Editorial
Enver Bytyçi: Vrasja e gjeneralit iranian ka ndryshuar disa ekuilibra
E hene, 06.01.2020, 06:28 PM
Vrasja e gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, dhe angazhimi i fuqishëm i SHBA-ve në Lindjen e Mesme ka ndryshuar disa ekuilibra
Nga
Enver Bytyçi
Së
pari, ka rënë ideja e Trump që përparësi të ketë rritja ekonomike e vendit dhe
politika e jashtme të ishte në rend të dytë. Logoja “Amerika është e para” nuk
vlen vetëm për fuqizimin dhe politikat e brendshme të Amerikës, kjo logo vlen
edhe për interesat amerikane në botë. Nëse Trump arrin ta izolojë Rusinë dhe
rolin e saj në Lindjen e Mesme, ai ia ka arritur qëllimit për ta bërë Amerikën
të parën.
Së
dyti, kjo vrasje dhe konflikti me Iranin është një kthesë e re për izolimin
politik të Rusisë, për dobësimin e rolit të saj në zonat e influencës të
trashëguara nga perandoria sovjetike. Dobësimi i Iranit do të thotë dobësim i
Sirisë dhe përfundimisht nxjerrjen e Rusisë nga ky rajon. Prandaj dhe shefi i
diplomacisë ruse, Lavrov, reagoi fuqishëm kundër kësaj vrasjeje. Moska e kishte
Soleimanin bashkëpunëtor dhe koordinator të saj në qendrat antiamerikane në
Lindjen e Mesme, përfshirë dhe qeverinë e sotme të Irakut, ku ai po bënte
vizitën e tij të radhës në momentin e vrasjes.
Së
treti, vrasja me dron e gjeneralit iranian është paralajmërim i fortë dhe
kërcënim për të gjithë terroristët, përfshirë dhe terrorizmin shtetëror se fati
i tyre është thjesht në duart e presidentit amerikan. Kjo fut frikën te çdokush
që përgatit akte të tilla terroriste. Për pasojë bota bëhet më e paqtë, më
stabile dhe më e sigurt.
Së
katërti, kjo vrasje në pamje të parë i ngjan asaj që ka ndodhur më 28 qershor
1914 në Sarajevë. Por Franz Ferdinandi përfaqësonte qytetërimin evropian të
asaj kohe, ndërsa Qazim Soleiman përfaqësonte qendrën e terrorizmit shtetëror
të sotëm. Ndaj vrasja e tij nuk mund të çojë në një konflikt botëror. E shumta
do të ketë një konflikt të lokalizuar midis Iranit dhe SHBA-ve dhe me këtë rast
do të realizohet edhe ndryshimi politik në Teheran. Ndryshimi politik në
Teheran do të ndryshojë të gjithë ekuilibrat gjeopolitikë në rajon. Madje mund
të shërbejë edhe për një ekuilibër të ri dhe zgjidhje të mundshme midis
Izraelit dhe Palestinës.