E diele, 10.11.2024, 10:04 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Arbërorët dhe udhëtimet e Gjergj Kastriotit nëpër vendbanimet e Artanës

E shtune, 13.06.2020, 09:01 AM


Arbërorët dhe udhëtimet e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut nëpër vendbanimet e Artanës

Nga Dr. Qazim Namani

Në trevat veriore të Dardanisë antike gjatë shekullit XV, nën udhëheqjen e despotit të Mysisë dhe princave tjerë të krishterë u organizuan një varg kryengritjesh kundër pushtimit osman. Për këto ngjarje Marin Barleti shkruan se në ato vite Gjergj Brankoviqi ishte princ i Mysisë.[1]

Sulltan Murati për ta përballuar këtë fushatë ishte mbështetur në ndihmën dhe këshillat e Skendërbeut, sepse ai i njihte ato vise pasi atje kishte bërë shumë lufta më parë.[2] Në njërën nga betejat e ushtrisë hungareze dhe mysëve me ushtrinë osmane që u zhvillua në rrethinën e qytetit të Nishit, sulltan Murati e dërgoi Skënderbeun për shuarjen e kësaj kryengritje. Gjatë ekspeditave të tij Skënderbeu e priste rastin që ta braktisë luftën dhe të kthehet në atdhe. Skëndërbeu synonte që ta rikthej kështjellën e Krujës në të cilin vend sulltani e mbante një garnizon ushtarak. Në njërën nga betejat për zotërimin e territoreve në Myzi mori pjesë edhe vetë sulltani. Pas disfatës në këtë luftë Gjergj Branku u largua pa bërë ndonjë rezistencë dhe u strehua te hungarezët dhe polakët. Hungarezët organizuan sulme kundër ushtrisë osmane për t’i liruar territoret e Mysisë. Sulltani e organizoi një ushtri të fuqishme kundër hungarezëve për të ruajtur pushtimet e tij në Myzi. Në këtë betejë kundër hungarezëve mori pjesë Pasha i Rumelisë dhe Skënderbeu. Në ushtrinë hungareze merrte pjesë edhe Huniadi që ishte shquar në disa beteja për mbrojtjen e forcave të krishtera kundër pushtimeve osmane. Ushtria osmane ishte pozicionuar tej lumit te Moravës së sotme. Huniadi pasi mori informacione të mjaftueshme për pozicionin dhe ushtrinë osmane e kaloi lumin Morava dhe e sulmojë Pashën e Rumelisë. Ky ishte një rast i volitshëm që Skënderbeu të mendoj për realizimin e planeve të tij të më hershme për ta braktisur betejën. Skënderbeu shpesh bënte lëshime të pozicioneve duke i dhënë mundësinë Huniadit që të ketë suksese. Skënderbeu planet e tij për t’u kthyer në atdhe ju kishte shpjeguar miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Skënderbeu e përhapte frikën te ushtarët osman që sa më shumë ta braktisin luftën. Ushtria osmane pësoi disfatë të thellë. Në këtë rrëmujë të krijuar Skënderbeu iu vu pas sekretarit që ishte edhe këshilltar i pashës. Pasi e zuri dhe e prangosi sekretarin kërkoi nga ai që të ia shkruaj një letër si urdhër prej sulltanit që t’i lejohet Skënderbeut që ta qeverisë qytetin e Krujës. Pasi që sekretari e shkroi dhe e vulosi letrën ai u vra. Skënderbeu pasi e mori letrën me 300 ushtarët e tij epirot e fillojë rrugëtimin e tij në drejtim të Krujës. Pas shtatë ditë udhëtimi ata arritën në Dibër.[3]

Me qenë se libri i Marin Barletit për jetën e Skënderbeut është shkruar duke u bazuar në rrëfime dhe në shkrimet e Martin Segonit dhe Konstantin Mihajlit që njihen si shkrimet e para për heroin tonë kombëtar mund të themi se për këto të dhëna duhet të mbledhim çdo detaj nga shkrimet e autorëve të ndryshëm dhe kujtesën e popullatës së sotme në ato treva për të dhënë një parafytyrim  për ngjarjet në atë kohë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë shekuj deri më sot çdo informatë duhet vënë në provë duke i dhënë një kuptim të mundshëm logjik.

Historiografia sllave në mesjetën e vonë e sidomos që nga shekulli XIX e përvetësoi kulturën e humanistëve arbëror që vepruan në territorin e Dardanisë, duke i konsideruar me origjinë sllave. Studiues të shumtë ndërkombëtar gjatë shekujve XIX e XX, që kanë shkruar për territoret arbërore janë mbështetur në literaturën serbe, andaj për Martin Segonin dhe Konstantin Mihajlin shkruajnë se ishin serbë, grekë duke e mohuar origjinën arbërore të tyre. Disa autorë origjinën e Martin Segonit e përshkruajnë të dyshimtë, pra ka teza që atij i atribuojnë kombësi serbe, kroate apo edhe arbërore. Është Dhimitër Shuteriqi ai që jep detaje mbi jetën e Segonit, duke treguar se ai ka shërbyer në kishën katolike të Novobërdës, krahinë arbërore, çka rrëzon tezën e prejardhjes serbe. Po ashtu për origjinën arbërore të Martin Segonit ka shkruar edhe Skënder Rizaj, Jahja Drançolli, Skënder Gashi dhe shumë studiues tjerë shqiptar nga Kosova. Sipas Dhimitër Shuteriqit, Segoni është ose dalmat, ose shqiptar, por jo serbë.[4] M. Segani kishte qenë famullitar i kishës (katolike), në qytetin e tij të lindjes  Artanë (Novoberdë). Në një dokumentar për Skënderbeun të realizuar nga RTSH, në Tiranë, thuhet se: për heroin tonë kombëtar shkrimet e para i kemi prej një prifti serbë Martin Segoni dhe një jeniçeri po ashtu serbë Konstantin Mihajloviq. Kjo e dhënë nuk qëndron sepse asnjëri prej tyre nuk kishte origjinë serbe.

Konstantin Mihajli i lindur në vitin 1435, rrjedh nga një familje e varfër arbërore që merrej me veprimtari xehetarie në rajonin e Medvegjës. Rajoni i Medvegjës shtrihej në pjesën veriore të Atranës, rajon ky i pasur me minerale dhe me disa miniera të njohura që nga antikiteti i hershëm. Në kuadër të këtij rajoni përfshiheshin minierat në fshatrat: Medecit, Tullarit, Petriles, Gërbacit, Braninës, Tupallës, Sfircës dhe fshatrave tjera ne anën jugore dhe veriore të Medvegjës së sotme. Dragolub Trajkovic në një përshkrim të tij për vendlindjen e Konstantin Mihajlit shkruan se: Vendlindja e tije duhet të jetë pranë qytetit të Artanës (Novobërdës). Ai duke u bazuar në regjistrimet e shekullit XV, ndër to edhe të Mikel Llukarit dhe shkrimeve të autorëve tjerë, shkruan se vendlindja e Konstantin Mihajlit duhet të jetë fshati Hostryza në anën jugore të fshatit Tullarë, në Medecin e sotëm, që shtrihet në mes të Gubacit dhe Poroshticës (Prapashticës Q.N). Për fshatin Medoiec ai mendon se është fshati Medec i sotëm ngjitur me fshatin Prapashticë.[5] Është me rëndësi të ceket se pranë Medecit, Tullarit dhe Prapashticës, në fshatin Brainë ruhen gërmadhat e një kështjelle që mendohet se është Bederiana vendlindja e perandorit Justinian.

Trajkovic bazohet shumë në të dhënat e historianit serbë M. J. Dnic, për ta gjetur vendlindjen e Konstantin Mihajlit.

Ky autor në këtë shkrim edhe pse bënë përpjekje që fshatrave me etimologji në gjuhën shqipe të ju jep etimologji dhe kuptim në gjuhët sllave, ku fshatin Hostryza e quan Ostrovicë, Prapashticën e quan Poroshticë, harron se fshati Hostryza e kishte edhe germën Y që nuk haset në gjuhën serbe, pastaj Prapashtica në regjistrimet mesjetare të shekullit XV është regjistruar si: Prapatinza, Prapatinca, Paratincea, Grapashnica dhe Prapashtica.

Për jetën dhe veprimtarinë e Konstantin Mihajlit kemi të dhëna nga kronistët osman të asaj kohe. Konstantini qysh në moshën e re i kishte mësuar teknikat e mihjeve për nxjerrjen e mineraleve në tokë, dhe duke e pasur këtë përvojë, ai kishte marrë pjesë në kuadër të ushtrisë osmane për pushtimin e Konstantinopojës në vitin 1453. Gjatë rrethimit të Artanës në vitin 1455 nga ushtria osmane Konstantini së bashku me vëllezërit e tij ishin kapur si rob lufte dhe ishin dërguar thellë në Anadoll për tu trajnuar si jeniçerë. Si jeniçer ai mori pjesë në disa beteja të njohura në lindje dhe në trevat e Gadishullit Ilirik. Gjatë betejave të zhvilluara në territorin e Bosnjës në vitin 1463 ishte komandant i njësive osmane kishte kaluar në Hungari, pastaj në Çeki ka zhvilluar aktivitete diplomatike për të organizuar beteja nga të krishterët kundër ushtrisë osmane. Prej vitit 1468 e deri në vdekjen e tij vepron në Poloni duke zhvilluar aktivitete të ndryshme kundër pushtimeve osmane në Evropë.[6]

Sipas literaturës serbe kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Konstantin Mihajlit, thuhet se kishte origjinën nga një familje greke, ndoshta nga një familje e varfër serbe.

Disa nga autorët serbë që e kanë shkruar historinë e popullit serbë, e që  njihen si pak më objektiv shkruajnë se: Me origjinë greke është edhe një shkrimtar i quajtur Konstantin, djali i Konstantin Mihailit. Emrat Konstandin dhe Mihail janë vënë rrallë te udhëheqësit dhe fshataret serb. Nga të dhënat e prof. Llosha, dhe nga ajo që shihet në tekst, është parë se ka shumë vende në tekst ku emrat në dorëshkrime janë shkruar me shkronja greke.[7]

Për Konstantin Mihajlin mendohet se kujtimet e tij i ka shkruar në gjuhën polake dhe ruhen si dorëshkrime deri në ditët e sotme. Dorëshkrimet e tij janë përkthyer në gjuhën çeke në shekullin XVI.[8]

Bazuar në burimet e shkruara që nga shek. XV, regjistrimet e popullatës, toponimet,mund të pohojmë se pjesa më e madhe e popullatës së këtij rajoni, duke e përfshirë edhe qytetin e Nishit ishte popullatë autoktone dardane-arbërore që me shekuj ruajti gjuhën, traditën, kulturën, dhe toponimet në gjuhën arbërore deri shekullin XIX. Këto treva që nga antikiteti i vonë e deri në kohën e pushtimit nga P. Osmane, po thuaj se gjatë gjithë shekujve ishin nën sundimin e Perandorisë Bizantine. Nga studiuesit serbë mësojmë se gjatë shekujve XIII e XIV, qyteti i Nishit nuk përfshihej në kontrollin e Rasisë, por në vitin 1336 ishte seli e mbretërisë bullgare.[9]

Nga kjo kuptojmë se popullata e Malësisë së Gallapit në përgjithësi ishte arbërore, ishte autoktone që nga kohërat e lashta dhe duke qenë trevë e pasur me miniera e qytete që nga mbretëria dardane, periudha romake, por edhe vendlindja e perandorëve Konstantinit të madh e Justinian në antikitetin e vonë, mundë të pohojmë se kjo trevë ishte bartëse e zhvillimit ekonomik, administrative dhe ushtarak në mbretërinë e Dardanisë.

Një dokument (1430) me vlerë për kontabilitetin e një tregtari nga Raguza shkruan se në Artanë ekzistonte një rrjetë i gjerë tregtar dhe financiar që e lidhte atë më një varg qytetesh tjera të Dardanisë lindore. Në te thuhet se po ashtu shumica e popullatës në këto qytete kishin emra arbëror si Gjin, Gjon, Tanush, Progon, Lekë etj.[10]

Kronisti frëng Filip Mezieri pas betejës së Kosovës, i cili i vizitoi këto treva, tre muaj pas kësaj beteje, pra në tetor të vitit 1389, nga të dhënat e marruara boton kronikën e tij dhe shkruan se beteja ka ndodhur në Albani.[11]

Nga kjo kuptojmë se territori i Dardanisë në mesjetë ishte i banuar me shqiptar në vazhdimësi, që vërtetohet edhe nga të dhënat e popullatës shqiptare në Malësinë e Gallapit. Në disa familje të shqiptarëve të Anamoravës së poshtme që këto anë janë shpërngulur gjatë shekullit XIX e XX, nga rrethina e Nishit në trevën e Bujanocit dhe Kamenicës (Dardanës) flitet se Skënderbeu kishte qëndruar te popullata arbërore në fshatrat e tyre në rrethinën e Nishit.[12] Një e dhenë e tillë është ruajtur dhe te popullata autoktone shqiptare në rrethinën e Artanës (Novobërdës), ku thuhet se Skënderbeu me ushtarët e tij për të arritur në Krujë ka kaluar nëpër fshatrat e Malësisë së Gallapit, përkatësisht nëpër fshatin Prapashticë.[13] Te popullata shqiptare e fshatit Prapashticë dhe rrethinë edhe sot ruhet gojëdhëna ku emrin e fshatit Prapashticë e lidhin edhe me rrugëtimin e Gjergj Kastriotit në drejtim të Tetovës-Dibrës për në Krujë. Pothuaj se të gjitha rrugët e rëndësishme që vinin prej lindjes për në qytetin e Novobërdës kalonin nëpër fshatin Prapashticë. Nëpër këtë fshatë kalonte edhe rruga e antikitetit që e lidhte Justiniana Primën (Qytetin e Mbretit afër Medvegjës) me Justiniana Sekondën (Ulpianën afër Prishtinës) e cila kalonte nëpër Zllashë rreth 10 km në veri të Novobërdës. Ngjitur me fshatin Prapashticë është fshati Medec për të cilin mendohet se është vendlindja e Konstantin Mihajlit. Po ashtu afër Medecit dhe Prapashticës është fshati Tullarë dhe Petrila e Arbneshit. Në jug të fshatit Prapashticë shtrihet fshati Marec dhe Kështjella e Novobërdës. Prej fshatit Prapashticë dy rrugë tjera të rëndësishme, njëra kah ana lindore dhe tjetra kah ana veriore me Novobërdën, kalojnë në drejtim të jugut dhe perëndimit, duke e shmangur për rreth 5 km Kështjellën e Novobërdës. Duke ditur se fshati Prapashticë ishte pike strategjike e lidhjes së kështjellës së Novobërdës me qytetet e lindjes në popull thuhet se është përdorur një taktikë që kalit të Gjergj Kastriotit dhe kalorësve të tij ju kanë mbathur patkonjtë nga ana e prapme për të humbur gjurmët e drejtimit të ecjes së tyre, dhe që nga ajo kohë fshati është quajtur Prapashticë.

Legjendat në raste të tilla zënë vend të rëndësishëm dhe ndihmojnë shumë për të ardhur në përfundim se popullata e një vendbanimi apo rajoni është autoktone. Pa dyshim se popullata e këtij fshati është dardane-arbërore që me shekuj e ruajti kulturën dhe identitetin dardan. Në fshatin Marec ekzistojnë gjurmët arkeologjike të një kishe e cila quhet Kisha e Martinit, pranë themeleve të kishës ekziston një shpellë që njihej me të njëjtin emër Shpella te kisha e Martinit. Me qenë se kisha dhe shpella shtrihen në anën veri-lindore të Kështjellës së Artanës në një distancë prej rreth 2 km, në kodrinën e pjerrët, dhe shumë pranë galerive dhe hyrjes ne minierën e Artanës mendoj se kjo kishë mund të lidhet me vetë emrin dhe vendlindjen e humanistit arbëror Martin Segonit.

Në regjistrimet e shekullit XV, Prapashtica si vendbanim është shkruar me emrin Prapatinza. Me këtë emër është i regjistruar në regjistrin e borxhlinjve të tregtarit Mikel Llukarit në gjysmën e parë të shekullit XV. Siç shihet etimologjia e fshatit është në gjuhën shqipe, që e ka kuptimin prapa dhe tinza (fshehtas) nga e folmja e popullatës shqiptare të këtij rajoni. Nga kjo kuptojmë se ky fshat këtë emër e kishte edhe para udhëtimit të Skënderbeut për në Krujë, por legjenda për mbathjen e patkonjve të kuajve nga ana e prapme, mund të ketë zanafillë të më hershme, që është ripërsëritë taktika e njëjtë në vitin 1443. Me këtë emër gjendet edhe në regjistrimet e mëvonshme. Në defterin kadastral të kazasë së Artanës të vitit 1498 është i regjistruar vendbanimi Prapatinca me 36 kryefamiljarë dhe bashtina. Më vonë shënohet me emrin Papratincë, në defterin kadastral të sanxhakut të Vushtrrisë, të vitit 1566-74 me 17 shtëpi dhe 5 beqarë. Me emrin Grapasnica është i regjistruar në një hartë austriake, hartuar në bazë të shënimeve të vitit 1689.[14]

Në defterin osman në fund të shek. XV, të zbuluar në arkivin e Kryeministrisë së Turqisë, në vitin 1986 në Prapashticë i gjejmë shumë kryefamiljarë që dëshmojnë përkatësinë etnike kombëtare shqiptare si: Niksa Rajini, Stepa Marko, Raja Lisiç (mendoj Lisi-Lisica e sotme), Leshjana e vejë, Bashtina Tusha në dorë të Papasit, bashtina vogla (bashtina e vogël).[15] Në regjistrimin gjatë kohës së sulltan Selimit të II në shek. XVI në Prapashticë e gjejmë si kryefamiljarë Marko Matin, kurse edhe sot në lagjen e Balajve e gjejmë  toponimin Bregu i Matës, pastaj Lugu i Pjetrit (Sot Lugu i Selimit) etj. Po në Prapashticë i hasim edhe këta kryefamiljarë tjerë si: Lleshko Dane, Lleshko Dimja, Lleshko Rajko, Gjuro Lleshko etj. Me të cilët dëshmohet etnogjeneza shqiptare e këtyre kryefamiljarëve.

Për rolin e humanistëve mesjetar me origjinë nga Artana është shkruar mjaftë shumë. Në shek. XV në Artanë është regjistruar komuniteti hebrenj, i cili kishte 6 shtëpi. Hebrenjtë i kishin shkollat dhe bibliotekat e veta. Nga këto shkolla dolën njerëz të arsimuar dhe kështu u formua një klasë e lartë hebrenjsh.[16] Nga kjo e dhënë kuptojmë se në Nobvobërdë në ato vite dominonte një tolerancë dhe bashkëjetesë e të gjitha komuniteteve që jetonin në qytet. Nuk ka dyshim se kur kishte shkollë për 6 familje të hebrenjve, padyshim se ekzistonte shkolla edhe për popullatën arbërore në Novobërdë. Nga burimet e kohës është e ditur se gjatë shekullit XV punonte si mësues i teologjisë, në Novobërdë Valerian (Valerius) Novobërdasi, andaj kjo lenë të besohet se Martin Segoni mësimet e para i kishte marrë në vendlindje për të studiuar dhe doktoruar më vonë në fushën e teologjisë dhe të drejtës kanonike në universitetin e Padovës. Me siguri kjo tregon se Martin Segoni para se të studionte në Padovë kishte marrë njohuritë bazë në vendlindje.

Për rolin e humanistëve mesjetar nga Artana që gjatë mesjetës u shquan për teologji, filozofi art dhe diplomaci ka shkruar edhe Jahja Drançolli. Ai përmend Martin Segonin, Valerian Novoberdasin, Gjon Vajin, Gjon Injacin, Gjon Progonin, ku Injaci dhe Progoni lanë gjurmë në pikturë dhe arte të zbukuruara (argjendari). Gjon Progoni pasi që erdhi në Raguzë pas rënies së Artanës u shqua me veprat e tija të vlefshme në arte të zbatuara (argjendari). Vepra më e njohur e tij që zë vend me rëndësi në artet e zbatuara të Raguzës, është Jesu Krishti në kryq. Se ishte artist shumë i kërkuar, provojnë shumë kontrata dhe dokumente të kancelarisë e të noterisë raguzane. Veprat e Progonit zbulojnë talentin e rrallë të autorit në stilin e gotikes së vonshme, dhe me ide të avancuara të Rilindjes.[17]

Ndër humanistet dhe diplomatët më të shquar të kohës së Gjergj Kastriotit pa dyshim se ishte Gjergj Pelini i lindur në Artanë. Viti i lindjes së Pelinit deri më tani nuk është i ditur, por ai deri sa ka vdekur në vitin 1463, për rreth dy dekada ishte në shërbim të Lidhjes së Lezhës dhe Gjergj Kastriotit. Pelini ishte prift katolik dhe diplomati shquar i kohës, ai ishte udhëheqës i abacisë së Shën Mërisë në Ratec (sot Sutomore në perëndim të Tivarit). Abacia e tij ishte nën juridiksionin e kishës katolike në Tivar. Gjergj Pelini dhe Gjon Gazuli në vitin 1441 përmenden si misionar diplomatik në Itali. Po ashtu ai së bashku me peshkopin e Arbrit, Andrean gjatë viteve 1447-1448 morën pjesë në bisedimet që u zhvilluan në mes të Skënderbeut dhe Republikës së Venedikut. Nga burimet e kohës është bërë e ditur se Gjergj Pelini i qëndroi shume afër dhe besnik Gjergj Kastriotit deri kur vdiq në vitin 1463.[18]

Qyteti i Artanës deri sa u pushtua nga Perandoria Osmane kishte arsimuar një numër të konsiderueshëm të humanistëve me origjinë arbërore, të cilët me punën e tyre u shquan me pjesëmarrjen në aktivitete luftarake religjioze dhe diplomatike për mbrojtjen e trojeve arbërore nga pushtimi osman. Duke pasur parasysh këto aktivitete nuk ka dyshim se heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti kishte vënë kontakte me arbërorët dardan të Artanës qysh para vendimit për ta braktisur ushtrinë osmane, andaj dhe publikimet e para për luftërat dhe trimërinë e heroit tonë u shkruan nga dy arbëror dardan nga Artana me rrethinë.

S’ka dyshim se para pushtimit definitive të Artanës, në këtë qytet të pasur xehetar krahas xehetarisë ishte zhvilluar dhe arsimi i popullatës.

Deri me tani kemi hulumtuar edhe për vendbanimet e humanistëve tjerë arbëror nga Artana. Bazuar në regjistrimin e popullatës gjatë shekullit XV, familja Progoni jetonte në Arbanashka Petrilë, kjo na shtynë të mendojmë se Gjon Progoni ishte nga Arbanashka Petrila (Guri i Arberit), që është Petrila e sotme, pranë Medecit, vendlindjes së Konstantin Mihajlit dhe Medvegjës së sotme. Për Gjon Ivajin, Gjon Injazin dhe Valerian Novobërdasin nuk mund te themi se nga cili vend mund te jenë, por besohet se kanë lindur në Artanë (Novobërda).

Dy shekuj më vonë, Pjeter Bogdani i cili veprojë në mesin e banorëve arbërorë në fshatrat e Galabit dhe vise tjera, në shkrimet e tij shpreh interesimin që ti arsimoj shqiptarët dhe serbet e varfër për të cilët thotë se në pjesën ma të madhe e flasin gjuhën shqipe.[19]

Johan Georg Von Hahn, shkruan se në shekullin XIX, Ami Boue e përcakton qarkun e krahinës shqiptare mbas këtyre qyteteve: Vranjë, Gjilan, Novobërdë, Prishtinë, Kratovë, Kushumli, Prokuplje dhe Medokë. Banorët e këtyre viseve i quajnë arnaut, toka në të cilën banojnë arnautët ka qenë një pjesë integrale e Dardanisë së vjetër dhe dardanët përndryshe kanë qenë ilir. Autori dëgjoi se këta shqiptar quhen edhe Lapë-Gulap dhe se janë më të egrit e të gjithë popullit. Në Shqipëri nuk i njihnin fort ata dhe autori nuk mundi me marrë vesh që ky emër përdoret për të gjithë banorët e atyre viseve apo vetëm për fisin kryesor të tyre Gulab. Ky emër në serbisht do me thënë pëllumb. Ky emër na kujton edhe Galabrët një fis i dardanëve (Galabreja) në shpat i thonë lules së çelme.[20]

Për praninë e shqiptarëve në këto vise kanë shkruar edhe disa autor serbë. Mita Rakic, shkruan se në malet e Gallapit jetonte popullata e pastër shqiptare nëpër të cilën trevë nuk mundë të kalonin lirshëm të huajt e as turqit prej Leskoci. Hani gjatë vizitës së këtyre viseve udhëtoi deri në Medvegjë dhe nga frika e shqiptarëve u detyrua të kthehet.[21]

Po ashtu për praninë e shqiptarëve katolikë thellë në territoret e Serbisë së sotme ka shkruar edhe historian serb Jovan Radonic i cili thotë se bërthamën e katolikëve në Serbi e përbënin shqiptarët, prandaj këtu feja katolike quhej “La fede Albaneze”.[22] Nga burimet e kohës është e ditur se në këto territore duke e përfshirë edhe Novobërdën me rrethinë, kurrë nuk ka pasur as sot nuk ka serbë të besimit katolik.

Sipas historianit serbë, Haxhi Vasileviqit, në kohën e luftërave serbe turke, 1876-1878, tokat dhe vendbanimet shqiptare që nga Vranja, Leskoci, Prokupla, Kushumlia, Nishi e që shtriheshin deri te Kopaoniku quheshin arnautlluk[23].

Për autoktoninë e shqiptarëve në fshatin Prapashticë dëshmon edhe një e dhënë e Johann Georg Von Hahn i cili në vitin 1858 bëri një udhëtim nga Beogradi në Selanik për të shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një linje hekurudhore nëpër këtë rajon. Gjatë kësaj ekspedite ai bëri disa vizita edhe nëpër qytetet dhe fshatrat shqiptare të Dardanisë lindore dhe la disa shënime me rëndësi për popullin tonë dhe organizimin e kuvendeve popullore që ai i quan kuvende dardane. Gjatë shkrimeve të tij Hahn ka shkruar edhe disa të dhëna për Malësinë e Gallapit ku e përmend dhe organizimin e popullatës shqiptare në Prapashticë dhe fshatra tjera. Malësinë e Gallapit ai e ndanë në rajone duke pohuar se në Gallapin e Epërm shtrihen 19 fshatra që mbajnë kuvendet e tyre në Xhaminë e Prapashticës. [24] Sipas Hahnit në Gallapin e Poshtëm mblidhen dhe bëjnë kuvendet e tyre 21 fshatrat në afërsi të Sfircës. Kuvendet popullore vazhdonin edhe nëpër fshatra tjera ku Hahni e përmend edhe kuvendin e 20 fshatrave që mbahej në fshatin Orllan. Nga ky shënim, mund të shihet se shqiptarët dardane mbajnë kuvendet popullore, ashtu siç bëjnë malësorët e atdheut, por, mjerisht, në Prishtinë nuk mbaheshin. Hahn shkruan se shqiptarët dardan, si shqiptarët në zonat malore të Mirditës e atdheut janë të ndarë në fise, por uniteti fisnor këtu është më i dobët. Krasniqët shtrihen kryesisht rreth Prishtinës dhe përbëjnë pothuajse të gjithë popullsinë myslimane të atij qyteti.[25] Nga kjo kuptojmë se në këtë kohë kishte marrë fund myslimanizmi i fisit Krasniqe dhe fiseve tjera në Prishtinë dhe rrethinë.

Kjo e dhënë e Hahnit ka rëndësi sepse kuvendet popullore në fshatrat e Gallapit i quan kuvende dardane më çka dëshmohet autoktonia dhe origjina e lashtë dardane e kësaj popullate. Sa i përket kuvendit popullor që Hahni e përmend në Xhaminë e Prapashticës unë mendojë se pikërisht kjo ishte koha kur banorët e Prapashticës përfundimisht e pranuan myslimanizmin dhe adaptuan hapësirën e kishës së vjetër si xhami.

Historia serbe që nga shekulli XIX ishte në shërbim të projekteve pansllaviste dhe kjo ka ndikuar që gjatë përkthimit të dokumenteve origjinale nga gjuhët e huaja në gjuhën serbe u bënë mjaftë shumë ndryshime të emërtimeve. Në mungesë të dokumenteve origjinale dua të them se sa i rëndësishëm është hulumtimi i disa burimeve të përkthyera prej disa autorëve, përnjohja e terrenit dhe mbledhja e kujtesës në shtresat e gjëra popullore. Dhe nëse kam bërë një punë të vlefshme për këtë temë janë burimet nga këta tre faktorë të përmbledhura në një shkrim sado të vogël, por që japin porosi se para se të realizohen botime dhe dokumentarë të ndryshëm për historinë tonë kombëtare duhet të jemi të vëmendshëm që mos të ju shërbejmë pushtuesve tanë.



[1] Marin Barleti; “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, Tiranë, 1964, fq. 61

[2] Po aty, fq. 63

[3] Po, fq. 63-65.

[4] Dhimitër Shuteriqi; Vepra historiko-letrare “Marin Beçikemi dhe shkrime tjera”, Tiranë, 1987

[5] Trajkovic Dragolub,; “Iz proslosti Leskovca i okoline”, Leskovac, 1977, fq. 10-15

[6] Konstantin Mihajlovic iz Ostrovice, janicarove uspomene ili turska hronika, SSAN, 1959, fq. 107; Konstantin

  Jiricek; Istorija serba, II, Beograd, 1952, fq. 376; Konstantin Mihajlovic, janicarove uspomene ili turska hronika,

Beograd 1986; Dorde Zivanovic; zivot i delo Konstantina Mihajlovica iz Ostrovice, Beograd, 2006.

[7] K, Jiriqek & J. Radonic; “Istorija srba, Kulturna istorija, knjiga II”, Beograd, 1978, fq. 376

[8] Janko Shafarikut; “Mijailo Konstantinoviq, serbina i Ostrovie”, Beograd, 1865. fq 5.

[9] K, Jiriqek& J. Radonic; “Istorija Serba, Kulturna istorija, knjiga II”, Beograd, 1978, fq. 7

[10] Noel Malcolm; “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë, 1998, fq. 89

[11] Dr. Gjyltekin Shehu; “Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit” fq. 94

[12] Po aty fq. 94

[13] Ibrahim Namani (1909), Prapashticë.

[14] Jusuf Osmani; “Vendbanimet e Kosovës 1” Prishtinë 2003, fq. 172 

[15] Ilaz Rexha; “Vjetari” XXVII-XXVIII”, Prishtinë 2004, fq. 103,

[16] Skender Rizaj; “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII” Prishtinë, 1982, fq, 417  

[17] Jahja Drançolli; Fejton “Kontributi shqiptar në humanizmin e Rilindjes Evropiane”, Koha”, 13 korrik 1994.

[18] Jorjo Tadic; “Johanes Gazulus, Dubrovacki humanista XV veka, Zbornik filozofskog fakulteta knjiga VIII,

   Spomenica Mihajla Dinica 2”, Beograd, 1964, fq. 429-451; https://wikivividly.com/wiki/Georgius_Pelino

[19] Gaspër Gjini; “Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve”, Zagreb, 1992, fq. 181

[20] Johan Georg Von Hahn; “Studime Shqiptare”, Tiranë, fq. 49, 50

[21] Mita Rakic; “Iz Nove Serbije”, Leskoc 1987, fq. 55

[22] Jovan Radonic; “Rimska kurija i juzhnosllovenske zemlje od XVI do XIX veka”, Beograd 1950, fq. 257, 404, 474, 511

[23] Jov. Haxhi-Vasilevic; “Arnautski pokreti u XIX veku”, Beograd, 1905, f. 6

[24] [Extract from Johann Georg von Hahn, Reise von Belgrad nach Salonik, nebst vier Abhandlungen zur alten

  Geschichte des Moraëagebietes. Denkschrift der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften, phil.-hist. Classe.

   1, II. Abteilung (Vienna: Tendler, 1861, 2nd ed. 1868), p. 112-128. Translated from the German by Robert Elsie.]

[25] Po aty



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora