E enjte, 28.05.2020, 08:13 PM (GMT+1)

Editorial

Agron Tufa: Ra Teatri, por jo akti i pashembullt i rezistencës së artistëve

E hene, 18.05.2020, 03:59 PM


RA TEATRI, POR JO AKTI I PASHEMBULLT I REZISTENCËS SË ARTISTËVE

Nga Agron Tufa

Teatri i shembur nga barbarët, më saktë, vendi ku ishte godina, do të kujtohet pandaraz me Rezistencën shembullore 27-mujore të Artistëve. Pati gjithmonë një grusht intelektualësh që qëndruan me artistët protestues. Por duhet theksuar, se ishte Qëndresa dhe Protesta më e gjatë në historinë e kauzave tona publike.

Plehërat që kanë nisur ta ironizojnë nëpër rrjete këtë Rezistencë të pashoqe, janë skuthët e mirëpaguar nga propaganda e Diktaturës. Diktatura mëton, që tok me Teatrin të likuidojë dhe historinë qytetare e dramatike të mbrojtjes së tij.

Nëse ka ndonjë gjë të turpshme në gjithë këtë kauzë fisnike të mbrojtjes së vlerave

qytetare të artit dhe trashëgimisë, atëherë turpi i turpit e lulja e marres janë:

1. Firmëtatët e shkatërrimit, që janë bash sivëllezërit e tyre kainianë. Ata zgjodhën në vend të artistit me ndërgjegje, të jenë bufonë të qeverisë (lolo/palaço). Për ata le të mbeten buka e turpi, parja e marrja!

2. Autoritetet morale të shoqërisë, shkrimtarë, politikanë, klerikë, etj., nuk u dëgjuan asnjëherë. Dmth, autoritete u përmbajtën aq shumë, që të mos flisnin, sa humbën çdo potencë mashkullore.

3. Opozita duhej të kishte vijuar mbështetjen e kësaj kauze, pa ua zbehur apolitizmin e tyre, por duke e mbajtur konkretisht betimin patetik, thuajse proverbial: "Vetëm mbi trupat tanë!"

4.Mbështetja e qytetarëve të mos mbetej sporadike dhe tejet e vakët. Tipike kjo për natyrën e ngordhur të reagimeve qytetare, qëkurse Diktatura e etërve u prishi tempujt (1967) dhe tash njëlloj, kur Diktatura e bijve dhe nipave u prish tempujt e artit.

5. Studentët duhet t'i bashkangjiteshin kësaj kauze, por edhe këtu ata dëshmuan se janë një stihi e papjekur dhe e paorganizuar për protesta të vendosura.

6. Ambasadat e vendeve kryesore - të SHBA/BE, me peshë në jetën e opinionin publik, janë diskretituar gjatë gjithë këtyre viteve, duke folur si zëdhënësa të Diktaturës. Heshtën për Teatrin.

Teatri ra. Ra dhe një kauzë parimore publike, e pambështetur. Godina s'është më! Por të gjithë do ta dinë e duhet ta dinë, se ky tempull arti ra pas 27 muajsh qëndresë permanente të Artistëve të vërtetë qytetarë. Mbrojtësit e Trojës janë më të lavdishëm se rënia e saj.

Më tej, Diktatura e Re e Bijve dhe Nipave,

do të ketë dorë të lirë, për ta bërë këtë popull të panerv, skllav e dordolec të tekave të veta.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora