| E hene, 13.07.2020, 07:02 PM |
Kujdes
miqtë e mi,
kujdes
momentet e fundit!
-Rrëfim-
Nga
Viron Kona
Stamboll, korrik 1982. Turneu
kishte përfunduar. Kishte përfunduar me sukses të plotë. Tashmë merrja frymë i
lehtësuar nga pesha e përgjegjësisë që
më kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës që dhamë koncertet tona. Tani s`na
mbetej gjë tjetër veçse të niseshim drejt Shqipërisë sonë. Dolëm të gjithë
përpara hyrjes së Konsullatës Shqiptare në Stamboll dhe ishin gati të hipnim në autobus.
-Si thoni, bëjmë edhe
një fotografi këtu së bashku me punonjësit e konsullatës, - tha dikush.
-Me kënaqësi, - u
përgjigj Gentiani, kërcimtari që bënte edhe fotografitë e ansamblit,por që unë
i kisha besuar të mbante edhe një valixhe ku mbanim gjëra të rëndësishme
(fatura shpenzimesh karburanti, hotelesh, disa qindra dollarë të pashpenzuardhe
pasaportat e disa ansamblistëve).
Në çast u mblodhëm të gjithë në grup. Gentiani,
vendosi valixhen në xhade pranë këmbëve të tij, nxori aparatin fotografik dhe
nisi të bëj disa shkrepje, herë nga larg
dhe herë nga afër.
-Këtej, këtej, - i
thërrisnim ne dhe ai djalë i papërtuar, tregohej i gatshëm dhe kthehej e bënte
shkrepje andej nga e kërkonin.
Ndërkaq nisëm të
takoheshim me punonjësit e konsullatës që kishin dalë për të na përshëndetur.
-Do t`ju përcjellë deri
në kufi, - tha konsulli, Ali Ymeri.
-Atëherë ju nisuni
përpara, ne vijmë pas, - i them shoferit të autobusit ku ndodheshin shumica e
ansamblistëve,kurse pjesa tjetër ishin në mikrobuz.
Ndihesha i gëzuar dhe i
kënaqur sa s`thuhej. Gjithçka kishte kaluar më mirë se ç`mund të pritej. Kishim
marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare,në atë të Bursës dhe të Stambollit,
si dhe kishim dhënë koncerte në disa qytete të tjera të Turqisë dhe kudo na
kishte shoqëruar suksesi. Ndjenja e gëzimit më përshkonte gjatë gjithë rrugës
duke dalë nga Stambolli. Trafiku ishte i
rënduar së tepërmi dhe shpesh herë na duhej
të ndalonim pas vargut të gjatë të makinave.Befas, në një shesh pushimi,
vura re se autobusi ynë kishte ndaluar. Disa nga anëtarët e grupit kishin dalë
në xhade dhe, sapo panë veturën e Konsullit, zunë të bënin me duarqë të ndalonim.
Diçka kishte ndodhur.
Më shkoi mendja për keq
dhe dola me ngut nga “Superbuicku” i
konsullit.
-Ç`ka ndodhur? - pyeta
gjithë shqetësim.
-Gentiani ka harruar
valixhen atje ku bëri fotografitë,
përpara konsullatës. Ju e dini se çfarë kishte në atë valixhe...
-Çfarë!? E harroi, e la
valixhen atje?- pyetjet e mia tingëlluan
gati si klithma.
-Po, ashtu ndodhi...
Disa çaste e humba dhe mbeta
pa gojë. M`u duk sikur gjithçka e mirë dhe bukur e arritur gjer atëherë po
hidhej në erë, po përmbysejthjesht nga një
pakujdesi e çastit, që s`kishte asnjë lidhje me koncertet, por që na
përfshinte, ishte tronditëse. Bota po më vinte rrotull. Këtë e ndjeu edhe kërcimtari
i madh i ansamblit Rexhep Çeliku,i cili më vuri dorën në sup si të donte të më
qetësonte.
-Të mos i humbim
shpresat, mbase e gjejmë, - po thoshte ai.
-Ju vazhdoni rrugën dhe,
në pikën e parë të karburantit ndaloni. Ne po kthehemi, të shohim një herë,
kushedi, mbase.. - po thosha duke u afruar
tek “Superbuicku”, ku Aliu po më
priste, edhe ai me shqetësim.
Ia tregova se ç`kishte
ndodhur dhe, ai burrë i ditur dhe aq i mirë, u trondit së tepërmi.
-Kthehemi në konsullatë, - urdhëroi ai shoferin.
Trafiku i dendur po na
pengonte të ktheheshim shpejt me
shpresën se kushedi mund ta gjenim atje valixhen. Por, në ato çaste kjo gjë ishte vetëm një ëndërr e pamundur,
diçka që s`mund të ndodhte. Atje ishte xhade. Kalonin qindra njerëz dhe makina,
si mundej të qëndronte një valixhe e
patrazuar?! Heshtja dëshpërues më kishte përfshirë të tërin. Edhe Aliu, ashtu
ndihej, si unë. Dukej sikur një dorë e
fshehtë kishte shkatërruar gjithçka. Ajo nuk ishte thjesht një valixhe
personale, por në të kishte dokumente që vërtetonim shpenzimet që kishim bërë
gjatë afro një muaji qëndrimi në Turqi. Ishin edhe ato qindra dollarë që nuk i
kishim shpenzuar, por më e keqja ishte se, atje, ndodheshin më shumë se 10 pasaporta,kryesisht
të disa vajzaveansambliste që ndiheshin të pasigurta t`i mbanin me vete dhe
kishin kërkuar t`i futnim në valixhe. Mirë në kufirin turk që do të kalonim, po
në kufirin grek? Po në Qafë Thanë, në kufirin jugosllav, si do të kalonim? Po
jehona e keqe që do të kishte ky
aksident në Shqipëri?
Ndërkohë shoferi i
konsullatës, një djalosh mjaft i shkathët, e futi makinën në disa rrugica, parakaloi
disa makina dhe, shumë shpejt u gjendëm në rrugën që të shpinte te Konsullata Shqiptare.
E shihja rrugën pëllëmbë për pëllëmbë dhe, gjithçka që shikoja, më bëhej se
merrte formën e valixhes sonë që në ato çaste ishte shndërruar në një
fantazë. Ajo valixhe po bëhej e “famshme” dhe ogurzezë për të keqen time. E
kisha fituar në një konkurs Kombëtar të
Letërsisë, ku kisha fituar çmimin e dytë me një tregim. Qenkej e “shkruar” që
ajo valixhe trofe, të humbiste në Stamboll dhe humbja e saj do të më kushtonte
rëndë,shumë rëndë.Nga detyra, sigurisht qëdo të më shkarkonin, por do të kisha edhe
pasoja të tjera sepse vargu i dyshimeve, i pyetjeve zhbiruese do të ishte i pafund;
pastaj, ndjenja e turpit, sytë e habitur dhe gjestet e njerezve që do të
pyesnin njëri – tjerin: “Si e humbën xhanëm,kaq të pazotë,kaq të paaftë ishin! Ama
gjetën dhe këta se këçuan në krye të ansamblit,atë të humburin,atë ...” Sigurisht,
të gjeje atë valixhe në qendër të Stambollit gjigand, ishte si “Të gjeje gjilpërën
në kashtë”.Mbase, kjo thënie popullore në rrethana tëatilla mund të kishte lindur
dhe populli e kishte kthyer në sentencë.Eh, gjithçka mund të kisha menduar dhe
përfytyruar, por jo këtë. Jo! - gati thërrisja brenda qenies sime! Mbase edhe
po e zmadhoja më shumë nga ç`duhej atë aksident apo pakujdesi, që ndodhte jo
rrallë në udhëtime, por, për ne dhe për mua veçanërisht ajo ishte një ngjarje e
hidhur, tronditëse.Më mirë të kisha pësuar vetë një aksident,sesa të pësoja atëtë
keqe! Sapo të kthehesha në Atdhe, zërat hetues do të më drejtoheshin me vrazhdësi:
“- Pa na i shpjego pakëz këtë skandal, që është një njollë turpi për ty dhe
ansamblin që ti drejtoje? Ku e kishe vigjilencën? Si mundet që, një drejtues me
eksperiencë të gabojë kaq rëndë?” - Pastaj, ata do të heshtnin dhe do të
hidhnin dhe dyshime të tjera: “- Mbase nuk ishte rastësi kjo që ju ndodhi,
sepse, nga informacionet që kemi mbi ecurinë e Ansamblit që ju drejtonit, na
kanë ardhur në vesh edhe disa episode të
tjera të pakëndshme, dyshuese e deri edhe armiqësore. Juve nuk jeni treguar vigjilent,
nuk i keni zbatuar me seriozitet porositë që ju janë dhënë nga Partia, madje
jeni treguar liberal, tolerant, miop politik”.
Dhe, teksa përfytyroja këto fraza dyshuese dhe britma gërvishtëse,
përpara syve më shfaqeshin pareshtur vështrimet ironike dhe tinëzare të
Syqelqit. 2). ”-Hë, - më bëhej sikur më thoshte ai, - ty të përfshiu
mendjemadhësia dhe euforia e disa
sukseseve të ansamblit dhe ia vare fare punës dhe detyrës që të është ngarkuar.
E po, nuk thonë kot se “Macja e ngopur nuk gjuan minj”. Në ato çaste e
përfytyroja Syqelqin si një qen që hungërinte i egërsuar dhe po më priste me
gojën hapur e dhëmbët jashtë, i gatshëm të më shqyente. Ai ishte një Cerber i
vërtetë!”
U afruam tek Konsullata
dhe ndaluam, por s`dukej asgjë, rruga qe krejt
e pastër. Konsulli zbriti dhe u afrua tek dera. Vuri dorën në
butonin e ziles dhe pas një apo dy rënie
të saj, në derë u duk zëvendës konsulli, Ibrahimi,Ibrahim Çavolli.
Sapo na pa, Aliun dhe
mua të tronditur, Ibrahimi tha:
-Mos u shqetësoni. Djali
i bakallit këtu pranë, gjeti një valixhe dhe e dorëzoi të paprekur në
Konsullatë. Fjodori, punonjësi ynë, po shkon me makinë pas autobusit.
S`po u besoja syve dhe
veshëve.
-Vërtet!?
- Po, shumë e vërtetë, -
tha Ibrahimi.
Iu hodha në qafë dhe, në
ato çaste Ibrahimi m`u duk njeriu më i mirë në botë. Valixhja ishte gjetur. Një“dorë”
e fshehtë na e mori për disa çaste atë
valixhe, kurse një dorë e artë na e kishte dorëzuar. Fshiva djersën me shami. Aliu
më shtrëngoi dorën dhe më përqafoi fort.
-E kaluam edhe këtë, - tha
dhe kaloi shaminë në ball.
-Po, - i thashë, - e
kaluam.
Dhe, duke hipur në
veturë ai më shpjegoi:
-Jemi fat. Sot është ditë Bajrami dhe sendet e
gjetura dorëzohen.
Tashmë kishim dalë në
periferinë perëndimore të Stambollit dhe dalëngadalë po linim pas metropolin gjigand
dhe të zhurmshëm. Morëm superstradën kryesore që gjarpëronte pothuajse përgjatë
bregut të detit Marmara.
-Me siguri, - thosha me
vete, - Fjodori e kishte arritur autobusin dhe e kishte dorëzuar valixhen te
Gentiani.
Autobusi kishte ndaluar
në pikën e parë të karburantit. Të gjithë kishin dalë dhe na i bënin me dorë
nga larg. Dukeshin të gëzuar. Sapo hapa derën e veturës, një djalë turk si nja
12-13 vjeç, erdhi me një tabaka në dorë ku kishte karamele dhe disa lloje
ëmbëlsirash.
-Ai do që ta urosh për
Bajramin dhe sigurisht t`i japësh një bakshish, - më tha Aliu. -Mbase s`të
ndodhen para të vogla me vete, -më tha ai, teksa zbrisja dhe futi dorën në xhepin
e tij. Por unë e ndala dhe iu afrova vogëlushit turk.
Mora një ëmbëlsirë,
urova për festën e Bajramit dhe futa
dorën në xhep. Dora u mbush me kartmonedhat që më kishin mbetur e nuk i kisha
shpenzuar, mbase dy mijë apo tre mijëlira turke. I kapa të gjitha dhe pa i parë
sa ishin i hodha në tabakanë e zgjatur. Vogëlushi u befasua nga ajo shumë parash
dhe zuri të më falënderonte duke u tërhequr prapa: Teshekyr ederim! Teshekyr
ederim! Teshekyr ederim!(Faleminderit! Faleminderit!Faleminderit!) Ai mbase më
mori për ndonjë bos amerikan, sepse edhe makina jonë markë amerikane ishte..
Shkova tek autobusi.
Gentiani qeshte dhe qante njëherësh dhe dridhej nga konvulsionet. I vajta
pranë, e mora për qafe dhe zura ta qetësoj atë kërcimtar të shkëlqyer, atë
djalë të shkathët e të mirë, por që
gaboi vetëm një çast. Befas, duke qeshur me sy të përlotur,Gentiani tha:
-Në botë ka shumë
rastësi. Kur isha i vogël, vëllai im i madh, duke më përkëdhelur me humor,
recitonte:
O Gentian kapedani,
Në Stamboll të vajti nami!
E teksa të gjithë
qeshnim të lumtur, nuk e di pse nëpër mend sikur po dëgjoja shprehjen e Azis Nesinit se: “Humori është tragjedi për
atë që e heq në kurriz dhe, komedi, për ata që e shohin nga larg”.3).
I ishim afruar kufirit
të Shqipërisë. Emocione, këngë, hare. Kufiri jugosllav: Kontroll i pasaportave. Sytë na mbeten diku tek posta e kufirit shqiptar, ku e para gjë që pamë ishte flamuri dhe
shqiponja që valëvitej në palët e tij.
Autobusi hyri në tokën Mëmë, në Shqipërinë tonë të dashur e të shtrenjtë. Zemra
na rrihte me vrull dhe, sapo autobusi ndaloi, kërcyem në tokën e Atdheut tonë.
-Mirë se erdhët! Na
nderuat! Kemi përjetuar bashkë me ju çdo çast dhe ju urojmë për suksesin! E
gjithë Shqipëria ju uron!
Në qiellin e pastër dhe
pa një re, shkëlqente një Diell i bukur me rreze të praruara. M`u duk Dielli më
i bukur që kisha parë, aq i ngrohtë, aq i ndritshëm, aq i ëmbël dhe i dashur...
E, jo vetëm Dielli, por edhe ai fllad i freskët, që sapo filloi të frynte nga
liqeni i Ohrit, edhe pemët, fijet e
barit, lulet e verdha të gjineshtrave të përhapura në faqet e kodrave; edhe
zogjtë nëpër drurë që cicëronin, edhe disa çifte pëllumbash të bardhë që ngriheshin e uleshin mbi tarracën e
një lokali aty buzë kufirit, gjithçka rreth e qark, na përshëndeste dhe na
uronte kthimin në Atdhe. Dhe, teksa
ndjenjat e gëzimit, që përshkonin çdo
qelizë të qenieve tona trazoheshin me aromën e borzilokut që na dhuroi nëna e mirë turke, ndjeja të më
jehonin ëmbël fjalët plot sinqeritet vëllazëror të kryetarit të bashkisë së
Izmitit: “Ju jeni ansambli i yjeve dhe, si yje të vërtetë, vezulluat dhe ndritët qytetet dhe zemrat
tona...”
Korrik 1982
-----------------
1).Rrëfimi është shkëputur nga libri “Yje mbi
Bosfor”.Viron Kona, Shtëpia botuese “Grafon”,Tiranë, 2009.
2). Syqelqi, personazh artistik i librit, agjent i
fshehtë.
3). Kur Azis Nesini erdhi për një vizitë në
Shqipëri, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, njëri nga
shkrimtarët shqiptarë e pyeti: “Ç`është humori”? Dhe, siç më ka treguar miku
im, humoristi i njohur Hyskë Borobojka, Mjeshtri i Madh i humorit botëror, ishte përgjigjur: “Humori është tragjedi për
atë që e heq në kurriz dhe komedi, për ata që e shohin nga larg”.