Speciale » Namani
Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në qytetin e Kassovës
E merkure, 17.06.2020, 05:56 PM
GJURMËT ARKEOLOGJIKE NË QYTETIN E KASSOVËS ME RRETHINË
Nga
Dr. Qazim Namani
FORTIFIKATA E SIÇEVËS
Rajoni i Malësisë së Galabit shtrihej në mes të qyteteve
të zhvilluara në kohën ë antikitetit Nishit dhe Ulpianës. Nga burimet e autorëve
antik kuptojmë se në këtë rajon jetonte fisi i njohur dardan Galabroi. Gjatë
kohës së sundimit romak në këtë rajon rrëzë kodrinave të pasura me minerale u
ndërtuan disa qytete të rëndësishme. Në kohën ë dyndjeve barbare gjatë
Perandorisë Bizantine popullata vendore duke e parë rrezikun fillojë ti
zhvendosë vendbanimet nga rrafshi për të ndërtuar fortifikime mbrojtëse në
kodrina me mbrojtje të mirë strategjike. Pas rënies së qytetit të Ulpianës dhe
Vendenisit në mes të këtyre dy vendbanimeve, diku rreth 15 km në veri-lindje të
Prishtinës u rindërtua fortifikata Kasstelion.
Gjatë mesjetës kjo fortifikatë është bërë qendër e rëndësishme
që nën zotërimin e saj i mbante minierat në veri-perëndim të qytetit të Artanës,
dhe fushat pjellore në luginat e lumenjve Llap dhe rrjedhës së lumit Sitnica
prej qytetit të Lipjanit e deri në Vushtrri. Kjo fortifikatë në mesjetë njihej
më emrin Kassova andaj në bazë të emrit të kësaj fortifikate tokat pjellore
pranë këtyre lumenjve u quajtën Rrafshi i Kassovës.
Harta e
Dardanise ku paraqitet fisi Galabroi, krijuar nga Justhus Perthes në vitin 1865
Burimet e fundit për këtë qytet kala i hasim te udhë përshkrimet
e kronistëve osman të shekullit XVII, ku përmendet si qytet që e kishte
kadillëkun e vet. Duke qenë afër qytetit të Artanës kuptojmë se ky qytet e
kishte ligjin për administrimin e një territori të caktuar.
Bazuar në hulumtimet e terrenit kemi ardhur në përfundim
se ky qytet shtrihej në mes së kalasë së sotme të fshatit Siqevë e deri në
fshatin Radashec, Sukë (Sulltan Tepe).
Fortifikata e Siqevës shtrihet në veri-lindje të
Prishtinë në distancë prej rreth 10 km. Fortifikata ngrihet në anën
veri-lindore të shkollës së fshatit, në lartësi mbidetare 780 m dhe me koordinatat:
N 42°44'15,17" E 21°12'40,41".
Fragmentet e mureve, tjegullat, shtyllat e zbuluara dhe kisha e vjetër dëshmojnë se kemi të bëjmë
më një lokalitet të rëndësishëm arkeologjik të periudhës së antikitetit dhe mesjetar.
Gjurmë
të objekteve në Kalanë e Siqevës
Në anën lindore të Kalasë, në Kodrën e quajtur Kuna janë
zbuluar themelet e një kishe të vjetër dhe varret e vjetra për rreth saj. Po
ashtu në këtë lokalitet janë zbuluar qeramike të periudhës romake, bizantine
dhe mesjetare, shtylla të objekteve luksoze kohën të ngjashme me shtyllat e
zbuluara në qytetin e Artanës, qytetin e Trepçës dhe disa vendbanime tjera të
periudhës së antikitetit që dëshmojnë se në këtë hapësirë kishte ekzistuar një
vendbanim i rëndësishëm.
Shtyllë
e objekteve të antikitetit në fshatin Siçevë
Ky vendbanim shtrihej në një sipërfaqe mjaftë të madhe
dhe rrethohej me disa fortifikime tjera mbrojtëse për rreth. Pozita gjeografike
e këtij vendbanimi dhe zbulimeve arkeologjike në fshatrat tjera të afërta
dëshmojnë për rëndësinë ekonomike të këtij rajoni të shtrirë pranë fushave
pjellore dhe kodrinave të pasura me minerale. Ky vendbanim shtrihet në
verilindje dhe distancë prej rreth 3 km nga Bërrnica që njihet si lokaliteti më i njohur arkeologjikë në Kosovë
për kulturë të rëndësishme që nga periudha e neolitit e deri në mesjetë. Në mes
të kalasë së Siçevës dhe fshatit Bërnicë një quhet “Stanet”, dhe mendohet se
vendbanimi gjatë mesjetës ishte shtrirë edhe në drejtim të fshatit Bërnicë. Në
fshatin Besi dhe Trudë janë zbuluar gjurmët e një vendbanimi antik. Gjurmë të
fortifikimeve vrojtuese janë evidentuar edhe në “Qukat”e fshatit Trudë, Milec dhe
Bardhoshë, ku përmes këtyre vrojtohej Rrafshi I Kosovës në anën Jug-përendimore
nga Kalaja e Siçevës, Suka (Sulltan Tepja) në Radashec dhe “Rogat e Prishtinës”
në fshatin Rimanishtë.
Kullat
vrojtuese në anën jug-përendimore të Kalasë së Siçevës
Përballë Fortifikatës në distancë prej rreth 2 km është
Suka e Radashecit-Grashticës e njohur nga popullata lokale edhe si: “Sulltan
Tepe”, në lindje të Sukës në fshatin Grashticë është lokaliteti arkeologjik
“Arat e Rrafshit”, ku janë zbuluar varreza me urna të periudhës dardane. Në mes
të fortifikatës së Siqevës dhe në veri-perëndim të Sukës së Radashecit ka
themele te objekteve dhe dy kishave.
Suka dhe gjurmët e themelit
të kishës në fshatin Radashec
Gjurmët arkeologjike në
fshatin Rimanishtë
Në anën veri-lindore në fshatin Rimanishtë në distancë
prej rreth 2 km nga kalaja e Siçevës, ngritët dy sukat, lokaliteti arkeologjikë
“Rogat e Prishtinës” dhe dy kishat e vjetra.
Kalaja
e Siçevës dhe gjurmët arkeologjike në fshatrat Radashec dhe Rimanishtë
Dy
Sukat dhe Rogat e Prishtinës në Rimanishtë
Gjurmë
të vendbanimit te Rogat e Prishtinës në fshatin Rimanishtë
Varreza
dhe gjurmë të vendbanimit pranë kishës në fshatin Rimanishtë
Guri
me kryq dhe tri unaza të gjetura pas zgjerimit të rrugës së fshatit në vendin
ku ndodhej kisha dhe varrezat e Rimanishtës.
Në anën veriore nga ky lokalitet arkeologjike në një
distancë prej rreth 5 km është Kalaja e Tenezhdollit po ashtu lokalitet i
hulumtuar dhe shumë i njohur arkeologjikë. Në mes të fshatit Rimanishtë dhe
kalasë së Tenezhdollit është edhe një Sukë tjetër dhe nga kjo Sukë në drejtim të
lumit Llap janë edhe dy fortifikime të vogla vrojtuese.
Në anën veriore në distancë prej rreth 5 km shtrihet
lokaliteti arkeologjikë “Nina Kola” , kisha e vjetër dhe fortifikata në fshatin
Sharban. Në anën jug-perëndimore të kësaj fortifikate ka kaluar rruga e
rëndësishme antike Nishë-Lezhë, andaj kjo fortifikatë dhe lokalitetet tjera të
cekura më lartë që shtrihen në mes të Rrafshit të Kosovës dhe Rrafshit të
Llapit dhe pranë minierave dëshmojnë për një civilizim dhe zhvillim ekonomik të popullatës dardane.
QYTETI KASSOVA DHE
KRIJIMI I VILAJETIT TË KOSOVËS
Çështja e emrit të Vilajetit të Kosovës ka shtyrë shumë
studiues të mendojnë se kemi të bëjmë me një rajon gjeografik që ka etimologji
sllave. Tema në vijim do të trajtojë dilemat e arsyeshme të shumë studiuesve,
të cilët sjellin fakte bindëse se emri i Vilajetit të Kosovës është rezultat i ndikimit të madh të
politikës pansllaviste në vetë Perandorinë Osmane. Punimi ka për qëllim të
ndriçojë faktet dhe argumentet nga burimet e shkruara të autorëve shqiptarë,
sllavë etj., dhe të ofrojë të dhëna historike, hartografike dhe nga terreni që
dëshmojnë se emri i Vilajetit të Kosovës ishte emër historik-politik me qëllim
që emri i lashtë dhe burimor i mbretërisë së Dardanisë, që përafërsisht
shtrihej në hapësirat gjeografike të Vilajetit të Kosovës, të zëvendësohet me
emrin Vilajeti i Kosovës e më vonë me emrin Kosova. Nga burimet e shumta mund
të nxjerrim përfundime se emri i sotëm i shtetit të Kosovës si njësi
administrative e territorial, duhet kuptuar se është i vonë në histori dhe
daton nga gjysma e dytë e shekullit XIX, në kohën kur u krijua Vilajeti i
Kosovës nën Perandorinë Osmane, që e zëvendësoi emrin e vjetër të vendit, i
cili sot përfshin vetëm një pjesë të territorit të Dardanisë.
Vilajeti i Kosovës
përfshinte një territor prej afro 30.000 km, ndërsa sot si shtet Kosova
njihet në sipërfaqe prej 10.870 km. Në bazë të rrethanave politike dhe burimeve
të shkruara në emërtimin e Vilajetit të Kosovës luajti rol ndikimi i Rusisë dhe
politika pansllaviste që Rusia e zbatonte përmes ambasadorit të emëruar në vitin
1864 në Stamboll, Nikola Pavloviç
Ignatievit, i cili iu ofrua shumë sulltanit sa një ditë padishahu tha:
“Nuk paskam mik tjetër të vërtetë përveç ambasadorit rus”[1].
Po në këtë kohë Rusia e emëroi në detyra të rëndësishme diplomatike në Shkodër
dhe Prizren Ivan Stepanoviq Jastrebovin[2].
Në Sarajevë si diplomat u emërua Aleksandër Hilferdingu, njëri nga funksionarët
e komitetit mirëbërës sllav të themeluar në vitin 1856, në Moskë nën
patronazhin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të mbështetur edhe nga
kisha ortodokse[3].
Hilferdingu, edhe pse ishte i lindur në Varshavë të
Polonisë dhe kishte origjinë gjermane apo çifute, u rrit dhe u edukua në frymën
e pansllavizmit dhe kështu kësaj politike ia kushtoi të gjithë veprimtarinë e
tij[4].
Ky autor vuri në shërbim të politikës së thellë pansllaviste të gjitha fuqitë e
veta intelektuale, shkencore etj., dhe ishte njëri nga gjashtë ideologët
kryesorë të pansllavizmit bashkë me Homajkovin, Danillevskin, Pogodinin,
Aksakovlevin dhe Lamanshin[5].
Koordinimi i aktiviteteve politike dhe diplomatike mes
Ignjatevit, Hilferdingut dhe diplomatit rus Jastrebovit, i cili veproi në
trevat shqiptare frymëzuan nacionalizmin serb në kohën e krizës lindore për
pushtimin e territoreve që banoheshin me popullatë autoktone shqiptare.
Programi pansllavist i hartuar nga A. S. Homajkovi “Për të vjetrën dhe të renë”, që u botua
në vitin 1839, pastaj projekti për themelimin e një perandorie pansllaviste
hartuar nga Nikollaj Danillevski, i cili parashihte shpalljen e patrikut të
Moskës person që përfaqëson zotin në tokë, u inspiruan nga idetë pansllaviste
të Çartoriskit dhe Franjo Zahut për përqendrimin e sllavëve të Ballkanit në një
perandori[6].
Bazuar në këto projekte dhe ide, në vitin 1844 u përpiluan “Nacertanja” e Ilia Garashaninit, “Megalo idea” greke e Jani Kolës dhe programi i “Otoçenstvos” bullgare[7].
Serbia e përfshiu Kosovën në planin e saj nacional dhe
propagandistik pas aprovimit të projektit “Nacertanje”
të Garashaninit të vitit 1844[8].
Dokumentet arkivore të kësaj kohe tregojnë se Serbia pas projektit të
Garashaninit, filloi të ndihmojë përtëritjen e kishave, manastireve dhe
shkollave në Kosovë. Në vitin 1868, u formua këshilli arsimor për ndihmë
shkollave dhe mësuesve serbë në trevat shqiptare që ishin nën sundimin e
Perandorisë Osmane[9].
Shkollat laike serbe në Kosovë, në atë kohë punonin sipas planit e programit të
shkollave të Serbisë, duke përdorur tekste të njëjta, organizim, metodat e
mësimit dhe administrimit[10].
Në Kosovë u hapën shkolla të reja me mësuesit Nikolla Musolini, Millan
Kovaqeviq dhe Millan Popoviq. Në këto shkolla nxënësit fitonin njohuri më të
mëdha se në disa shkolla në Serbi[11].
Në këto rrethana Vilajeti i Kosovës u formua në vitin
1868 me qendër ne Prizren[12]. Kosova si nocion gjeografik e ka zanafillën
në gjysmën e dytë të shekullit XIX në kohën e krijimit të mitit serb për
betejën afër qytetit Kassova në vitin 1389, mes Osmanëve dhe koalicionit të
popullatës dhe feudalëve të rajonit. Me krijimin e “mitit për Fushën e Kosovës” serbët dolën me pretendimet e tyre për
dominim kulturor në rajon në kohën e dobësimit të Perandorisë Osmane[13].
Në shekullin XIX, krahas emrit Kosova, filloi të përdoret edhe termi “Stara Serbia” (Serbia e Vjetër) si në
dokumente zyrtare po ashtu edhe në literaturë “shkencore”, studime toponimike
dhe harta nga autorë sllavë, duke bërë përpjekje që zanafillën e këtyre
emërtimeve ta lidhin me gjuhën sllave dhe Mesjetën. Këtë e vërteton edhe Jevto
Dedijer (1880-1918) në librin e tij “Stara
Serbija i Etnografska slika” botuar më 1912, ku shkruan se emri “Serbi e vjetër” si nocion gjeografik e
ka zanafillën në shekullin XIX, përkatësisht në kohën e krijimit të letërsisë
serbe[14].
Spiridon Gopçeviq shkruan se, kur bëhet fjalë për “Stara Serbinë” (Serbinë e Vjetër) dhe programet pansllaviste në
Ballkan, atëherë duhet t’i falënderojmë vëllezërit rusë[15].
Në shekullin XIX, duke u bazuar në betejën pranë qytetit Kassova (Cassova), i
tërë rajoni filloi të quhet Kosova, duke e ndërlidhur emrin Kassova me disa
emërtime sllave Kosovo në rajonet e disa shteteve, ku ekzistonte me parë
ndikimi sllav.
Në Çeki, në rrethinën e Tabarskom, gjendet fshati Kosova
Hora (Amschelberg). Në Poloni, në lindje të Haliqit 53 km prej Kolonje,
ekziston emri i një vendi Kossovë[16].
Klaiq shkruan se emri Kosova në burimet e shkruara latine haset i shkruar nga
viti 1389 si Campus Turdurum dhe Campus Merularum, ndërsa në burimet e shkruara
gjermane quhej Amselfeld (Ampschfeld), por nuk është vërtetuar që ky emër që
prej kohëve më të vjetra është përdorur në popull dhe që ka origjinë sllave[17].
Kosova e sotme në kohën e vjetër ilire quhej Mbretëria e Dardanisë, në kohën
romake njihej me emrin Campi Dardanici. Në kohën e perandorit Dioklecianit
(284-305) u krijua provinca e Dardanisë që përafërsisht shtrihej në hapësirat
gjeografike të Vilajetit të Kosovës[18].
Shumë studiues për emrin e Kosovës së sotme mendojnë se ky emër është formuar nga zgjerimi i emrit
sllav të shpendit kos „mëllenjë” me prapashtesën sllave “ova”, duke menduar se
ky shpend ishte i pranishëm rreth ndonjë këneta apo liqeni në Fushën e Kosovës.
Zbulimet arkeologjike në fshatin Dardhishtë, në kotën mbidetare të rrjedhës së
lumit Sitnica hedhin poshtë të gjitha supozimet që të ketë pasur liqen që nga
koha e neolitit e deri me tani në fushën mes Lipjanit dhe Vushtrrisë që në
popull është quajtur Fusha e Kassovës.
Prapashtesa “ova” haset edhe ne gjuhën latine, turke,
bullgare, andaj latinët nuk e kanë marrë nga sllavet, p. sh. Terranova, Padova,
Gjenova nuk mund të kenë etimologji sllave.
Fig 1-Vendbanimi i kohës
se neolitit ne fshatin Dardhishtë, Kastriot, Fig 2- Figurinë antropomorfe.
Autori Vj. Klaiq në librin e tij “Slike slavenske povjesti” botuar në Zagreb në vitin 1903, edhe pse
e bën përshkrimin e territorit të Vilajetit të Kosovës sipas politikës së
kohës, lëvizjes politike shumë të zhvilluar pansllaviste dhe botimeve të shumta
për mitin e krijuar serb për Kosovën, mes tjerash, shkruan se në Fushën e
Kosovës dhe në rajonet tjera të Vilajetit të sotëm të Kosovës jetuan të parët e
shqiptarëve të sotëm me emrin e vjetër Illyri. Fiset më të njohura ilire
të këtyre anëve ishin Dardanët dhe
Autoriatët[19].
Lidhur me emrin Kosova është marrë kohë të gjatë edhe
Skender Gashi, i cili këtë çështje e
trajton në shumë publikime shkencore, ku vlen të përmendet shkrimi me titull:
Rreth emrave Kosova, Metohia dhe Dardania. Ndër të tjera Skender Gashi shkruan
se emrin Dardania për Kosovën e njihte edhe humanisti raguzan Alovsius Cervinus
Tubero i cili në veprën e tij të botuar në Frankfurt më 1603, kur shkruan për
Betejën Kosovës, njofton se në atë betejë kanë marrë pjesë dardanët, ilirët dhe
maqedonasit. Në një kronikë tjetër greke me autor Jeraks-i Logotheti është
shkruar se në Betejën e Kosovës morën pjesë akontë nga Arvanitia (Shqipëria),
pra nga viset e Dardanisë (Kosovës).[20]
Nga dëshmitë më të vjetra për emrin Kosova që i dimë deri
me sot është edhe nga jetëshkrimi i Stefan Llazarit i përkthyer në shekullin XV
nga greqishtja në sllavishtë Nga V. Jagic përmendet dy herë emir Kosova[21]
Gjithashtu Skender Gashi shkruan se fjala “Kos” në gjuhën
sllave e ka kuptimin e shpendit “Merula”,
zogëzën e mëllenjës si dhe mëllenjën e bardhë “Turdus Iliacus”, në këtë trajtë haste edhe në disa nga hartat e
shekullit XVII-XVIII dhe përkthimet në gjuhët italisht, gjermanisht e greqisht
si p.sh,: Campus Merlinus “Fusha e
Mëllenjave” më (1775); Kassova oder Amse Feld “Kassova ose Fusha e Mëllenjave” ( më 1793 dhe më 1788); Kossypjopedion
“Fusha e Mëllenjave”(më 1840)[22] Duke
i pasur parasysh këto fakte Skender Gashi shpjegon se mund të pohojmë se kemi
të bëjmë me përkthim sllav të një emri latin apo dardan kur është e ditur se në
periudhën romake që në antroponiminë e vajzave në hapësirën e Dardanisë është
dëshmuar dendur emri personal Merula (Mëllenjë)
dhe si dëshmi tjetër se fjala sllave Kos për këtë shpend nuk ka hyrë në gjuhën
shqipe.[23]
Gjithashtu ky autor është i mendimit se emri Kosovë mund të ketë emërtuar vetëm
një mikroregjion midis qyteteve të sotme të Prishtinës, Vushtrrisë dhe
Podujevës. Ky emërtim ka dal nga emri i vendbanimit të quajtur në vitin 1455
Kosovci “banorë të vendit Kosova”.[24]
Historiani rumun, Nicolae Denonsusn, në librin e tij “Historia Dakia, Part 7-Ch.XLI.10.I.
Elements of barbarian language”, shkruan për një kështjellë Kasaera (Caseera) në malet Rodope, e cila
riparohet në kohën e Justinianit. Sipas tij, Casaria quhej edhe vendi ku është
përgatitur ose shitur casul (djathë).
Në gjuhën e vjetër maqedone Casari (vathë),
në gjuhën latine casearia (Officina),
duke pohuar se në rajonin e Rumanisë së sotme një numër i vendeve e mbajnë
emrin Casarie[25].
Denonsusn po ashtu jep të dhëna që, sipas Herodotit, terminologjia e lashtë
metalurgjike është me origjinë barbare, Chassiteros, plumb i bardhë, Lat.
stannum, cassiterus, Rom Cositoriu[26].
Nga kjo që u tha më lart, mendojmë se fjalët që kanë bazën Kass dhe Cass, nuk
duhet shikuar medoemos se kanë origjinë sllave, por duhet lënë hapësirë të
mendohet se mund të jenë edhe para romake.
Kosova si nocion gjeografik hyri në histori edhe për
arsye se pranë vendit ku u zhvillua beteja e vitit 1389, rrëzë maleve të
Galabit, në luginën e lumit Alb (Lab,
Llab), ishte qyteti xehetar metalurgjik Kassova. Sipas studiuesit francez,
Filip Mezier, beteja e vitit 1389, u zhvillua në Albani. Meqë beteja u zhvillua
në fushën e qytetit Kassova, gradualisht në shekujt e mëvonshëm e sidomos në
shekullin e XIX, fusha në rrethinën e Prishtinës filloi të quhet Fusha e Kassovës. Pasi që qyteti
Kassova shtrihej në malet mes Prishtinës dhe Podujevës, edhe rrafshi i lumit
Llab filloi të quhet “Kassova e Vogël”.
Sipas burimeve italiane të shekullit XVIII, kjo fushë
është quajtur “Pianure di Cassovia” dhe
se në këtë fushë Sulltan Muratin e vrau një shqiptar[27].
Rreth vendndodhjes të qytetit mesjetar CASCOVA[28]
kemi të dhëna nga shumë studiues. Disa mendojnë se emërtimi Kosovë ka
etimologji sllave, ku fjala “Kos” në
gjuhën serbe e ka kuptimin e mëllenjës. Branisllav Nushiqi mendon se emri i
Kosovës vjen nga fjala kosit, sepse
sipas tij rrafshi i Kosovës ishte vërtet “livadh
i perëndisë”[29].
Në Kosovë janë disa vendbanime të regjistruara me këtë
emër, të cilat i gjejmë edhe në defterët osmane të shekullit XV. Për një katund
me emrin Kosovc, Ilaz Rexha mendon se ishte katuni Kosovicë në malësinë e
Gallapit. Emrin Kosovicë e mban një lagje e sotme e fshatit Strezofc. Disa
studiues këtë lokalitet mendojnë se duhet kërkuar në rrethinën e Ferizajt, në
fshatin Kosinë apo në Varosh. Martin Segoni nga Novobërda, i cili prej vitit
1474 jetoi në Padovë të Italisë dhe ishte ipeshkëv në Ulqin, duke shkruar
për Artanën (Novobërdën), e përmend një
vend-luginë me emrin Kosovica, ku në njërën anë të kësaj lugine shtrihet
Prishtina, kurse në anën tjetër Novobërda[30].
Bazuar në të dhënat e Segonit, i cili e njihte mirë terrenin, mund të pohojmë
se fjala është për rrjedhën e lumit të sotëm Prishtina, sepse ky lumë vjen nga
malet e Gallapit dhe është konsideruar si degë e lumit Llab. Po ashtu, meqenëse
sipas Segonit qyteti Kosova ishte në rrjedhën e lumit Llab, mendoj se kjo
luginë mund të këtë qenë lugina e fshatrave Grashticë dhe Mramuer, ku nga kjo
luginë në njërën anë mbetet Prishtina, kurse në anën tjetër Novobërda. Këtë
qëndrim e vërteton edhe emri i katundit Kosino, që përmendet bashkë me katundin
e sotëm Busi, sot lagje e Mramurit, si dhe katundi Xhylkova, sot Kilkov në mes
së fshatrave Marec dhe Mramuer.
Për pushtimin e Kosovës nga osmanët, të dhënat e kohës
nga shkrimtari turk Mehmet Neshriut të shekullit XV, tregojnë se Ali
Pasha-djali i madh i Candrali Kara Halit (Hajredin Pashës), pasi e pushtoi
Gerinxhen (Gjezixhe), i dërgoi njerëz
sundimtarit të Kosovës dhe kërkoi që t’i nënshtrohej. Sundimtari i Kosovës nuk
e përfilli fjalën e pashait dhe iu përgjigj: “Ne nuk i bëhemi kryengritës princit tonë dhe nuk i bindemi osmanëve”.
Ali Pasha dërgoi Pazarlu Dogan Begun që ta digjte, grabiste, gratë dhe
djelmoshat t’i merrte robër dhe ta shkatërronte Kosovën. Pazarlu Dogan Begu e
sulmoi dhe e rrënoi kështjellën e Kosovës, gratë dhe djelmoshat i mori robër.
Të pafetë erdhën e iu lutën pashait që të lirohen robërit e zënë në luftë
përkundrejt dorëzimit të kështjellës së Kosovës. Pashai i mori robërit e zënë
nga duart e ushtarëve osmanë, ua dorëzoi të pafeve dhe e mori kështjellën e
Kosovës. Mbasi u vendos në kështjellë, urdhëroi që robërit t’iu ktheheshin
prapë osmanëve. Osmanët i morën robërit përsëri nga duart e të pafeve. Pashai,
i cili e pushtoi kështjellën e Kosovës, u shpërngul prej andej dhe shkoi në
drejtim të Tërnovës, kryeqendër e Shishmanit[31].
Nga kjo e dhënë kuptojmë se në atë kohë ekzistonte një kështjellë me emrin
Kasova në territorin e Kosovës së sotme.
Burimet e shkruara lidhur me emërtimet e lartcekura, të
cilat fillojnë me rrokjen “KOS” janë të vona, të botuara në shekullin XIX dhe
të ribotuara gjatë shekullit XX. Për më tepër, edhe humanisti raguzas, Alovsius
Cervinus Tubero, e përmend Kassovën në veprën e tij të botuar më 1603, ku, duke
shkruan për Betejën e Kassovës, tregon se në atë betejë morën pjesë dardanët,
ilirët dhe maqedonasit. Këtë e thotë në një kronikë të shekullin XVI edhe
Jeraksi, Logotheti i madh i Patrikanës së Stambollit, i cili përshkruan se në
atë betejë morën pjesë arkondë nga Arvanitia (Shqipëria) dhe nga viset që quhen
Dardani[32].
Një burim i shek. të XV, tregon se tregtaret që shkonin nga Prishtina për në
Vushtrri, duhej të kalonin nëpër pyje apo shkurre, pra nëpër “Baschi di Cassova”[33]. Nga kjo e dhënë kuptojmë se vërtet
kemi të bëjmë me emër të një kështjelle (qyteti) që e kishte nën kontrollin e
vetë juridik dhe administrativ një regjion të caktuar në malet e rrethinës së
Prishtinës, Vushtrrisë dhe rrafshit të Kosovës. Perëndimorët këtë rajon e
cilësonin si tokë të pasur, andaj mendoj se Kassova si dhe Artana
(Nyenbergu-Novamanta-Novobërda), duke qenë Kështjella (qytete) pranë njëra tjetrës, i kishin ligjet e veta xehetare që
administronin territore të ndara në hapësirën gjeografike të Dardanisë.
Fig. 3-
Harta e Turqisë Evropiane, e punuar prej Pierre Lapie dhe e publikuar në Paris
në vitin 1827
Sipas autorit Stojan Novakoviq, qyteti Kassova ishte i
imagjinuar, por edhe nëse ka ekzistuar, duhej të ishte Janjeva. Ky autor e
mohonte thënien e gjeografit turk Haxhi Kallfa, i cili qytetin Kassova në
shekullin e XVII e cilësoi si kadillëk[34].
Kosova sipas Haxhi Kallfës është quajtur edhe Pallashima[35].
Georg von Hahn propozonte që qytetin Kosova duhet kërkuar një orë udhë larg në
jug të Janjevës[36].
Kryeipeshkvi i ipeshkvisë së Shkupit, Don Mihal Suma shkruante në vitin 1632 se
vendbanimi Kosova i përkiste famullisë së Janjevës[37].
Në shkrimet e shekullit të XVIII, kur shkruhej për Betejën e Kosovës në
mikroregjionin e Kosovës, përmendet edhe Zveçani, Graçanica, Fusha e Kosovës,
Prishtina, Lipiani etj.[38]
Fusha e Kosovës e rrethuar me një varg kështjellash si: Veletini, Gadimja,
Surqina, Zhitia, Kaçaniku, Burrniku, Petriqi, Jezerci, Suka në Kreshtë të vogël
afër Kosharës, Halilaqi, Bardh i Madh, Kështjella e qytetit në Vushtrri,
Dubovci, Strofci, Kolla, Zveqani, qyteti i Trepçës (Mazhiq – Rashan - Smrekonicë),
Banja, Barileva, Siçeva, Teneqdolli, Grashtica etj., mendoj se japin elemente
të mjaftueshme për të kuptuar se Fusha e Kosovës nuk është fusha e mëllenjave,
si është shkruar në literaturën sllave dhe të huaj në ndikimin e saj, por është fusha e kështjellave, fusha e një
qytetërimi shumë kohë para ardhjes së sllavëve në këto hapësira. Po ashtu,
rrafshina e Llapit në komunën e Podujevës, është quajtur nga popullata
autoktone shqiptare “Kosova e vogël” vetëm
për shkak se qyteti Kassova gjendej mes Prishtinës dhe Podujevës, si dhe e tërë
fusha e lumit Llab rrethohet me një varg kështjellash dhe qytete të pasura me
minierat e njohura, si Bellasica dhe Berveniku, pastaj kështjellat e Brainës,
Ballocit, Tenezhdollit, Lupqit, Koliqit, Gllamnikut, Sharbanit etj.
Kosovica, si lagje e Strezocit e cekur më lart, kufizohet
me një varg kështjellash përreth, si: Novobërda, Kulina e Dardanës, Kulina e
Krilevës, Grexhenikut, Busovatës, Kremenatës, por mund të jetë dhe vetë
Strezoci pasi është dëshmuar si lokalitet i rëndësishëm arkeologjik etj., që dëshmojnë për një rajon kështjellash. Një
karakteristikë të tillë e hasim edhe në rajonin e Ferizajt, Vushtrrisë,
Mitrovicës, Lipjanit dhe komuna tjera në Kosovë, në të cilat janë evidentuar
një varg i kështjellave. Përveç ndërtimit të kështjellave në bregore dhe male
që e rrethojnë fushën e Kosovës, kishte kështjella dhe në vetë rrafshin e
Kosovës, si: Qyteti Ulpiana (Justiniana sekonda), Lipjani i vjetër (Justiniana
Poli), Vushtrria, Prishtina, Surqina, pastaj themelet e vjetra në Pestovë
(Komuna e Vushtrrisë), etj., që lënë të kuptojmë se kishin prona të mëdha në
fushën e Kosovës. Avni Këpuska në librin e tij “Qenësia e territorit dhe e kufijve etnikë autoktonë të Kosovës” shkruan
se Kosovën e hasim në variante të ndryshme të shkruar, por më të shpeshta janë:
Kasava, Kasova, Kosuva dhe Kosova. Nëse kemi parasysh trajtat më të hershme të
emërtimit Kasava ose Kasova, segmentimi i përbërjes së tyre jep kas-a dhe va,
që të dyja terma gjeografikë. Interpretimin e parë gjeografik të emrit “Kosova” e ka bërë akademiku Josip
Rogliq, i cili thotë se janë terminologji të gjuhës ilire. Sipas interpretimit
të Rogliqit dhe studimit të Muharrem Carrabregut “Çelësi i Sistemit Ilirik të Emrit gjeografik”, termi Kas-a përmban kuptimin e një kodre, mali
ose shkëmbi. Në Dalmaci janë dy fusha karakteristike të quajtura Kosovo, për të
cilat Pop Duklanini thotë se etimologjia e tyre i ka rrënjët që nga kohët ilire.
Në bazë të termit gjeografik Kas janë gjithashtu edhe emrat: Cassel, Castel,
Cashtel, Castelli[39].
Te popullata autoktone shqiptare në Gadishullin Ilirik
termin me bazën Kas e hasim edhe për emra fisnorë, familjarë dhe emra vendi,
si: Fisi Kastrat, familja Kasa në Mitrovicë, Kastriot, Kasaj, mbiemrin Kosova
sot në Prizren dhe Prishtinë etj. Te popullata shqiptare e Kosovës deri në
gjysmën e shekullit XX, fjala Kosovë është shqiptuar si Kassova, që vërteton se emri Kosovë dhe Metohi janë shumë
të vonshme. Në fshatin Maxherë në komunën e Preshevës një lagje e vjetër e
fshatit edhe sot quhet Kassovtë[40].
Në bazë të burimeve të shkruara është vërtetuar se emri Kastrat ka të bëjë me
fjalën latine “Castrum”. Po ashtu,
bazuar në dokumentet e shkruara për Dubrovnikun, vërehet se familja aristokrate
“Casica” (Kasica), që jetonte në atë
qytet ishte më origjinë nga Artana (Novamonte-Novobërda)[41].
Këto të dhëna janë fakte të mjaftueshme për të kuptuar se, pas shkatrrimit të
kështjellës së Kassovës, shumë familje të shpërngulura nëpër vise tjera të
Gadishullit e kanë ruajtur mbiemrin Kassova.
Një nga historianët e njohur shqiptarë Skënder Riza, po
ashtu mendon se fjala Kosovë duhet të jetë fjalë e lashtë, ndoshta ilire apo
trake sepse emrin Kosova e hasim në shumë vise të Gadishullit Ballkanik: në
Bosnjë quhet një vend Fushë Kosovë, në rrethin e Dibrës ekziston fshati Kosovë,
në Dalmaci në jug-lindje të fushës së Kninit, gjendet një fushë me emrin Kosovo nëpërmjet të së cilës rrjedh
lumi Kosovnica. Në jug-lindje të Elbasanit ekziston fshati Kosovë, po ashtu
edhe në rrethinën e Gjirokastrës gjendet fshati Kosovica etj.[42]
Të dhënat e cekura më lart dëshmojnë se etimologjinë e
emrit Kosova duhet kërkuar nga fjala latine për kështjella Casstel = Kështjellë
dhe prapashtesa turke “Ova” = “Fushë” që do të thotë fusha e kështjellave. Nga
ky version ka dalë edhe emri për Preshevën, si Presh dhe prapashtesa turke
“Ova” që ka kuptimin “Fusha e preshit”, pastaj Gjakova (Jakova) që ka kuptimin
“Fusha e Jakut” etj. Ka shumë të ngjarë që fjala Kështjellë është para romake
dhe se fjala latine Casstel e ka burimin te fjala pellazgo-ilire Kështjellë (ke
mbështjellë) vendbanimin me mure. Nga ky kuptim vërehet se edhe Fushën e
Kosovës e rrethonin (mbështillnin) një numër i kështjellave, prandaj mendoj se
duhet lidhur nga fjala e lashtë ilire: Ke shtjellë vendbanim me mure (vendbanim
i rrethuar) = Kështjellë = Casstel =
Cassova = Cascova = Cassoua = Kassova =
Fusha e Kështjellave. Duke u bazuar në burimet e cekura më lart, konsideroj se
studiuesit tanë duhet lënë anash shkrimet sllave dhe te autorëve te tjerë rreth
emërtimit të këtij lokaliteti në Mesjetë, duke dhënë versione të reja
shkencore.
Për më tepër, qyteti Kassova duhet kërkuar në anën
veri-lindore të qytetit të sotëm të Prishtinës. Historiani i njohur Skënder
Riza, mendon se ky qytet është Bellasica në rrjedhën e sipërme të lumit Llab. Përveç
Kassovës, në lumin Llab ai përmend edhe dy qyteza të rëndësishme xeherore,
Belairi dhe Koburniku[43].
Nga ky burim mendoj se qyteza Belairi ishte Belasica, ndërsa Kassova ishte
qytet tjetër. Belasica duhet të jetë kalaja Belas e rindërtuar në kohën e
Perandorit Justinijan, të cilën e përmend Prokopi i Cezaresë, e cila gjendet ne
afërsi të fshatrave Zhiti dhe Murgull të komunës së Podujevës. Në territorin e
këtyre fshatrave ka zgjyrë metalesh dhe gjurmë të vjetra qytetërimi. Ky
lokalitet ka një largësi prej Prishtinës
diku rreth 70 km. Bazuar në të dhënat e deritanishme për Kassovën si
vendbanim-qytet mesjetar, mendoj se ky lokalitet duhet kërkuar më afër vendit
ku është zhvilluar Beteja e Kosovës dhe emri i lokalitetit Kassova ka të bëjë
me ndonjë kështjellë dardane, por i përshtatur në gjuhën sllave për të krijuar
më vonë mitin për Kosovën.
Fig. 4
dhe 5- Harta është koleksion i David Rumsev, autor, Houze Antoine Plilippe,
publikuar Chez P.Dumenil, Paris, në vitin 1844, me titull L’Empire Ottoman, L’
Italie.[44]
Ka shumë mundësi që emri i kështjellës CASTELONA dhe
KASTELION[45]
të përshkruara në listën e rindërtimeve të kështjellave në Dardani nga Prokopi
i Cezares, të jetë deformuar në variantin CASSOVA-CASOVA-KOSOVO. Prandaj, me
këtë çështje duhet të merren studiuesit tanë të historisë dhe gjuhës.
Fig. 6
dhe 7- Hartë e Perandorisë Osmane e vitit 1847 me emërtimin e qytetit Cassovo
në verilindje të Prishtinës
Pas betejës te lumi Marica (1371), Osmanët i vazhduan pushtimet e tyre.
Ata në vitin 1375 e pushtuan qytetin e Nishit
dhe iu ofruan territoreve të kontrolluara nga princat vendorë, të cilët, duke parë rrezikun, organizuan një
aleancë në të cilën, përveç shqiptarëve nga Kosova, morën pjesë edhe princër
shqiptarë nga trevat tjera shqiptare. Beteja u zhvillua në Plloqnik (1386). Pas
kësaj beteje, Sulltan Murati I solli përforcime nga Azia e Vogël, por
dhe nga Gadishulli Ballkanik, ku në anën e sulltanit morën pjesë dhe vasalë
serbë, si; Konstantin Dejanoviç, mbreti Marko si edhe disa
shqiptarë nga Epiri dhe Thesalia. Beteja u zhvillua në Kosovë[46].
Kosova përmendet si lokalitet i vjetër xehetar në vitin
1423, dhe e kishte ligjin e vet të kodifikuar më 22 mars 1488. Ky ligj ndahet
në 16 paragrafë dhe i rregullonte të gjitha çështjet ekonomike, politike dhe
sociale të vendit. Cassova (Kosova) shënohet si vendbanim edhe në hartat e
Evropës nga fundi i shekullit XV. Po ashtu në “Tabela Moderna, Polonia, Ungarie….” të Bontentance më 1507, është
shënuar Kasova (Cascova) si lokalitet. Gjithashtu, Gasteldi më 1548, në Venedik
boton “Tavole nouva di schiavonia”,
ku paraqet Kasovën si lokalitet. Prej vitit 1570-1580, Kosova si vendbanim
përmendet në tre fermanë që kanë të bëjnë me vjeljen e taksave, kurse në katër
fermanë nga vitet 1579/80, 1588, 1595 lidhur me falsifikimet e monedhave dhe
trazirave[47].
Në ligjin mbi xeheroret në kohën e sundimit të Sylejman
Kanuniut (ligjdhënësit), Kasova përfshihet në mesin e xeheroreve kryesore të
Perandorisë Osmane. Në vitin 1565, Kasova kërkonte ekspertë për mihjen e
minierave, ku, sipas fermanit të vitit 1574, lartësia e qirasë së xeherores së
Kosovës ishte 300.000 akçe. Sipas Haxhi Kallfës më 1650, Kosova ndodhej në mes
Prishtinës dhe Kushumlisë dhe kishte 19 ditë rrugë nga Stambolli. Një tregtar
nga Dubrovniku, Kosovën e përmend në vitet 1660 dhe 1661, si lokalitet prej nga
dubrovnikasit kanë transportuar lesh. Kosova për herë të fundit përmendet në
vitin 1689, kur kishte rënë në duart e austriakëve[48].
Nga këto të dhëna për kështjellën e Kassovës, mendoj se
kjo kështjellë gjatë Mesjetës ishte vazhdimësi e civilizimit dhe qendër e jetës
qytetare për rajonin e Prishtinës dhe Podujevës pas shkatërrimit të Vendenisit
ne antikitetin e vonë.
Sipas shënimeve të një autori anglez cituar nga S. Rizaj,
Kassova gjendej 7 milje në veri-lindje të Prishtinës. Në afërsi të këtij qyteti
është zhvilluar Beteja e Kosovës në të cilën turqit në komandën e sulltan
Muratit I, më 15 Qershor 1389, fituan kundër koalicionit ballkanik[49].
Bazuar në shënimet e autorit anglez dhe të dhënave në
terren të cekura më lart vendndodhja e qytetit Kassova ishte ne veri-lindje të
Prishtinës dhe mund të jenë lokalitetet Grashticë-Mramur që i përgjigjet
distancës së cekur pre 7 milje dhe gjendet po ashtu në pjesën veri-lindore të
Prishtinës. Në dobi të këtij qëndrimi mund të dëshmojmë se në fshatin Grashticë
i hasim gjurmët e kështjellës dhe vendbanimit si dhe toponimet “lugu i gjytetit”, “lugu i kishës” dhe
zgjyra të metaleve që kanë mbetur nga shkritoret e mineraleve etj. Po ashtu, në
fshatin Mramur gjejmë toponimet “Lugu i
Manastirit” dhe gjejmë gjurme të mbetjeve të themeleve të objekteve.
Për ekzistimin e këtij qyteti dëshmon edhe ruajtja e
mbiemrit Kosova te disa banorë të Prishtinës dhe Prizrenit deri në ditët e
sotme. Kodra e quajtur Suka që ndanë kufijtë e fshatrave Radashec dhe Grashticë
në popull njihet me emrin “Sulltan tepe”. “Kodra e Sulltanit”, dhe një krua ne
këtë lokalitet edhe sot quhet Kroi i mbretit, gjë që na shtyn të mendojmë se
pikërisht në këtë kodër ishte vendosur vetë sulltan Murati i I-rë i cili
vëzhgonte situatën në betejën e Kosovës. Është me rëndësi të ceket se nga kjo
kodër duket vendi ku thuhet se u zhvillua beteja e Kosovës. Jo larg nga Suka e
Radashecit-Grashticës gjendet Kalaja e Siqevës të cilës i vërehen muret e
objekteve. Po ashtu, në kodrën e Kunës e cila gjendet në afërsi të Kalasë së
Siqevës janë themelet e një kishe.
Fig. 8 dhe 9- Hartë e Perandorisë Osmane e vitit
1854 me emërtimin e qytetit Kassova në verilindje të Prishtinës
Në të dy këto
lokalitete janë gjetur tjegulla dyshemeje me ornamente dekorimi të periudhës
romake. Përveç gjurmëve në verilindje te Prishtinës është edhe kështjella
Tenezhdollit e cila është dëshmuar se kishte një qytetërim të lashtë. Mbetje të
qytetërimit të vjetër janë gjetur edhe në fshatrat: Rimanishtë, Sharban dhe
Koliq ku ka gjurmë të vendbanimit dhe objekteve të kultit. Në territorin
ndërmjet Prishtinës dhe Podujevës është i njohur edhe një qytet tjetër antik i
njohur me emrin Gllamniku që është dëshmuar me gjetje te shumta te gjurmëve të
hershme të qytetërimit.
Qyteti
Kassova në veri lindje të Prishtinës i paraqitur në hartat
Si përfundim mund të konstatojmë se qytetin Kassova duhet
kërkuar në territorin e cekur me lart,
do të thotë në verilindje te Prishtinës dhe se emri Kosova vjen prej emrit të
qytetit Kassova si rezultat i ndikimit politik pansllavist dhe mitit të krijuar
në shekullin XIX për Betejën e Kosovës. Emri Kosova nuk mund të zëvendësojë
emrin e Mbretërisë së Dardanisë, andaj shteti i ri i Kosovës duhet quajtur
Dardani, në kontestin e sotëm historiko-aktual të termit mbarë përfshirës
Shqipëri.
Literatura:
[1] Sylejman Kylçe, “Shqipëria dhe
historia Osmane”, Tiranë, 2004
[2] Vladimir Bovan, “Jastrebov
u Prizrenu”, “Jedinstvo”,
Prishtinë, 1983, fq. 34 -77
[3] Mark Krasniqi, “Gjurmë e Gjurmime”, Prishtinë, 1979
[4] Hakif Bajrami, “Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912”, Prishtinë, 2003
[5] Jagosh K. Gjillas, “Shkollat serbe
në Kosovë nga viti 1856-1912”, Prishtinë, 1969
[6] Shukri Rahimi, “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969
[7] Stefan Karastefanov, “Kosova një analizë gjeopolitike”, Shkup, 2007
[8] Jevto Dedijer, “Stara Serbija geografska i etnografska slika”, Sarajevë, 1912
[9] Milan Kasumovi?, “Stara Serbia i Makedonija”, od Spiridona Gopqeviqa, preveo,
Beograd, 1890
[10] Vj. Klai?, “Slike iz Slavenske Povjesti”, Zagreb, 1903
[11] Skender Gashi, “Intervistë”Asociacioni për zhvillimin e
Gallapit “Galabri”, Prishtinë
[12] Nicolae Denonsusn, “Historia Dakia”, part 7-ch.XlI.10.I. “Elements of Barbarian
Language”.
[13] Filippo Angeliko Becchetti, Tomo Primo, “Istoria Degliultimi Quattro Secoli DELLA
CHIESA”,
Romë,
1788,
[14] Skender Rizaj, Arkivi i Kosovës, “Vjetari XXIX-XXX”, Prishtinë, 2003
[15] Branislav Nusi?, “Kosovo opis zemlje i naroda, izdanje sa spikama”, “I sveska”, Novi Sad, 1902
[16] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shek. XV, XVI dhe XVII”
Prishtinë, 1982
[17] Mihailo Dini?, “Za istoriju rudarstva u srednjoj vekovnoj Serbiji i Bosni I”,
Beograd, 1955
[18] Kristo Frashëri, “Kush është Musa Arbanasi në Beteja e Kosovës
më 1389?”, Tiranë, 2005
[19] Burime Osmane, “Lufta shqiptaro-turke në shekullin e XV”, përkthyar nga Selami
Pulaha,
Tiranë 1968
[20] Ljubo. Stojanovi?, “Stari serbski radovi i ljetopisi”, Beograd, 1883, fq. 24
[21] Stojan Novakovic, Hadzi Kalfa ili Catip Celebija
turski geograf XVII veka, “Spomenik”
XVIII, SKA,
Beograd, 1892
[22] Anastasje Uro?evi?, “Varošica na Kosovu”, “Glasnik Srpskog Nau?nog Društva”, XV-
XVI, Beograd, 1936
[23] Jovan
Radoni?, “Rimska kurija i juznoslovenske
zemlje”, Beograd, SANU, 1950
[24] Avni K Këpuska, “Qenësia e territorit dhe e kufijve etnikë
autoktonë të Kosovës”, Prishtinë,
2003
[25] Ilirët dhe Iliriia te
autorët antikë, “Rilindja”, Prishtinë
1979
Fotot : u realizuan nga autori
[1] Sylejman Kylçe, “Shqipëria dhe historia Osmane”, Tiranë,
2004, fq. 111- 112
[2] Vladimir Bovan, “Jastrebov
u Prizrenu”, “Jedinstvo”,
Prishtinë, 1983, fq. 34 -77
[3] Mark Krasniqi, “Gjurmë e Gjurmime”, Prishtinë,
1979, fq. 292
[4] Po aty. fq. 292
[5] Po aty. fq. 292
[6] Hakif Bajrami, “Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912”,
Prishtinë, 2003, fq. 3- 4
[7] Po
aty, fq. 4
[8]
Jagosh K. Gjillas, “Shkollat serbe në
Kosovë nga viti 1856-1912”, Prishtinë, 1969, fq. 304
[9] Po
aty, fq. 304
[10] Po
aty, fq. 304
[11]
Jagosh K. Gjillas, “Shkollat serbe në
Kosovë nga viti 1856-1912”, Prishtinë, 1969, fq. 305
[12]
Shukri Rahimi, “Vilajeti i Kosovës”,
Prishtinë, 1969, fq.12
[13]
Stefan Karastefanov, “Kosova një analizë
gjeopolitike”, Shkup, 2007, fq.10
[14]Jevto
Dedijer, “Stara Serbija geografska i etnografska
slika”, Sarajevë, 1912, fq. 3
[15]
Milan Kasumovi?, “Stara Serbia i
Makedonija”, od Spiridona Gopqeviqa, preveo, Beograd, 1890, fq. 330
[16] Vj.
Klai?, “Slike iz Slavenske Povjesti”, Zagreb, 1903, fq.105
[17] Po
aty, fq.105
[18] Po
aty, fq.106
[19] Po aty, fq.105
[20] Skender Gashi, “Intervistë”Asociacioni për zhvillimin e
Gallapit “Galabri”, Prishtinë,
fq.78
[21]Po aty, fq78
[22] Po aty, fq.79, 80
[23] Po aty, fq.81
[24] Po aty fq.80
[25] www.pelasgians.org/ , Nicolae Denonsusn, “Historia Dakia”, part 7-ch.XlI.10.I. “Elements of Barbarian Language”.
[26] Po aty
[27] Da Fr. Filippo
Angeliko Becchetti, Tomo Primo, “Istoria
Degliultimi Quattro Secoli DELLA CHIESA”, Romë, 1788, fq.169
[28] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII”
Prishtinë, 1982, fq. 215
[29]
Branislav Nusi?, “Kosovo opis zemlje i
naroda, izdanje sa spikama”, “I
sveska”, Novi Sad, 1902, fq. 2
[30]
Mihailo Dini?, “Za istoriju rudarstva u
srednjoj vekovnoj Serbiji i Bosni I”, Beograd, 1955, fq.7
[31]
Burime Osmane, “Lufta shqiptaro-turke në
shekullin e XV”, përkthyer nga Selami Pulaha, Tiranë 1968, fq.79
[32]
Kristo Frashëri, “Kush është Musa
Arbanasi në Beteja e Kosovës më 1389?”, Tiranë, 2005, fq.148
[33]
Ljubo. Stojanovi?, “Stari serbski radovi
i ljetopisi”, Beograd, 1883, fq. 24
[34]
Stojan Novakovic, Hadzi Kalfa ili Catip Celebija turski geograf XVII veka, “Spomenik” XVIII, SKA, Beograd, 1892,
fq.57
[35]
Anastasje Uro?evi?, “Varošica na Kosovu”,
“Glasnik Srpskog Nau?nog Društva”,
XV-XVI, Beograd, 1936, fq. 265- 266
[36] Po
aty, fq.265-266
[37]
Jovan Radoni?, “Rimska kurija i
juznoslovenske zemlje”, Beograd, SANU, 1950, fq. 560
[38]
Avni K Këpuska, “Qenësia e territorit dhe
e kufijve etnikë autoktonë të Kosovës”, Prishtinë, 2003 fq. 140-142
[39] Po aty, fq. 140-142
[40]
Tahir Dalipi, Fshati Ilincë, komuna e Preshevës
[41]
Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV-
XVI dhe XVII” Prishtinë 1982 fq. 212
[42] Po
aty, fq. 273
[43]
Skender Rizaj, Arkivi i Kosovës, “Vjetari
XXIX-XXX”, Prishtinë, 2003, fq. 186
[44]
Autori i shënon qytetet me numra në fund të hartës, shënohet qyteti Cassova dhe
e ka fjalën për J.
Huniadin dhe Betejën e dytë të Kosovës në
vitin 1448.
[45]
Ilirët dhe Iliriia te autorët antikë, “Rilindja”,
Prishtinë 1979, fq. 441
[46]
Skender Rizaj “Kosova gjatë Shekujve XV, XVI, XVII”, Prishtinë, 1982, fq 16
[47]
Skender Rizaj, “Vjetar nr. XXIX_XXX”, Prishtinë 2003, fq. 175, 176
[48] Po
aty, fq. 175,176
[49] Po
aty, fq. 177