E marte, 21.01.2020, 01:40 PM (GMT)

Editorial

Enver Bytyçi: Edhe OSBE-në mund ta kryesojë një diktator!

E premte, 10.01.2020, 08:11 PM


Edhe OSBE-në mund ta kryesojë një diktator!

Nga Enver Bytyçi

Këto dy ditë kreu i OSBE-së nga Vjena komunikoi si lider i madh me formulat e një “udhëheqësi” që njeh dhe di gjithçka, madje me mesazhe, të cilat mund të shkojnë edhe te veshët e liderëve evropianë. Nga selia qendrore e OSBE-së kryeministri i Shqipërisë foli si lider evropian, megjithëse në qeverisjen e vendit të tij nuk ka dëshmuar asnjë vlerë evropiane. Kështu ai gjeti rastin e artë për ta shfrytëzuar organizatën më të fuqishme në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të fshehur diktatorin klasik, që shkel e dhunon çdo ditë të drejtat e qytetarëve të vendit të tij.

Edi Rama zyrtarisht prej dhjetë ditësh kryeson OSBE-në. Si asnjë kryesues tjetër i mëparshëm i kësaj organizate, ai ka emëruar edhe një mëkëmbës të tij, Gent Cakën, të cilin e përdor si konen e tij politike. Në atë funksion Rama do të kujdeset për “monitorimin dhe zgjidhjen e konflikteve në vendet anëtare”, përfshirë dhe Ukrainën, ndërkohë që në vendin e tij ka ndezë flakët e të gjitha llojve të konfliktit të brendshëm.

Kryeministri i vendit tim në krye të OSBE-së mburret se do ndërmjetësojë konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që qëllimisht për të fshehur dështimin e qeverisjes së tij ka nxitur konfliktin më të egër politik të njohur ndonjëherë në vendin e tij?! Dëshiron të vendosë urat e komunikimit midis Moskës dhe Kievit, edhe pse ka ndërprerë çdo mundësi për dialog me opozitën dhe disa institucione, përfshirë presidentin, në vendin e tij?! Flet për marrëveshje e kompromise midis palëve ndërluftuese ose në konflikt e ndërkaq i ka mbyll derën çdo lloj marrëveshjeje dhe kompromisi me palët politike në Shqipëri.

Nga Vjena ai u shfaq si qengj i butë, me diskurs demokratik, me fjalë të ëmbla, me premtimin për promovimin e vlerave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Por në Shqipëri na shfaqet si demon, kërcënon këdo që i del përpara, përfshirë kolegët e tij politikanë të çdo krahu e sidomos ata të opozitës, gazetarët, të gjithë ata që mund të kundërshtojnë idetë e tij të çmendura dhe praktikat e tij antikombëtare e antihumane.

Edi Rama po e sheh kryesimin e OSBE-së si shans për të fshehur rolin e tij prej diktatori në Shqipëri. Dhe fatkeqësisht, si pa dashje, këtë rol ia mundësoi kundërshtari i tij, Ilir Meta, me mosdekretimin e Gent Cakajt në detyrën e shefit të diplomacisë shqiptare. Duke u marrë me “punët e mëdha” të Europës ai do të përpiqet që të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve jo vetëm nga dështimet e qeverisjes, por edhe nga kriza politike që ka shkaktuar vetë kryeministri i vendit me sjelljet e tij arrogante prej diktatori.

Tashme OSBE ka për herë të parë në krye të saj një diktator që kontrollon të gjitha pushtetet, ndërsa parimet e kësaj organizate flasin për balancë pushtetesh. Për herë të parë është në krye të saj një arrogant që në prag të marrjes së presidencës diktoi dhe imponoi një ligj kundër fjalës së lirë dhe medieve të lira, parime këto të cilat OSBE i mbron deri me sanksione kundër vendeve anëtare të saj. Për herë të parë OSBE drejtohet nga një kryeministër në rolin e ministrit të jashtëm, i cili me zë e me figurë është zënë mat në krime elektorale, ndërkohë që kjo organizatë është përgjegjëse për realizimin e demokracisë përmes zgjedhjeve të lira.

OSBE ka në krye të saj një politikan antihuman, i cili njerëzve në vuajtje e të sëmurë u hedh gaz lotsjellës natën në banesën e tyre, ndërkohë që ajo është themeluar me misionin e shenjtë të humanizmit njerëzor. OSBE është një organizatë e papajtueshme me oligarkinë dhe bashkëjetesën e politikës me krimin e organizuar, por nga 1 janari pranoi ta drejtojë një politikan, lidhjet e të cilit me oligarkët dhe bandat kriminale i ka natyrë të punës së tij drejtuese. OSBE është organizata që lufton arrogancën dhe kërkon qeverisjen e bazuar në shtetin e së drejtës, por në krye të saj ka sot një kryeministër që ua “sharron” këmbët prokurorëve dhe gjykatësve që guxojnë të çojnë para drejtësisë funksionarët e ministrat e tij të implikuar në krim!

OSBE.....?! Mund të renditen qindra fakte, me të cilat implikohet Edi Rama në kundërshti me parimet e saj! Ndaj dhe Vjena e kësaj organizate duhet të ndjehet e turpëruar me kryesuesin e saj, edhe pse kryeministër i një vendi që ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër evropian për mjekësinë politike, sociale dhe demokratike të kësaj organizate dikur prestigjioze!

Normalisht duhej të ndjehesha krenar që kryeministri i vendit tim kryeson një organizatë si OSBE! Por kompromisi me krenarinë dhe shtypjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri nga kryesuesi i saj është i pamundur! Më në fund ndodhi çudia e dy dekadave të shekullit XXI! Edhe organizatën e lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut në Vjenë do ta drejtojë e kryesojë një diktator!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT