E hene, 13.07.2020, 01:36 PM (GMT+1)

Speciale

Skënder Hoxha: Toponime të krahinës së Dushkajës në dritën e kërkimeve etimologjike

E hene, 29.06.2020, 07:15 PM


TOPONIME TË KRAHINËS SË DUSHKAJËS NË DRITËN E KËRKIMEVE ETIMOLOGJIKE

- Prej burimeve të moçme shkrimore e gojore

deri te konstatime të reja -

(“Historia e një gjuhe është njëkohësisht  historia e një populli”. – Fr. Kluge.)

EMRA VENDBANIMESH - OJKONIMET

NGA MR. SKËNDER R. HOXHA

1. BARDHANIQ-i. - Emri i katundit BARDHANIQ të Dushkajës është antroponim i toponimizuar dhe s’ka dyshim se prejardhja e tij është nga baza ilire Bardus. Shih për këtë, për antroponimin BARDH ka kohë që është pranuar mendimi i dijetarëve, si i P. Kretschmerit, i F. Nopcses, i M. Lambertcit, i tumirur edhe nga linguisti zëmadh shqiptar prof. E. Çabej, se kemi të bëjmë me antroponimin ilir “Bardus, Barduli, mesap. Barzidili, shqip: Bardho, Bardhule, që ngjan të përmbajnë të gjitha fjalën BARDHË”.1) Në Defterin e Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 (më tej:DRSSH) gjetëm të shënuar Bardhonja, mbase katundi i sotëm Bardhaniq; si antroponim: Bard (Bardi, i biri i Nikçës), Bardash (Vuku, i biri i Bardashit), Bardo (Dobrashini i biri i Bardos), Bardosh (Bardoshi Siromah – Fshati Tuz, timar i Hasan Arnautit) etj.; si dhe si patronim: Bardh (Barz), shih, Petr Mija Bardhi (Barzi) dhe Koshta Bardhi (Barzi),2) që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të fjalës Barz, - Bard, - Bardh (Bardhë), në funksion të antroponimeve, patronimeve e toponimeve. Në bregdetin e Adriatikut Jugosllav, në Mal të Zi, po përmendim katundin Barzanji (Bardhanji) në fund të shek. XV .3), që padyshim ka prejardhje nga fjala ilire – shqipe e cituar më lart.

Se është i moçëm katundi Bardhaniq i Dushkajës flet edhe e dhëna se, katundi i sotëm Bardhaniq (në afërsi të Gjakovës) në hartat e shekujve XVI, XVII dhe VIII kryesisht shënohet BARDAGNI (Bardanji) e në më pak raste BARDAGE (Bardagi), kurse gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX BARDANIK4). Po ashtu, në një burim të shek. XIV, ndeshim emrin vetjak Bardhi, në trajtën Bardus, në këtë kontekst “(viti 1321) PROPTEREA CUM CHEFALIA NEPOTEM SUMM PRESBYTEREM STEPHANUS ET FAMILIAREM SUMM BARDUM MITTIT” 5). Studiuesi ynë L. Mulaku kishte vërejtur se: qysh në vitin1416, në Kadastrën venedikase të Shkodrës, janë regjistruar toponimi dhe patronimi shqip Bardhanj. Në raportet e relatorëve shqiptarë dhe të huaj (kryesisht italianë) të shek. XVII e XVIII, përmenden shumë shpesh toponimet e patronimet: Bardhi (Gjergj Bardhi, Mikel Bardhi, Frang Bardhi), Bardanj/Bardhanj (fshat në Bregbunë), Bardhoku, Bardha/Barda (emër malesh), Bardhajt (Familje nga Zadrima), Nikollë Bardhi, Pjetër Bardhi, Prend Bardhi etj. Edhe në këto relacione të shkruara italisht dh-ja shqipe është zëvendësuar me d.5-a)

Edhe sot e gjithë ditën emrin BARDH e gjejmë të jetë i përdorshmëm nëpër tërë Dushkajën dhe atë: si antroponim – emër njerëzish: Bardh, Bardhec, Bardhosh, Bardhyl etj., si emër kafshësh shtëpiake: Bardhe, Bardhokë, Bardhece, Bardhukë etj., por edhe të ngurosur në disa toponime, si: Kroni Bardhë, Malet e Bardhaniqit, e ndonjë tjetër. Apelativat Bardh e Bardhë i gjejmë të kenë shtrirje të gjerë edhe nëpër vise të tjera shqipfolëse në fushë të onomastikës. Në Jabllanicë të Dushkajës shënuam patronimin Bardhect, në Gllogjan të Lugut të Baranit gjallon patronimi Gjonbardhect, ndërsa “Patronimi i toponimizuar Bardhaj i katundit Kuçishtë të Rugovës është formim me morfemën -aj nga antroponimi Bardh. (…) Po kështu në katundin Haxhaj patronimi Bardhec ruhet edhe sot dhe në toponimi si Rrahi Bardhecit etj.”6)

Në një shkrim të mëhershëm nuk kemi përjashtuar mundësinë se në emrin e katundit BARDHANIQ, përveç emrit vetjak të mirëfilltë Bardh apo mbiemirit i (e) bardhë, të jetë rrënjosur edhe një antroponim tjetër, p.sh.: Bardh + Nik(ë) = BardhanikBardhaniq, çka do të rezultonte toponim kompozitor të tipit emër + emër apo emër + mbiemër.7)

2. BEC-i. - Katundi BEC është një prej katundeve më të mëdha të Dushkajës. Të dhënat në terren thonë se ky katund gjithmonë është quajtur me këtë emër, por nuk dinë diçka rreth prejardhjes së emrit Bec. Kemi vërejtur se gjakovarët Becit i thonë Byc. Gjithashtu, në Gjakovë një familje mban patronimin Byci. Edhe nëpër vise të tjera gjejmë patronimin familjar Beci (Bahri Beci etj.) që është llagap sipas emrit të katundit prej të cilit janë shpërngulur të parët e tyre, në këtë rast – Becit. Se a është emri i Becit të sotëm Benča, që e gjetëm në në Dečanske hrisovulje të vitit 1330 (më tej: DH), nuk e dimë; ndërkaq në DRSSH është shënuar Beçi, për të cilin S. Pulaha thotë: sot Beci, në veri të Gjakovës.8)

Profesor Çabej thotë se patronimi Byci gjendet në Kosovë, dhe e kishte afruar atë me fjalën bic, duke i dhënë më tej shpjegimin për byc “njeriu i shkurtër e i trashë”9), fjalë këto nga të cilat, me plot arsze, mund të kërkohet etimologjia e emrit të katundit Bec. Shih për këtë, edhe më e drejtë na duket të jetë që emri i katundit Bec të ketë mbetur sipas antroponimit të botës shtayore bec, që e ka edhe FGJSSH, - BEC-i për “Qengj i vogël. Bec i bardhë. Kullosin becat10) etj., fjalë kjo që ka afërsi më të madhe fonetike me trajtat e hershme Benča e veçanërisht Beçi që i gjetëm në defterët mesjetarë.

3. CËRMJAN-i. - Edhe pse i shkruar në trajta të ndryshme dhe me alfabete të ndryshme, ekzistimi i hershëm i katundit të sotëm CËRMJAN, - dëgjohet edhe CËRMJEN (serbokr.. CRMLJANE), të Dushkajës, dëshmohet në dëfterët mesjetarë që u përmendën edhe më sipër, si dhe në ndonjë shkrim tjetër të mëvonshëm. Në DH gjeta të shënuar Črmnjem 11), kurse në DRSSH gjeta katundin Çërmil 11-a) dhe kemi bindjen se në këto dz raste fjala është për katundin Cërmjan të sotëm të Dushkajës. Jastrebovi kishte vërtetuar se edhe në krisobulën e dztë të St. Dushanit përmenden disa katunde të Dukagjinit, “kështu, bie fjala, citohet katundi më i madh i Dushkajës – Cërmjani me emrin e atëhershëm Črmni apo Čermen12). Ndërkaq, Skënder Gashi në Krisobulën e Deçanit kishte gjetur emërvendin Sremljani, për të cilin, me dyshim, mendon se është (Cërmjeni i sotëm?), kurse Glisha Elezoviqi e kishte të shënuar në trajtë më të përafërt me atë të sotmen: Crmnjan, - “ime sela u srezu Djakovačkom”12-a). Na duket me interes të përmendim të dhënën se në katundin Ade janë gjetur banorë të ardhur nga Cërmjani i Gjakovës, ku sipas A. Urosheviqit, ata ishin vendosur në atë vendbanim kah fundi i shekullit 18.13)

Këto trajta, me të cilat gjendet i shënuar emri i katundit Cërmjan, sipas dokumenteve shkrimore të sipërpërmendura, mund të thuhet se në mënyrë të bindshme dëshmojnë ekzstimin e këtij katundi që nga mesjeta e këtej. Mirëpo, çështja e etimologjisë së emëtimit në shqyrtim, me sa dimë ne, deri më tashti është e pandriçuar. Burimet e terrenit se gjoja emri i Cërmjanit ka mbetur sipas qerpiçëve (tjegullave), që dikur kanë mbaruar këtu, na duket se mund të merret vetëm si rrethanë e tërthortë ndihmëse për të hulumtuar prejardhjen e këtij emërtimi. Në këtë plan, pandehim se që në krye të herës në emrin e vendbanimit CËRMJAN,-i, të jetë strukur ndonjëra prej fjalëve shqipe: CERMË, CERMOK, apo QERM. Të shohim se sa kemi të drejtë për këtë. Profesor Çabej, duke i analizuar dhe krahasuar edhe shqyrtimet e albanistëve të tjerë rreth këtyre fjalëve, shpjegon: Cermë f. “përdhés, artrit”. G. Meyeri 440 e shënon prej Hahnit për gegërishten, po e lë pa shpjegim etimologjik. Fjala është e shqipes mbarë, në toskërishten dëgjohet Cermë e Cërmmë. (…), ku më tej thotë Çabej se kjo fjalë shqipe ka shkuar në greqishten e re, por edhe në Bosnje si tijerma. Ndërkaq, për fjalën CERMOK, nga shpjegimi i profesor Çabejt, po shkëpusim: Cermók, m. “shtuf”. Mungon te G. Meyeri, e ka Bashkimi me kuptimin “tufo; terreno impietrito”, dhe Lukaj si mbiemër cërmok “i ngurtë” Jokli (JJ XXI VIII 128) e shkon me verbin carb “çaj”, për të cilin sh. Te carbë. Ky bashkim është në analizë të fundit i drejtë. Po fjala pikësëpari afrohet me thërmoj, thërrime, thërmokëla “thërmiqe”, me ndërrimin e njohur c: th; në këtë mënzrë cermok = thërmok-ëla. Në pikëpamje materiale shtufi është një gur vullkanik thërmaq. (…) Morfologjikisht cermok paraqitet si një ygjerim me –ok i cermës, si thërmokëla i therm-it.14) Shih për këtë, fjalën Cërmok, pra me –ë- në rrokjen e parë, e ka edhe Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (më tej – FGJSSH), me kuptimin “tokë shtuf, thërmok. Tokë me cërmokë; si dhe Shtuf,-i m. Gur i lehtë, i thërrmueshëm e me shumë pore, i formuar nga lidhja e çimentimi i grimcave të hirit dhe pluhurit vullkanik, që përdoret për ndërtim etj., Gurshtufi, 2. Shkëmb ranor i butë e i thërmueshëm, që përdoret në në ndërtim në vend të rërës. Shtuf gëlqeror (ranor).15)

Fjala QERM, të cilën jorastësisht e morëm në rrethin e fjalëve nga të cilat do nxjerrë etimologjia e emrit të toponimit Cërmjan, kuptimisht dallon nga dz të parat. Këtë fjalë e ka edhe FGJSSH si Qerm,-i m., me kuptimet: 1. Buya pak e ngritur anës arës; rrip toke i papunuar rreth jë are; qenar. Qermi i arës; 2. Pjesa e ngritur e vatrës nga ana e oxhakut, ku mbështeten drutë e zjarrit, - Qermi i vatrës, etj.; e të cilën profesor Çabej e kishte shqzrtuar dhe nxjerrë si fjalë të përdorshme në shumë anë dialektore shqipfolëse: qerm, m. “anë, buzë, qenar”; sidomos qermi arës (Tirana “ana disi e ngritur e arës, që e ndan atë prej arës tjetër”, në Shkodër shko qermit e jo mesit (scil të arës); në Peqin qermi i votrës “pjesa e ngritur e vatrës anëve, mbi të cilën vihen drutë” (Illyria I Nr. 22, f. 8); Sipas Xhuvanit (Kritikë për fjalorë të shqipes 15) edhe qermi i rrugës e qermi i pusit “goja e sipërme e grykës së pusit”. Fjalë e gegërishtes që mungon te G. Meyeri. Logoreci e ka për “kufi, cak skâj”, mos i bje arës për mjedis, por qermit, Leka VII 482 për “një rryp i ngushtë djerri që lêhet anës së një are i mbushun me ferra, shkurra, bashnje, sidomos ndërmjet arës e një rruge”. Cordignano jep qerm “fossato, hendek” me verbin me çermue “far solco, scavre (delle ruote dei carri)”, këtë me ç- të gabuar.16)

Bindjes sonë se etimologjia e emrit të toponimit Cërmjan duhet nxjerrë nga rrethi i fjalëve CERMË, CERMOK (CËRMOK) e QERM, i kontribuojnë edhe këto të dhëna: a) se në të gjitha trajtat që e gjetëm të shënuar në defterët mesjetarë të administratës sllave e osmane, si Črmnje, Črmni, Čermen, Çërmil, etj., e shohim të strukur fjalën shqipe Cerm(ë) apo Qerm, të ngurosur në krye të herës në këtë emërvend, me ndërrime të mundshme të ç-së a q-së në –c, dhe zgjerim trajtash e ndërrimesh fonetike sipas rrugës: Čerm, Črm, Çërm (a Qerm) – Qermen, Çërm-il, Cerm-ok (cërmok), - deri në trajtën e mirëfilltë Cerm-jën dhe Cërm-jan. Kjo njëherësh dëshmon se në këtë toponim, edhe përkundër administrimeve të pushtuesve të ndrzshëm, është ruajtur fjala shqipe, “sepse toponimet  - madje toponimet në kuptimin më të gjerë të fjalës, pra emrat e lumenjve, liqejve, maleve, viseve dhe vendbanimeve – ruhen me ngulm edhe pas asimilimit të popullsisë së hershme”17); b) Se toka e territorit të Cërmjanit në përbërjen e saj ka gurë gëlqeror dhe të materjes tjetër, pastaj e ka një lloj dheu karakteristik (të njohur tradicionalisht për punimin e çerepëve), që mbase mund të lidhet edhe me atë që thotë populli se këtu dikur janë mbaruar qeremine (qeramidhe – tjegulla) dhe qerpiçë cilësorë, e që ky dhe, siç thonë, është i thërrmueshëm, edhe në krye të herës të jetë quajtur çermok apo cermok (cërmok), prej kah edhe emri i katundit - CermjënCërmjan; dhe c) Se konfiguracioni i territorit të Cërmjanit është kodrinor, me kodra e brigje, të mbulluara me drunj, ferra e shkurre që mbizotërojnë rrafshin, gjë që i përgjigjet kuptimit të fjalës shqipe qerm, prej kah është e mundur të ketë mbetur emri i vendbanimit Cërmjan i sotëm.

Ndaj, në këtë rrafsh, qoftë të ketë mbetur emri i Cërmjanit nga ndonjëra prej fjalëve: cermë a cermok-u (Cërmok-u), që janë të sajuara nga cilësia e përbërja e tokës (dheut) të këtushëm, apo nga qerm,-i, e sajuar sipas konfiguracionit të terrenit, fjalë këto që i shpjeguam më lart, janë të pranueshme, sepse kjo dukuri është jo rrallë e shprehur në emërtime onomastike.

4. DASHINOC-i. –  Nga rrënjorët ilire  das-, dax – (dash-) kemi bindjen se duhet kërkuar etimologjia e katundit DASHINOC (Dashinovac) të Dushkajës, komuna e Deçanit. Sipas burimeve të shkruara del se rrënjori i njëjtë qëndron në antroponimet shqiptare Dashi për meshkuj dhe Dasheja për femra; në patronimet Dashaj e Dashefci dhe Dashiq (tek serbët dhe malazeztë), në hidronimin Deshtica (emri i një lumi të krahinës së Hasit, kah Gjakova), si dhe në emrin e katundit Dashinoc; që kanë prejardhje nga emrat e botës shtazore,18) d.m.th. nga dash-i. Për emrin e Dashinocit, në traditë popullore, po u rujatka legjenda: “paska qenë dikur njëfarë Noci, banor i hershëm, i cili ishte i pasur, mbante shumë desh dhe se mysafirëve ua therrte nga nje dash”, e që sipas tyre nga DASHI I NOCIT i mbeti edhe emri i katundit.19) Sidoqoftë, nga burime të shkruara dhe ato gojore, forcohet bindja se emri i vendbanimit Dashinoc është toponim kompozitor i formuar nga antroponimet Dash dhe Noc. Përkrah faktit se format Dashi e Dashanini përmenden më 1485 në fshatrat Balozi (Balvezi – të Shqipërisë Veriore), Lopovaça dhe Jednosh (diku kah Peja)20); antroponimi Noc dhe sot është i përdorshëm si emër mashkulli ndër shqiptarë, kryesisht të konfesionit katolik, gjë që afron mundësinë e ngurosjes edhe të këtij antrop. në ndërtimin e trajtës së sotme të emrit të këtij vendbanimi nga: Dash + Noc = Dashinoc, apo Dash Noci, e Dashi i Nocit, prej kah konsideroj se më vonë ka dalë trajta në serbokr. Dashinovac.

5. GËRGOC-i. – Për katundin GËRGOC thuhet se është i vjetër. Nga literatura që pata në duar deri tashti, vërejta se shumë pak është shkruar për këtë vendbanim. Në Fjalorin e G. Elezoviqit është i shënuar Grkovce, e më tej citohet edhe në trajtën Grgoc 21). Etimologjinë e emrit të katundit Gërgoc s’dimë se sa është drejt ta kërkojmë nga rrënja ilire  ger, për të cilën rrënjë V. Putaneci kishte konstatuar se rrënja ilire ger-, guer, kanë kuptimin “mal, pyll, dru”, ku më tej thotë se kjo “është dokumentuar fare mirë në gjuhët indoeuropiane: hindishte e vjetër gurih m. “Berg”, av. Gaire “id”., sllavishte e vjetër gora “Berg”, lit. nugarà  “Rücken (eines Menschen, áber auch eines Berges”, shqip. gur “stein”…” 22) . E ofruam këtë mundësi duke u bazuar në faktin se territory i katundit Gërgoc është kryesisht vend kodrinor me male e pyje të pasura me drunj, por, se do të ketë mbetur emri Gërgocit sipas rrënjës ilire ger, jemi të dyshimtë.

Rreth etimologjisë së katundit Gërgoc parapëlqej burimin nga terreni se emri i këtij katundi kishte mbetur sipas emrit të një banori të lashtë, këtu, të quajtur Gerga (Gërga). Antroponimin Gerga (Gërga) të dikurshëm të Gërgocit nuk mund ta kuptojmë jashtë rrethit të antroponimeve të hershme që i kishte vështruar P. Skoku, si trajtave që i jep ky autor: “Gergi, (shek.14), Gergo (shek. 13), Grgur23) etj., prej kah edhe Gërgur. “Këtë antroponim, pra Gërgur, i cili shfaqet në trajta të nduarduarta, si nëpër dokumentë ashtu edhe sot në patronimet e shqiptarëve, P. Skoku e shëh të burimit latin”23-a). Andaj, mendojmë se toponimi Gergoc (Gërgoc) ka prejardhje nga antroponimi Gerg, Gergi, apo Gergo, me prapashtesën -oc apo -c, prej kah Gergoc - Gërgoc.

6. JABLLANIC:Ë –a. – Prej disa të dhënave të mësipërme shihet se fjala Jabllanicë, si emër vendbanimi, ishte e përdorshme edhe në mesjetë. Emrin Jabllanicë, përveç kësaj të Dushkajës, sot në Kosovë e mbajnë edhe disa fshatra, si: Jabllanica (e Leshanit), Jabllanica e Madhe, Jabllanbica e Vogël  (të komunës së Pejës), Jabllanica e komunës së Prizrenit, po Jabllanica ka edhe në troje të tjera shqiptare. Deri më tash, nuk kemi parë ndonjë shkrim që është marrë me çështjen e prejardhjes  (etimologjisë) së fjalës Jabllanicë, por ne mendojmë se për të gjitha rastet duhet të jetë një etimon i njëjtë. Kujtojmë se vjetërsia e toponimit Jabllanicë duhet të lidhet me kohën e depërtimit të sllavëve në Ballkan, dhe si e tillë fjala të jetë fjalë e sllavizuar. Deri në trajtën e sotme fjala do të ketë kaluar nga  jablan-i (për plep) në jablanik (pl. –ici) = Jabllanica. Ne kemi bindjen se trajta e sotme sllave e emrit të katundit Jabllanicë është përkthim i drejtpërdrejtë  (i imponuar) nga administrata kishtare apo politike sllave i trajtës së kryehershme  plep-i (Populus pyramidalis), shumësi  PLEPINË apo PLEPISHTË, që shqip do të jetë quajtur ky katund, para  ardhjes së sllavëve në trojet tona. Këtij mendimi i bëhen krah edhe këto rrethana: a) Në traditë të Jabllanicës ruhet kujtimi se në këtë territor “dikur ka pasur shumë plepa” dhe b) Në territorin e Jabllanicës sot gjallojnë toponimet LUGI PLEPAV, që emërton një mal të madh në lindje të katundit, ndërsa në perëndim është  po ashtu emërvendi LUGI PLEPAV tjetër – emër lugu e mali. Këto toponime, si dhe ndonjë mikrotoponim tjetër, dëshmojnë se dikur në territorin e Jabllanicës ka qenë shumë e përhapur bima drunore – plepi. Ndërkaq, se a mund të lidhet me prejardhjen e emrit të katundit Jabllanicë edhe toponimi  Abllan-i (kompleks: ara, livadhe, mal – në perëndim të katundit), ku fjala do të mund të kërkohej nga dy burime etimologjike: e para, se  abllani të jetë nga ( j ) abllan, me rënie të j-së nistore dhe e dyta, të kërkohet nga fjala turke ablla, nuk jemi fort të sigurt.24)

7. JANOSH-i. - Në toponimin Jednosh të Defterit osman mesjetar, të vitit 1485 (shih, e kemi cituar edhe më herët), shohim emrin e katundit të sotëm Janosh të Dushkajës. Na thotë mendja se ky toponim ka prejardhje antroponimike nga antroponime të lashta: Jan, Jana, Jano. Këtë e tumir edhe një legjendë që ruhet në traditën popullore të banorëve të këtushëm, sipas së cilës emri i katundit JANOSH kishte mbetur sipas emrit të moçëm Jana.25) Edhe Elezoviqi e ka në trajtën Janoš, si duket për emër njeriu.25-a)

8. KRALAN-i. - Burimet në terren për katundin KRALAN (serbok. Kraljane) të Dushkajës thonë se është i moçëm dhe emri i ka mbetur sipas Krajlit që paska pas jetuar dikur këtu.26) Nuk jemi të sigurt se Kralupi i Krisobulës të jetë emri i Kralanit të sotëm. Në DRSSH e kemi gjetur fjalën Kral, por këtë edhe si antroponim: Bezhani, i biri i Kralit; Krali, i biri i Vojkos; Jovani, i biri i Kralit,27) etj.

Në një shkrim tjetër, që ka të bëjë me emrin e Kralanit që e kemi në shqyrtim, veç të tjerash, thuhet: “Në anën e djathtë të Bistricës së Deçanit, e cila derdhet në Dri të Bardhë në fshatin me të njëjtin emër (është fjala për Kralanin –SRH.), në një sipërfaqe prej disa qindra metra katrorë janë mbeturinat e kështjellës –“Kraljev grad” – në bazë të së cilës edhe fshati e ka marrë emrin. Gërmadhat e kështjellës gjenden në një plato, e cila dominon mbi rrethinën. Kështjella nuk është e studiuar aspak dhe është gati e panjohur për shkencë, megjithëse në popull jeton tradita për kështjellën dikur të madhe e të rëndësishme”.28) Edhe sipas këtij shkrimi dëshmohet ekzistimi i një vendbanimi të hershëm të fortifikuar, të tipit të gradinave, të zhdukur.

Ndërkaq, sa i përket prejardhjes së emrit të katundit Kralan, mendoj se kemi të bëjmë me një toponim i cili ka për bazë etimologjike antroponimin e kryehershëm Kral, që paska qenë i përdorshëm në kohën mesjetare apo edhe më herët, me zgjerim prapashtesor Kral + an = Kralan.29)

Në Krisobulat e Deçanit të vitit 1330 gjetëm të shënuara edhe disa toponime, të cilat pothuaj me të njëjtit emra gjallojnë edhe sot, si Muha (sot Muha toponim dhe emri i lagjes së Cërmjanit, e banuar me kolonistë malazez): Vardišane (sot Vardishtë, toponim në territorin e Kralanit, që një kohë po ashishte e banuar me kolonistë); Sušica (Sushica, në Gërgoc e Kralan); dhe Jordan 30)(Jordani e Jordanet, toponime në territor të Radoniqit), për të cilat nuk dimë se në mesjetë do të kenë qenë vendbanime, apo edhe atëherë vetëm si prona (?).31)

9. MAZNIK –u. – Emri i toponimit – katundit MAZNIK të Dushkajës, sipas dritës së disa shkrimeve, kujtojmë së për bazë etimologjike duhet të ketë antroponimin Maz, që në trajtën e hershme kishte kuptim pagan. Shih për këtë, antroponimi Maz gjithashtu i përket botës shtazore, i cili gjallëron sot në rrënjët e patronimeve dhe toponimeve të Kosovës e më gjerë, si dhe në vitin 1485 shfaqet në variante të ndryshme;32) porse varianti më karakteristik dhe më bindës është ai në fshatin Kokariq (rrethina e Shkodrës) – Gjoni i biri i Mazit.32-a) Ndërkaq, Çabej ishte i mendimit se kuptimi i mirëfilltë i këtij antroponimi buron nga emri i ngjashëm i perëndisë se ilirëve mesap Juppiter Menzana, ku gjuhëtarët e shohin fjalën shqipe, toskërishte –mëz e gegërishte –mâz (mëzet, mëzore) dhe fjalën rumune miuz – mëz.32-b)

Duke pasur parasysh faktin se materiali onomastik (i hershëm) është shënuar kryesisht nga dora e huaj, e cila nuk i njihte evolucionet fonetike të gjuhës shqipe dhe të cilat nuk i jepte me mjete grafike adekuate, ai në të shumtën e herave është shënuar gabimisht. Mirëpo, prapëseprapë, ndriçon gjendjen e gjuhës sonë në shekujt XIII – XVI e njëherësh edhe shtrirjen e shqipes dhe të shqiptarëve në trojet e tyre historike. Në onomastikën mesjetare shembuj të kësaj natyre ka përplot, por këtë po e dëshmojmë vetëm me konstruktin toponimik kompozitor BURMAZI e BURMAZIČI (viti 1300), nga burrë + madh, me Z në vend të Dh-së, për mungesë të këtij tingulli në gjuhët sllave.33) Duke hedhur dritë mbi këtë emërtim mesjetar dhe për të dëshmuar se është i përhapur si patronim dhe si toponim nëpër shumë vise të Jugosllavisë, Trifun Pavloviq thotë: “Mbiemri Burmaz është me origjinë shqiptare dhe, kur përkthehet, domethënë VELIKI ČOVEK (Burrë – čovek + i madh – veliki). Serbë Burmazë ka edhe jashtë Jugosllavisë. Ka në Rumani, në Banat, rreth Temishvarit. Në Jugosllavi Burmazët jetojnë në Hercegovinë. Një fshat afër Stolacit mban emrin Burmaz, sipas emrit të banorëve që jetojnë në të. Burmazë ka jo vetëm në Hercegovinë, po edhe nëpër tërë Dalmacinë.34)

Burimet shkrimore dëshmojnë se kjo temë emërore me të tjera shtresime e formime prapashtesore del ndër vise të Dalmacisë, si: Mazucat Johannes filus (…) Mazurana Gaspera filia Jacobsi et Mathie dhe në trajtën Masnik: Masnich Joannes filius Nicolai et Helene.35) Së këndejmi, etimologjinë e emrit të toponimit MAZNIK të Dushkajës (komuna e Deçanit), përveç nga antroponimi i botës shtazore –maz, pandeh se edhe kuptimisht, edhe gjuhësisht, mund ta afrojmë edhe me rrugën zhvillimore të trajtave të sipërpërmendura Burmazi, Burmaziči e Masnich-i, por me zgjerim prapashtesor, pra ta nxjerrim me prejardhje nga mbiemri (i) MADH (i maz) + prapashtesa NIK (Madhnik a Madhanik). Në këtë rrafsh po përmendim se prapashtesa –nik ka shtrirje bukur të gjerë në fjalëformim të gjuhës shqipe, si p.sh. ato të tipit: bes-nik, fis-nik, soj-nik, Dush-nik, Uja-nik etj. Për prapashtesën  -nik, profesor Çabej thotë se është karakteristike e gjuhëve sllave, me të cilën në këto gjuhë janë formuar një varg emrash e mbiemrash; p.sh. në serbokroatishtet: çetnik (çeta) = njeri i çetës, naçelnik (çelo, kryetar), pomoçnik (pomoç) = ndihmës; në bulgarishtet: ribnik (riba) = gjellë me peshk, Zbornik (zbor, mbledhje) etj.36)

Në traditën popullore të maznikasve gjetëm të ruhet një legjendë, por që nuk hedh dritë në prejardhjen e emrit të katundit; Elezoviqi e ka Maznik, me kuptim atributi (nofke) për njerëz.37)

10. MEQ-E –ja. - Meqja katund i Dushkajës, afër Cërmjanit. Burimet e terrenit thonë se ky katund është shumë i vjetër dhe se dikur ka qenë shumë i madh e i rrethuar me mur, 38) gjë që ofron dëshmi për ekzistimin e një vendbanimi të fortifikuar e të zhdukur ?. Nuk dimë se sa mund të afrohet fjala mećina e Krisobulës me trajtat Mećare, Meqari dhe Meqare, të cilat i gjetëm në Fjalorin e G. Elezoviqit, fjalë të gjuhës arabe e turke. Shih për këtë: arab. Meqari, turq. Meqare, të gjitha me kuptim “kali për ngarkesë”; “kali që mirret me qira për bartjen e gjësendeve”; “malli i ngarkuar në kuaj të qiraxhinjve”. Elezoviqi e ka edhe Mêćê ž. (“napoj ili meko zamešana hrana za svinje”; “napoj stoci i psima”).38-a) Fjalori Serbokroatisht – Shqip e ka mèća f. (napoj za blago) këlli-a f. pl. – “miell e krunde përzier me ujë e me kripë, që u japim bagëtisë e derrave”.38-b) Në këtë kontekst, kujtojmë se emrin e katundit të sotëm Meqe (Meqja) do afruar me fjalët arab. meqari dhe turq. meqare, pasi që, sipas legjendës, ky vendbanim dikur paska qenë i madh, mbase qytet apo qytezë?, e këtu sigurisht do të ketë qenë e zhvilluar tregtia, do të ketë qenë pikë lidhëse dhe se për bartjen e mallrave të jenë përdorur kuajt (me qira) të qiraxhinjve, atëherë, si mjet më i përshtatshëm për këtë veprimtari.39)

Kështu, sipas trajtave të sipërpërmendura, ka mundësi të jetë përdorur nga shqipfolësit dhe sintagma me qira, pastaj të ketë përjetuar shkëmbimin r-së në n – trajta mećina e mesjetës, si dhë rënien e kësaj n-je në rrokjen e fundit, prej kah Meqia, - Meqja (në shqiptim lokal dëgjohet edhe Meqa).

11. PALABARDH-i. - Numër i madh emërvendesh, toponime e mikrotoponime, jovetëm në krahinën e Dushkajës por edhe nëpër vise të tjera shqiptare, kanë prejardhje mbi bazë antroponimike, patronimike etj. I kësaj rrjedhoje është edhe emri i katundit PALABARDH – nga Pali i Bardhë. Këtë e vërtetojnë edhe burimit nga terreni si dhe ato shkrimore. Se edhe Bijeli Pavle (Bjelopavlići) ishte formuar më vonë sipas shembullit të shqipfolësve Pali Bard (Pali i Bardhë) – Palabardi (sot Palabardhi), S. Kulišić veç tjerash kishte shkruar: “… ime Bijeli Pavle načinjen je prema albanskom uzoru … U “Zemljišniku skadarskom”, iz 1416 godine, medju albanskim imenima nalazi se i Pali Bard. Kako primečuje Šobajić, kod albanaca se uz imena često upotrebljava atribut bardbijeli, pa je prema tome Pali Bard Bijeli Pavle. I u jednom mletačkom izvoru iz XVII vijeka spominju se Bjelovalići pod imenom Palabardi (Palabardhi)”40).

Në shkrime të vjetra, më saktësisht në një burim historik të fillimit të shek. XVII, përmendet katundi Palabardh i malësisë së Madhe të Shkodrës (…) Pra, i njëjti toponim, dmth. Palabardhi, emërton dy fshatra: njërin në rrethin e Shkodrës (Më saktë në Malësi të Madhe), tjetrin në komunën e Gjakovës (në Kosovë). Në relacionet e M. Bicit (v.1610) dhe të M. Bolicës (v. 1614), përmendet Bjelopavliqi – atëherë krahinë e Mbishkodrës, sot e Malit të Zi, i cili është përkthyer shqip Palabardhi, Palabardhajt. (…) Palabardhët ose Palabardhajt, si vëllazëri e si fis shqiptar në Shqipërinë Veriore dalin në dokumentet e vjetra (shek. XV e XVI). Disa dijetarë mendojnë se emri i krahinës dhe i fisit të Malit të Zi të sotëm Bjelopavliqi është bartur atje prej Shqipërisë veriore dhe është përkthyer fjalë për fjalë prej gjuhës shqipe në sllavishten. Serbokroatisht  bjel-i,  bjel-a,  bjel-o, “i, e, të bardhë”,  Pavlici “Bardhajt”. 40-a)

Ndërkaq, sa i përket etimologjisë së fjalës Pal, Paul, Pavle, Pavël, gjuhëtarët e shqipes dhe të gjuhëve të tjera (si Meyer-Lubke, P. Skok, E. Çabej, etj.), qyshkur kanë konstatuar se ky emër personi (i të krishterëve) është huazuar prej gjuhës latine Paulus. (…) Disa gjuhë ruajnë formën e latinishtes Paul(us), disa të tjera Pavllos (gr. e re), gjuhët sllave zakonisht zakonisht Pavle dhe Paul, rumunishtja Pavël, Paul etj. Në gjuhën shqipe, qëmoti, mbizotëron me të madhe forma Pal-i, mirëpo, në toskërishten, siç konstaton E. Çabej, ky emër përdoret edhe në format Pavli, Pavël, Pavllo, të cilat janë huazuar nga greqishtja e re. (…) Se është i lashtë ndër shqiptarë emri Pal-l, të përmendim se “emri i shenjtorit, gjegjësisht i apostullit të J. Krishtit përdoret dendur dhe gjithnjë në formën Pal-i; …; pastaj emrat e disa personave të shquar shqiptarë, si: Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit, këshilltar i Skënderbeut dhe autor i Formulës së pagëzimit (1462), Pal Kastrioti, i ati i Gjon Kastriotit e gjyshi i Skënderbeut (shek. XIV), Pal Dukagjini, sundimtar i kësaj krahine të Shqipërisë Veriore (shek. XV), Pal Matrënga, sundimtar i një principate të Shqipërisë së Mesme (gjysma e parë e shek. XI), Pal Sojmira, më 1614, kreu i Zogajve të Ulqinit.40-b)

Kur folëm më herët për katundin Bardhaniq, kemi përmendur se apelativat Bardh e Bardhe i gjejmë të përdorshëm nëpër tërë Dushkajën si antroponime e si patronime: emër njerëzish (mashkullorë e femërorë), si emra kafshësh, por edhe të ngurosur në disa toponimne: Palabardh, Rruga Palabardhit, Ledinat e Palabardhit etj. Nga emri Pal-i te shqiptarët janë formuar antrop. dhe part.: Paloka, Paleka, Paluci, Palushi etj., por ka hyrë edhe në konstrukte toponimike, si: Shënpali, Shpali, etj.,  ku në këtë mes hyn edhe emri i katundit Palabardh të Dushkajës. Prandaj, kemi bindjen se është e padiskutueshme prejardhja e katundit Palabardh, nga: Pal + Bardh = Palabardh, ose nga Pali i bardhë a  Pal Bardhi që rezulton toponim kompozitor të tipit emër + emër apo emër + mbiemër.41)

12. RADONIQ-i. - Toponimet Radošev kami, në DH, …; dhe Radosha, në DRSSH,42) na duket të jenë trajta  mesjetare me të cilat është shënuar emri i katundit Radoniq të Dushkajës. Për këtë katund kemi bërë fjalë edhe në do shkrime të mëhershme, ku kemi dhënë edhe pikëpamjet tona rreth etimologjisë së emrit të Radoniqit. Na thotë mendja se etimologjinë e emrit të vendbanimit RADONIQ të sotëm duhet nxjerrë nga bazë e antroponimeve të hershme Rad, - Rado, me zgjerim fjalëformues prapashtesor, me prapashtesën –nik (niq) dhe me ndërrimin e mundshëm të k-së në q-. Në këtë dritë: Rad + nik(q) = Radnik(q), me –o- protetike = Radonik(q), apo antroponimi   Rado + nik(q) = Radoniq; ku për prapashtesën –nik, të strehuar në shumë apelativa shqipe, shpjeguam më herët, kur folëm për katundin Maznik.43)

13. RAKOC-i dhe 14. RAKOVIN:Ë-a. - Emrat e vendbanimeve RAKOC e RAKOVINË të kësaj krahine na duket të kene prejardhje nga hipokoristiku Rak, i cili mund të ketë qenë ndikim i një emri më të lashtë ose mbeturinë e një antroponimi të moçëm, që përdorej dikur si i zakonshëm. Në Krisobula të Deçanit (1330) gjeta të shënuara Rakita (mbase për Rakoc ?) dhe Rilkovina, ku mendojmë se është fjala për katundin Rakovinë të sotme; ndërsa në DRSSH gjetëm trajtat Rakovac (për Rakoc) dhe Rilkovina (për Rakovinë).44) Përdorimin e hershëm të hipokoristikut Rak e vërtetojnë të dhënat: në gjysmën e parë të shek. XV në anë të Novobërdës del më tepër si patronim Rachoieuich (Rakojeviq), Rachieuich (Rakieviq), Rachouac (Rakovac); më 1485 përmendet kah Shkodra si antroponim Raku, i biri i Lleshit, Raka, i biri i Palit etj. Mirëpo, trajtat e mirëfillta: Raka, Rakaj, Rakiqi, Rakallar etj., edhe sot e kësaj dite gjallojnë si patronime ndër shqiptarë dhe ndër popuj të tjerë ballkanikë, etimologjinë e të cilit duhet kërkuar në ndonjërën nga gjuhët e lashta latine, greke, ilire etj.45) Për këtë flet, ndër fakte të tjera, edhe antroponimi Raccus, që V. Georgievi e nxjerr të ilirëve, të grupit të tretë, në territorin e Jugosllavisë Veriperëndimore.46)

Prandaj, duke pasur parasysh të dhënat që i paraqitëm mësipër dhe mendimin se “për të bërë etimologjinë e një fjale, është e domosdoshme të caktohet areali ku asaj i gjenden korrespondentet, 47) edhe emërvendbanimet Rakoc (Rakovac) dhe Rakovinë (dëgjohet edhe Rokovinë), s’ka se si të mos kenë dalë nga baza Rak, pra: Rak + oc = Rakoc dhe Rak + ovin(ë) = Rakovinë. Tek emri i katundit Rakovinë, pjesa e dytë (o)vin = është prapashtesë e gjuhëve sllave.48)

15. RASHKOC-i. - Burimet nga terreni thonë se emri i katundit RASHKOC i sotëm i Dushkajës kishte mbetur sipas një Rashës së dikurshëm, emër i një banori të lashtë.49) Në defterët mesjetarë gjetëm të shënuar Raškovac; dhe Rashkovaç,50) sigurisht emri i katundit Rashkoc. Më 1485, në regjistrin e banorëve të Rashkocit te mesjetës, përveç të tjerëve, ishin të shënuar edhe Dabzhivi, i biri i Rashos dhe e veja Rasha, 51) që vërtetojnë gjallimin e antroponimeve Rash, Rasha, Rasho, e duket edhe Rashko, në atë kohë; por që nuk mund të saktësojmë se çfarë fshihet, nga ana etnike, prapa këtyre antroponimeve. Ndërkaq, jemi të mendimit se emri i toponimit Rashkoc ka prejardhje antroponimike nga Rasha a Rashk(o) + prapashtesa –oc, bile mendojmë se trajta e kryehershme duhet të ketë qenë Rashkoc, e që sipas administratës sllave e osmane prapashtesa –oc del e zgjeruar –ovc dhe –ovac, që është e zakonshme për gjuhët sllave.

16. RATISH-i. - Në Krisobulën e Deçanit të vitit 1330 gjetëm edhe Ratiševci (vlasi) (mbase Ratishi i sotëm i Dushkajës, komuna e Deçanit ?), por në mungesë të ndonjë burimi tjetër shkrimor, prejardhja, gjegjësisht etimologjia e emrit të këtij vendbanimi kujtojmë se duhet kërkuar pikërisht nga fjala Ratish.

17. ZHABEL-i. - Një katund i krahinës së Dushkajës quhet ZHABEL, (në të folme dëgjohet edhe Zhabel). Rreth dy kilometra larg, në krahun verior, një vendbanim mban emrin Zhabeli Plak.

Toponimi Zhabel, në krye të herës, mund të ketë mbetur nga emri i i bimës Zhabin:ë-a (Ranunculus) për “bimë me lule të verdha, që del nëpër livadhe toka ligatina”, që barazohet me Zhabinok e Zhabil. E ka Bashkimi “Specie di erba con fiori gialliche nei terreni umidi”. Krahasuar Zhabel-in e sotëm me trajtën Zhabil (shih, lulet e zhabilit), dallimi fonetik është i vogël – një ndërrim apofonik i:e, pra Zhab(-il) – Zhab(-el). Ka bazë të mbështetshme edhe mundësia se toponimi Zhabel-i të ketë prejardhje nga zabel-i. Në Dushkajë fjala zabel është mjafte e përdorshme për “mal me drunj të rritur, të gjatë e të trashë; mal i ruajtur për t’u prerë, zakonisht afër fshatit”. Zhabel-i mund të lidhet me zabel-in edhe pas rrethanës se aty ku shtrihet katundi kryesisht është vend malor. Ndaj, mund të përfundojmë se, etimonit të toponimit Zhabel, si nga ndërtimi, si nga kuptimi, mund t’i përgjigjet Zhabil-i, por edhe më mirë i shkon përshtati Zabel-i.

18. ZHDRELL:Ë –a. - Në Krisobula të Deçanit (1330), po ashtu, kemi gjetur toponimin Ždrelo52) ku është fjala për vendbanimin ZHDRELLË e sotme e Dushkajës. Fjalën ždrelo e ka edhe Elezoviqi me kuptimin “vend që e rrah era, që i ekspozohet erës, frymës”.53) Fjalën Ždrelo e ka Fj. Serbokr. – shqip, për “grykë, gurmaz” etj. që, mbase, emri i katundit Zhdrellë do të jetë sajuar mbi bazë të konfiguracionit të terrenit që ka – luginë që ngushtohet në formë gryke – grykë. (?). Kujtojmë se emri i katundit Zhdrellë, në krye të herës (nga mesjeta, apo edhe më parë), të ketë pasur për rrënjor verbin dredhzhdredh (zhdrodha, zhdridh, të zhdredhë). Nga e kundërta e dredhës del folja zhdredh (shdredh), si: dredh e zhdredh. Zhdredh perin etj. Shih për këtë, në traditë të këtij katundi thonë se: “aty fryn fryma shumë (erë e fortë) dhe formohen dredha”. Rrethanë që, kuptimisht, i del zot emërtimit që kemi në shtjellim. Pas mendimit tonë toponimi Zhdrellë do zbërthyer: (zh)dre –dh(ll)-ë = Zhdrellë, ku –ll në fund të fjalës ka hyrë në vend të –dh-së, si rezultat i administratës sllave, pasi u mungon ky tingull.54) Foljet dredh e zhdredh i kanë Fj. e gj. shq.E ka Bashkimi xhdrédhe për “Storcere, rivoltare”.

Sipas një burimi shkrimor, ku vërehet administrata turke, disa katunde të Dushkajës ishin të shkruara:

Si ka qenë më          Si janë sot                  Si ka qenë më          Si janë sot

1896                                                                    1896______________________

1. Doblibara              Doblibare                     2. Bradosana             Bradosan

3. Ivranik                  Vraniq                          4. Izdrele                   Zhdrellë

5. Koderelere-i zir     Kodrali e Poshtme       6. Xhermijan            Cërmjan

7. Menxhe                 Meqe                           8. Rakobne               Rakovinë

9. Karalan                  Krelan                        10. Zhabel                  Zhabel

11. Bardonik                Bardhaniq                  12. Mazinik                Maznik

13. Dashnofçe             Dashinovc                 14. Gargarofçe           Gërgoc

15. Radonik                 Radoniq                     16. Rakofçe                Rakoc

17. Ratishe-i zir           Ratishë e Poshtme    18. Ratishe-i bala        Ratishë e Epër

19. Janosh                    Janosh                        20. Palabarid               Palabardh 52)

_____________

Referencat:

1) Dr. E. Ç a b e j, St. Gj., ..., III, Rilindja, Prishtinë, 1976, f. 28.

2) S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 346, 264, 288, 314, 397, 381.

3) Branislav D j u r d j e v, Iz istorije Crne Gore, brdskih i malisorskih plemena, “Radovi”, II, knj. I, Sarajevo, 1951, f. 918.

4) Muharrem C ë r r a b r e g u, Toponimia e Kosovës sipas burimeve hartografike, Onomastika e Kosovës, Prishtinë, 1979, f. 552.

5) Palok D a k a, Vëzhgime mbi emra vetjakë të ardhur nga leksiku i përgjithshëm i shqipes, Përparimi, nr. 6 – 1971, Prishtinë, f. 457.

5-a) Prof. Dr. Latif M u l a k u, Mbi disa toponime të rrethinave të Gjakovës, Toponimia e Gjakovës me rrethinë (Tryezë shkencore e mbajtur më 4 maj 2001, në Gjakovë), Gjakovë 2002, f. 72.

6) Hasan M u j a j, Të dhëna nga onomastika e Rugovës, Çështje të studimeve albanologjike, I, Instituti Albanologjik i Prishtinës (më tej:IAP), Prishtinë, 1987, f. 315.

7) Skënder R. H o x h a, Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I), (më tej: KSTD (I)) Përparimi, Prishtinë, 1992, f. 16.

8) P. I v i ć – M. G r k o v i ć, DH, ..., f. I – 233, II – 43; S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 130.

9) Eqrem Ç a b e j, Studime etimologjike në fushë të shqipes, II, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1876, f. 222.

10) FGJSSH, Rilindja, Prishtinë, 1961, f. 120. Në FGJSSH janë edhe fjalët Bic, -i m.sh. –a –at, krahin. 1. Gic, derrkuc, Bic i egër (i butë) 2. Qen i zi me trup të vogël etj., f. 139; si dhe Byc, -i m.sh. –a –at. Elbth, kath.

11) P. I v i ć – M. G r k o v i ć, DH, ..., f. II – 48, 50, III – 146.

11-a) S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 283.

12) I. S. J a s t r e b o v, Stara Srbija i Albanija, Spomenik SKA, XLI, II r., sv. 36, Beograd, 1904, f. 5 – 7.

12-a) Skënder G a s h i, Prania e etnosit shqiptar në Kosovë, f. 82; Gliša E l e z o v i ć, Rečnik Kosovsko-Metohijskog dijalekta, sveska druga (me tej REMD), SKA, Beograd, 1935, f. 425.

13) Atanasije U r o š e v i ć, Kosovo – Nasele i poreklo stanovništva, SANU, knjiga 39, Beograd, 1965, f. 139.

14) Dr. Eqrem Ç a b e j, Studime gjuhësore, I,  (më tej: St. gj.), Rilindja, Prishtinë, 1976, f. 90.

15) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (më tej: FGJSSH), Rilindja, Prishtinë, 1981, f. 220; 1943.

16) FGJSSH, ..., f. 1599; Dr. E. Ç a b e j, St. gj., II, Rilindja, Prishtinë, 1976, f. 60.

17) Dr. Henrik B a r i ć, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Mustafa Bakija, Prishtinë, 1955, f. 54.

18. Palok D a k a, Pun. cit., ..., f. 460; Rexhep D o ç i, Baza ilire – shqipe DAS -: DASH – në funksion të antroponimeve, patronimeve dhe toponimeve, “Fjala” e dt. 1.V. 1987, Prishtinë, f. 13.

19) Kallëzim i informatorëve: Hamëz V a t a j (1918), nga Dashinoci i Dushkajës, dhënë autorit më 1.II.1989, në shtëpinë e tij në Dashinoc.

20) S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 157, 256, 305.

21) Gliša E l e z o v i ć, RKMD, sveska prva, Beograd, 1932, f. 110, shih: “Grkovce, selo u opštini Crmljanskoj, srez Djakovački”, ku më tej citon “U RM (RM = Rečnik mesta u Kral. Srba, Hrvata i Slovenaca za 1925 god.) zapisani Grgoc”.

22) Valentin P u t a n e c, Rrënja ilire ger- ievr, guer- “Bjeshkë, mal, pyll” në toponiminë superstratike, Gjurmime Albanologjike IX – 1979, IAP, Prishtinë, 1980, f. 243, 244.

23) Petar S k o k, Etimologijski rječnik hrvatskoga ili srpskoga jezika, I, Zagreb, 1971, f. 614, 615.

23-a) R. D o ç i, Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës, IAP, Prishtinë, 1990, f. 169.

24) Prof. S. R. H o x h a, Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës, Art poetika, Pejë, 2004, f. 16.

25) Kallëzim i informatorëve: Adem S o k o l i (1906) dhe Gjokë G e c i (1938), arsimtar, të dy nga Janoshi, dhënë autorit më 4.XII.1985, në shtëpinë e të parit në Janosh. Legjenda: “Thonë se në kohë të vjetra në një lëndinë të Janoshit (meré), është gjetë një gur në të cilin ishte e shkruar fjala JANA, por thuhet se aty ishin gjetur edhe themele të një kishe”. Me këtë vendësit e lidhin edhe emrin e katundit Janosh.

25-a) G. E l e z o v i ć, “Janoš, ami. u DK. Zabeleženo u s. Krnjinu 1778 god. Pisa Janoši Stoi ko š(inik) k(olomboč), u s. Batuse 1780: Pisa Janoš š(inik) p(šenice)”. (Na duket i përdorur si antroponim – Janosh, - shënim yni). RKMD, …, f. 253.

26) Kallëzim i informatorëve (pleqve) nga Kralani: Asman A r i f i (vjeç 60), Ibish H y s e n i (vjeç 64) dhe Adem S a d i k u (vjeç 60), të gjithë nga Kralani, dhënë autorit më 1.X.1976, në Kralan.

27) S. P u l a h a, DRSSH, …, f. 208, 425.

28) Kosova – dikur e sot, Ekonomska politika, Beograd, 1973, f. 449.

29) Prof. S. R. H o x h a, KSTD (I), f. 27.

30) P. I v i ć  - M. G r k o v i ć, DH, ..., f. II – 50; 18.

31) Prof. Skënder R. H o x h a, KSTD (I), …f. 27.

32) R. D o ç i, Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës, IAP, …, f. 169.

32-a) S. P u l a h a, DRSSH, …, f. 382.

32-b) E. Ç a b e j, Historia e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1970, f. 75.

33) Shih: Çka ka shqipe në onomastikën mesjetare, (enciklopedia e vogël), në “Rilindja” të dt. 11.II.1989, Prishtinë, f. 16.

34) Trifun P a v ll o v i q – Kaçurreli, Rreth emrave vetjakë të shqiptarëve, “Rilindja” e dt. 16.XI.1987, Prishtinë, f. 15.

35) Ante Š u p u k, Hibridski antroponimi, Čakovska Rič 2, Split, 1974, f. 17.

36) Dr. E. Ç a b e j, St. gj., III, ..., f. 258.

37) Shih: S. R. H o x h a, KSTD (I), ..., f. 22 – 23 (dhe në fusnotë); G. E l e z o v i ć, RKMD, sveska prva, ..., f. 380, shih: Maznik, am. Kaže se za čoveka koji prividno ljubazno i umilno zbori, a to radi iz koristoljublja.

38) Për katundin Meqe të Dushkajës (rreth 10 kilometra në verilindje të Gjakovës) në traditë popullore ruhet kjo legjendë: “Thuhet se Meqja është katund i vjetër dhe se dikur ka qenë shumë e madhe. Kishte qenë e rrethuar me mure nga të gjitha anët, e që mbrëmjeve i tërë katundi mbyllej me dy dyer që kishte, sa kur mbylleshin ato dyer të mëdha të hekurta, krisma e tyre dëgjohej në Gjakovë. Kështu ka qenë Meqja, thotë legjenda, qysh para kohës së Turqisë, e kur ka ardhur turku, e ka gjetë të rrethuar. Më tej, thuhet se, në këtë katund kishte rënë sëmundja e Kolerës dhe i kishte faruar të gjithë, ku gjenden nja 3 – 4 hektarë vend me varre të tyre” (Këtë legjendë ia treguan autorit: Gjon K r a s n i q i (vjeç 63) dhe i biri i tij Kola (vjeç 41) nga katundi Meqe, në verë të vitit 1976, në Meqe të Dushkajës.)

38-a) G. E l e z o v i ć, RKMD, sveska prva, ..., f. 4o2, shih: Mećare sr. Neprom. a) Tovarni konj. – b) fig. Potrkuša, sluga: On je türsko mećare. – U RJA. Mećara ž. Arap. Meqari, Tur. Meqare im. Konja koji se uzme pod kiriju za prenos stvari; roba potovarena na kiriudžinske konje”.

38-b) Fjalori Serbokroatisht – Shqip, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1974, f. 361.

39) S. R. H o x h a, KSTD (I), ..., f. 25.

40) S. K u l i š i ć, O etnogenezi crnogoraca, Totograd, 1980, f. 40 – 41 (cituar sipas R. Doçit, ASHK, I, IAP, 1990, f. 172 (në fusnotë).

40-a) Prof. Dr. Latif  M u l a k u, Mbi disa toponime të rrethinave të Gjakovës, Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 82, 83.

40-b) Po aty, ..., f. 84.

41) Prof. S. R. H o x h a, Vep. Cit., ..., f. 16.

42) P. I v i ć – M. G r k o v i ć, DH, ..., f. I – 237, II – 43, III –2146, 2147; S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 249.

43) S. R. H o x h a, Vep. Cit., ..., f. 22.

44) P. I v i ć – M. G r k o v i ć, DH, ..., shih: Rakita, f. III –1167, 2331; Rilkovina: f. II-, III- 1426; S. P u l a h a, DRSSH, ..., Rakovac – f. 334, Rilkovina – f. 260.

45) Mihailo D i n i ć, Iz Dubrovačkog arhiva, I, Beograd, 1957, f. 81, 105; S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 121, 154, 361, 4o5, 127; ..., f. 82.

46) V. I. G e o r g i e v, Studime ilire, II, Prishtinë, 1978, f. 50.

47) A. E m o u t  et  A. M e i l l e t, Dictionnaire étomologique la langue, Quatrième edition, Paris, 1976, f. IX (e parathënies).

48) S. R. H o x h a, Vep. Cit. (I), f. 18 -19.

49) Kallëzim i informatorëve: Hazir A l i a (1922) dhe Sadik (Zekë) Ibraj (1934), nga Rashkoci, dhënë autorit 21.VII.1985, në Rashkoc.

50) P. I v i ć – M. G r k o v i ć, DH, ..., f. II 50; S. P u l a h a, DRSSH, ..., f. 335.

51) S. P u l a h a, DRSSH, ..., Po aty.

52) P. I v i ć – M. G r k o v i ć, DH, ..., shih: Ratiševci (vlasi) f. I – 265, II – 49, 62 III – 2828, 2309.

53) Gliša E l e z o v i ć, RKMD, sveska prva, Beograd, 1932, f. 179.

54) Prof. Skënder R. H o x h a, KSTD (II), Art poetika, Pejë, 2000, 7. 112.

55) Abdullah K o n u s h e v c i, Toponimet e Gjakovës, Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 208.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Konservimi i Kështjellës së Artanës gjatë viteve 2015-2017 Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Ulpianë Qazim Namani: Vushtrria vendlindja e çetnikut Živko Gvozdić Sinan Gashi: Vepra e parë për Historinë Shqiptare Qazim Namani: Shqiptari ortodoks nga Prishtina dhe pjesëmarrja e tij në vrasjen e shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914 Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe Kujtim Mateli: Interesimi i institucioneve shkencore franceze për Dodonën pellazge dhe kontributi i kërkuesit shkencor Gilles De Rapper Qazim Namani: Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit në Kosovë Qazim Namani: Veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në qytetin e Kassovës Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Marecit me rrethinë Fotaq Andrea: Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në fshatin Peshter dhe Brus Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike dhe historike në rrethinën e Janjevës Qazim Namani: Servia emër rajoni në shërbim dhe jo emër etnie Qazim Namani: Arbërorët dhe udhëtimet e Gjergj Kastriotit nëpër vendbanimet e Artanës Qazim Namani: Politikat ruse për sllavizimin e popullatës shqiptare gjatë viteve 1700-1912/13 Nikë Gashaj: Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës - 1911 Qazim Namani: Kryengritjet shqiptare 1826-1832 nën udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut Lutfi Alia: Tetë medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të Shek. XV

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora