E merkure, 09.10.2024, 02:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhoi Keliraqi: Intervistë me poeten dhe përkthyesen Armela Hysi

E premte, 15.11.2019, 10:33 PM


Armela Hysi për “Pula që ëndërroi të fluturonte”

Një libër i vyer për lexuesit e vegjël e të rinj shqiptar

Intervistë me poeten dhe përkthyesen Armela Hysi

Nga Xhoi Keliraqi

Xhoi: Armela, përshëndetje! Pas një udhe të larmishme e të suksesshme si poete,  prej më shumë se njëzetë e pesë vjetësh, në panairin e sivjetshëm, nga botuesi dhe autori i njohur Aqif Hysaj dhe Shtëpia Botuese “Adonis” të shohim të paraqitesh si përkthyese e një libri shumë të bukur për fëmijë. Mund të na thoni dy fjalë për këtë?

Armela: Është e vërtetë që kam mbi “Një çerek shekulli – Poezi” siç kam qejf ta them unë, pasi libri im i parë me poezi u botua kur unë isha ende adolishente, në vitin e dytë të gjimnazit, në Lezhë; por edhe me përkthime, kjo s’është përpjekja ime e parë, pasi jam marrë me përkthime në poezi, si dhe përkthime të shkurtra,  por kryesisht në bashkëpunim me gazeta e revista letrare. “Pula që ëndërroi të fluturonte” e shkrimtares brilante Sun-Mi Hwang është libri im i parë i botuar dhe befasia që më kaploi kur e lexova qe i vetmi shkak të lija përgjysmë një tjetër prozë të suksesshme, që besoj ta shohim në vazhdim të botuar dhe të përqendrohesha tek ky libër. Ishte kënaqësi dhe fat për mua, që botuesi Aqif Hysaj, që është gjithashtu një autor i shprehjes sublime, si poet, më besoi dhe e solli në jetë këtë ëndërr, nën përkujdesjen e redaktimin e krijues së re Brikena Qama.

Xhoi: Është e thjeshtë të sjellësh  fjalën dhe përmbajtjen e një tjetri, e ta kumtosh pa e ndryshuar dhe pa vënë dorë siç themi nga vetja, por të jetë e trajtueshme po me kaq mjeshtri?

Armela: Për gjuhët dihet që secila ka veti karakteristike unike, por dhe konceptin e përbashkët të kuptimit dhe komunikimit. Nga një autor, gjithashtu, edhe në të njëjtën gjuhë kur lexojmë, vëmë re atë që do quanim stilin e autorit, timbrin e të tjera; prurjen unike, përveç subjektit të veprës, pra. Si krijuese për vete, më bënë që demonstrimi i kësaj veçantësie në përkthim, të jetë pikësynimi primar. Nuk dua ta përpunoj një vepër përtej ndryshimeve të pashmangshme për ta sjellë në trajtë të kuptueshme, për t’u përçuar humori, ironia, bukuria e shkrimit. Gjallëria e tij e bënë të mos duket si një shkrim i konservuar por i freskët dhe vital.

Xhoi: Është e vështirë kjo?

Armela: Çdo gjë që bëhet me shumë dashuri, tenton të kalojë vështirësitë dhe në fund të duket e thjeshtë; mbijeton pasioni,  përpos punës dhe kohës. Dashuria kryesore vjen kur ke një libër që të pëlqen shumë, për ta sjellë në gjuhën tënde. Kështu ndodhi me “Pula që ëndërroi të fluturonte”. Poezia është për shembull një zhanër delikat si për t’u shkruar ashtu edhe për t’u përkthyer ndaj për këtë sprovë të re kisha bagazhin e duhur, besoja, ndaj e nisa. Por faktori që doja t’i jepja rëndësi kësaj radhe qe se i drejtohesh një lexuesi shumë pretendues, përderisa është letërsi për fëmijë. Njeriu i parë që i kërkova ta lexojë në shqip, sapo mbarova, qe mikesha dhe njeriu im, me përvojë si mësuese e ciklit të ulët dhe tanimë mësuese e shkollës shqipe në Athinë,  Eriketa Kollçaku Qorlazja, me pikësynimin që ta shihte pikërisht me këtë sy, me qëllim të më bënte vërejtjet e duhura. Miratimi i saj pa asnjë rezervë, përkundrazi me superlativa, më bëri t’i drejtohem botimit.

Xhoi: Më duhet të them këtu, se unë e lexova personalisht librin “Pula që ëndërroi të fluturonte” dhe më duket se është për të gjitha moshat...!

Armela: Keni shumë të drejtë! “Pula që ëndërroi të fluturonte” është një libër për të gjitha moshat. Këtë konsideratë pati dhe autori i njohur e botuesi cilësor Aqif Hysaj që vendosi ta përcjell tek lexuesi shqiptar.  Për mendimin tim të gjithë librat e mëdhenj të letërsisë klasike për fëmijë janë libra për të gjitha moshat, dhe ky libër, për të cilin jam e lumtur që është tashmë dhe në shqip, ka të gjithë komponentët e një libri të jashtëzakonshëm. Nga më të bukurit që janë shkruar dekadat e fundit. Ka shënuar padyshim një sukses të madh në të gjithë botën; shënohen që të jenë shitur gati tre milionë kopje vetëm në Amerikë, për këtë libër është shkruar nga Booklist dhe New Yourk Times bestsellers se është një rrëfim aq i fuqishëm për nga morali i fabulës sa tek “Jonathan Livingston Seagull” gjë që përmendet edhe nga Kirkus Reviws bashkë me “Charlott’s Web” dhe po kështu Toronto Star që e vendos në të njëjtën listë edhe me “Fermën e Kafshëve” pra të gjithë këta libra me personazhet e tyre kafshë, por me një ndjesi të thellë njerëzore dhe që çdo moshë e shikon si një pikë mbështetje të re. Është një histori frymëzuese që të mbetet gjatë në mendje dhe të jep shumë mësime me vlerë për natyrën dhe botën e lidhjet tona me të. Është vërtetë një përvojë jo vetëm letrare, por jetësore.

Unë e di, por kam qejf ta thoni dhe për lexuesin: Si ju ra në dorë ky libër dhe morët vendimin për ta përkthyer?

Kur im bir Kreshniku 9 vjeç atëherë, u kthye nga grupi letrar i shkollës së tij, një të shtunë, këtu në Athinë na tha të mos e shqetësonim se kishte marrë një libër nga biblioteka dhe duhet ta kthente pas të hënën në mëngjes, pasi qenë shumë fëmijë që kishin kërkuar ta merrnin. Djali mbeti brenda atë ditë, nuk shkojë as tek shokët që shkonte fundjavave dhe të nesërmen paradite, sa që në mesditë, unë u grinda që nuk kishte nisur ende mësimet. Në fakt, darkën vonë të së shtunës pata nisur një grindje tjetër me time bijë adolishente, e cila me të shkuar për gjumë djali, si më i vogël, kishte marrë dhe ajo librin në dorë dhe nuk donte ta lëshonte e të fikte më në fund dritën. Atë kohë nisa dhe unë ta lexoja librin, sepse përherë lexoja librat e tyre që të konstatoja më pas nëpërmjet pyetjeve se sa kishin kuptuar ato që lexonin fëmijët e mi, po edhe për kuriozitetin tim letrar; por me këtë libër vura re menjëherë se nuk qe një histori e thjeshtë gazmore dhe e këndshme, që do t’i hidhja një sy të shpejtë. Qe një det i tërë përjetimesh që edhe mua si krijuese, si mama, si prind si femër, si njeri i shekullit të teknologjisë dhe bombastikës, më befasojë. Kisha lënë tre-katër kapitujt e fundit t’i përfundoja në mbrëmjen e të dielës, sepse për prindërit krijues, dihet, orët kur janë qetësuar të gjitha në shtëpi, janë mbretëria e tyre... Por ndërkohë, kishte ndërmjetësuar grindja e mesditës për detyrat e pa prekura me dorë të Kreshnikut, i cili hundë e buzë u ul të mbaroi fluturimthi detyrat dhe në vazhdim iu kthye sërish librit, që e kishte peshkuar vajza, sa ai shkruante. Pasdite, hyri në dhomë ku unë palosja ca rroba dhe më tha se kishte mbaruar edhe me detyrat, edhe me librin. I thash “bravo?”, po ai s’lëvizi nga dera ku qe mbështetur, gjë e pazakontë sepse gjithmonë, miratimi im ishte dhe drita jeshile për orën e kompjuterit. Ngrita sytë dhe e kuptova që serioziteti në fytyrën e tij, nuk kishte të bënte me mbetje hatri nga grindja. Nisa ta pyes a i pëlqeu libri. Më tha se do të donte të ma tregonte, veç kishte frikë se do ma prishte me “spoiling”, përdori këtë term në anglisht, për të mos u mërzitur unë që do zbulonte fundin. Ju luta ta bënte duke e sqaruar se për mua nuk do humbte fare shijen, përkundrazi, më pëlqente shumë kjo. Nisi ta tregonte shumë i emocionuar dhe madje nga që tipi i tij përherë është i qetë deri dhe i ftohtë dhe që foshnjë dy-tre vjeç rrallë të qante, akoma dhe në përvoja me dhimbje fizike, kjo pamje për mua ishte një përjetësim i rrallë. Ai qe çasti kur unë kuptova sa mbresëlënës për një fëmijë ishte ky libër. Im shoq e porositi që të nesërmen, ta kishim në bibliotekën personale, e reklamuam tek shumë të njohur, se sa i bukur ishte, dhe e kërkova që t’ia dërgoja edhe motrës Geniserda Hysit – (që është gjithashtu një poete e re), në shqip. Aty konstatuam se nuk kishte ardhur ende në Shqipëri ky libër dhe kështu keqardhja ia la vendin idesë që të angazhohesha vetë me këtë detyrë, nga im vëlla Ermali, që bëri të mundshëm gjithë të tjerat, që nga marrja e tekstit origjinal, që të mos përktheja një përkthim, por drejt për drejtë fjalën e autores Hwang; deri dhe pajisjen time me kompjuter të ri, kur i pari m’ u prish i mëparshmi, duke më zhdukur një punë më se pesëdhjetë faqesh, nga libri dhe e demoralizuar thash që s’kam për ta nisur më. Një mbështetje e madhe pra, nga shumë njerëz që i falënderojë me shpirt, deri tek Botuesi Hysaj e redaktorja Qama, pasi vepra të tilla janë të vyera edhe për lexuesin shqiptar.

Xhoi: Armela Hysi, Ju urojmë ju dhe librit “Pula që ëndërroi të fluturonte” të shkrimtares koreate-jugore Sun-Mi Hwang, ardhur për lexuesin shqiptar nga Shtëpia Botuese Adonis, nën siglën e së cilës do gjejmë një sërë titujsh cilësor, sa më shumë suksese!

Armela: Gjithashtu dhe ju, personalisht, si dhe Gazetës suaj të veçantë!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora