E enjte, 19.09.2019, 06:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: El Toro

E marte, 09.07.2019, 09:00 PM


EL TORO*

Tregim nga Resmi Osmani

1

Ishulli i vogël malor i Albalongës shtrihej në Atlantik në brezin tropikal, larg brigjeve kontinentale  dhe i rrahur pak nga rrugët detare. Kishte bukurira dhe pamje të pashoqe: kodra e male të bleruara, gjiredeti me plazhe rërëbardha, lugina dhe fusha të gjera, që përshkoheshin nga lumenjtë. Popullata, që arrinte katër milionë, ishte kryesisht ispanike, kreole dhe pak negroide. Ekonomia e ishullit mbështetej në prodhimin bujqësor: kallamsheqeri, bananet, frutat e tjera tropikale, duhanin gjethemadh që jepte purot e famshme “Manjifik”, orizin, që përbënte bazën e ushqimit dhe blegtorinë, kryesisht gjedhet. Në shpatinat e larta të sierras, selitej kafja arabike, prej së cilës prodhohej e famshmja “Oskar”. Një pjesë e mirë e popullatës ishte e punësuar në minierat e plumbit, kallait, zingut dhe argjendit.

Aty nga fillimviti ‘60-të, pas disa vjet lufte civile, në pushtet erdhi drejtuesi revolucionar marksisto-anarkist, Ksavier dela Roka me klikën e tij, që preu çdo lidhje me perndimin dhe u lidh me vendet e lindjes komuniste. Ishulli rënkonte nën diktaturë. Pas shtetzimeve dhe nacionalizimit të pasurve, nisi gjuetia e shtrigave . Kush kishte mendim ndryshe gjykohej, dënohej dhe   dërgohej në kampet e punës të minierave. Të shumtit vdisnin nga helmimi i ngadaltë i oksidit të plumbit dhe silikoza. Me doktrinën e tij ekonomike të autarkisë, diktatori e zhyti vendin në varfëri të skajshme. Nga mesi i viteve tetëdhjetë, diktator vdiq papritur nga një atak në zemër. Iu bë varrim madhështor në panteon. Albalonga mori frymë e lehtësuar se tashmë diçka do të ndryshonte. Pasardhësi i qëndroi besnik. Me ca politika dredharake dhe dhelpëri ekonomike , përpiqej t’u hidhte hi syve. Regjimi tashmë ishte kalbur si një frut i tejpjekur në degën e pemës e mjaftonte një lëkundje që të rrëzohej. Jehona e ndryshimeve në vendet e lindjes erdhi edhe në Albalongën e cfilitur. Në korrik u ngritën në demonstrate masive studentët e kryeqytetit Vilaverde dhe minatorët e minierave. Policia bëri raprezalje, por pa dobi. Ngrehina e shtetit ishte krisur. U hapën burgjet dhe të burgosurit politikë iu bashkuan lëvizjes Julianiste. Nga Majami, Florida dhe vende të tjera vërshoi emigracioni politik. U pranua dhe dekretua pluralizmi politik dhe pa kaluar gjashtë muaj rrëmuje e anarkie, u bënë zgjedhjet legjislative, që u fituan me shumicë nga partia “Julianiste” . Diktaturës i kishte ardhur fundi.

*El Toro,demi,spanjisht

2

Limuzina qëndroi pranë portës. Oficeri shoqërues i hapi derën dhe shkëlqesia e tij zbriti plot gjallëri. Familjarët ishin rreshtuar si në roje nderi. Shkëlqesia hapi krahët si të donte t’i përqafonte të gjithë, por nuk shpëtoi dot. Në faqe i mbetën gjurmët e buzëkuqit të zonjave dhe gudulisjet e mustaqeve të burrave. I rrethuar nga familjarët e vet që ngazëlleheshin nga prania e tij, shkëlqesia u ul në kolltukun e sallonit, që mezi i nxinte të gjithë. Familja e kthyer nga emigracioni, kishte zbuar me forcë qiraxhinjtë dhe kishte hyrë në vilën ”Roza bianka”, që ia kishte sekuestruar regjimi.

-Arritëm një fitore historike, - tha ai duke trashur zërin.- Tashti çdo gjë do të ndryshojë, i përkasim botës së lirë, botës së ëndrrave, botës së qytetëruar, të pasur e të begatë. Populli ynë i vuajtur e meritonte.

Familjarët duartrokitën.

-Bravo!, - tha i vëllai, don Ernesto. - Sa shumë e kemi pritur këtë ditë!

Halla e madhe dona Elvira, e mallëngjyer, sypërlotur, i gëzohej të nipit.

-E kam thënë edhe herë tjetër, dyert e mëdha, janë shtylla e këtij kombi, nxjerin djem zotdalës të atdheut- tha dhe e ngashëryer, e futi kokën e plakur në gjoksin e nipit, i cili i mallëngjyer i ledhatoi flokët e zbardhur- Më vjen keq që i shkreti vëlla, Vitorio, që u prehtë në paqe, nuk e arriti dot këtë ditë, që të gëzonte bashkë me ne.

Shishja e shampanjës që u hap, krisi si pushkë, trokëllinë kristalet dhe u pi dollia e fitores. Të gjithë heshtën ngaqë shkëlqesia ngriti pak dorën për të kërkuar fjalën.

-E di,- tha ai hijerëndë,- Ju të gjithë prisni nga mua, por u siguroj se nuk do të zhgënjeheni. Programi që kemi afishuar para elektoratit do të zbatohet një për një. Do të kthehen pronat: vilat, hotelet, dyqanet, latifondet. Të gjitha, të gjitha. Do t’i themi lipsu varfërisë! Do të vendoset demokracia e vërtetë, me institucionet e saj të pavarura,  liritë dhe të drejtat e mohuara.

-O Zot!- u ngashërye halla e madhe,- Mënon, por nuk harron! I shkreti Vitorio që nuk ia arriti kësaj dite.

-Kur ju të gjithë moj hallë do të merrni hakun, atë që ka qenë juaja dhe ju takon edhe ai do të ndjehet i qetë e do të prehet në paqe atje ku ka rënë.

Halla bëri kryqyn dhe falnderoi Madonën.

Shërbyen likonë e qershisë,kokrrat ngjanin si ca rruzuj qelibari, të tejpashëm. Burrat morën edhe rum xhamajke aromatik dhe në fund shërbyen kafen e famshme “Oskar”.

Kushërinjtë dhe simpatizantët u larguan. Mbetën njerëzit e familjes.

Pasi kaloi dalldia e parë, shkëlqesia e tij i hodhi dorën në qafë të vëllait, inxhinier Ernestos. E kundroi dashurisht fytyrën e tij të ashpër e të zymtë. Buzëqeshi dhe i tha:

- Vëllaçko, don Ernesto dela Rivera. Ndërsa ne ikëm jashtë dhe shpëtuam nga diktatura, ti nga rrethanat dhe rastësitë fatkeqe, mbete këtu dhe provove kalvarin e vuajtjeve, burgun, minierat, plantacionet e kallamsheqerit, baltovinat e orizoreve, mushkonjat  dhe përbuzjen pa fund të pushtetit. Edhe pse në moshë pensioni, për ty nuk do të ketë prehje. Mendoj të kesh një detyrë të rëndësishme, drejtimin e zyrës së titujve dhe gradave, për të korrigjuar atë pjesë të turpëshme të historisë, që ka shpërblyer e vlerësuar lakenjtë, që ka ngjizur heronj të rremë dhe ka ngjitur në piedestale puthadorët e diktatorit dhe diktaturës. Pranon?

-Me kënaqësi,-  u përgjegj don Ernesto dhe një nënqeshje e hidhur mbiu në cepat e buzëve të holla: - Gamilet duhet të kalojnë në birë të gjëlpërës, të shohim si do të kalojnë,- u hakërrye ai.-Tani më vjen ndërmend ajo e thëna e famshme e konsullit romak Aurel Dioklecianit: “E drejta është në majë të shpatës, bota është e burrave dhe se fitimtarët gjithmonë kanë të drejtë!”

-Historia e këtij vendi, nga vitet ‘60-të, do të rivlerësohet dhe do të rishkruhet e gjitha. Heronjtë e rremë do të rrëzohen nga piedestalet. Se si, do ta bisedojmë më vonë, pasi kjo temë do të jetë pjesë e debatit të kabinetit dhe parlamentit.

Shkëlqesia shkroi diçka prapa kartvizitës dhe ia zgjati të vëllait.

-Jepja ministrit. Që nesër shko fillo detyrën.

- Djem, dreka është shtruar. Urdhëroni!,- i ftoi halla. U nisën për në dhomën e ngrënies nga ku vinte aroma oreksndjellëse e gjellëve.

3

Don Ernesto dela Rivera, mëngjesin e parë që do të shkonte në punën e re, u vesh me sqimë: kostumi blu, me xhaketë dopiopet, me kopsa metalike që llapsnin, shamiçka e bardhë në xhepin e vogël, jaka e ngrirë e këmishës, kravata vishnje me pikla të bardha, këpucët e modës, e bënin të dukej shik, ndërsa flokët e thinjur të shtruar e shkëlqyer me brilantinë i shtonin fisnikërinë. Megjithatë ajo buzqeshja e hidhur dhe e mllefshme, s’i shqitej që s’i shqitej nga buza. E shoqja dhe e bija i dhanë dorën e fundit, e puthën në faqe dhe i uruan mbarësi.

Shkëlqesia i kishte dërguar makinën e tij.

Ministri e priti me nderime dhe e gostiti me kafe. Dha porositë e duhura që të përgatitej gjithçka për don Erneston, që do të ishte një nga shefat e rëndësishëm  në kabinetin e tij.

Shefja e administratës dhe burimeve njerëzore, e buzëqeshur, joshëse si një koketë, e vetëdijshme për bukurinë e këmbëve,  që i nxirte në pah minifundi dhe takat e larta, i uroi mirëseardhjen dhe i priu në korridorin e gjatë. Në paradhomë e priste  befasia e radhës, ishte sinjorita e bukur Ester, e këndshme dhe e çelur si një lule, sekretarja e tij. I uroi mirëseardhjen me një përkulje të lehtë mondane. Don Ernesto u ndje në siklet nga dekolteja e saj e hapur. Nga paradhoma, hyhej në zyrën e kartotekës, që ndriçohej mirë nga dy dritare që shihnin nga jugu. Aty kishte një skrivani të madhe  ku vendoseshin dhe përpunoheshin dosjet. Një derë tjetër dilte në korridor, pa qenë nevoja të kalohej në paradhomë. Kur hapën derën e kartotekës, u ndje erë myku, kalbësire dhe letre të ndënjur. Esteri hapi grilat dhe dritaret. Hyri flladi I freskët.

-Parardhësi juaj ka dy muaj që është larguar. U nxor në lirim, ngaqë s’ishte i besuar politikisht, prandaj zyra nuk është hapur dhe ajri është rënduar. Para se të largohej, i kërkuam që të vinte rregull dhe ka sistemuar gjithë fondin e dosjeve sipas grupeve, fushave dhe rendit alfabetik. E gjithë kartoteka është dixhitalizuar dhe hedhur në kompjuter dhe gjithçka qëduhet, gjendet lehtësisht. Hëpërhë, besoj ekselenca, ministri ua tha. Çdo gjë ka ngrirë dhe s’keni për të patur ndonjë veprimtari veç rishqyrtimit të dosjeve. Urime dhe punë të mbarë! Po të keni nevojë për gjësendi, telefonomëni,- tha dhe doli duke lënë pas aromën molisëse të parfumit të saj.

Don Ernesto e mbylli derë me çelës. Nuk donte ta bezdisnin kureshtarët e katit të tij, që me siguri do të vinin t’i uronin mirëseardhjen. Doli në dritare. Poshtë në rrugë , nën hijen e palmave, ishin parkuar  makinat, më tej ishte një kazan të fshirash, ku një trumbë qensh kërkonin ushqim. Tutje shtrihej sheshi i “Revolucionit”, ku dukej piedestali bosh pas heqjes së trupores gjigande të diktatorit. Në gropat e asfaltit ndrinte uji i shiut të rënë gjatë natës. “Edhe pellgjet shkëlqejnë  kur i përndrit dielli”, mendoi ai. U kthye dhe u ul në tryezë dhe mbështeti ballin në xhamin e syprinës, por ai ishte i ftohtë ndaj u mbështet në bërryla. Muret ishin të palyer prej kohësh. Përballë kishte mbetur gjurma e çelur e një kornize që e kishin hequr. Me siguri kishte qënë porteti i diktatorit. Në raftet që zinin tërë murin përballë, ishin renditur dosjet, në rresht si ushtarët. Një mal me dosje, sipas rendit alfabetik, sipas sektorëve, shkallëve të hierarkisë, ofiqeve. Të vdekur,të gjallë, të humbur pa gjurmë, meshkuj e femra. Kulla e dosjeve, si Kulla e Babilonit. Kulla e ofiqeve, titujve, gradave, dekoratve, ndereve. Njerëz në dosje, dosje njerëz. Do të kishte dashur edhe ai të kishte patur një dosje atje, por nuk kishte. Ishte armik, i deklasuar, dosja e tij ishte në arkivat e sikuredadit!

4

Të gjithë ishin aty; njerëz- dosje, dosje – njerëz, me gjithë cilsitë e shquara. Me heroizmin dhe trimërinë, diturinë dhe talentet, lavdinë e rreme, meskinitetin hipokrizinë, gëzimet, dhimbjet, dashuritë, karrierat e shkëlqyera me gremisjet dhe qafëthyerjet, pabesitë dhe hakmarrjet, një univers njerëzor me përmasa të hatashme, që s’kishte lënë mundësi e mjet pa përdorur për t’u ngjitur në krye, në majat e pushtetit,artit dhe shkencës e për t’u kurorëzuar e dekoruar me urdhra të larta, me tituj nderi e diturorë, kurora dafinash e medalje, pjesë e lakmisë  dhe lavdisë. Ja tek ishin: të mbyllur  në dy kapakë kartoni, lidhur me fjongo të zeza si gozhdë  sarkofagu. Kjo ishte ushtria armike, që ai i vetëm duhet ta mundëte. Ja tek janë, të mbyllur në ato kuti kartoni, shpirtëra të vdekur e të gjallë, që duheshin gjykuar, vlerësuar dhe shkurorëzuar. Të gjithë, një për një, pa asnjë përjashtim, porta ku do të kalonin ishte vrima e gjëlpërës. E rëndë detyra që i kishin ngarkuar, por e madhe urrejtja dhe etja për hakmarrje.

Ja tek ishin. Por nga t’ia fillonte, ç’duhet të bënte me ‘ta? E kapluan mendimet. Fillimi ishte i vështirë, por fillimi i mirë ishte gjysma e punës! Uli ballin mbi pllakën e xhamit që të kthjellonte mendimet. E ftohta e xhamit i bëri mirë zjarmisë së ballit. Teksa rrinte në atë përhumbje, befas u dëgjua një zhurmë e mbytur si të vinte së thelli nga fundi i dheut, pastaj një bubullimë shurdhuese, si të kishte shpërthyer vullkani Arakataka në Sierra del Petra. Shkrepëtinë rrufetë dhe zyra u mbush me avuj squfuri dhe erë shkrumbi. Klithi i trembur, por trupin plumb të rëndë nuk e shqiti dot nga karrikja. Ndjeu dhimbje si t’i plaste koka dhe vuri të dy duart në ballë. Atje, për çudi preku diçka që s’e kishte patur, por sapo i ishte shfaqur. Dy brirë të gjatë majëmprehtë, të përkulur e të lëmuar, pastaj vetiu fytyra iu zgjat,lëkura u mbush me qime të zeza të shkurtra e të buta si mëndafsh, flegrat e hundës u zgjeruan, pastaj e pa veten me katër këmbë e thundra të forta, me gjoks të zhvilluar e të fuqishëm, ndërsa xhufka leshtore e bishtit i zvarrisej përtokë. Megjithë këtë shfytyrim që ndodhi me dhembje të forta, mendjen e kishte të kthjellët: e kuptoi se tashmë ai, don Ernesto dela Rivera, nuk ekzistonte më, trupi dhe shpirti i tij ishin shndërruar në një dem të zi, si të korridës: brimadh e të fuqishëm me sy që i flakërinin dhe gati të bulurinte. Deshi të dilte nga ajo lëkurë, por vetëm sa arriti të kreshpëronte vijën e qimeve të shpinës. “Zot,- klithi ai-Ç’më bëre?” Nga lartësia e reve buçiti një zë i fuqishëm: “Mos u tremb! Kam dërguar kryengjellin Gabriel që të zbatojë urdhëresat e mia. Ti tashti je një el Toro, i harbuar e i zemëruar. Të erdhi koha e hakmarrjes së ëndërruar. Do të shfaqen edhe mrekulli të tjera!” Pastaj u ndje një tërmet i fortë. Muret u lëkundën, u hapën, u zgjeruan dhe zyra e vogël u shndërrua në arenën e korridës.  Shquheshin portikët madhështorë, e shtruar me rërë të bardhë. Ishte e mbushur me ndenjëse për shikimtarët. Drita vinte që lart, e ndritshme e bardhë , por burimi që e rrezatonte nuk dukej. Tej, në llozhë ku duhet të rrinte kryetari i Korridës, el Presidente, ishte vendosur shtatorja e drejtësisë, e cila në njerën dorë peshoren e fajeve dhe në tjetrën një skifter.

El Toro, mbeti i kredhur në mjegull e mugëtirë, por një erë e beftë e shpërndau mjegullën dhe u bë dritë. Atbotë, ai buluriu aq fort, sa jehonën e kthyen malet, shkrofëtiu dhe nga flegrat i dolën fjolla tymi dhe flakë, gërreu me thundra truallin e arenës dhe reja e pluhurit u ngjit në hapësirë, pastaj qielli i arenës u mbush me flutura, lakuriqë nate, kandrra dhe zogj të vegjël kolibri. Poshtë rrëshqitën zvarranikë të  neveritshëm, gjarpërinj e krokodilë, pastaj ushtuan boriet,  tamburet e çaparet. Jehoi marshi i toreadorit dhe el Toro, bulurinte e shkrofëtinte. Reja e gjallesave që s’ishin veç shpirtra, u shpërnda. Mbi shkallë ra drita. Në arenë, u dukën dosjet, në radhë, kollonë për një, të rregullta çapisnin mbi dy kapakët e tyre. Pastaj u shfaqën poshtë skeletet e këmbëve dhe sipër kafkat, anash vareshin eshtrat e krahëve dhe falangat e gishtave të duarve. Kafka me gollet bosh të syve, por që shihnin, kafka me nofulla dhe dhëmbë që zbardhonin, pa gojë e gjuhë, por që flisnin! Skeletet, kollonë për një ecnin , kokallat kërkëllinin: trak-truk, truk-trak. U kthyen djathtas e si me komandë u ulën në radhën e parë të shkallëve, pranë pistës së shtruar me rërë. Të gjallët ishin në një rresht më vete, të tromaksur e të handakosur nga ajo që u shihnin sytë. Kur të gjithë zunë vend, kapakët e dosjeve u hapën krejt dhe brendia e tyre u pa e plotë,  skelete, apo trupore e mishtë, e gjallë e atij që i përkiste. Një konglomerat të vdekurish e të gjallësh: krijesa njerëzore, hije e shpirtëra, as të gjallë as të vdekur, as njerëz as fantazma. Nën veshjen e tejdukshme shiheshin eshtrat e bardha si gëlqere të skeleteve. Çdo njeri syresh kishte të varur me zinxhir të ndryshkur, pllakën me emrin, profesionin titullin, gradat, medaljet titujt e dekoratat. Rrinin të ngrirë dhe prisnin. Të vdekurit: me të shkuarën, pa të tashme ,pa të ardhme. Të gjallët: me të shkuarën e tyre, të tashmen e papërcaktuar dhe të ardhmen e panjohur. Ky ishte gjyqi i historisë.

5

Marshi i toredorit buçiste, ishte ai që e kishte dëgjuar sa herë te opera “Karmen”. El Toro, duke bulurirë dhe shkrofëtirë, u turr si ta kish pickuar zekthi dhe rendi rreth arenës. I zi, madhështor, me sytë që i nxirnin flakë, qëndroi përball gjindjes që rrinte e qetë, e heshtur, me atë pamje të çuditshme eterike.

“Sa shumë janë,- mendoi ai,- Të gjithë duhen gjykuar, vlerësuar, ndëshkuar apo rivlerësuar e zhvlerësuar.” Diku nga larg dëgjoheshin kambanat e kishës së Shëndiegos. Amin, do të bëhet!

“Erdhi dita të gjykoheni!- u tha ai- Eshtë urdhër i Partisë dhe Zoti kështu e deshi. A i dëgjuat kambanat? Kini mendjen: zemërimi im është i llahtarshëm, vreri më i hidhur se helmi i kobrës, por edhe mëshira e pakufishme , e ëmbël si mjalti për të penduarit e të nënshtruarit. Është ora e gjyqit supreme! Dridhuni apo gëzohuni sipas mëkateve, mirësive apo ligësive e paudhësive!” Ai shkrofëtiu e buluriu, gjindja u drodh dhe hapësira u mbush me një tingëllim të qelqtë. Në anën e djathtë u dëgjuan duartrokitje , të thirrura “Bravo” dhe tringëllime kokallash. “Ata janë të mitë”, mendoi ai.

Në qiellin e arenës u dëgjua rrapëllima e një motorri. Ishte një helikopter i vogël që zukaste si grerëz. Helikopteri u ul qetë pranë El Toros dhe prej andej zbritën një tryezë portative dhe sinjorita Ester, me një laptop në çantë. Kishte ardhur t’i vinte në ndihmë shefit të saj. Ajo e vuri në çast në punë kompjuterin. Në tabelën që u shfaq, pulsuan rreshtat fosforeshent me “Curriculum vitae” të personit të parë. El Toro nguli sytë e flakëruar dhe thirri:

-Heroi i Shtegut të Pumës!

-Këtu jam,- u dëgjua zëri që delte si nga humbellat e shpellës.

-Dil në arenë, të erdhi dita e gjyqit të fundit.

Kokallat e skeletit kërcitën me një tingull të shurdhër, kur ai kërceu nga shkallët në arenë. Falangat e gishtave linin gjurmë në rërën e bardhë të arenës. Atij befas iu vesh rreth qafës një shall i kuq e në  beretë një yll i bardhë trecepash, ndërsa në gjoks kuqëluan plagët e përgjakura. Në një shirit krahëqafë, ylli i artë i heroit dhe gjithë medaljet e dekoratat.

-Folë!,- i tha el Toro.

-Më pyesni që t’u përgjigjem.

-Ke luftuar?

- Po. Që kur filloi rebelimi e deri sa u vrava.

-Ke vrarë shumë nga tanët?

-Shumë, por nuk i kam numëruar. Në luftë nuk shkohet për të vallzuar!

-E përse luftove?

-Jam bir argati. Luftova  për idealet e mia. Për liri, barazi, vëllazëri e drejtësi. Për komunizmin. Besoja te idealet komuniste.Pol Vajan Kuturie,kishte thënë : “Komunizmi është pranvera e njerëzimit.” Luftova që kjo pranverë të vinte edhe për popullin tim të shumëvuajtur të Albalongës.

-Të gjitha gënjeshtra,-turfulloi Toro,-Propagandë bajate e shpifur komuniste. Lufta juaj civile, gjoja revolucionare kundër juntës së Himenesit, ishte një luftë cubash, për të grabitur pasuritë dhe vendosjen e diktaturës me luftën e egër e të pamëshirshme të klasave. Ti u vrave për ca ideale të rreme që u tradhëtuan nga diktatori komunist Ksavier dela Roka. Gjaku yt shkoi kot, për lesh! Kush të vrau? Me siguri shokët e tu , kur jeni zënë për ndonjë kurvë nga ato që kishit në sierra!

Nga fundi i shkallëve u dëgjua një angullimë e fortë dhe në arenë u hodh një ujk i kreshpëruar dhe dhëmbë të skërmitur. Në qafë i varej një dekoratë e sapovënë si “Luftëtar antikomunist”. Kishte atë pamje, sepse pseudonimi i tij i luftës ishte “Ujku  murrash”

-E vrava unë këtë bir bushtre, në xhunglat e Sierra del Petra,- tha ai duke hungërruar,- Na ishte qepur këmba – këmbës, që kur vramë ato prostitutat, që iu bashkuan lëvizjes së tyre, gjoja për të luftuar, por për të kurvëruar. I dënuam me vdekje se ato turpëruan damat e ndershme dhe zakonet fisnike të vendit. Më pas, në pritë, më vranë edhe mua dhe “Kontrasit” bashkëluftëtarë.

-Qëndro me mua, Lupo trim, do të jesh ndihmësi im, ngaqë je nacionalist i ndershëm.

Plagët e heroit u përgjakën, rrëkeza e gjakut nisi të kullonte pikë-pikë mbi rërë, ndërsa zemra e kuqe pulsonte midis brinjëve të bardha.

-Ti do të rivritesh. Eshtrat e tua do t’i zhvarrosim nga panteoni dhe do t’i flakim në detin e harresës. Aty do të prehen eshtrat e Lupos dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë së mohuar. Tani mbrohu, o heroi i Shtegut të Pumës!

Toro shkrofëtiu, uli kokën dhe çukërmoi tokën me thundrat e hekurta. Ishte gati për të dhënë goditjen fatale.

Skeleti hoqi shallin e kuq nga qafa dhe e hapi. Çdo gjë tjetër u zhbë. Në ajrin e flakëruar valëvitej vetëm shamia e kuqe. Ajo iu afrua para syve, pastaj u dëgjua:

-Eja ,Toro negro.

Toros i hipi tërbimi, u turr dhe dha një goditje të fuqishme me brirë të ulur, nga poshtë lart. Goditja i shkoi huq.

-Hole, holeee!- ushtoi jehona e thirrjes së shikuesve.

- Eja,Toro, eja dhe një herë,- e cyti skeleti duke valëvitur shaminë e kuqe , që e tërboi më keq Toron. Ai u turr sërish dhe dha një goditje të fortë, por skeleti shkathësisht u shmang dhe  ai goditi me brirë tarabën e drunjtë sa iu errën sytë. Kur e mblodhi veten që të jepte goditjen e tretë, që do të ishte vdektare, shamia fluturoi dhe u ngjit lart në qiellin e arenës.

- Lupo, ç’u bë vrasësi?

Ujku, ngrit kokën lart, nuhati ethshëm, pastaj uluriu, saqë iu ngjethën qimet e kreshtës së shpinës.

-Iku, u ngjit në qiell.

-Idjot! Në ferr thuaj, se në qiell s’ka vend për të pafetë dhe kriminelët! Si e le të na ikte? Ta kishe shqyer!

Në vendin ku ishte skeleti, kishte mbetur dosja. Toro u turr dhe i dha një shkelm të fortë. Letrat u shpërndanë në ajër, pastaj ai hapi këmbët, e përmori dhe i bëri përsipër  një bajgë, që thuajse e mbuloi të gjithën.

-Bravo,Toro!- brohoritën nga krahu i djathtë, nga ku u dëgjuan edhe duartrokitjet e thata.

Toro dihaste. Nga manteli korb i zi, i djersitur, i ngrihej një re avulli.      Marramendja i kaloi. Mendja iu kthjellua dhe i diktoi senjoritës Ester:

-Vendim. Heronjve dhe dëshmorëve të revolucionit komunist Ksaverist, u hiqen gjithë dekoratat, titujt dhe urdhërat e nderit. Eshtrat e tyre do të hiqen nga panteoni, do të zhvarrosen, por nuk do të varrosen. Eshtrat do të hidhen në Detin e Harresës.

-Të gjithë, pa përjashtim?- pyeti senjorita Ester.

-Të gjithë. Zjarri ynë djeg të thatë e të njomë!

6

Përsëri ushtuan tamburët, trompetat dhe boriet. Në ekranin e kompjuterit u shfaq skena e teatrit të operas dhe figura e një balerine  të shquar. Ishte balerina Lina Gonzaga. E hajthme dhe e brishtë në dukje, nën tingujt e valsit magjik, bënte vallzim  të mahnitshëm dhe pirueta elegante. E kishte radhën ushtria e artit.

-Lina ballerina! -sokëlliu Toro sa i hante zëri.

- Ja ku jam, - tha ajo brënda ekranit .

- Dil në arenë!- urdhëroi ai.

E veshur thjesht, me një brerore flokësh të argjendtë, hedhur supeve një pelerinë të lehtë ngjyrë alle, ajo, e rënduar nga pleqëria çapiti ngadalë dhe qëndroi  para tij plot dinjitet, si një  hyjneshë e madhërishme. Ai u çudit. Pandehte se ajo kishte vdekur prej kohësh, por jetonte ende, e tërhequr nga bota e artit, në vilën e saj të thjeshtë të Kosta Azurrës.

-Urdhëroni, senjor El Toro! Me se mund t’u shërbejë prania ime?

-Ti gjallon ende? Pandehja se ishe ndarë nga kjo botë. U bënë shumë vite që s’je parë në skenë.

-Ende s’më është këputur filli i jetës. Jetoj ditët e mia dhe jo të tuat.

-Lina Gonzaga: “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, laureate e “Palmës së Artë”, akademike e sa e sa tituj e grada të tjera. Përse dhe me se i ke merituar?

-Me artin tim. Kam vënë në skenë shpirtin, zemrën, ndjenjat, pasionin për të bukurën. Kam punuar shumë, ditë e netë pa gjumë lodhje dhe djersa lumë. Megjithatë nuk i kam arritur dot majat, sepse siç thonë latinët:”Ars longa, vita brevis”. Arti është i gjatë, jeta e shkurtër

-Ke qënë shumë e bukur dhe plot finesë e elegancë dhe ke kërcyer për kënaqësinë e diktatorit, sa herë që ta kërkonte dhe jo vetëm për të. Ke kërcyer edhe për diktatorët e tjerë: Fidel Kastron në Havanë, Enver Hoxhën në Tiranë, Mao Ce Dunin në Pekin? Të kanë shpërblyer e të kanë mbushur me dhurata të kostueshme. Është e vërtetë?

-Kam kërcyer edhe në Metropolitan, ku ka asistuar presdenti Bush senjor, në Kovent Garden, ku ishte e pranishme mbretëresha  Elisabeta, në Pale Royal, ku me ajkën e shoqërisë parisiane ishte edhe  presidenti Pompidu e në sa e sa vende të tjera me turnetë e mia!

El Toros iu çartallos mendjs nga gjithë ato emra e kryeqytete dhe vendosi ta sulmojë ballas:

-Thonë, dhe këto nuk janë thashetheme mondane, se diktatori, pasi admironte artin tend, shijonte edhe hiret e tua femërore dhe të merrte në shtratin e tij në vilat e Kosta Azurras!

-Ky ka qënë ves i zonjave të aristokracisë së lartë, i vajzave të dyerve të mëdha. Unë jam vajza e një minatori të thjeshtë. Kur të kthehesh në shtëpi, ke rastin të pyesësh senjorën, nënën tënde, se cili është babai yt i vërtetë.

Ai nuk e gëlltiti fyerjen, por e bezdiste një mizë që s’po i shqitej dhe ai përpiqej ta zbonte me xhufkën e bishtit.

-Kurvë plakë! Si guxon të përlyesh emrin e nënës sime fisnike! Vazhdon t’i ruash pikëpamjet dhe idealet e tua komuniste?

-Po, me ‘to më ndan veç vdekja!

- Mirë. E kërkove vetë. Përgatitu të vdesësh. Do të varrosesh pa nderime, me karrocën e plehrave të komunales!

Skërfiti truallin, buluriu me tërbim,  gjatë e thekshëm dhe mori turravrapin. Kur ishte gati ti ngulte brirët në brinjë, zbritën mijëra flutura krahëbardha, që i zunë sytë. Zbriti nga hapësirat qiellore melodia hyjnore e “Liqenit të mjellmave” dhe Lina balerina u largua e qetë. El Toro tundi kokën me tërbim dhe i shkundi fluturat e bardha nga sytë e përflakur dhe pa se Lina doli nga deriçka e arenës.

-Kape Lupo! - bërtiti ai dhe i liroi zinxhirin që ai të turresh, por Lupo futi bishtin në shalë dhe nisi të angullijë si qen i rrahur.

Mbi rërë kishte mbetur dosja. E goditi me brirë dhe letrat i mori era, pastaj me  mllef, ngriti bishtin dhe i bëri bajgën për ta pëgërë.

-Hole, bravo Toro!- u ndjenë brohoritjet nga krahu i djathtë i arenës. U kthye nga ai krah. Uli kokën për ti nderuar dhe ngriti këmbën e parë në gjoks, aty ku duhet të ishte zemra.

- Senjorita  Ester, shkruaj vendimin: Artistëve që i kanë shërbyer me artin e tyre diktatorit dhe diktaturës, u hiqen tërë titujt dhe dekoratat, gradat shkencore dhe pensionet për merita të veçanta!Pik.

7

-Po tani?

-Në ekran, më del legjioni i shkrimtarëve dhe poetëve, zotëri.

Vargani ishte i gjatë. Shkrimtarë e  shkrimtare, poetë e poetucë folkloristw, e  rapsodë.  Ushtria e  shkrimtarëve, e shkarrashkruesve, ndihmësve të Partisë. Të vdekur e të gjallë, të kurorëzuarit me lavdi dhe të damkosurit me njollën e turpit, disidentët e socrealizmit. Të gjithë mbanin nën krahë veprat dhe librat e tyre. U printe shkrimtari dhe poeti me famë Alfonso dela Puerta, i cili për të mbajtur veprat e tij të shumta tërhiqte një karrocëz të mbushur ding, ku shkruhej “Big market”.

-Disidentët, të persekutuarit, të burgosurit, të dalin në një rresht më vete,- urdhëroi Toro.

Ata u ndanë, por u bë tollovi e madhe. Thuajse të gjithë u rreshtuan te disidentët  dhe të përndjekurit politikë. Plasi sherri dhe të sharat. Skeletet e të vdekurve kërkëllinë dhe nofullat nisën të trokëllijnë. Kryetari i “Lidhjes së Shkrimtarëve Demokratë “ protestoi për këtë pafytyrësi. Toro u detyrua t’i mblidhte, t’i përziente sërish në një rresht. Ishte një shfaqje makabre.

- Spiunët dhe denoncuesit e shokëve, t’u kërkojnë ndjesë  viktimave të tyre!

U vu re lëvizje. Shumë të gjallë dhe skelete, të vënë në siklet përpiqeshin të fshiheshin e të bëheshin të padukshëm, por nuk mundnin, mbeteshin të zbuluar për t’u demaskuar, por ndjesë askush nuk kërkoi. Qyrkun e fajita askush nuk e veshi.

-Senjor Alfonso del Puerta, jeni i kurorëzuar me degët e larit, tre çmime të Palmës së Artë. Çmimin special të “Bletës së artë”, të gjitha të akorduara nga regjimi i diktatorit. Gjithë këto, sepse ti ishe lavdëruesi dhe hyjnizuesi. Me poemën “Albatrosët fluturojnë mbi re” dhe romanin “Vetmia”, ju e himnizuat diktatorin. Ndihmuat që ai të kthehej në idhull dhe lartësuat kultin e tij, në një kohë që poetët pushkatoheshin dhe ti s’fole një fjalë. Ishit miku i tij.  U ftonte për kafe dhe u dha ofiqe të larta . Si e spjegoni këtë?

Poeti nuk u ngut të përgjigjej. Hoqi syzet me korniza të trasha, modelin e të cilave që nga koha e rinisë s’e ndërroi asnjëherë. I fshiu me kujdes, i vendosi dhe pastaj nisi të shikonte Toron si një specie të rrallë kimerike, të dalë nga mitet dhe legjendat si Minosi, që ai i kishte aq për zemër. Kjo qënie, brimprehtë e sypërflakur, e përfshirë nga tërbimi dhe urrejtja, mund t’i shwrbente për një roman, por tani priste një përgjigje.

-Zotëri El Toro! Kushdo që fshihet nën lëkurën tënde, është tepër i paditur, pra tepër injorant dhe I trashë, që të gjykojë krijimtarinë time artistike dhe personin tim human, sepse ti s’kupton se ç’është ekzistencializmi dhe lufta për mbijetesë në diktaturë, asaj i duhej dhënë haraçi për të shpëtuar krijimtarinë e vërtetë simboliste dhe metaforike, ku të vërtetat e dhimbshme shkruheshin midis rreshtave, në gjuhën e Ezopit, me kuptime të dyzuara e të errta si fjalët e një orakulli. Është kjo mjeshtëri, që i bëri veprat e mia të  lexohen në botën hispanike dhe të përkthehen në vendet anglo-saksone, shumë prej të cilave më dhanë edhe çmime e vlerësime.

Kur kam shkuar te diktatori, vija pa dëshirën time. I duhesha unë atij dhe jo ai mua. Ndjehesha si qëngji para ujkut. Më thërriste me dëshirën e tij. Ai bënte llogaritë e tij diabolike, e unë të miat për vetëmbrojtje. Dihet që më ka përdorur. Këtë s’ia fal vetes,por nuk ishte në vullnetin tim

Toros nuk i pëlqeu fodullëku dhe kapadaillëku i poetit, aq sa deshi t’i jepte një goditje të forte e ta çante në brinjë, ta plandoste përdhe e ta shkelte me këmbë, por e mbajti veten. Ai ishte gjykatësi i historisë dhe një gjykatës, duhet të jetë i drejtë dhe i xhveshur nga mllefi dhe pasioni vetjak.

-Je penduar për himnet dhe lavdërimet që ke shkruar për diktatorin?

-Aspak. Kam lavdëruar dhe hymnizuar vendin tim të varfër dhe popullin tim krenar, por të mjerë  e fatkeq!

Në këtë kohë, në rreshtat u ndjenë kërkëllime eshtrash dhe trokëllima nofullash. U shkëputën disa skelete dhe një burrac shtatvogël, kritik i njohur arti, ju turrën poetit me hakërrim dhe ulurima, e akuzuan për komunist, spiun të sekuridadit , lustraxhi të diktaturës, krehës i bishtit të diktatorit, thanë e ç’nuk thanë, por Toro u doli ballas dhe i ndali. Tashmë ai e kishte marrë vendimin.

-Ndaluni dhe prisni more shkarrashkrues!. Secili do të marrë atë që i takon. Senjorita Ester shkruaj: “Gjithë librat e socrealizmit, që lavdërojnë diktatorin dhe diktaturën, të grumbullohen dhe të kthehen në karton për arka bananesh. Urdhërat, titujt, çmimet, medaljet dhe mirënjohjet e tjera të dhëna për krijimtarinë, suprimohen dhe nuk u njihen poseduesve. Vlerat monetare që kanë shoqëruar çmimet, t’i kthehen arkës së shtetit. Shtëpia e shkrimtarëve dhe artistëve shpërndahet. Godina sekuestrohet. Për poetët e pushkatuar, të jepet titulli “Martir i Demokracisë” dhe të vendosen në panteon.Pik.”

8

U dëgjua sërish marshi triumfal. Në ekranin fosforeshent të kompjuterit u shfaqën listat e tjera. Ishte punëtoria, ”Kllasa punëtore”, si i pëlqente ta quante diktatori,gjoja shtylla e shtetit, e besuara e tij për mbajtjen dhe vazhdimin e diktaturës. Ishte bërë popullor sllogani “Kur flet klasa, hesht burokracia”. Në krye të kolonës ndodhej një burrë shtatmadh, që edhe pse i plakur dukej i fuqishëm. Në kokë një helmet me llambën e minatorit dhe në sup një  pistoletë shpuese të shkëmbinjve, në gjoks ylli i artë i “Heroit të Punës”, urdhëra dhe medalje të shumta. Çuditërisht për dore mbante një lopë të kuqe!

Toros ju kujtua: në vitet gjashtëdhjetë, pllakati me portretin e tij afishohej kudo, me diçiturën “Luani i tuneleve”. Ishte Salvatore Basta për të cilin thoshin  se e ha malin me dy kafshata. Emri i tij ishte bërë legjendë, pastaj u harrua. Të tjera kohë, të tjerë heronj.

-Salvatore Basta, që e ha malin me dy kafshata, si i ke marrë gjithë ato dekorata?

-Kam punuar zotëri, me dëshirë dhe ndershmërisht për ndërtimin dhe lulëzimin e vendit tim. Është vepra ime dhe e shokëve të mi, tuneli dhe hidrocentrali nga ku merr dritë dhe ujë edhe sot e kësaj dite kryeqyteti Vilaverde. Jam kacavirrur me litar nëpër shkëmbenj për hapjen e rrugëve malore. Kam çarë tunelet e hekurudhës transishullore dhe kam hapur trasenë e Gran Vias. E ku s’është derdhur djersa ime! Pak të duken këto? Janë vepra që mbeten dhe u takojnë gjithë brezave. Kështu them unë. Nuk di më shumë. Si njeri i thjeshtë di të punoj, por jo të ligjëroj .

- I shkreti ti, që nuk e kupton se ke qenë mish për top dhe të kanë përdorur si një  majmun në panairin bajat të ndërtimit të gjoja socializmit. Me një rrogë mizerabël sa për të mbajtur frymën, ushqenin krenarinë tënde me një grusht teneqesh! Ju jeni skllevërit, si ata që ndërtuan piramidat e Egjiptit. Po atë lopë të kuqe, ç’e ke? Edhe ajo komuniste është?

-Ma dhuruan kur dola në pension se kisha  dymbëdhjetë fëmijë për të ushqyer. Porosia e partisë ishte që të lindnim shumë fëmijë.

El Toro qeshi me të madhe.  Ishte e para herë që qeshte.

-Çfarë të bëjmë me ty o njeri i mjerë, që shkrive jetën për një lopë!

U gjend në hall me këtë hero, që ishte naiv si një fëmijë dhe ata që ishin pas tij, por në fund e gjeti zgjidhjen. Puna e tyre kishte qenë e dobishme për vendin.

-Senjorita Ester, shkruaj: “Lopën e kuqe komuniste, Salvatore Basta ta këmbejë me një lope tjetër. Ka lope blu? Jo nuk ka. Atëhere me laramane. I duhet për ta kullotur duke e mbajtur për kapistalli, që të  kalojë pleqërinë se nuk di çfarë të bëjë tjetër. Yllin e heroit dhe medaljet t’i mbajë dhe t’i varë në bishtin e lopes dhe të maces. Pik.” Kjo vlen për gjithë puntorinë. Marsh! -dha urdhër ai. Punëtorët të vendosur në rresht si në parakalimet e një majit, u nisën për të dalë nga hyrja perëndimore e arenës, duke kënduar këngën e tyre “Ne ecim përpara/përpara gjithmonë!”

9

El Toro ndjehej i dërrmuar. Pak pushim sa për t’u kthyer fuqitë. Hëngri dy-tri gojë tagji elbi në koritë dhe piu  si i limaksur ujë të freskët nga legeni.

Koha nuk priste. Kush e ka radhën? Ishin politikanët. Në krye fare ishte Prof. dr. Salvador Paskuale, zv/kryeministri dhe ministër i ekonomisë, në qeverinë e partisë Julianiste, i njohur ndryshe edhe si “Gagaçi”, nga që ishte i belbër e i mbahej pak goja. Edhe pse me këtë cen ai ishte llafazan i papërmbajtshëm. E pruri helikopteri qeveritar. Me pamje krenare, i krekosur dhe arrogant, i hodhi një vështrim përbuzës El Toros . Nuk priti ta pyesnin por pyeti i pari:

-K-kush je ti mor zotri k-kaa-tërkëmbësh, brirë madh, që guxon dhe më thërret në arenën e korridës?

- Senjor, jam don Ernesto dela Rivera. Drejtor i sapo emëruar i zyrës së rishqyrtimit të titujve, gradave, meritave dhe historisë. Gjendem në krye të detyrës.

-Qënka zbavitëse –tha Gagaçi.-Pa hë, bëje pyetjen tënde!

-Ju, senjor, më korrigjoni nëse gaboj. Jeni biri i kamerad Gregorio Pasquales, ministër i qeverisë së diktatorit?

-Ekzakt. Është ati im biologjik, por jo ideologjik. Jam ndër të parët e lëvizjes Julianiste që mora pjesë në përmbysjen e diktaturës. Mua dhe atin tim na ndan një det i tërë. Në njerin breg është komunizmi, pra im atë, në tjetrin demokracia, aty jam unë, ideologu i ekonomisë së tregut dhe “Rrafshit zero”. A s’më thua mbi ç’bazë e ke nisur këtë investigim?

-Mbi bazën e vendimit që ka miratur qeveria juaj, senjor minister.

-Ku të gjetën ty, mor idiot! Qeveria nuk i miraton vendimet për vete, por për të tjerët!- tha ai sarkastik.  Pastaj hipi në helikopter dhe fluturoi. El Toro mbeti i shastisur. I kishin dhënë një shuplakë tjetër.

Nga porta veriore e arenës hynë disa limuzina. Nga e para zbriti presidenti i tribunalit dhe pas tij disa ministra dhe dinjitarë të institucioneve kushtetuese. Presidenti ecte me hapa të mëdhenj dhe si duke kërcyer nga guri në gur. Flokët e pashtruara e të ashpra i binin mbi ballë. Ishte veshur me shumë sqimë. U kthye nga tribuna e djathtë, ku ishin ulur simpatizantët dhe i përshëndeti me dy gishtat në formën e shkronjës “V”. Nga tribuna shpërthyen brohoritjet dhe thirrja aq e njohur “Liri ,demokraci” dhe “ E  duam Albalongën si Amerika” Pas kësaj, presidenti dhe shpura shoqëruese u afruan te tryeza përballë Toros.

-Hole Toro,- përshëndetën ata si për të bërë gallatë. - Morëm thirrjen dhe ja tek na ke!

-Senjor President i Tribunalit, këtu ka diçka që nuk shkon.

-Sipas teje, çfarë nuk shkon?

-Po ja, ju, a nuk keni qënë për shumë vite Prokuror i Pergjithshëm i diktatorit Ksavier dela Roka, që keni dhënë dënime të rënda me pushkatime, burgosje, dënime dhe internime kundër kontrasve të regjimit? Po kështu edhe zotërinjtë që u shoqërojnë. Si ka mundësi që ju….

-Një jurist, duhet të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Këtë ia kërkon profesionalizmi dhe ndjenja e detyrës. Por ti duhet ta dish, që diktatori, i pakënaqur nga dënimet e mia të buta, më hoqi nga ajo detyrë dhe më degdisi prokuror në provincën lindore. Pasardhësi që kish nevojë për shërbimet e mia, më tërhoqi sërish në kryeqytet si këshilltar të tij. Parimi im mbetet i pandryshuar: ligji dhe vetëm ligji! Këtë jam duke bërë edhe tani, në emër të revolucionit Julianist. Ti e di që para disa kohësh, ne burgosëm, gjykuam dhe dënuam, nomenklaturën e lartë të kastës Ksavieriste! Këtë na e kërkonte ligji, këtë bëmë! Pushteti nuk ngrihet mbi boshllëk dhe dinjitarët nuk do vijnë nga hëna. Me zellin tënd të rishtarit po ngutesh si shumë. Të urdhëroj ta ndërpresësh këtë farsë dhe rri në pritje te direktivave dhe udhëzimeve që do të dalin nga kabineti i kryeministrit!

El Toro mbeti pa fjalë, u vuvos. I kishin hedhur mbi kokë një kovë me ujë të ftohtë. Me sytë e çakërritur shihte shpurën përcjellëse të presidentit. Shumë prej tyre i njihte, ishin bij të dinjitarëve të lartë Ksavieristë. Kur ata studjonin në shkolla të mira dhe zinin ofiqe të larta për hir të etërve, ai kalbesh në baltovinat e orizoreve të Piana del Flamengos…….

*       *      *

Në derën e zyrës u dëgjuan të trokitura, fillimisht të kujdesëshme e të drojtura, pastaj të trokiturat ishin me goditje më të forta. Don Ernesto doli nga përhumbja. Ngriti kokën nga tryeza, por e kish të rënduar e të turbulluar. Pa e kuptuar ishte në ëndërr apo zgjuar. Vetiu i shkuan duart në ballë. Lavdi zotit, kishte qenë vetëm një vegim, por sido që I tillë e bëri të mendohej thellë.

-Hyrë, -iu përgjegj së trokiturës.

Ishte senjorita Ester.

-U shqetësova për ju. Po kalon orari zyrtar dhe nuk po dilnit.

- Çuditërisht dremita pak dhe pata një vegim . Ndjehem i dërrmuar. Gjithsesi faleminderit për interesimin.

Makina e zyrës e priste poshtë.

-Don Ernesto, në shtëpi?

-Jo, - dhe i dha adresën e të  vëllait.

Shkëlqesia , në verandë, i ulur në poltronë xunkthi , po pinte kafen. Nuk e priste të vëllanë në atë orë.

Don Ernesto u ul fuqiprerë, duke e përshëndetur thatë.

-Fillove nga detyra e re?

-Po. Për këtë kam ardhur. Do të dorëhiqem.

-Si,kaq shpejt? Cili është shkaku?

-Vëlla. Ti je bashkuar me ta, por nuk i njeh. Ke jetuar shumë vite jashtë. Florida nuk është Albalonga. Pata një vegim paralajmërues. Pushteti ndryshoi, por janë po ata. Vetëm kanë ndryshuar ngjyrën, nga e kuqe në blu. Është njësoj si shtëpisë së vjetër t’i lyesh ballinën dhe të thuash se kam ndërtuar shtëpi të re. Kjo politikë nuk më pëlqen, më përbalt, më bën pis. Zotër të këtij vendi janë pinjollët e të mëparshmëve. Po shkoj me Penelopën time dhe vajzën në çifligun e Santa Klarës, që të rris kuaj vrapi. Ata janë më të mirë , më fisnikë se politikanët dallkaukë me njëqind flamurë.

Shkëlqesia nuk po ngutej t’i kthente përgjigje. Don Ernesto e dinte që ai ishte kapur fort pas politikës, jo për ideale, por ngaqë ajo do t’i jepte nga hambari i madh dhe i pasur i Albalongës, shumë më tepër sesa çifligu i varfër i Santa Klarës. Ishte e kotë të priste përgjigje.

I uroi ditën e mirë dhe u largua.

Fund.

Tiranë, 1992-2013.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT