajramin dhe sigurisht t`i japësh një bakshish, - më tha Aliu. -Mbase s`të ndodhen para të vogla me vete, -më tha ai, teksa zbrisja dhe futi dorën në xhepin e tij. Por unë e ndala dhe iu afrova vogëlushit turk.

Mora një ëmbëlsirë, urova për festën e  Bajramit dhe futa dorën në xhep. Dora u mbush me kartmonedhat që më kishin mbetur e nuk i kisha shpenzuar, mbase dy mijë apo tre mijëlira turke. I kapa të gjitha dhe pa i parë sa ishin i hodha në tabakanë e zgjatur. Vogëlushi u befasua nga ajo shumë parash dhe zuri të më falënderonte duke u tërhequr prapa: Teshekyr ederim! Teshekyr ederim! Teshekyr ederim!(Faleminderit! Faleminderit!Faleminderit!) Ai mbase më mori për ndonjë bos amerikan, sepse edhe makina jonë  markë amerikane ishte..

Shkova tek autobusi. Gentiani qeshte dhe qante njëherësh dhe dridhej nga konvulsionet. I vajta pranë, e mora për qafe dhe zura ta qetësoj atë kërcimtar të shkëlqyer, atë djalë  të shkathët e të mirë, por që gaboi vetëm një çast. Befas, duke qeshur me sy të përlotur,Gentiani tha:

-Në botë ka shumë rastësi. Kur isha i vogël, vëllai im i madh, duke më përkëdhelur me humor, recitonte:

O Gentian kapedani,

Në Stamboll të vajti nami!

E teksa të gjithë qeshnim të lumtur, nuk e di pse nëpër mend sikur po dëgjoja shprehjen e  Azis Nesinit se: “Humori është tragjedi për atë që e heq në kurriz dhe, komedi, për ata që e shohin nga larg”.3).

I ishim afruar kufirit të Shqipërisë. Emocione, këngë, hare. Kufiri jugosllav: Kontroll i  pasaportave. Sytë na mbeten diku  tek posta e kufirit shqiptar, ku  e para gjë që pamë ishte flamuri dhe shqiponja që  valëvitej në palët e tij. Autobusi hyri në tokën Mëmë, në Shqipërinë tonë të dashur e të shtrenjtë. Zemra na rrihte me vrull dhe, sapo autobusi ndaloi, kërcyem në tokën e Atdheut tonë.

-Mirë se erdhët! Na nderuat! Kemi përjetuar bashkë me ju çdo çast dhe ju urojmë për suksesin! E gjithë Shqipëria ju uron!

Në qiellin e pastër dhe pa një re, shkëlqente një Diell i bukur me rreze të praruara. M`u duk Dielli më i bukur që kisha parë, aq i ngrohtë, aq i ndritshëm, aq i ëmbël dhe i dashur... E,  jo vetëm Dielli, por edhe ai  fllad i freskët, që sapo filloi të frynte nga liqeni i Ohrit, edhe  pemët, fijet e barit, lulet e verdha të gjineshtrave të përhapura në faqet e kodrave; edhe zogjtë nëpër drurë që cicëronin, edhe disa çifte pëllumbash të  bardhë që ngriheshin e uleshin mbi tarracën e një lokali aty buzë kufirit, gjithçka rreth e qark, na përshëndeste dhe na uronte kthimin  në Atdhe. Dhe, teksa ndjenjat e gëzimit,  që përshkonin çdo qelizë të qenieve tona trazoheshin me aromën e borzilokut që  na dhuroi nëna e mirë turke, ndjeja të më jehonin ëmbël fjalët plot sinqeritet vëllazëror të kryetarit të bashkisë së Izmitit: “Ju jeni ansambli i yjeve dhe, si yje të vërtetë,  vezulluat dhe ndritët qytetet dhe zemrat tona...”

Korrik 1982

-----------------

1).Rrëfimi është shkëputur nga libri “Yje mbi Bosfor”.Viron Kona, Shtëpia botuese “Grafon”,Tiranë, 2009.

2). Syqelqi, personazh artistik i librit, agjent i fshehtë.

3). Kur Azis Nesini erdhi për një vizitë në Shqipëri, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, njëri nga shkrimtarët shqiptarë e pyeti: “Ç`është humori”? Dhe, siç më ka treguar miku im, humoristi i njohur Hyskë Borobojka, Mjeshtri i Madh i humorit botëror,  ishte përgjigjur: “Humori është tragjedi për atë që e heq në kurriz dhe komedi, për ata që e shohin nga larg”.

-Per ZemraShqiptare, nga Tirana, Korrik 2020-



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora