E enjte, 12.12.2019, 12:57 AM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Ç’ti bëj shpirtit?

E shtune, 16.11.2019, 05:33 PM


Ç’TI BËJ SHPIRTIT?

Impresione nga vëllimi poetik”’Çti bëj shpirtit” të poetit Hekuran Halili

Nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Në krijuesit e fushës së arteve me origjinë nga çamëria,qofshin poetë, prozatorë, skenaristë, skulptorë apo piktorë dhe të fushave të tjera, Çamëria, ka vendin e saj. Në poezitë e Agim Bajramit, Namik Selmanit,Ahmet Mehmetit,Bardhyl Maliqit,Hamit Takës,Pullumb Ahmetit, poeteshave Izota Rexho-Haruni, Ildije Xhemali, Lume Plaku, prozatorëve Arben Kondi, Bedri Myftari, Enver Kushi, Resmi Osmani, skulptorëve Ilmi Kasëmi e Idriz Balani,piktorëve Myrteza Fushekati, Abaz Hado, Hasan Çapari, Muhamet Deliu, e pa i përmendur të gjithë, se do të bëhej një listë e gjatë, pjesë e krijimtarisë së tyre është edhe Çamëria, por ndër poetët që trajtojnë këtë tipologji vjershërimi, më i spikaturi dhe i përfshiri, është poeti Hekuran Halili. Në librin e ri me poezi dhe poema ”Ç’ti bëj shpirtit” ka përfshirë njëqind e një poezi kushtuar Çamërisë.

Ç’ti bëj shpirtit?Pyet poeti Hekuran Halili.

Kjo nuk është thjesht një pyetje. Është  një klithmë, rënkim, psherëtimë, brengë, e pse jo edhe një thirrje e ushtimës së brendshme të zemrës dhe shpirtit, jehonë e asaj që ka  një shkak të përhershëm, që është pjesë e dhimbjes së pafashitur: malli për Çamërinë martire,vendin e prinderve të tij, e gjithë sivëllezërve,  bashkëkrahinarëve, që u shpërngulën me dhunë, terror e gjak, egërsi të paparë, me zjarr e hekur, të vrarë e të vdekur pa varre, nga Paramithija martire, brigjet e bukura të Joint, lumenjve Kalama e Aheron, që u skuqën nga gjaku, në fushat e begata dhe kodrat e buta, fshatrat e grabitura, të djegur e rrënuar, shkretim dhe zi në Çamëri. Në fundqershorin e 1944, doli nga shpellat e urrejtjes  Kalorësi i Zi i apokalipsit me bandat e djajve. Vdekje dhe gjak, pa dallim: në tehun e thikës, në plumb, fëmijë ,burra, të rinj, vajza,  gra e pleq. Koka të prera, barqe të çara, nuse e vajza të përdhunuara. Zjarr e flakë shtëpive për t’i kthyer në gërmadha. Barbari e paparë, aq sa s’mjaftojnë fjalët e gjuhës për ta rrëfyer e shkruar. Klithmat e dhimbjes, tmerrit dhe llahtarit  drodhën qiell e dhe, bënë të dridhen gurët e drurët, por jo kriminelët.

Është ky një shtresëzim në shpirtin dhe kujtesën e poetit. Si ca thëngjij të ndezur nën hirin e kujtesës. Pse e gjithë kjo? Kishin një faj të rëndë, kishin lindur shqiptarë, në tokë shqiptare, por të një besimi tjetër, ishin myslymanë. Nuk duhet të ekzistonte emërvendi Çamëri, por Thesproti , të mos mbetej këmbë shqiptari (alvanos), të vriteshin të gjallët, të çvarroseshin të vdekurit. Kjo tokë duhet të bëhej Greqi .Të kthehej në tokë greke dhe për grekët. Që “Turko-Alvanosët” t’i zinte lemeria kur ta kujtonin.

Ç’ti bëj shpirtit?

Shpirti s’është dhe s’mund të jetë i qetë. Në të është kuar e ngjizur me qumshtin e nënës dashuria për çamërinë.Vrasja e Çamërisë është edhe vrasje e shpirtit. Me ninullat e atij dialekti të perendishëm, është përkundur  në djep, është ushqyer me fjalën e mençur e të përmalluar të babait, me kujtimet, dhimbjen për të rënët e pafajshëm të familjes, rrëfimet për bukuritë, kodrat e buta të bleruara nga ullinjtë, kullotat me dhentë e bardha, begatitë, me mitet, përrallat. Kështu shkoi fëmijëria, poeti u burrërua, por tok me të u shtua edhe malli për vendlindjen e prindërve, që është edhe e tija dhe gjithë shqiptarëve,  atë tokë ku janë rrënjët, e shkuara, historia, varret e të parëve. Malli është bërë jetë, jeton brenda tij në të katër stinët, përjetë. Brenda vetëdijes, në shpirtin  e tij, u ngrit madhështore e fantazmagorike ngrehina e Çamërisë martire, që është më e madhja dhimbje, përtej kufirit të padrejtësive dhe dhimbjes njerëzore. Çamëria e bukur, e ëndërrt, e urtë, e durueshme,  deri në madhështi.

Poeti ulet në kafen buzë detit të Sarandës. Dallgët përkëdhelin bregun dhe mërmërijnë këngën e tyre të përjetshme. Poetit i buis shpirti, bashkohet me to. Vijnë nga brigjet e përtejme, sjellin imazhin e brigjeve dhe plazheve të bardha të Gumenicës,Pargës,Sajadhës, Volës, Arpicës dhe Prevezës, perlat e Çamërisë, ku drita duket se buron jo nga dielli po nga thellësitë e detit. Atje qielli ditën  kaltëron paqësisht e pa një re, dhe natën yjet ndrijnë e duken aq afër sa po të zgjatësh dorën të duket se do ti prekësh. Poeti s’ka të nginjur me freskinë dhe ermirimin e erës që vjen nga brigjet përmatanë: aromë lule limoni e portokalli , borziloku e manxurane. Psherëtin thellë, me shpirt. Aromë Çamërie……Vetiu burojnë vargjet,fjalë pas fjale, në fillin e mendimit, përshkohen diamantet që rrezatojnë ylberin poetik. Në to pasqyrohen e shkrihen simfonia e këngës së mallit, trishtimi dhe dhimbja.

Pranverë. Qafë Botë. Atje është ajo vija enigmatike,e skuqur nga gjaku, e vendosur dhunshëm, që ka ndarë Çamërinë nga trupi i mëmëdheut. Poeti, i gjendur aty, hedh vështrimin në lindje. Çamërinë e ka mbuluar veli i një mjegulle që përshkënditet nga dielli mëngjesor. S’është mjegull, janë shpirtërat e të vdekurve, që shfaqen si  amanet e kujtesë për të gjallët. Mjegulla davaritet. Mëngjeset në lindje dhe horizonti në perëndim, janë të kuq, nga gjaku i derdhur i Çamërisë. Matanë, në fushë është Lopsi, vëndlindja e prindërve, varret e të parëve, dhe më të rinjtë, i dy  xhaxhallarëve të masakruar nga zervistët. Muret dhe gurët e shtëpisë, nën hirin dhe thëngjijtë e zjarrit. Kali i bardhë që hingëllin, që kalëron fushës loton e rënkon për humbjen e të zotërve. Ullinjtë të vetmit dëshmitarë,të nxirë nga mjerimi, që s’kanë gojë të rrëfejnë. Ca më tej Filati, Kalamai. Akeroni mitik me tempullin e Nekromantias e deri te Dodona pellazgjike. Erërat që vijnë prej andej, sjell amzën e luleve të ullirit , limonave e portokallit, por edhe një kaba vajtimtare, çamiko, rënkimet që dalin nga thellësi e dheut, nga gërmadhat e skeletet e shtëpive të rrënuara. Ulërimat e përvajshme kobzeza të kukuvajkave.

Poeti ofshan. Ç’ti bëjë shpirtit? Shpirti nuk ndrrohet, ashtu si mund të bëhet me këmishën e papastër. Mbetet ai që është, i lindur tok me poetin, me nënshtresat e thella të vetdijes .  Me kohën që shkon, për shkak të mos arritjes së pritshmërive i shtohen brengat, vuajtjet, mjerimi i brendshëm, paçka se jashtë i padukshëm, është lëngatë e përhershme e  pa shërim. E, lëngata e shpirtit, është më e rënda e njeriut.

Kujtime, kujtime, sa shumë kujtime. Ngado që të shkojë e kudo që të ndodhet. Brenda shtëpisë, nga fotografitë  e sodisin sytë e dashur të babait Safetit, të mënçurit të urtit, që e rriti, i hoqi udhën në jetë; të nusë Nazusë, që fjalën e kishte mjaltë, zemrën të dhembsur, flori; gjyshe Ballkos, me shami  polkë e tumane të bardhë si një re, me furkën që nga shtëllunga e leshtë, tirrte hallet e jetës. Pleqtë fisnikë të Çamërisë. Ka vite që kanë shkuar në amshim.Të varrosur këtu, në dheun e Shqipërisë, larg varreve të të parëve në dheun e Çamërisë. Të urtët, të mirët, të dashurit, ikën zemërplasur, me mallin në shpirt, me vendlindjen në sy dhe me një amanet: ”Duajeni dhe mos e harroni vëndin tënë, Çamërinë”

Ç’ti bëj shpirtit? Aty janë gjithë pengjet,brengat, për të vdekur e të gjallë.  Poeti kapërcen Qafë Botën. Kthim në Çamëri, në token-arenë e teatrit tragjik,të mbjellë me tremije varre. I përlotur, hedh sytë mbi Çamëri, e mbledh atë në dorë si një shami, me malet, fushat e detin dhe i duket sikur të gjallë takoi të atin,Safetin dhe githë të gjallët e të vrarët, portokallat, ullinjtë, të djegurat shtëpi. Në Lopës, u përkul të merrte pak dhe, të ja sillte të atit, por dora nga dheu si shqitej dot; ç’mall, ç’mall  o Zot…. Në shtëpinë e tij. Në atë që duhej të ishte shtëpia e tij. Shtëpizeza, shtëpikorba! Shtëpi e djegur, muret gjysëm rënë e trarët e tretur, flakët e të pabesit e kishin përpirë….Plagë të mëdha që s’kanë të shëruar. Poeti ulet në gjunjë, mer një grusht hi, që ta kishte me vete kudo që të shkonte, e mbështjell me shami, e fut në gji, që shtëpinë e prindërve të mos e harronte. Dhe vazhdon rrugëtimi: në Gumenicë, ku të përgjon spiuni dhe atij i del nga shpirti: Gumenicë moj nuse e qëndisur, sa keq ardhacakët të kanë katandisur! Në Filat pi  një kafe, te sheshi dhe i fanepsen sit ë gjallë burrat e shquar Dematët, Sejkatët dhe atij një “ ah”i del nga shpirti e xhani dhe perëndimi  skuqte nga gjaku i derdhur i çamit. E kështu në Pargë, ku bukuria si vajzë came bridhte  rrugëve me dritë, malli e pushton poetin si shall i bardhë, mall për të vrarët, mall për të gjallët. Muret e kalasë ku u martirizuan  shtatëdhjetë e dy të pafajshëm, duket se ende kullojnë gjak. Në Margëlliç, në ca shtëpi të vrara e të nxira, ende në këmbë qëndrojnë çatirat, ato ngjajnë si ca pleq qe heqin e s’vdesin dot, sa t’ u kthehen bijtë t’i qajnë me lot, në Artë dhe gjirin e Prevezës, kudo gjurmët e krimeve, qytete dhe krahinë me bukuri të vrarë, e kështu gjithë Çamëria. Medet, medet!

Ç’ti bëj shpirtit? Ka një rrugëdalje lehtësimi. Nga shpirti derdhet ujvara e paprerë e vargjeve, dhe kjo, jo se shpirti qetohet, por nuk plas! Dhe vargjet janë të ngjizura nga malli, dhembja, kujtimet, ëndërrat, dëshirat. Herë të qeta e përkundëse si ninulla, herë shpërthyese si vullkan me lavë përvëluese, herë lirike, në to fryn era që vjen nga Çamkëria, ndrit qielli dhe dielli i saj. Lexuesit i shfaqen imazhet e pejzazheve, kodrat  e ullinjve, lulzimi i bajameve, blegërima e shqerrave, shushurima e suvalave të detit që i ngjallin përfytyrimin. Në këtë tabllo, si në pikturat surrealiste, pikëzojnë me ngjyrën gri rrënojat e shtëpive të shkrumbuara e vidhisura, mbushin hapësirën shpirtrat e të vdekurve dhe zërat e tyre të përvajshëm si të dalë nga fundi i dheut. Për nga bukuria Poezitë janë si  guackat e perlave që kur i hap(lexon) kanë shkëlqimin e butë e lbyrës të sedefit,për nga përmbajtja, plot mendim të mençur që shprehin filozofinë e jetës, që të bëjnë të mendosh, të ëndërrosh e të besosh se më e mira do të bëhet.Vini re: në to nuk ka urrejtje, asnjë urrejtje, janë si thirrje për paqe, por në to kërkohet që të jepet ndjesa nga shkaktari dhe autorët  e asaj ploje genocidiale shoviniste.

Në mbyllje të vëllimit, eshtë poezia” Udhë e përditshme”me vargje të ndjera që janë kredo e poetit: Përditë, të gjitha mendimet më marrin përdore, / e bashkë bëjmë të njëjtën udhë,/udhën drejt një vendi që kurrë se mbritëm, /udhën e dhimbjes së vatrës pa zjarr lënë, /udhën e eshtrave mbi udhë mbetur,/ udhën ku rënkon një shpirt e qan një nënë….Dhe poeti ecën pa pasur frikë se do të humbë udhën  e nisur. Ka çaste makthi, udha bëhet kufomë, kufoma bëhet udhë nën një qiell të trishtuar, të trishtuara si poeti-gur i rënë. Ka çaste që ai çan stivat e kujtimeve ,të rënda më shumë se plumbi, se nga plumbi janë zënë. Por, ai ecën, mrekullisht, ajo  e josh përditë, gdhihet e ngryset me të,bëhet pjesë e pandarë e qëniës së tij. Duhet bërë përditë kjo udhë hyjnore për në Çamëri, jo vetëm nga ai, ndryshe, litari i ankorimit midis dy brigjeve, thurur me erërat e viseve jugore, me amanete e gjelbërim ullinjsh, këputet në mes.

Duhet ta bëjmë përditë këtë udhë, deri në mbritje….!

Tiranë, nëntor 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT