Mendime
Kastriot Myftaraj: Prokuroria nuk ka vendosur një standard
E merkure, 19.06.2019, 08:41 PM
Prokuroria nuk ka vendosur një standard
Nga
Kastriot Myftaraj
Parimi
kushtetues i barazisë para ligjit e kërkon që, nëse kryetari i një partie
opozitare, sic është rasti i Lulzim Bashës, na qenka personalisht përgjegjës
përpara ligjit penal për cdo transaksion financiar të partisë së tij, deri edhe
për hollësitë e një kontrate publicitare, atëherë duhet që Kryeministri Rama të
jetë po aq ose akoma më shumë përgjegjës për cdo transaksion financiar, tender,
koncesion të kryer në zyrat e qeverisë së tij, me vlerë së paku duke nisur që
nga ajo shumë për të cilën penalizohet kryetari i opozitës.
Ligji
penal thotë se nuk ka dënim pa faj dhe se nuk ka faj të dënueshëm pa ekzistuar
lidhja shkakësore mes veprimit ose mosveprimit dhe ardhjes së pasojës
kriminale. Por nuk mund të ketë dy logjika të lidhjes shkakësore, një për kryetarin
e Opozitës dhe një tjetër për Kryeministrin.
Se
ndryshe del që ligji, në leximin që i bëjnë prokurorët, kujdeset më tepër për
paratë e siguruar privatisht jashtë vendit nga një parti, dhe të shpenzuar po
jashtë vendit, sesa për paratë publike, të siguruara nga taksat e qytetarëve të
Shqipërisë dhe ndihmat e huaja financiare për vendin tonë.
Nëse
Prokuroria e Shqipërisë do ta kishte ndjekur ndaj Kryeministrit të njëjtën
praktikë si ndaj kryetarit të Opozitës, atëherë Kryeministri Rama duhet të
ishte thirrur tashmë me qindra herë në Prokurori për tendera, koncesione,
kontrata publicitare, transaksione financiare të cdo lloji. Por dihet se nuk ka
ndodhur kështu. Kjo tregon se Prokuroria nuk ka vendosur një standard të
leximit dhe zbatimit të ligjit, por ushtron praktika të ndryshme për raste të
ndryshme. Kjo është e kundërta e shtetit të së drejtës dhe përgënjeshtron
qëllimet e reformës në drejtësi.