Kulturë
Prend Buzhala: Shumësia e leximeve
E marte, 07.07.2020, 09:09 AM
SHUMËSIA E LEXIMEVE
(Kundrime
eseistike), 3
Nga
Prend BUZHALA
Një
krijimi letrar, mund t'i bëhet, përpos leximit të parë, edhe leximi i dytë, i
tretë, i dhjetë... Nëse leximi i parë na i zbulon përjetimet e papërsëritshme,
reflektimet që na dhurojnë përsiatje të freskëta, një mbushullim të pasur
idesh; një lexim i dytë të shpie në të tjera shtigje emocionale e refleksive të
leximit... Ndërkaq, ideja e kësaj eseje ka të bëjë me diçka tjetër:.. me disa
lexime poetike ... me një shënjim në fjalinë e parë, por me përqendrim te muza
e shqetësimeve poetike në raport me meditimin a cogito-n dekartiane... (jeta e
konceptuar në lëvizje, ndjeshmëria, ëndrra, universi, përjetësia, shpirti
krijues, poezia si ditar spiritual, trajtat e kuvendimit filozofik e asaj të
baladës etj etj).
1.
Teksti
i mirë të tërheq për lexim...
Një
lirikë që lexohet si një dhuratë me ndjesi e përjetime të forta, që na josh ta
admirojmë elegancën e thënies, bukurinë e hirshme të vargut. Tingujt orfeikë të
erosit, zbresin në një atmosferë mbretërore të leximit: i dorëzohemi kësaj
ndjesie.
E
mahnitshmja në një tekst lirik të fuqishëm në përjetim, qëndron tek lidhja me
publikun lexues në një nivel personal: lexuesin e bën të lumtur, krijon
ndjesinë e sigurisë së brendshme...edhe kur kjo shigjetë erosi lëndon...
Kurse
melodia e rimës, me kadencat ritmike, janë unike; sikur po e dëgjojmë një
violinë që na bën kaq paqësorë, kaq të lirë, te secili varg ndiejmë një fillim
të ri.
2.
Ekziston
edhe Leximi me Forcë, i dhunshëm, dhe Forca e Leximit. Duhet ta bëjmë dallimin
midis Forcës së leximit dhe Leximit me Forcë. Kësisoj, duhet ta bëjmë dallimin
midis FUQISË SË BLERJES dhe BLERJES ME FORCË... Paul de Man, kritik e teoricien
i njohur evropian, kur flet për LEXIMIN E DHUNSHËM, ai tipizon edhe
INTERPRETIMIN E DHUNSHËM.
Por
ndër ne është provuar leximi i tillë.
Në
regjimet komuniste LEXIMI I DETYRUSHËM dhe BLERJA ME DETYRIM e një libri, ishte
pjesë e sistemit (në ushtri, në repartet ideologjike të shkollave komuniste;
kurse leximi i detyrueshëm (dhe blerja e detyrueshme e “klasikëve të
marksizëm-leninizmit” etj përbënte obligim partiak dhe shenjë se je “patriot
revolucionar”, ke “formim marksist (komunist)”, se ke arritur shkallë më të
lartë të “formimit ideopolitik” e të “formimit klasor” dhe mund të përparoje me
grada “shkencore”, apo ngriheshe në pozitë më të lartë shtetërore, si “njeri i
besueshëm” i regjimit.
Ndërkohë,
po qe se lexoje fshehtas literaturë “të ndaluar” (bie fjala, po qe se lexohej
Fishta, apo autorë antikomunistë etj), atëherë ti shpalleshe “dekadent”,
“armik”, “agjent i borgjezisë dhe i imperializmit” dhe e paguaje me kokë
(largimi nga puna, dhuna kundër familjes, burgosja e deri te internimet e
madje, edhe pushkatimet, sepse “LIBRI I RREZIKSHËM” e shemb shtetin). Leximi i
tillë konsiderohej LEXIM HERETIK a LEXIM DISIDENT.
E
pra, libri dhe soji i tillë i leximit, si dhe trajtimi i tillë i “literaturës
së ndaluar”, përbënin LEXIMIN IDEOLOGJIK, LEXIMIN MONIST: KUR Një Libër, Një
Parti, Një Mendim, Njëshi... përbënte gjithçka.
Të
mos harrojmë: leximet e dhunshme të NJË LIBRI dhe BLERJET E DHUNSHME kanë ekzistuar
në shkollat teologjike a teokratike (mbase shumëkund ekzistojnë edhe sot).
Blerja
e tillë e librit dhe leximi i tillë, i dhunshëm, ideologjik, edukon DHUNË e jo
DIJE, PAQE, MIRËKUPTIM, HAPJE TË MENDIMIT E DIJES, PLURALITET a solidarësi...
Edhe
në shoqëritë demokratike, po qe se sistematikisht lexohen LIBRA TË DHUNËS E MBI
DHUNËN, atëherë dhe leximi i tillë çon drejt EDUKIMIT TË DHUNËS. Dhe mund të
merren masa parandalimi për edukimin e tillë.
...në
të kaluarën ka dhe shembuj të sakrificës me jetë, për t'i ruajtur monumentet e
dëshmitë me jetë nga pushtuesit (si është dhe një film shqiptar me këtë
tematikë)... sa njeriu shqiptar ka paguar me burgje e me jetë mbrojtjen e
librit e leximin e një libri të ndaluar! Leximi e mbrojtja e një libri të
tillë, ka përfaqësuar formën më të lartë të vetëdijes për liri, kulturë,
civilizim...
3.
Prej
viteve ’90 e këndej, edhe leximi dituror, leximi letrar, universitar,
beletristik etj, u çlirua nga prangat sistemore e ideologjike. Miti për Librin
e tillë Të Rrezikshëm, thyhet, posa ai të hidhet në treg. Lexuesit e emancipuar
dinë si ta krijojnë distancën objektive me leximin e tyre...
Ndalesat,
përkundrazi, nxisin më shumë kureshtje! Ky është paradoksi i leximit...
Vijnë
liria e blerjes dhe liria e leximit. Leximi me porosi, ishte ai i komunizmit.
Sot nuk kemi nevojë të lexojmë me porosi. Liika, këso kohe, ka poliseminë e
saj. Polisemia lirike sugjeron lexime të pasura. Poezia e mirë shpërthen me
pasuri kuptimesh, me poliseminë a shumësinë kuptimore... Tashmë ndërkomunikimi
shqiptohet si një si lexim plagësh e brengash, bashkëndjesish, reflektimesh dhe
të një imperativi etik...
Në
letërsinë europerëndimore, sidomos në poezi, ekziston i ashtuquajturi
INTERPUNKSION I BARDHË, ose POETIKA E INTERPUNKSIONIT TË BARDHË, një mënjanim i
ndërgjegjshëm estetik i shenjave të pikësimit. Lirika e tillë MODERNISTE,
vepron kësisoj, për arsye të leximit të lirshëm të ritmit të brendshëm ( e të
shtrirë poetik), sidomos të sintagmave poetike-metaforike... me efekte të
shumta polisemantike. Këtë prirje në poezinë shqipe të Kosovës, e përdori
gjerësisht Ali Podrimja e gjenerata e tij krijuese... dikur hoqën dorë, por
ende përdoret. Këtë poetikë e kanë studiuar gjatë viteve70, e '80 e këndej
kritikët letrarë dhe studiuesit letrarë të Kosovës.
Do
theksuar se një vepër shumë e rëndësishme e Umberto Eco-s quhet VEPRA E HAPUR
(Opera aperta, angl OPEN WORK), që ka rëndësi botërore: ku një vepër letrare ka
më shumë çelësa për lexim e që korrespondon me shumësinë e leximeve e të
interpretimeve...
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 3 korrik 2020)