Kulturë
Fran Gjoka: “Marigoja shqiptare në Norvegji”
E premte, 15.11.2019, 10:18 PM
“Marigoja shqiptare në Norvegji”
Intervistë
me shkrimtarin Viron Kona për librin e tij të kohëve të fundit “Marigoja shqiptare në Norvegji”.
Nga
Fran Gjoka – Lezhë
Z. Viron!
-Ju jeni autor i më se 45 librave me tregime, novela, romane e poezi për
fëmijë e për të rritur. Kohët e fundit keni dalë përpara lexuesit edhe me tre
monografi kushtuar tre mërgimtarëve të njohur në Suedi dhe në Norvegji. Është
ndryshim kursi ky për ju?
-Nuk është
ndryshim kursi, por shkrimtari shkruan vazhdimisht dhe e sprovon veten edhe në
përshtatje me rrethanat që krijohen. Në vitin 2015 shkrova monografinë “Ju dua
më shumë se veten!”, kushtuar leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla
Zendeli - Daja, i cili është nga Gostivari, por jeton për më shumë se 50 vjet
në Suedi. Në vitin 2017 botova mongrafinë “Kur vjen Sokoli”, kushtuar poetit,
përkthyesit dhe atdhetarit Sokol Demaku nga Drenica e Kosovës, që jeton prej
afro 20 vjet në Suedi. Kurse “Marigoja shqiptare në Norvegji” është monografia e tretë dhe i kushtohet stilistes, poetes dhe
atdhetares Emine S. Hoti, e cila banon prej 30 vjetësh në Norvegji.
-Ka qenë nisma dhe dëshira juaj për këto monografi?
-Po, ka qenë
nisma dhe dëshira ime, nisur nga fakti se të tre këta atdhetarë të shquar, me
veprimtaritë e tyre krijuese dhe mëmëdhetare e meritojnë vlerësimin dhe
respektin e shoqërisë. Të tre janë emra të njohur edhe në vendlindje, edhe në
rrethet suedeze apo norvegjeze, por edhe nga publiku shqiptar sepse të tre janë
njerëz të veprave. Janë personalitete që bartin vlera të dukshme sociale dhe
kombëtare, të cilat duhen pasqyruar. Nuk do të ishte e drejtë të qëndronim
indiferentë ndaj veprave të tyre. Nisur nga këto motive i shkrova këto
monografi.
-Le te qëndrojmë paksa te libri juaj monografik“Marigoja shqiptare në
Norvegji!”. Një titull befasues për lexuesin, mund ta na thuash diçka më shumë
për jetën dhe personalitetine kësaj
zonje?
-Siç ju thashë
dhe më lartë kjo monografi i kushtohet shkrimtares, stilistes dhe atdhetares
shqiptare - norvegjeze Emine S. Hoti, tashmë e njohur edhe me emrin artistik “Marigoja
shqiptare në Norvegji”.
-Emine S.Hoti
është nga Drenica e Kosovës. Në vitin 1989 për shkak të represionit serb mbi
shqiptarët, ajo mërgoi në Norvergji. Iu desh një kohë që atje të integrohej,
pasi i duhej të ushqente dhe të rriste katër fëmijët e saj, dy djem dhe dy
vajza, që në atë kohë ishin të vegjël.
Duke qenë se
kishte mbaruar shkollën e mesme
pedagogjike në Prishtinë, ajo u integrua shpejt në Norvegji, dhe fitoi profesionin
asistente edukatore kopshti dhe më pas edukatore kopshti e shkolle.
-Dhe si vijoi jeta e saj?
-Fillimisht
duhet të themi se kur shteti norvegjez krijoi një vizon më të plotë për
çështjen shqiptare, dhe veçanërisht për Kosovën, i mori në mbrojtje dhe i
mbështeti plotësisht shqiptarët, qofshin ata të Kosovës, të Shqipërisë apo të
trojeve të tjera. Gjithsesi, një grua me fëmijë, siç ishte Eminja, nuk e kishte
të lehtë jetën, por me këmbëngulje dhe sakrifica arriti të fitonte besimin e
norvegjezëve. Ndërsa gjatë ditës punonte asistente edukatore kopshti, por dhe
punë të tjera për të mbajtur ekonominë e familjes, ajo kishte edhe disa pasione
që e shoqëronin gjatë gjithë kohës dhe që priste rastin t`i vinte në jetë.
-Cilat ishin këto pasione?
-Në fëmijëri dhe
në rini, kur jetonte në Drenicë, së bashku me prindërit dhe pastaj kur u martua
dhe lindi katër fëmijët e saj, Eminja kishte pasion poezinë, donte të bëhej
poete, donte që, në raste festash e ditësh të shënuara, të recitonte vjershat e
saj në gjuhën shqipe përpara shkollës dhe banorëve të fshatit. Ndërkaq në
veprimtaritë e ndryshme që zhvillonin në shkollë, në fshat, por edhe kur ishin
festat kombëtare shqiptare, ajo dëshironte që banorët e fshatit e sidomos të
rinjtë, të kërcenin, të këndonin dhe të festonin festat kombëtare shqiptare të
veshur me kostume kombëtare. Vetë nuk e kishte këtë mundësi, e vetmja grua që u
ofronte vajzave ndonjë veshje ishte një grua nga Drenica, por, aq sa ofronte
ajo, një dhe dy kostume nuk mjaftonin, ndërkohë që, serbi, e pengonte
propagandimin e veshjeve kombëtare
shqiptare.
Kështu që, teksa
ndodhej në kushet e lirisë, në një vend si Norvegjia, që krijon hapësira dhe
mundësi të arta për të shpalosur dijet, pasionet dhe përkushtimin, Eminja
vendosi që t`i bënte realitet ëndrrat e saj. Bleu një makinë qepëse, penj e
rroba dhe, gjatë natës, ndërsa vinte fëmijët në gjumë, ajo qepte veshje
kombëtare, kryesisht të zonës së saj, por edhe më gjerë. Fillimisht këto i qepi
për fëmijët e saj dhe për grupin
artistik të shoqatës së shqiptarëve në Norvegji. Më pas, e përhapi këtë
dëshirë të saj edhe te shqiptarët e
Suedisë, ata të Maqedonisë së Veriut, në Kosovë, te nxënësit e shkollës
Dritan, ku ajo kishte mësuar, por edhe në Itali e kudo ku i jepej mundësia.
Këtë veprimtari humane me vlerë edhe kombëtare, ajo e vijon edhe sot.
-Domethënë ajo nuk i shet, por i dhuron veshjet kombëtare që përgatit?
-Eminja i
dhuronte dhe i dhuron veshjet kombëtare. Deri më sot ky numër ka shkuar në 250
veshje kombëtare, të dizenjuara, të prera dhe të qepura nga vet Eminja dhe të
dhuruara prej saj. Këtu mendoj se qëndron edhe e veçanta e saj. Në kushtet kur
edhe vetë kishte nevojë për të holla, që i duheshin për familjen, ajo bënte
këtë gjest human. Kush do lexoj librin, besoj do arrijë në përfundimin
se një njeri i zakonshëm, mund të bëj gjëra të jashtëzakonshme, kjo është
Eminja që po prezantojmë sot përpara jush. Këto akte përkushtimi dhe dhurimi,
kanë bërë që, shumë shoqata atdhetare shqiptare nëpër botë të paraqiten në
aktivitetet e tyre me veshjet e përgatitura nga Eminja. Ata shëtisin në ditë të
shënuara, festojnë, kërcejnë e këndojnë me këto veshje rrëzëlluese, të bukura,
ku gjithnjë kanë spikatur ngjyrat e kuqe dhe e zezë e veshjeve tona, qëndizmat,
shqiponja dhe plisi, si të ishin në Prishtinë apo në Tiranë.
-Ka ndonjë episod që ilustron këto që po na thoni?
-Një 17 maji,
Ditë e festës kombëtare të Norvegjisë,
një gazetar norvegjez kur pa fëmijët e Emines të veshur me kostume të panjohura
për të dhe që festonin duke tundur flamujt norvegjezë dhe shqiptarë, i pyeti
ata duke treguar flamurin shqiptar me shqiponjë:
-Çfarë flamuri
është ky?
-Është flamuri i
Nënë Terezës,-iu përgjgij djali i madh i Emines me krenari.
-I Nënë
Terezës!?
-Po, Nënë Tereza
është shqiptare, siç jemi edhe ne. Ky është flamuri ynë, kurse kostumi që kam
veshur është kostum popullor shqiptar. Ma ka qepur nëna.
Përgjigja e
djaloshti bëri përshtypje dhe zgjoi interesimin e mediave norvegjeze të cilët i
ftuan fëmijët në emisione të veçanta...
Ansambli “Shqiponjat” në Norvegji me veshje të qepura dhe
të dhuruara nga Eminja (e para djathtas).
-Ndonjë moment tjetër?
-Ka shumë, por
unë po ju tregoj dhe përshtypjen që bëri dhurimi i xhubletës kombëtare,
këngëtares së shquar të operas së Milanos Anila Hoxha, e cila kur Eminja i dhuroi një
xhubletë gjatë një vizite në Itali, ajo i shkroi: “Jam shumë e lumtur që
u takuam bashkë, më dhurove xhubletën aq të bukur të punuar me duart e tua të
arta dhe unë e vesha për festën e pavarësisë ku u preferua shumë nga të
gjithë...Dua të falënderoj që erdhe në koncert në Milano ku unë këndova soliste
në teatrin “Xhuzepe Verdi”, u takuam edhe mbas koncertit dhe aty më dhurove
xhubletën kuq e zi. Jam e lumtur që je një poete me shumë vlera, ke shkruar
disa libra, e ndihem edhe unë krenare me ty që përfaqëson kaq mirë vlerat e
gruas shqiptare.”
Ja se si e
përshkruan një moment takimi me Eminen, artistja shqiptare në Itali, modelja
dhe aktorja e njohur Lumnie Hoti (Çota Luna):
...Dielli më ndriti e më ngrohu shpirtin kur nga larg njoha motrën time Eminen,
ndonëse nuk e kisha parë 56 vjet, vetëm në fotografi. E vogël si floriri e me
flokët gërsheta si Shote Galica. Me një frymë, e me diellin që ma ndriçoi
rrugën, eca drejt saj dhe e përqafova e lotova... Ditë e bekuar takimi me
motrën time Emine. Ishte një takim surprizë për mua... Shumë valixhe i pashë në
duar?? Në ato duar të vogla, të arta, ajo shqipen kishte qëndisur. E dija që
është stiliste e veshjeve të arta të kombit tonë. Një udhëtim me valixhe të
mëdha, ku brenda, për mua kishte thesare: kostume me erë shqiptarie. Valixhet
bënin melodinë e rrotave por brenda ishte Thesari i Shqiptarisë, ku shumë
fëmijë do të vishnin kostumet tradicionale... E kjo më gëzoi shumë që kisha një
motër duarflori e të palodhur. Që nga Norvegjia solli peshqeshet e fëmijëve
shqiptarë kudo që janë nëpër shoqata.
Zyrtarja e lartë e bashkisë së Borasit Ida Legnemark, ish kryetare
Bashkie, kur mori vesh se në qytetin Boras të Suedisë, zhvillohej një festival
poezie, shfaqi dëshirën që të vinte në atë festival e veshur me kostum
tradicional shqiptar të prerë dhe të qepur nga Eminja. Erdhi dhe, gjatë gjith
aktivitetit e mbajti veshur kostumin, i cili për hirë të së vërtetës i shkonte
shumë. Shumë pjesëmarrës në atë aktivitet, nxituan të bënin fotografi me Idën.
Sigurisht që Eminja ia fali asaj atë kostum, gjithnjë e udhëhequr nga fjala e
urtë: “Një këmishë që e vesh për vete, dhuroja kujtdo qoftë pa hezitim, por,
atë që nuk të pëlqen ty, mos ja dhuro
askujt”.
Kështu
dhe të tjerëve suedezë, norvegjezë, italianë të gjithë ata ndihen krenarë me
veshjet shqiptare tradicionale të përgatitura nga Eminja, madje ata edhe kanë
dalë në fotografi apo janë filmuar nga televizione, siç është dhe rasti i
albanologur të njohur suedez “Miku i madh i Shqiptarve” Ullmar Qvick(Kvik). Ai
e mbajti veshur xhubletën shqiptare
gjatë gjithë aktivitetit, madje, dhe kur e morën në intervistë, ai shfaqi
dëshirën të dilte me atë xhubletë shqiptare të prerë dhe të qepur nga Eminja.
Nëpër vite
Eminja e perfeksionoi këtë talent të saj, dhe bashkë me ngjyrat e bukura të
aurorave polare nga Norvegjia, ajo ka shpërndarë dhe shpërndanë të gjitha
ngjyrat e larmishme dhe bukuritë e kostumeve tradicionale shqiptare të krahinës
së Drenisës, së pari, dhe, pastaj të krahinave të tjera shqiptare.
-Çfarë lloje veshjesh bien më shumë në sy tek ato që përgatit Eminja?
-Mes veshjeve të
përgatitura nga Eminja ka vezulluar xhubleta shqiptare, ajo xhubletë të cilën udhëtari hungarez
Daniel Kordinez, e cilëson kështu: “As palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra
sa xhubleta e shqiptarëve! Se kjo veshje ka pasur të gjitha ngjyrat e gëzuara
të mëmës natyrë.”
Eminja thotë me
krenari se me veshjet kombëtare shqiptare kanë dalë në fotografi Bajroni i madh
dhe Edith Durham, se këto veshje i kanë bërë të njohura në botë Eduart Liri dhe
piktorë të tjerë me famë botërore.
-Cili është pasioni tjetër i Emines që ka zënë vend në
librin tuaj?
-Atje, nëpër
natë, duke punuar me makinën qepëse, Eminja
mbante edhe laps e letër dhe hidhte edhe mendimet e saj poetike që i
vlonin, por dhe episode, ngjarje, ide dhe motive, që do të shndërroheshin në
libra në prozë dhe poezi, mes të cilave po përmend romanin “Jetë ferri”, librin
në prozë “Shqetësime mërgimtarësh”, vëllimet poetike: “Lulet e vendit tim”, “Pyesni zemrën”,
“Fenisk”, “Sinfonitë e jetës”,
“Hija e heshtjes”, etj. Për këto
libra janë shkruar komente të shumta, nga shumë autorë, në Shqipëri, Kosovë dhe
në mërgatë, sidomos në Norvegji dhe në Suedi. Ato janë edhe përuruar në
Bibliotekën Kombëtare Prishtinë, por edhe këtu në Tiranë. Më datën 15 Nëntor
2019 u përurua në Tiranë edhe libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”.
-Çfarë të veçanta të tjera ka libri juaj?
-Në libër, në
sfond të personalitetit të Emines, si protagonistja e librit, lexuesi do të
gjejë të shpalosura veprimtari atdhetare, artistike e letrare, mbresa dhe
emocione nga Lufta e Kosovës, kontributi i Emines në atë luftë për liri e
pavarësi, marrëdhëniet e saj me shoqe luftëtare të UÇK-së, ashtu dhe veprimtari
kulturore e humane; mendime dhe ide të
përparuara, fakte, artikuj, si dhe fragmente nga Norvegjia dhe jeta në
Norvegji. Do të gjeni artikuj letrarë e studimorë për veprat në prozë dhe ato
poetike të Emines. Me këtë rast, falenderoj për pjesëmarrjen në libër me
artikujt apo pronocimet e tyre: gazetarët dhe shkrimtarët: Imri Trena
(Norvegji); Hamit Gurguri, Sokol Demaku, Hysen Ibrahimi, Xhavit Çitaku (Suedi);
Lumnie Hoti (Çota Luna) dhe Anila Hoxha (Itali); Izet Abdyli, Frok Kristaj, Ajete Zogaj, Edita
Curri, (Kosovë), redaktorin e librit Kadri Tarelli, gazetarët: Nuri Dragoj, Bashkim Saliasi, Sejdo Harka,
Bajram Mejdiaj, Luljeta Llupi, Liljana Kona (Tiranë); Fran Gjoka (Lezhë); Agim
Qoku (Elbasan), Halim Laçi (Krujë), por dhe shumë miq e të tjerë, që u bënë me
dëshirën e tyre pjesë e këtij libri me
konsiderata dhe vlerësime të merituara kushtuar shkrimtares, stilistes dhe
atdhetares Emine Hoti, sot edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në
Norvegji”.
-Z. Viron ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj
suksese të tjera në krijimtarinë tuaj të vyer!