E premte, 26.04.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Speciale

Rexhep Ismajli: Eqrem Çabej për gjuhën shqipe

E marte, 30.09.2008, 06:10 PM


Eqrem ÇabejEQREM ÇABEJ PËR GJUHËN SHQIPE

Nga Rexhep Ismajli

“Si sintezë e dijes albanologjike të derisotme dhe si përthyerje e teorive gjuhësore historike-krahasimtare, vepra e Çabejt i kapërcen kufijt e kulturës shqiptare… Ky korife i albanologjisë, është një nga njohësit më të mirë të gjallë dhe ushtruesit e paktë seriozë të ballkanologjisë… Rezultatet e arritura në veprat e tij janë të rëndësishme jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për historiografinë, për folkloristikën, për etnografinë, për etnologjinë dhe për historinë e letërsisë shqiptare. Objekt i mendimeve të tij, në një mënyrë ose në një tjetër, ka qenë i gjithë etnosi dhe etosi i shqiptarëve“.

„Metoda e studimit të tij është kryqëzim interesant teorish të ndryshme, kryesisht historike-krahasimtare. Në një anë kemi gjurmët e trashëgimisë së teorikut Hugo Schuchardt[1] dhe të shkollës Wörter und Sachen, me theksimin e lidhjeve të fjalës me sendin, me hulumtimin e aspektit etnografik-etnologjik që te Çabej depërtoi drejtpërsëdrejti dhe e përthyer përmes mendjes së mprehtë të mësuesit të tij N. Jokl[2]... Por ai bën një kombinim të metodave të Wörter und Sachen, të fonetikës historike dhe të gjeografisë gjuhësore, të gjuhësisë areale italiane dhe të gjeografisë gjuhësore franceze. Të gjitha këto si dhe mendimet teorike të Hermann Paulit[3] dhe të Holger Pedersenit[4] te Çabej i gjejmë të gërshetuara dhe të përthyera në mënyrë të veçantë... Metoda e tij është empirike... gjithnjë niset nga faktet konkrete të shqipes...“

Mora leje të përsërisja këto përfundime të shprehura më 1973[5] me të gjallë të Eqrem Çabejt dhe asnjëherë të kontestuara, jo për të rikujtuar, po më parë që ta vendosja disi atë që desha të thosha më poshtë lidhur me tematikën e shqipes letrare në pikëpamjet e Eqrem Çabejt.

Gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, dijetari që në studimet e tij kështu të hapëta, përtej gjuhës dhe përmes gjuhës mëtonte të ndriçonte çështje me gjerësi më të madhe, deri tek etnia dhe qenësia e saj, a mund të ishte indiferent ndaj funksionit vehikular të gjuhës?

Do të kishim dhënë një përgjigje fare të cektë dhe skematike po të niseshim vetëm nga vlerësimi i veçantë i tematizimeve mbisunduese tek ai, si historia e gjuhës, etimologjia, tekstologjia, ku rezultatet e tij janë gjithnjë kulmi i shkencës.

 

Kundër diletantizmit

 

Në një polemikë të pabotuar të vitit 1929, ku, jo vetëm në saje të nervit dhe tendosjes stilistike të tekstit, hetohet qartë impenjimi i tij dhe shumë më shumë se indiferenca ndaj asaj që quhet ndërhyrje e vetëdijshme në gjuhë, Çabej kishte theksuar në radhë të parë nevojën që në preokupimet për gjuhën, konkretisht për gjuhën letrare, fillimisht duhej të sigurohej profesionalizmi dhe të luftohej me gjithë mend diletantizmi, i cili gjithsesi dikur bëhet i dëmshëm. Ja se ç‘thoshte Çabej aty, ndër të tjera:

“Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon meaft viet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me exaktitudë mathematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (sévères) e më exakte që mund të jenë në botë… Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë viet me radhë me studimin e vërtetë të saj!… Kush do të shkruaj mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëvet indouropiane përgjithërisht, pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë albanologët e huaj, numri i të cilëvet është aq i math, sa studimi i tyre lyp viet me radhë pune të pareshtur… Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi. Eshtë dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!”.[6]

Në të gjitha reagimet e tij të mëvona lidhur me gjuhën letrare, Eqrem Çabej në mënyrë sistematike shtronte një kërkesë: së pari të njihet gjuha, të mblidhet i tërë materiali, të studiohen strukturat e saj në të gjitha rrafshet, të njihet përndarja dialektore, shtrirja e fenomeneve me saktësi dhe pastaj të caktohen norma e zgjidhje përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjithë. Parim i njohur dhe më herët në historinë e dijeve për gjuhën dhe maturi shembullore e dijetarit.

Duke kërkuar shpjegime ashtu të gjera Çabej i kishte hyrë studimit të themeltë të leksikut, në kuptimin etimologjik dhe tjetër, për shembull fjalëformues lidhur me parashtesat e prapashtesat, të historisë së jashtme të gjuhës, po edhe të zhvillimit të brendshëm, të zhvillimit të gjuhës së shkruar në disa shekuj. Bashkë me njohjet që siguron hulumtimi dialektologjik dhe gjuhësia areale, ashtu si dhe fushat e tjera, rezultatet në hulumtimet e përmendura duhej të bëheshin baza për kërkimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të gjuhës unike letrare shqipe. Pra, e tërë problematika e studimeve të tij konceptohej si njësore: njohja e gjuhës shqipe në përmasat e saj të ndryshme reflektohej drejtpërsëdrejti dhe në çështje të përzgjedhjes së standardit.

 

Të dhënat për punën standardizuese të Çabejt

 

Sa dhe si ishte marrë Çabej konkretisht me studimin dhe punën në standardizimin e shqipes? Dhe më tej, pas një përgjigje eventuale në pyetjen e parë, a është e vërtetë se, siç kanë pretenduar disa, kritika e Çabejt e shprehur në mënyrë indirekte, më mirë të themi mendimi i tij, „ishte refuzim i pakompromis i projektit të gjuhës së njësuar“, se aspekti racional në argumentimet e tij ishte pandehma se veprimtarët e gjuhës së përbashkët, në ngutjen për të realizuar projektin e tyre, „e kishin vënë mazin para pelës“?[7] Me një fjalë, a është e vërtetë se Çabej nuk pajtohej me konceptin dhe ritmet e implementimit të gjuhës së përbashkët dhe, nëse po, si e ka shprehur ai këtë mospajtim? Edhe më shumë, në cilën kohë kishte menduar kështu apo ashtu dhe sa u ishte përmbajtur deklarimeve të veçanta parimore që sot mund të interpretohen kështu ose ashtu në veprimtarinë e tij praktike dhe konkrete? Po e shtroj në formë të ashpërsuar të pyetjes, për shkak se pandehma dhe hamendësime të ndryshme në bazë të fragmenteve të shkëputura janë shqiptuar dhe ka mundësi që gjërat të merren të gatshme dhe si të (pa)dëshmuara, ndërsa përgjigjet shpresoj të dalin nga raportimi mbi këto veprimtari.

Eqrem Çabej ishte në rrjedhat e diskutimeve për problemin e gjuhës letrare shqipe qysh nga fillimet e angazhimeve të tij publike dhe, siç u pa nga reagimi i tij i pabotuar, edhe më herët. Pasi botoi librin e njohur Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, 1936, ai u bë personalitet mendimi i të cilit kërkohej në këtë fushë.

“Çabej është gjithashtu ndër përpunuesit e hartuesit kryesorë të gjithë udhëzuesve drejtshkrimorë që u hartuan pas Çlirimit (1948, 1951, 1956, 1967, 1973), duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në gjithë punën sistematike që u shtjellua gjatë kësaj periudhe për kodifikimin e gjuhës sonë letrare, për kristalizimin e saj tërësor e për njësimin e plotë të sotëm”.[8]

Më 1935 Ministria e atëhershme kishte ngritur një Komision të posaçëm për çështje të ortografisë dhe të gjuhës së shkruar dhe E. Çabejn e kishte caktuar të punonte në të bashkë me Aleksandër Xhuvanin,[9] Namik Ressulin,[10] e të tjerë. Më 1947 në Tiranë në Institutin e Shkencavet u ngrit Komisioni i Ortografisë, në të cilin ishin caktuar Kostaq Cipo,[11] A. Xhuvani dhe Eqrem Çabej.[12] Ky Ko-mision hartoi Ortografinë për të dy variantet e gjuhës së shkruar dhe e botoi më 1948 në revistë. Sipas vlerësimeve të Jup Kastratit, kjo Ortografi mbështetej në elbasanishten dhe “me përjashtim të disa rasteve të njësuara, vepra në fjalë linte në fuqi dualizmin gjuhësor dhe sanksiononte me rregullore dytrajtshmërinë e drejtshkrimit të shqipes” (theksimet r. i.). Megjithatë, në krahasim me rregullat e Komisisë Letrare (1917) dhe me ato të Adon Aldeghierit (1927), Kastrati me të drejtë mendonte se rregullat e kësaj Ortografie “bënin një hap të mirë përpara për njësimin e gjuhës shqipe të shkruar”.[13] Një kritikë të veçantë të kësaj Ortografie kishte bërë Simon Shuteriqi më 1949 me veprën e tij monografike Ortografija e gjuhës shqipe. Sipas njoftimeve të Kastratit, kjo vepër, shpesh më e gjerë se Ortografia e vitit 1948, ka meritat e veta, porse “autori nuk ka mundur të shkëputet tërësisht nga disa gjykime subjektiviste. Herëherë, ai nuk ka parë mirë edhe tendencën e zhvillimit të fenomenit gjuhësor ortografik, sidomos konvergjen-cën”.[14] Gjithnjë sipas njoftimeve të Kastratit, një diskutim i gjerë i Ortografisë së vitit 1948 është zhvilluar më 1949 në Institutin e Shkencavet dhe pas vërejtjeve e diskutimeve i tërë projekti u rishikua dhe më 1951 u nxorr si botim i veçantë.[15]

Në Tiranë në vitin 1953 u organizua Konferenca dyditore e Ortografisë, sipas njoftimeve të J. Kastratit. Komisioni i Ortografisë që u përmend më sipër aty ishte i pranishëm dhe në emër të tij referoi anëtari M. Domi. Projekti i Ortografisë së gjuhës shqipe i vitit 1953 u poligrafua në 29 faqe. Në të qysh në Parafjalë është theksuar se synohej afrimi i dialekteve në shkrim.[16] Çabej ishte ndër kryesorët në komisionin për hartimin e ortografisë më 1954.[17]

„Pasi në konferencë [të ortografisë, r. i.] për një varg çështjesh e zgjidhjesh u çfaqën divergjenca mendimesh, u pa nevoja e thellimit të tyre nëpërmjet referimesh e diskutimesh të veçanta. Këto u zhvilluan në vitin 1954 e në fillim të vitit 1955 në një komision konsultativ të gjerë, ku bënin pjesë punonjës të sektorëve të gjuhës të Institutit dhe arsimtarë e shkrimtarë“.[18]

1956[19] u hartua Ortografia e gjuhës shqipe nga një Komision i veçantë. Në të objektivisht i jepej përparësi variantit të mbështetur në toskërishten, ndërsa shënimet për gegërishten viheshin kryesisht në fusnotë. Vetë Komisioni theksonte se në bazë të diskutimeve të gjera projekti u rishikua, u ripunua me kritere më të shëndosha, më të qarta e më të prera, u saktësua, u plotësua dhe po botohej në formën përfundimtare, si rezultat i një pune kolektive. Vlerësohej si „një hap i rëndësishëm përpara dhe një kontribut me vlerë në normalizimin e stabilizimin e gjuhës letrare“. Aty shënohej dhe sa vijon: „Dinamizmi i fazës së sotme të gjuhës sonë, mungesa e studimeve teorike të veçanta, në lidhje me një sërë problemesh të ortografisë, nuk lejojnë që këto probleme të zgjidhen në mënyrë të gjithanëshme dhe, padyshim, ortografia e punuar nga Instituti i Shkencavet do të ketë nevojë për rishikime e ripunime të herëpas-herëshme. Hartimi dhe zbatimi i saj nuk i mbyllin shtegun diskutimit të mëtejshëm të problemeve ortografike nëpër organet tona, studimeve e artikujve për thellimin e tyre... Përsosja e ortografisë është një proces i gjatë, e për të duhet bërë një punë e vazhdueshme sistematike“.[20]

E. Çabej mori pjesë në komisionin që hartoi projektin e Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes të vitit 1967,[21] të cilat u përvetësuan si Rregulla të Drejtshkrimit në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës 1968 derisa të bëheshin rregullat e reja, dhe të Drejtshkrimit të Shqipes të dalë nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.[22] Këto rregulla, ndërkaq, përjashtonin tërësisht variantin që mbështetej në gegërishten dhe synonin variantin që do të cilësohet ‘i përbashkët’.

Çabej ka qenë pjesëmarrës dhe në aktivitetet e tjera vendimmarrëse në fushën e normimit të shqipes, ndër të cilat shquhet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe i mbajtur në Tiranë më 1972.[23]

Pos këtij aspekti të veprimtarisë në fushën e standardizimit të shqipes, puna e Çabejt në normimin e shqipes ishte hetuar ndjeshëm përmes pjesë-marrjes së tij aktive në hartimin e Fjalorit serbokroatisht-shqip,[24]Fjalorit të vitit 1954, ku ishte „ndër bashkëpunëtorët kryesorë dhe redaktorët“, e i cili fjalor „bëri hapa të rëndësishme përpara për kodifikimin letrar e gramatikor të gjuhës letrare, krijoi kështu një mbështetje të mirë për punën e mëtejshme“,[25] të fjalorëve të ndryshëm e të shumtë terminologjikë, etj.[26]

Me një fjalë, nuk mund të thuhet se Çabej në fushën e stan­dardizimit të shqipes kishte bërë ndonjë punë sa për sy e fa­qe, ashtu kalimthi, apo vetëm për inercion të një pune në fusha të afërta. Më parë duhet të flitet për një angazhim në nivelin e se­riozitetit më të madh. Madje mund të thuhet se në fazën e për­zgje­dhjes së normës së shqipes së njësuar letrare, në të gjitha fa­zat e vendosjes dhe të implementimit të vendimeve në këtë fu­shë nga viti 1947 deri në fund të jetës së tij më 1980, Eqrem Ça­bej ka qenë në grupin më të ngushtë të gjuhëtarëve që kanë ma­rrë vendime për këto çështje. Sa ishin gjallë Kostaq Cipo dhe Alek­sandër Xhuvani, kudo në veprimtari të tilla ata ishin bashkë të tre, më vonë ai bashkëpunoi me Xhuvanin dhe Domin, dhe ve­tëm pas vitit 1956 shtohet Kostallari e më vonë të tjerë. Kjo do të thotë se edhe të tjerët gjatë gjithë kësaj kohe e kanë njehur dhe pranuar Eqrem Çabejn ndër personalitetet më kompetente dhe më të kualifikuara, por njëhe-rësh edhe me vullnet, për të gjy­­kuar dhe për të marrë vendime në fushën e normës së shqipes standarde.

 

Ku lidhen hamendësimet

 

Sa u përket bindjeve dhe pikëpamjeve të përgjithshme mbi botën dhe shoqërinë, orientimeve dhe veprimeve të tij, për aq sa mund të hetohen ato drejtpërsëdrejti apo nga shkrimet, dihet mirëfilli se Eqrem Çabej nuk ka qenë personalitet me pikëpamje politike dhe botëkuptimore komuniste apo të majta.

Meqenëse forcat shoqërore dhe politike që e kanë marrë mbi ve­te çështjen e gjuhës së përbashkët letrare me vendosmërinë më të ma­dhe shoqërore dhe, me mjetet që kanë pasur në dispozicion bren­da organizimit të tyre, i kanë krijuar rrethanat për implementimin e pro­jektit për një gjuhë standarde shqipe kanë qenë forcat e majta sho­qërore (komunistët), të cilat kanë sunduar në Shqipëri dhe ndër shqi­ptarët e ish-Jugosllalvisë mbi 40 vjet, pas rënies së komunizmit, vet­vetiu ka lindur një çështje në këtë mes. Studiues të ndryshëm ka­në bërë vërejtje për sa vijon: meqenëse në Shqipëri udhëheqja ko­mu­ni­ste ishte kryesisht nga Jugu i vendit, pra nga zona që për idiom na­ty­ror ka toskërishten, e cila ka dhe një traditë shkrimi në rrafshin e një varianti të formuar të gjuhës letrare, por e cila në periudhën pas kri­jimit të shtetit shqiptar më 1912 e deri në vitin 1945 nuk e kishte gë­zuar asnjëherë statusin e gjuhës letrare kombëtare, si thuhej atë­he­rë, apo dhe vetëm zyrtare, ndërkohë që varianti letrar i ngritur mbi idio­min natyror të gegërishtes të folur në veri, me një traditë të lashtë shkri­mi dhe me një letërsi të lulëzuar gjatë gjithë kësaj periudhe, kish­te shërbyer si gjuhë zyrtare në shtetin shqiptar (natyrisht, e njo­hur si variant i mbështetur në të folmet e Shqipërisë së Mesme), ndry­shimi i përnjëhershëm që po bëhej tash pas vitit 1945, kur pu­sh­te­tin e kishin marrë komunistët, nuk arsyetohej me ndonjë zhvillim nor­mal, po më tepër shihej si rezultat i imponimeve mbi baza të tjera dhe për qëllime të tjera. Për më tepër, në mënyrën e atëhershme të të men­duarit, të shënuar dhe nga idetë e marksizmit stalinian, ky ndry­shim cilësohej si një këcim, ndërsa teoria e Stalinit për krijimin e gju­hëve letrare kombëtare e mohonte eksplicite rrugën e tillë të kri­ji­mit. Diskutimet dhe ngjarjet në këtë drejtim kanë pasur një dinamikë dhe gjallëri të madhe, janë karakterizuar me polemika dhe shoqëruar me veprime të tjera në fushën e pushtetit dhe të statusit shoqëror të aty­re që kanë marrë pjesë në to. Ka diskutues që thonë se shtrëngesat nuk kanë qenë të vogla.

Më duket se Çabej do ta kishte hetuar vetë që shanset për të shpë­në përpara ndonjë projekt që do të mbante vulën e qartë krijuese të tij, në ato rrethana, nuk kanë qenë të mëdha, prandaj me të drejtë do të ketë parapëlqyer të vepronte ashtu si veproi – duke ndihmuar thel­bësisht krijimin e ngulitjen e normave dhe rritjen e cilësisë së kul­turës së shprehjes. Në mos për tjetër, ai dinte për projektin e har­tuar nga S. Riza më 1944. Sipas tij, si fazë e ndërmjetme drejt kri­ji­mit të një gjuhe të vetme letrare kombëtare (në një kohë më të gjatë) du­hej të krijohej së pari një pangegnishte, e cila, në shumicën e pi­ka­ve, do t‘ishte e njëjtë me toskërishten letrare, ndërsa aty ku për arsye të strukturave gjuhësore duhet të ndryshojë prej saj do t‘i drejtohej fa­zës më të vjetër prej së cilës u zhvilluan pastaj variantet dialektore. Pa­varësisht nga përparësitë apo mungesat konkrete dhe konceptuale në kuadër të standardit, ky propozim kishte një të metë të madhe: auto­ri i saj nuk kishte prapa vetes mbështetjen e ndonjë shtrese të rën­dësishme shoqërore, prandaj ai projekt as që u mor në diskutim ndo­njëherë.

Në vlugun e fuqive krijuese dhe të punës në vitet ’50-’60 Çabej nuk mund të mos kishte ide dhe nxitje për të propozuar zgjidhje të veten, por as të mos e kuptonte thelbin e mungesave të propozimeve si ai i Rizës, përtej (pa)përshtatshmërive të tij standardologjike. Ai dinte dhe për fatin e S. Rizës. Megjithatë, kujtoj se elementi kryesor që ka ndikuar në rrugën që do të zgjidhte Çabej për të qenë frytdhënës dhe i dobishëm për botën shqiptare është pikërisht orientimi i tij i përgjithshëm dituror me gjerësinë e jashtëzakonshme, e cila i hapte horizonte të tjera.

Standardologu tjetër i rëndësishëm para Luftës II Botërore, Namik Re-ssuli, i ngërthyer në lëvizjet e djathta dhe fashiste në Shqipërinë e atëhershme, tashmë kishte ikur në Itali.

Nga ana tjetër, pushteti që po krijohej me siguri do të ketë pa­sur nevojë dhe do të ketë dashur t‘i ketë shërbimet shkencore dhe të dijes të Çabejt, sepse dijetar tjetër të nivelit të tij në fu­shën e lingvistikës thjesht nuk kishte. Me punën e tij të pa­lodh­sh­me e shumë frytdhënëse në fushën e studimeve albanologjike, Ça­bej menjëherë kishte e dëshmuar potencialin e tij të jash­të­za­kon­shëm. Vetëm një pushtet krejtësisht injorant do të hiqte dorë nga shërbimet që do t‘ia bënte ai shkencës kombëtare.

Duhet të themi këtu që ata që bëjnë vërejtje në frymën që ce­këm më sipër pandehin ose më tepër lënë të kuptohet se Çabej nuk kishte menduar që çështja e një gjuhe të vetme letrare kom­bë­tare mund të zgjidhej në atë mënyrë dhe me ato ritme që pro­jek­tonin dhe supozonin ‘establishmenti politik dhe dijetarët në shër­bim të tyre’, por se Eqrem Çabej ka qenë i shtrënguar të paj­to­hej me vendimet që janë marrë, sepse ka qenë nën trysni të va­zh­dueshme politike dhe tjetër. Për ta ky do të ketë qenë elementi krye­sor. Mua më duket se çështja është pakëz më e ndërliqshme.

 

Midis ‘racizmit’ dhe ‘antipatriotizmit’

 

Më duket se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me pikëpamjet e Çabejt në fushën e gjuhës letrare kanë nisur me interpretimin e kritikave ideologjike që i janë bërë Eqrem Çabejt në vitet ’50. Në janar të vitit 1952 në Tiranë u mbajt Konferenca me temën „Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona në dritën e këtyre veprave“. Në atë konferencë u shtrua diskutimi për nevojën e vendosjes së një gjuhe të vetme letrare kombëtare shqipe. Kritikat e përgjithësuara, por me piketim të qartë, ishin bërë së pari në diskutimet e Asamblesë së Institutit të Studimevet më 1950: „në çështje të gjuhës edhe kemi pikëpamje të gabuara; ka njerës këtu tek ne që s’njohin asgjë nga punimet e linguistikës sovjetike… dhe mbrojnë ide si ato të linguistikës ideogjermane, teori me baza idealiste-raciste. Edhe nuk u është bërë një kritikë e guximëshme atyre të huajve që kanë studiuar gjuhën tonë dhe kanë shkruar vepra mbi të“.[27] D.m.th. akuza shtrihej në: mosnjohje të lingvistikës sovjetike dhe mbrojtje të ideve ideo-gjermane (indo-gjermane), që qenkan teori raciste.

E. Çabej ishte përgjigjur ndaj implikimeve dhe in­vek­ti­va­ve të akuzave të tilla duke referuar dijetarë sovjetikë si Rozalija Shor (1894-1939), për të cilën pastaj atij i ishin dhënë shpjegime du­ke „saktësuar“ se Shor paskish pasur pikëpamje të Sosiurit (!) dhe se pikëpamjet indoevro-piane shpënëkan në racizëm.[28]

Në Konferencën e vitit 1952, pasi të jenë kritikuar „lin­gui­s­tët borgezë“ si Gustav Majer[29] e të tjerë që, „pa e studjuar the­llë­sisht pasurinë e leksikut të gjuhës sonë, thanë se shqipja është e vobegët në fjalë origjinale, një gjuhë e përzierë“, ishin vënë në pah dhe gabimet e linguistëve tanë si Eqrem Çabej, „i cili, duke traj­tuar historinë e gjuhës shqipe, merret kryesisht e së tepërmi me origjinat e huazimet që shqipja mori nga gjuhët e tjera, më­ny­rë antipatriotike kjo që e paraqit gjuhën tonë vetëm nga ana pa­sive duke lënë mënjanë historinë e mbrendshme të saj, ese­n­cën e veçorive specifike të saj si gjuhë e veçantë, studimin e fon­dit leksikal e të sistemit gramatikor origjinal“, për të vazhduar më tej: „te këta njerëz nuk ekziston një thërrime patriotizmi… pë­rulen verbërisht përpara t’ashtuquajturvet autoritete të gju­hë­si­së borgeze të perëndimit që janë marrë me gjuhën shqipe. Këta ja­në kosmopolitë dhe si të tillë ne duhet t’i luftojmë[30] (thek­si­met janë shtuar).

Kështu, brenda një kohe të shkurtër, për studimet e tij në fu­shën e historisë së gjuhës shqipe, të historisë së letërsisë e të kul­turës,[31] Eqrem Çabej bëhej objekt kritikash të rrepta ideo­lo­gji­ke në dy skaje vështirë të pajtueshme midis tyre. Në njërën anë, kritika i drejtohej për shkak të implikimeve dhe ha­me­n­dë­si­me­ve që ishin bërë atëherë në një shtresë mendimtarësh mar­ksi­s­të mbi gjuhën lidhur me teoritë e periudhës krahasimtare-his­to­ri­ke dhe të junggramatikanëve për burimin nga një gjuhë e vetme pa­ra-indoevropiane e gjuhëve të ashtuquajtura indoevropiane, dhe e gjithë kjo sidomos e lidhur me zënkat gjithsesi periferike për emërtimin „indogjerman“ apo „indoevropian“ (në gjer­ma­ni­sh­ten përdorej termi Indogermanisch dhe kjo lidhej me na­cio­na­liz­min gjerman). Në kohën e marizmit në BRSS këto kritika ki­shin qenë rrënimtare dhe mbështeteshin në kritikën e aspekteve na­cional(ist)e në favor të horizonteve universale klasore. Me­qe­në­se Çabej kishte mësuar te përfaqësuesit e shkollave gjuhësore me trashëgimi krahasimtare si Paul Kretschmer dhe Norbert Jokl, edhe më shumë, meqenëse në studimet e tij ndiqte në vijat the­melore metodat dhe orientimet konceptuale të gjuhësisë kra­ha­simtare-historike të mësuara në botën gjermane, e cila tashmë ki­shte pësuar debaklin e përgjithshëm pas përmbysjes së na­ziz­mit, hamendësohej, pa pasur nevojë të dëshmohej, se ai ishte i in­fektuar dhe po i zhvillonte më tej idetë e tilla ideologjikisht të he­dhura poshtë madje as pa pasë bërë ndonjë inspektim teoriko-kon­ceptual në një hapësirë të re, ku as që mund të dyshohej se kon­ceptet marksiste nuk po mbisundonin. Dhe pikërisht në mos­kup­timet lidhur me kritikat që ishin bërë ndaj teorive indoevro-pia­ne (indo-gjermane), njerëz gjithsesi diletantë në këtë drejtim nuk e kishin vështirë të kalonin nga përcaktimi indo-gjermane tek ndryshimi ‚i vogël‘, por indikativ, ideo-gjermane. Në fushën e shoqërimit të ideve këtu sikur lihej të kuptohej se fjala ishte për një nacionalist radikal.

Kur Çabej kishte provuar t‘i refuzonte imputimet e tilla du­ke referuar autoritete nga bota sovjetike si Rozalija Shor, i thu­hej se R. Shor paskish qenë kritikuar si përkrahëse e ideve të Fer­dinand de Saussure-it, që edhe më vonë cilësohej formalist, bor­gjez, etj.

Në anën tjetër, kritika derivohej mbi një bazë tjetër: Çabej me­rrej me aspekte të veçanta të studimeve historike të shqipes, me etimologjitë, fushë në të cilën ai shkonte në rrugën e stu­diue­sit gjerman G. Meyer, i cili, sipas kritikuesit, kishte pasur vle­rë­si­me të gabuara për fondin vendës të fjalëve të shqipes dhe ki­sh­te nxjerrë përfundimin se shqipja ishte një gjuhë me përzierje jo të vogla. Gabimi i Çabejt, thuhej atje, ishte se ai vazhdonte të na tre­gonte se shqipja paskish shumë elemente të huazuara dhe pak fja­lë origjinale. Antipatriotizmi i tij qëndrokish në faktin se ai gju­hën tonë e paskish parë kryesisht nga aspekti pasiv marrës dhe se këtë gjë ai e paskish bërë për shkak të raportit përulës që pas­kish pasur ndaj ‚t‘ashtuquajturvet autoritete të gjuhësisë bor­gjeze të perëndimit‘. Në mbështetje të aspektit të dytë më tej ai aku­zohej si kosmopolit. Natyrisht, mëtesa dhe veshja ideo­lo­gji­ke e termave si ‚racizëm‘, në njërën anë, dhe ‚kosmopolitizëm‘, në anën tjetër, as që lënë hapësirë për të hetuar kundërtitë even­tua­le në kritikat që i bëheshin Çabejt.

Çabej e kishte refuzuar cilësimin për „antipatriotik“, duke tre­guar madje se ishte i pari që po vinte në dukje elementet që jep­te shqipja në gjuhët e tjera, dhe në të njëjtën kohë kishte kun­dër­shtuar thjeshtësimet që bëheshin lidhur me „mosekzistencën e dialekteve në shqipen“.

 

Zhvillimi i konceptit vetanak

 

Në këtë vazhdë ai kishte ndërhyrë të shpjegonte se më herët dallimet midis dy dialekteve të shqipes kishin qenë më të vog­la në kuptimin që kishte më shumë konvergjencë midis tyre, pran­daj edhe përligjej kërkimi i mëtejmë i konvergjencës. Këtë ide ai e ka paraqitur dhe në Parathënien për veprën e Buzukut më 1968: „Nga pikëpamja e historisë së shqipes kemi të bëjmë me një gegërishte të shekullit XVI: kjo si e tillë përfaqëson një shkallë gjuhësore, në të cilën nuk ishte kryer ai zhvillim që e largoi më vonë këtë dialekt nga tipi i përbashkët i gjuhës e njëkohësisht dhe nga toskërishtja. Për këtë arsye historike e për punën që autori ynë i përket pas gjase një krahine periferike e si e tillë gjuhësisht konservatore të Veriut, gjuha e tij na para-qitet me disa tipare, që njëkohësisht duke qenë të një shkalle të mëparme të gegërishtes, e afrojnë me ligjërimet e toskërishtes e shpeshherë me ato të kolonive të Greqisë e t‘Italisë me Lekë Matrangën në krye“.[32]

Lidhur me projektin e përcaktimit të një gjuhe unike letrare kombëtare shqipe E. Çabej me atë rast kishte kërkuar të bëheshin dy gjëra themelore:

1. Të mblidhej materiali dhe

2. Të studiohej mirë ai material, vetëm pastaj mund të arrihej një zgjidhje.

„Përsa i përket çështjes së dytë, problemit të një gjuhe shkrimi të përbashkët, dhe drejtimit që do të marrë kjo në të ardhmen, mua më duket se gjithë kjo çështje do të shtrohet kryesisht në këto dy drejtime: në lidhje me të dy dialektet kryesorë të shqipes dhe në lidhje me punën e ortografisë“.

Përtej thjeshtësimeve të skajshme të kujdestarëve ideorë, Çabej, gjithë duke i refuzuar imputimet e tyre gjithsesi jodashamirëse, përpiqej ta çonte tërë çështjen teorikisht më tej përmes zhvillimeve më të kuptimshme dhe frytdhënëse. Kështu interpretimi i thënieve të tij të mësipërme tregon se ai mendonte që duhej të vazhdonte puna në planifikimin e bazës (dialektore) dhe të statusit të gjuhës letrare kombëtare, në një anë, dhe në planifikimin e korpusit të rregullave drejtshkrimore e gramatikore, në anën tjetër, pikërisht ashtu siç procedohet sot në të gjitha analizat sociolingvistike të çështjes.

Lidhur me elementin e parë deri sot nuk kam arritur të shoh të jetë marrë seriozisht eksplicite Eqrem Çabej. Ndërkaq me të dytin është marrë vazhdimisht dhe në mënyrë shumë aktive. A thua pa ndonjë lidhje midis tyre?

Për të evituar moskuptimet duhet të shënojmë poashtu se po në vitin 1952 Çabej kishte theksuar: „Me formimin e shtetit shqiptar edhe gjuha shqipe ka marrë dhe ka për të marrë edhe më shumë një zhvillim tjetër, një zhvillim konvergjent të dialektevet. Dhe kjo rrugë duhet të ndiqet, sepse një shtet unitar nuk mund të mendohet pa një gjuhë unitare. Këtu s’e kam fjalën për një gjuhë letrare të vetme, sepse shkrimtarët mund të vazhdojnë të shkruajnë në dialektin e tyre, po është punë për një gjuhë n’administratë, nëpër tekstet shkollore, e tjera“ (theksimet tonat, r. i.). Pra, Çabej krijimin e një gjuhe të njësuar e shihte gjithnjë të domosdoshëm në një shtet unitar.

Por menjëherë pastaj, pavarësisht nga kritikat që i qenë bërë, tërë çështjen e linte pezull përmes pyetjes domethënëse: „Si do të vëmë në bazë njërin nga dy dialektet, kur nuk janë studjuar mirë as njëri as tjetri?“

Më 1952 Çabej vinte në dyshim një rrugë të krijimit të një gju­he unike dhe jo domosdonë që rrjedh nga fakti se ishte kri­juar tashmë një shtet unitar. Pra, ai çështjen e gjuhës së njësuar e li­dhte me krijimin e shtetit dhe gati si funksion të tij. Çabej do të mba­nte qëndrim të ngjashëm edhe më vonë po atë vit në Kon­fe­re­ncën tjetër për gjuhën, ku paraqitej një propozim konkret për gju­hën unike me bazë në toskërishten, por me elemente të rën­dë­si­shme të gegërishtes, si psh. infinitivi. Çabej as atëherë nuk ki­sh­te hequr dorë nga kërkesa e tij për mbledhjen dhe studimin e ma­terialit, sepse ai mendonte që e tërë çështja duhet të gjejë zgji­dhje më të natyrshme nga ç‘supozonte trysnia e diskutimeve në ato konferenca, vetëm pasi të jetë njohur i tërë thesari.

Ai gjithsesi e dinte se të gjitha këto çështje janë më komplekse dhe se varen nga shumë faktorë. Madje mund të thuhet se në këto diskutime ai nuk merrej në radhë të parë as kryesisht me (mos)pajtimet eventuale, ndonjëherë evidente, me ndonjë koncept të paraqitur atje, po me shpalimin e konceptit që kishte vetë.

Më 1972 ai këto ide do t’i rimerrte, duke shprehur mendimin se zakonisht gjuhët e përbashkëta të shkrimit e të literaturës ndërtohen mbi një bazë dialektore, por duke theksuar njëherësh se më shpesh „si faktorë vendimtarë dalin prestigji i një epërsie politike dhe të tjera arsye jashtë-gjuhësore“, madje se në rastin e shqipes „shtysa kryesore erdhi nga ana e këtyre fuqive“ jashtëgjuhësore. E gjithë kjo mund të lexohet dhe si një arsyetim për çka kishte ndodhur ndërkohë, po edhe si eksplikim i konceptit të tij të gjuhës unike si funksion i shtetit unitar. Në të njëjtën kohë, Çabej e ndjente nevojën që, ndoshta dhe si përforcim, të theksonte se përtej caqeve shtetërore, gjuha e përbashkët „mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës të bashkësisë që e flet“. Kjo do të thotë se ai sugjeronte që zgjidhja përfundimtare të ndërlidhej me fatin tejshtetëror (në kuptimin e shtetit unitar të Shqipërisë ekzistuese) të kombit shqiptar.

Si e tillë ajo del përmbi dialektet. Si në çështje të tjera, ai këtu kërkonte „njësi në ndryshueshmi“. Në këtë vazhdë ai i nxirrte tri aksiomat e tij të njohura në rrugën e ndërtimit të normës së shqipes letrare:

1. Thjeshtimi i strukturës fonetiko-gramatikore dhe pasurimi i leksikut;

2. Konvergjenca;

3. Mbështetja në gjuhën e gjallë, të cilat e bënin të pohonte shkurt e qartë: gjuha e përbashkët letrare nuk duhet të jetë dialektofobe.

Lidhur me aksiomën e parë, mund të thuhet fare qartë se Çabej kishte punuar shumë seriozisht derisa po merrej me përzgjedhjen e korpusit drejtshkrimor: nuk është vështirë të vërehet se struktura fonetike, sidomos, po dhe ajo gramatikore, e idiomave natyrore të shqipes, posaçërisht të gegërishtes, është larg më e begatshme dhe më e ndërliqshme nga ajo që kemi për gjuhën e njësuar letrare, në një anë, dhe në anën tjetër, njajo strukturë e thjeshtuar fonetiko-gramatikore duhet të begatohet me elemente jo të pakta me prejardhje pikërisht nga idiomat që për shumëçka mbesin jashtë orbitës „gjuhë letrare e njësuar“ në fushën fonetiko-gramatikore.

Aksioma e konvergjencës te konceptet e Çabejt lidhet me zhvillime të përgjithshme të shqipes që shpien drejt njësimit të saj dhe jo drejt ndarjeve të mëtejme.

Pak më shumë vështirësi paraqiste aksioma që pa­ra­shi­kon­te „mbështetjen në gjuhën e gjallë“, sepse kjo e fundit në ato ko­hë ishte detyrimisht dialektore. Çabej, ndërkaq, nuk i refuzonte im­plikimet që mund të kishte kjo gjendje në shqipen e për­ba­sh­kët letrare, po refuzonte pikërisht "dialekt-fobinë", e cila, nuk do mend, po lëshonte rrënjë.

Në këtë refuzim të tij të dialektfobisë, me limitimet që kishte vënë më herët përmes përcaktimeve si ‘gjuhë zyrtare’, etj., Çabej vetëm sa s’e kishte bërë hapin e mbrojtjes publike të së drejtës për të shkruar gegërisht.

S. Riza më 1936, në një si mbrojtje të së drejtës për ta shkruar toskërishten, kishte botuar artikullin problematizues „Shqiponja dhe shqipja“, në të cilin mbronte idenë themelore për dyvariantësinë e shqipes së shkruar, të drejtën për të shkruar toskërisht. Artikullin ai e kishte shkruar toskërisht.[33] Shkrimin e përmendur linguisti gjakovar e përfundonte kështu: “Për hatër të një begatie idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografie më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’evolvuar drejt shprehjes analytike, dhe sado anëtar të jem - për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomie të njëllojshëme dhe të një homogjeneiteti në cipët nuk munt veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëvet dhe të mbrothësisë së publikut tosk, toskërishteja të mos jetë destinuar të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do t’a kemi me dy kryedialekte”.[34]

Në kohën kur gjuhë zyrtare në shtetin shqiptar ishte gegërishtja, sipas S. Rizës, variacionet evidente dialektore heshten “nga që (disa) duan të praktikojnë politikën e urtë të save e kanë për parim të heshtin mbi çka na përçan dhe të theksojnë çka tek ne dëshmon unitet ethnik. Për të qënë një komb i vetëm, mendojnë këta zotërinj, është punë e domosdoshme të kemi një gjuhë të vetëme. Që elementi gjuhësor mirret si kriterium nacionaliteti, si shënjë dallonjëse e çdo kombësie të vërtetë, dhe që njësija gjuhësore është parapandehja e njësisë kombëtare, asnjeriu nuk mund t’i vejë mëndja t’a vërë këtë në dyshim. Mirë po gjer tashi, në vëndin t’ënë, mbi këtë pikë ka mbretruar mosmarrveshja m’e përvajtuarëshme: tjatër është gjuha, tjatër dialekti, tjatër shqipja tjatër toskërishteja e gegërishte-ja!".  Protesta e tij kishte të bënte me të kuptuarit se ka një të vetme gjuhë shqipe, por dy kryedialekte.[35]

Të kthehemi te Çabej.

Në frymën e diskutimeve të tij dhe vlerësimeve kundër dialektofobisë në Kongresin e Drejtshkrimit, duke kërkuar tolerancën, gjerësinë dhe përgjegjësinë e të gjithëve, Çabej theksonte: "Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mija veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare". Dhe kjo flet pakëz ndryshe nga interpretimet e bëra nga kritikët.

Kjo domethënë se Çabej shqipen e përbashkët letrare tash e shihte si varietet mbi variantet (para)ekzistuese letrare që mbështeteshin në ndonjërin prej idiomave natyrore dhe mbase prandaj në kritikën e tij të butë shkonte vetëm deri aty sa të kërkonte tolerancë më të madhe për varietetet e tjera, që përmes implikimeve identitare të idiomit natyror mund të lidheshin me elemente jashtë gjuhës, si rajoni, apo diçka tjetër.

Nga të gjitha këto nuk mund të nxirren përfundimet e sugjeruara dhe ashtu të thjeshtësuara, dhe vetëm ato, në pyetjet që parashtruam në fillim, po më parë se te Çabej kemi të bëjmë me një të menduar në lëvizje dhe shumë më të ndërliqshëm, më të begatshëm.

Meqenëse, siç na mësojnë teoritë për gjuhët standarde, përzgjedhja e korpusit, kur është fjala për standardizimin, ka implikime serioze në vetë zgjedhjen e bazës dhe të funksionit të një gjuhe, dhe e kundërta, çka mund të thuhet lidhur me punën e Çabejt në këtë drejtim?

Me sa kam parë, në fillim Çabej ishte shprehur dhe në mënyrë eksplicite për zgjedhjen e të folmeve të Shqipërisë së mesme si bazë për gjuhën e përbashkët letrare. Është e vërtetë se ai atë (pra shqipen me bazë në të folmet e Shqipërisë së Mesme) nuk e kishte shkruar vetë kurrë. Dhe më vonë ai me një çështje të tillë nuk ishte marrë konkretisht asnjëherë.

Puna e tij kryesore në fushën e standardizimit kishte të bënte me zgjedhjen e korpusit dhe me ngritjen e shkallës së kulturës së shprehjes. Si duket puna e Çabejt në këtë drejtim?

Meqenëse shqipen e përbashkët letrare ai e shihte mbi varietetet e tjera dhe meqenëse ngulte këmbë në idenë e konvergjencës, për të cilën ka folur dhe në raport me zhvillimet historike të shqipes nga Mesjeta e tëhu, veprimtaria kryesore e Çabejt në këtë fushë qëndronte në përzgjedhjen e kodit minimal të përbashkët për të dy dialektet. Kjo, natyrisht, do të çonte detyrimisht drejt përjashtimit të disa elementeve partikulare të gegërishtes në fushën fonetike: siç dihet, gegërishtja ka zanore hundore, të cilat nuk i ka toskërishtja; gegërishtja ka rregullisht gjatësi funksionalisht dalluese të zanoreve, ndërsa toskërishtja vetëm margjinalisht. Por, përzgjedhja e bërë kështu në një hapësirë sistemore a nuk të detyron të veprosh ngjashëm dhe në hapësirat e tjera? Kjo përzgjedhje, bashkë me rotacizmin me natyrë vetëm distributive, por me pasoja largvajtëse në strukturën e fjalës, dhe me polifunksionalitetin e ë-së, reflektohen në përzgjedhjen e strukturës morfologjike, e ato pastaj në fushën sintaksore, etj.

Është iteresant të rikujtojmë se valët e të menduarit, pavarësisht nga formulimet dhe nga gjuha teknike, ishin të ngjashme gjithandej në atë kohë: në Mbledhjen gjuhësore të Prishtinës më 1952 theksohej në mënyrë të veçantë eliminimi i „evolutave partikulariste“ si një nga kriteret për përzgjedhjen e elementeve të shqipes letrare të shqiptarëve të Jugosllavisë. Çabej kishte ngulur këmbë që e gjithë begatia leksikore e shqipes të trajtohej si e përbashkët. Epo, kjo kërkohej eksplicite dhe në Prishtinë, ku më 1952 konsiderohej normale që baza dialektore e gjuhës letrare për shqiptarët e Jugosllavisë duhej të ishte gegërishtja.

Por, sa i përket strukturës gramatikore, Çabej nuk ka zhvilluar ndonjë diskutim të veçantë, ta zëmë, lidhur me infinitivin. Çabej kishte ngulur këmbë sidomos në fushën e kulturës së gjuhës dhe aty ka merita të veçanta. Të gjitha këto e theksojnë edhe një herë natyrën e tij dhe qëndrimet afruese dhe ndërtuese.

 

A e kishte marrë me mend Çabej fatin e Polivanovit?

 

Duke folur për Ortografinë e vitit 1956, të cilën e hartoi Komisioni i plotësuar me M. Domin dhe A. Kostallarin, pasiqë ndërkohë kishte vdekur K. Cipoja, Arshi Pipa[36] pohonte se Kostallari në fakt në atë Komision sillte diktatin e Partisë. Dhe kjo, kur ke parasysh çka është thënë për Kostallarin pas vdekjes së tij në Tiranë, mund të jetë e saktë. Në të vërtetë, më herët në librin e tij Pipa kishte shënuar se në Fjalorin e vitit 1954 kishte vërejtur numër të lartë fjalësh dhe frazeologjish gege për shkak se, sipas supozimit të tij, Çabej e kishte refuzuar trendin zyrtar për unifikimin e gjuhës duke eliminuar gegërishten letrare, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit hartues ishin gegë. Dhe „nuk është për t’u habitur që anëtarët e tjerë (e ka fjalën për anëtarët e komisionit për Ortografinë e vitit 1956, r.i.), përfshirë Çabejn dhe Xhuvanin, u shtruan. Nëse nuk kishin dëgjuar ç’kishte ngjarë me Polivanovin, mund ta merrnin me mend“.[37]

Aludimi me Polivanovin ka të bëjë me praktikën e hidhur të ndëshkimeve në BRSS për ata që nuk përkuleshin para teorive zyrtare. Evgenij Polivanov (1891-1938), orientalist i shquar rus, me interpretime sociologjike për gjuhët, të cilat janë vlerësuar me interes, por të cilat nuk përputheshin me pikëpamjet zyrtare të Nikolaj J. Marrit (1864-1934), të cilat bënin ligjin, prandaj ishte ndjekur së pari me syrgjyn në Azinë Qendrore pa leje botimi, për të qenë i burgosur më vonë. Polivanov u rehabilitua më 1963.

A mund të flitet për diçka të ngjashme në rastin e dijetarit to­në të shquar? Nëse është fjala për ta treguar vrazhdësinë e re­gji­mit, mund të gjinden për këtë shembuj dhe raste më të për­sh­ta­t­shme. Dihet mirë se ai regjim ka ndëshkuar në mënyra të ndry­shme shumë intelektualë. Ndër ta dhe tashmë të për­me­n­du­rin S. Riza, por më parë për arsye të rendit politik të paderivuar.

Megjithatë, a ishin Çabej e sidomos Xhuvani në vitet '50 në situatë që të frikësoheshin nga ndëshkime të tilla dhe të konformoheshin deri në atë shkallë? Mendoj se puna do shtruar ndryshe, sepse veprimtaria e tyre flet ndryshe.

Në përgjithësi Çabej e thoshte mendimin e tij hapur, qoftë edhe në çështje me implikime dhe politike. Gjatë Luftës II Bo­të­ro­re, italianët më 1942 dhe gjermanët më 1943 i kishin pro­po­zuar të bëhej ministër i arsimit në Tiranë në qeverinë kuislinge, por ai kishte refuzuar. Demiraj citonte nga autobiografia e Ça­bejt fjalinë vijuese: „Kam hedhur poshtë çdo propozim për ba­sh­kë­punim me të huajin, çdo gjë që nuk pajtohej me nderin tim si shqiptar dhe me të mirën e vendit e të popullit“.

Dhe më tutje ai citonte një fragment dokumenti në të cilin shihet reagimi i Çabejt në një situatë të ngjashme: „Ju lutem, në mënyrë miqësore, të keni mirësinë e të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare. Arsyeja e kësaj kërkese është se si mis i këtij Instituti figuron Atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare...“, letër me të cilën i drejtohej Kryetarit të Institutit më 1942.[38] Ngjashëm ai kishte reaguar dhe në situata për të cilat ata që kanë hedhur pandehmën për rezervat thelbësore të Çabejt në drejtim të rrugës së formimit të shqipes letrare të përbashkët kanë menduar se duhet të kenë shkaktuar frikë: më 1952 edhe pas kritikave aspak benjine, ai e artikulonte mendimin e tij fare qartë e prerë.

Megjithë mospajtimet dhe luftërat që zhvilloheshin në këtë fu­shë, ai kishte marrë pjesë vazhdimisht dhe shumë seriozisht në pu­nën standardi-zuese për shqipen më shumë se 4 dekada. Ai ka qe­në ndër figurat kryesore në punën konkrete në këtë fushë dhe jo vetëm personalitet që kësaj çështjeje ia rriti peshën me auto­ri­te­tin e tij shkencor. Prandaj assesi nuk mund të nxirret për­fun­di­mi se ai mund të kishte pasur ndonjë bindje tjetër për zhvillimet në fushën e standardizimit të shqipes, sidomos lidhur me zgje­dh­jen e bazës dialektore të shqipes së përbashkët letrare, e të cilën nuk paskish guxuar, ose nuk paskish dashur, ta thoshte.

Së pari, pavarësisht nga citatet që mund të shkëputen në favor të mendimit të mësipërm, nuk është e vërtetë se Çabej nuk pajtohej në thelb me rrugën se si u zgjidh çështja e gjuhës së njësuar. Ndryshe, tek ai do të duhej të supozonim shkallë shumë të lartë hipokrizie, çka nuk pajtohet me karakterin e Çabejt. Në anën tjetër, në vitin 1956 ai ishte tashmë 48 vjeç, ndërsa Xhuvani 76 vjeç. Nga se do të frigohej Xhuvani? Dhe ka pasur të tjerë që në punë të gjuhës e kanë shprehur mendimin e tyre të kundërt hapur, por nuk kanë përfunduar si Polivanov, natyrisht, as kanë qenë ashtu të rëndësishëm.

Për një mendim të tillë duhen më shumë argumente se përmendja e fatit të Polivanovit në Rusi, për të cilin Çabej gjithsesi dinte. Në të njëjtën kohë, të gjitha këto shtrojnë nevojën e sqarimit deri në fund të fatit të Selman Rizës.

 

Përtej përvetësimeve marksiste-leniniste

 

Eshtë e sigurt se Çabej nuk pajtohej me shumëçka në idetë dhe në veprimet e establishmentit në Shqipëri pas Luftës II Bo­të­rore, se nuk ishte i zjarrtë në përkrahjen e regjimit, se kishte ide shumë të ndryshme në gjuhësi nga ato që ishte zakon të qu­he­shin „gjuhësi marksiste-leniniste“, qofshin dhe shqiptare, se, më në fund, kishte orientime shumë të ndryshme vlerore nga të Ko­s­tallarit me shokë. Megjithatë, Eqrem Çabej ishte pje­së­ma­rrës në shumë prej rrjedhave intelektuale dhe përgjithësisht je­të­so­re në Shqipërinë e asaj kohe me vullnetin e tij, ose të paktën nuk kishte gjetur motivim të mjaftueshëm për të kërkuar rrugë të tjera. Kush e njeh veprën e tij në tërësi dhe kush e ka njohur vetë Ça­bejn, natyrisht, e ka vështirë t‘i marrë seriozisht fjalët që janë bar­tur si të tij në kuptimin e shprehjes së bindjeve të tij jetësore me rastin e shënimit të 70-vjetorit të tij të lindjes në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.[39]

Kjo është afërsisht koha kur dhe ai që merrej si eksponenti i Partisë në gjuhësinë shqiptare, A. Kostallari ia njihte Çabejt me­ritat e dorës së parë: „Nga pikëpamja e përpunimit të pro­b­le­me­ve teorike të gjuhësisë së përgjithëshme dhe sidomos të pro­ble­meve teorike të shqipes, një interes të veçantë – në shekullin to­në – përfaqësojnë veprat gjuhësore të Eqrem Çabejt“.[40]

Siç mund të shihet nga titujt e shkrimeve për të pas vdekjes së Çabejt, vlerësimet e përgjithshme gjithandej ishin superlative. Në nekrologun zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe të Akademisë së Shkencave[41] theksoheshin dy elemente:

1. „Në konferenca e kongrese kombëtare e ndërkombëtare, prof. Eqrem Çabej ka përfaqësuar denjësisht shkencën shqiptare, duke e ngritur lart prestigjin e saj.“ dhe

2. „Partia dhe Pushteti Popullor e kanë vlerësuar lart veprimtarinë e pasur dhe punën e palodhur të prof. Eqrem Çabejt“.[42]

Ndërsa vetë Enver Hoxha në telegramin që i dërgonte Akademisë së Shkencave, thoshte: „Vdekja e parakohshme bëri që të ndahet nga gjiri juaj njëri nga përfaqësuesit më në zë të shkencës, të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar, anëtari i Presidiumit, Prof. Eqrem Çabej. Me vdekjen e tij shkenca humbi një njeri me aftësi të rralla krijuese, që gjithë dijen e tij e vuri në shërbim të popullit e të atdheut socialist.. (theksimi ynë, r. i.). Prof. Eqrem Çabej punoi pa u lodhur e me pasion të madh për zhvillimin e përparimin e shkencës së gjuhësisë shqiptare dhe të arsimit tonë popullor. Veprimtaria e tij kërkimore shkencore, sidomos mbi origjinën e gjuhës shqipe e mbi gjenezën e popullit shqiptar, është e pasur dhe e gjithanshme. Ajo ka rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Me kompetencë ai ka dhënë një kontribut të çmuar në argumentimin e origjinalitetit të gjuhës shqipe, të autoktonisë së popullit shqiptar në trojet e sotme. Vepra e Profesor Çabejt në fushën e gjuhësisë mbetet një thesar i vyer në duart e studiuesve e të shkencëtarëve të sotëm e të ardhshëm të vendit tonë“.

Dhe nuk mund të mos të bjerë në sy karakterizimi socialist, dhe këmbëngulja në vlerësimin e një teze të caktuar të Çabejt, madje më shumë se tërë një vepër krejtësisht madhore si ajo për studimet etimologjike. Po ashtu bie në sy se theksoheshin aspektet kolektive, sidomos sa i përket funksionit dhe motivit të studiuesit, dhe sikur nuk shiheshin aspektet individuale të personalitetit.

Eqrem Çabej ka qenë një nga krijuesit më të drejtpërdrejtë dhe më të angazhuar të normave të shqipes standarde. Me dijet e tij të pashoqe në fushë të historisë së gjuhës, në fushë të shtrirjes hapësinore të elementeve të ndryshme gjuhësore, në fushë të përdorimeve letrare të shqipes historikisht, në fushë të zhvillimeve gjuhësore me dhe pa ndërhyrje të vetëdijshme shoqërore dhe përgjithësisht në fushë të shkencave lingvistike, ai ka ndikuar ndjeshëm në vendimet që janë marrë lidhur me krijimin e standardit të shqipes në periudhën 1947-1972. Ky ndikim ka qenë më i madh se i të tjerëve, qoftë ndërmjetshëm, për shkak të autoritetit të tij shkencor, qoftë drejtpërdrejt në saje të njohurive të tij pakrahasueshëm më të mëdha. Nuk ka dyshim se, kaq vjet më vonë, idetë e tij në këtë fushë nuk ka nevojë të thjeshtësohen sipas kallëpeve dhe nevojave të sloganeve zyrtare, por as në të kundërtën e tyre.

 


 

 

 

Bibliografi:

 

 

 

 

AJETI, I.: Rruga e njësimit të shqipes letrare, Probleme të gjuhës letrare shqipe dhe të drejtshkrimit të saj (Studime dhe artikuj), Vëll. I, Botim i Komisioinit organizues të Kongresit të drejt-shkrimit të gjuhës shqipe, Tiranë, 1972.

AJETI, I.: Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë, Studime filologjike, Tiranë, 1, 1973.

AJETI, I.: Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-25 nëntor 1972, I, Tiranë, 1973.

AJETI, I.: Albanologut më të madh i ditëve tona, (Me rastin e vdekjes së Eqrem Çabejt), Shkëndija, Prishtinë, 13, 1980, 14.

AJETI, I.: Kolos me kompetenca të gjithanshme shkencore, Rilindja, Prishtinë, 23. 8, 1980.

AJETI, I.: Eqrem Çabej dhe studimet e gjuhësisë shqiptare, Gjurmime albanologjike, SSHF, 26 (17), Prishtinë, 1987, 19-32.

AJETI, I. 1990: Ndihmesa e Çabejt në studimet etimologjike të gjuhës shqipe,Fjala, Prishtinë,10,3.

ALDEGHIERI (1927), Adon: Ortografija shqype, Shkodër, ff. 64.

BAGGIONI (1977), Daniel: Contribution à l’histoire de l’influence de la ‘Nouvelle Théorie du langage’ en France, Langages, 46, Paris, ff. 90-117.

BAGGIONI (1986), D.: Préhistoire de la glottopolitique dans la linguistique européenne de J. G. Herder au Cercle linguistique de Prague, Langages 83, septembre, Paris, ff. 35-52.

BECI (1995), Bahri: Gjuha letrare shqipe dhe baza e saj dialektore, Seminari XVII ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, ASh - IGjL, UP- FF, Eurorilindja, Tiranë.

BLAKU, M. 1980: Nestor i gjuhësisë shqiptare, Fjala, Prishtinë, 15, 1, 8-9.

BUCHHOLZ, O. – FIEDLER, W.: Eqrem Çabej, Zeitschrift fhr Phonetik, Sprachwissenschaft und Kommunikationsfor-schung, Berlin, Band XXXIV, Heft 5, 591-593.

Buletin i Institutit të Shkencavet, nr. 1-2, 1950, Tiranë, 177.

BYRON (1976), Janet: Selection among Alternates in Language Standardization: the Case of Albanian, The Hague.

BYRON (1979), Janet: Language Planning in Albania and in Albanian-Speaking Yugoslavia, Word vol. 30, nr. 1-2, April-August.

ÇABEJ (1973), Prof. Eqrem: Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes, Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, 20-25 nëntor 1972, Tiranë.

ÇABEJ, E., Njësia gjuhësore pasqyron një njësi kulture, intervistë, Drita, Tiranë, 9 shtator 1979, 5, 13.

ÇABEJ, E.: „Meshari“ i Gjon Buzukut (1555), Botim kritik, pjesa e parë, Hyrje dhe transkriptim, Tiranë, 1968.

ÇABEJ, E.: Për gjenezën e literaturës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.

DEMIRAJ, Sh.: Eqrem Çabej, një jetë kushtuar shkencës, Tiranë, 1990.

DEMIRAJ, Sh.: Mësuesi i popullit, profesor Eqrem Çabej, një nga përfaqësuesit më të shquar të shkencës e të arsimit tonë kombëtar, Mësuesi, Tiranë, 20 gusht 1980, 3.

DOMI, M.: Eqrem Çabej për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe për autoktoninë e popullit shqiptar, Eqrem Çabej personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare, MÇM, 1998, 17-23.

DOMI, M.: Gjuhësia shqiptare në 35-vjetorin e çlirimit, Studime filologjike, 4,1979, Tiranë, 3-14.

DOMI, M.: Mbi veprimtarinë shkencore të Eqrem Çabejt,Studime filologjike,1,1979,Tiranë,3-11.

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Komisioni: A. Kostallari (kryetar), M. Domi, E. Çabej, E. Lafe,T., 1973, P.,1974, 323 f.

Fjalor enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985.

Fjalor i gjuhës shqipe, K. Cipo (kryetar), E. Çabej, M. Domi, A. Krajni, O. Myderrizi, Tiranë, 1954, 648.

Fjalor serbokroatisht-shqip, V. Dançetoviq, A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, Tiranë, 1947, 412.

Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë. Materiale të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984, (1988) Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë.

GOKAJ, N.: Pikëpamje dhe qëndrime të Eqrem Çabejt për gjuhën letrare shqipe, Eqrem Çabej – personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare, MÇM, 1998.

Graff (1932), W. L.: Language and Languages, New York-London.

GUESPIN, L. et MARCELLESI, J-B. (1986): Pour la glottopolitique, Langages 83, septembre, Paris,ff. 5-34.

HALIMI, M. Pikëpamjet e Eqrem Çabejt mbi gjuhësinë ballkanike, Fjala, Prishtinë, 8, 1988, 11.

HAMITI, S.: Konceptet letrare të Eqrem Çabejt, Jeta e re, Prishtinë, 6, 1987, 914-922.

HAMITI, S.: Njësia kombëtare dhe njësia letrare, Rilindja, Prishtinë, 10 maj 1990, 12.

HOXHA, E.: Nga fjala në mbledhjen e gjerë me shkrimtarët dhe artistët, Nëndori, 8, 1961.

HOXHA, E.: Telegram Presidiumit të Akademisë së Shkencave, Tiranë 14 gusht 1980, Drita, 17 gusht 1980, 1.

ISMAJLI (1980), R.: Mbi normën gjuhësore, Përparimi, 1, Pri-shtinë, ff. 48-66.

ISMAJLI (1989), R.: Albanski jezik u Jugoslaviji, në GABER, S., KUZ-MANI? T. Ured.) (1989): KOSOVO-Srbija-Jugoslavija, Krt, Ljubljana, ff. 81-109.

ISMAJLI (1991ç), R.: Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë, ff. 450.

ISMAJLI (1994b), R.: Etni e modernitet, Dukagjini, Pejë, ff. 217.

ISMAJLI, R. „Në gjuhë“ dhe „për gjuhë“, Dukagjini, Pejë, 1998.

ISMAJLI, R.: Çabej, historian i gjuhës shqipe, Rilindaj, Prishtinë, 16 qershor 1990, 11.

ISMAJLI, R.: Dija e Çabejt, recension për Sh. Demiraj: Eqrem Çabej, Tiranë, 1990, Koha, 19 dhjetor 1990, ff. 40-43, bashkë me letra të pabotuara dhe fotografi.

ISMAJLI, R.: Krijues i epokës në albanologji (In memoriam: Profesor Eqrem Çabej), Rilindja, Prishtinë, 16. 8. 1980, 11.

ISMAJLI, R.: Kulmet e shkencës, Rilindja, 13. 8. 1983, Prishtinë, f. 14.

ISMAJLI, R.: Kurora e gjuhësisë shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 03. 02. 1973.

ISMAJLI, R.: Kurora e gjuhësisë shqiptare, Shenjë e ide, Prishtinë, 1974, 84-94:

ISMAJLI, R.: Sinteza e Eqrem Çabejt, Rilindja, 15 e 16. 4. 1978, Prishtinë.

ISMAJLI, R.: Sinteza Eqrema Çabeja, Oko, Zagreb, 6-20, 4. 1978, f. 10.

ISMAJLI.(1988), R: Mbi statusin e shqipes standarde në RFS të Jugosllavisë, Thema 10, Prishtinë, ff. 93-122.

KASTRATI, J.: Përpjekjet për një gjuhë të përbashkët letrare kombëtare shqipe në shekujt 19-20, Studime 3,1996, Prishtinë 1997, 203.

KASTRATI, J.: Veprat albanologjike të Prof. Eqrem Çabejt, Buletin shkencor i Institutit Pedagogjik dyvjeçar të Shkodrës, Shkodër,1965,.97-167.

KELMENDI, A. Pasthënie për Studime gjuhësore VII, Prishtinë, 1986, 331-336.

KELMENDI, A.: Eqrem Çabej – kurorë e studimeve albanologjike, Fjala, Prishtinë, 1\15, 1990, 4, 12.

KONDRASHOV (1979), N. A: Istorija lingvistiçeskih uçenij, Moskva, ff. 192-198.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-2 5 nëntor 1972, I (1973), Tiranë.

Konkluzat e Konsultës gjuhësore të 22-23 prillit 1968 (1968), mbajtur në Prishtinë, Përparimi 3-4, Prishtinë.

KOSTALLARI (1970), A.: Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë, Studime filologjike 2, Tiranë.

KOSTALLARI (1971), A.: Mbi tiparet kryesore të shqipes së sotme letrare, Shkencat shoqërore në shkollë, 2, Tiranë.

KOSTALLARI (1973), A.: Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë.

KOSTALLARI (1980), A.: Vepra e Aleksandër Xhuvanit për gjuhën letrare kombëtare, në Studime filologjike, 1, Tiranë, ff. 43-56.

KOSTALLARI (1985), A.: Mësimet e shokut Enver Hoxha – baza e politikës gjuhësore të Partisë e të shtetit tonë socialist, Studime filologjike 2, Tiranë.

KOSTALLARI, A.: Gjendja e studimeve albanologjike në Shqipëri. Problemet dhe detyrat e reja, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore, 4, 1962, Tiranë.

KOSTALLARI, A.: Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973.

KOSTALLARI, Androkli – BULO, Jorgo (1988): Enver Hoxha dhe shkencat filologjike shqiptare, Studime filologjike 4, ff. 3-18.

L’HERMITTE (1969), René: La linguistique soviétique, Langages 15, Paris, ff. 3-13.

LAFE, E.: Eqrem Çabej për drejtshkrimin e shqipes, Eqrem Çabej – personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare, Çabej, Tiranë, 1998..

Langages 15 (1969): (La linguistique en U.R.S.S., R. L’Hermitte), Paris, ff. 133.

Langages 46 (1977): (Langage et classes sociales. Le marrisme, J.-B. Marcellesi, D. Baggioni, J.-C. Dupas, F. Gadet, C. Lelièvre), Paris, ff. 117.

MANSAKU, S.: Kontributi i Eqrem Çabejt në fushën e studimeve etimologjike të shqipes, Eqrem Çabej personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare, Çabej MÇM, 1998, 34-46.

MANSAKU, S.: Mbledhje jubilare me rastin e 70-vjetorit të lindjes së prof. Eqrem Çabejt, Studime filologjike 1, 1979, Tiranë, 198-200.

MARCELLESI (1977), Jean-Baptiste: A propos du marrisme: “Ni cet excès d’honneur, ni cette indignité”, në Langages, 46, Paris, ff. 3-23;

MARCELLESI, J.-B. et GARDIN, B. (1974): Introduction à la sociolinguistique. La linguistique sociale, Paris, ff. 37-8.

MEHMETI, E.: Çabej dhe kultura popullore shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 12. 5. 1990, 13.

Ortografia e gjuhës shqipe, Buletin për ashkencat shoqërore, Tiranë, 1956, 4, 38-65. Komisioni: A. Xhuvani, E. Çabej, A. Kostallari dhe M. Domi.

Ortografia e gjuhës shqipe, Punuar nga A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, Redaktuar nga A. Xhuvani, Buletin i Insitutit të Shkencavet, viti I, 1, 3-10, 39-50, Tiranë, prill 1948.

Ortografia e gjuhës shqipe, Punuar nga A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, Naim Frashëri, Tiranë, 1951, 27.

PIPA, A.: The poliitics of language in socialist Albania, Columbia University Press, New York, 1989.

Projekti i ortografisë së gjuhës shqipe, A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi, T. 1954, 44 f. të shaptilografuara.

PUPOVAC (1986), Milorad: Lingvistika i ideologija, Novi Sad, ff. 161.

RAKA, F.: Eqrem Çabej dhe zhvillimi i gjuhës letrare shqipe, Fjala, Prishtinë, 15, 1983, 5.

RAKA, F.: Kontributi i prof. Eqrem Çabejt për zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, Përparimi, 1, 1984, Prishtinë, 85-94.

RAKA, Fadil: Historia e shqipes letrare, Tetovë, 1997.

RIZA (1936), Selman: Shqiponja dhe shqipja, Përpjekja shqiptare, I, Tiranë, nr. 1.

RIZA (1944), S.: Tri monografina albanologjike, Mesagjeritë shqiptare, Tiranë.

RIZA (1951), S.: Problemi gjuhësuer dhe zgjidhja e tij, Jeta e ré, Prishtinë, 5, ff. 273-276.

RIZA (1952), S.: Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Mustafa Bakija, Prishtinë.

RIZA (1996), S.: Vepra 1, ASHAK, Prishtinë.

RIZA (1997), S.: Vepra 2, ASHAK, Prishtinë.

Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (Projekt), A. Kostallari, E. Çabej, M. Domi. Asistent: E. Lafe., T., 1967, 214 f.

RUGOVA, I.: Metoda kulturohistorike në punimet letrare të Çabejt, Jeta e re, 6, 1987, Prishtinë, 930-936.

SEDAJ, E.: „Meshari“ i Gjon Buzukut në përgatitjen e E. Çabejt, Jeta e re, 1, 1988, Prishtinë, 36-55.

SEDAJ, E.: Kontributi i E. Çabejt në përgatitjen dhe studimin e Mesharit, Shkëndija, 9, 1988, Prishtinë, 12.

SHUTERIQI, Dh. S.: Diskutim në Konferencën për gjuhën, Buletin për shkencat shoqërore, Tiranë, 1952, nr. 1, 52-58.

STATOVCI, D.: Disa çështje etnografike në studimet e E. Çabejt, Rilindja, 9 janar 1988, Prishtinë, 13.

SYLA, F.: E. Çabej për poezinë popullore arbëreshe, Jeta e re, 6, 1987, Prishtinë, 923-929.

Terminologjia akustikës, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 37;

Terminologjia e arkitekturës, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1964, 107.

Terminologjia e botanikës, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 90;

Terminologjia e elektromagnetizmit, shqip-rusisht-frëngjisht, red. L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 88;

Terminologjia e elektroteknikës, shqip-rusisht-frëngjisht, red. L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 156;

Terminologjia e energjisë atomike, shqip-rusisht-frëngjisht, red. L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 35;

Terminologjia e gjeologjisë, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1964, 90;

Terminologjia e kimisë, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 230;

Terminologjia e matematikës dhe e mekanikës teorike, shqip-rusisht-frëngjisht, red. L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 244;

Terminologjia e mekanikës, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 65;

Terminologjia e optikës, shqip-rusisht-frëngjisht, redaktor L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 64;

Terminologjia e termodinamikës, shqip-rusisht-frëngjisht, red. L. Dodbiba, Tiranë, 1963, 64;

TOPALLI, K. 1998: Rreth disa interpretimeve të Eqrem Çabejt në transkribimin e „Mesharit“ të Buzukut, Eqrem Çabej personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare, Çabej MÇM, 69-77.

Vdiq prof. Eqrem Çabej, Njoftim i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës dhe i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë dhe Nekrologji, Bashkimi, 15 gusht 1980.

Vdiq prof. Eqrem Çabej, një nga përfaqësuesit më të shquar të shkencës, të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar, Drita, 17 gusht 1980, 1.

 



[1] Hugo Schuchardt (1842-1927), lingvist austriak.

[2] Norbert Jokl (1872-1942), lingvist komparatist austriak, një nga albanologët më të shquar.

[3] Hermann Paul (1849-1921) lingvist i shquar gjerman i shkollës së Junggrammatikaer.

[4] Holger Pedersen (1867-1953), lingvist i shquar danez, komparatist, albanolog në zë.

[5] Ismajli, 1973. Poashtu Ismajli, 1974, 84-94: Ismajli, 1978. Ismajli, 1978, 10. Ismajli, 1983, 14. Ismajli, 1990, recension për Demiraj, 1990, 40-43, me letra të pabotuara dhe fotografi.

[6] Kundër pseudiofilologëve, ruhet në Arkiv, shih Demiraj, 1990, 220-222.

[7] Pipa, 1989, 132.

[8] Domi, 1979, 5.

[9] Elbasan 1880-1959 Tiranë.

[10] Berat 1908-1985 Torino.

[11] Elbasan 1892-1952 Tiranë.

[12] Gjirokastër 1908-1980 Romë.

[13] Kastrati, 1997, 203.

[14] Kastrati, 1997, 204.

[15] Ortografia e gjuhës shqipe, Punuar nga A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, Redaktuar nga A. Xhuvani, Buletin i Insitutit të Shkencavet, viti II, 1, 3-10, 39-50, Tiranë, prill 1948. Orto-grafia e gjuhës shqipe, Punuar nga A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, Tiranë, 1951, 27. Sipas E. Lafe ka gjasë që ortografia e vitit 1947 të jetë hartuar nga A. Xhuvani, Lafe, 1998, 123. Për botimin e vitit 1951 Lafe supozon të jetë hartuar nga K. Cipo. Aty, 124. Kishin diskutuar: A. Xhuvani, O. Nishani, L. Dodbiba, K. Ashta, K. Koci, O. Myderrizi, M. Domi, A. Buda.

[16] Kastrati, 1997, 106-107.

[17] Bbashkë me M. Domin, L. Dodbibën e J. Kastratin. Projekti i ortografisë së gjuhës shqipe, hartuar nga A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi, Tiranë 1954, 44 f. të shaptilografuara. Shih poashtu Kastrati, 1997, 208.

[18] A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi, O. Myderrizi, Z. Sako, A. Kostallari, P. Geci, S. Floqi, L. Dod-biba, E. Kastrati, Sh. Demiraj, Z. Kodra, K. Koci, M. Gurakuqi, S. Spasse, Dh. Shuteriqi, Ll. Siliqi, A. Puto, M. Reso. Ortografia e gjuhës shqipe, Buletin për ashkencat shoqërore, Tiranë, 1956, 4, 39.

[19] Ortografia e gjuhës shqipe, Buletin për shkencat shoqërore, Tiranë, 1956, 4, 38-65. Komisioni: A. Xhuvani, E. Çabej, A. Kostallari e M. Domi.

[20] Ortografia e gjuhës shqipe, BShSh, Tiranë, 1956, 4, 39, Shënimi hyrës, që mund të jetë i Redaksisë së Buletinit.

[21] Rregullat e drejtshkrimit të shqipes, Komisioni: A.Kostallari, E. Çabej, M. Domi. Asistent: E. Lafe., Tiranë, 1967, 214.

[22] Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Komisioni hartues: A. Kostallari (kryetar), M. Domi, E. Çabej, E. Lafe, Tiranë, 1973, Prishtinë, 1974, 323 ff.

[23] Në Kongres ishte anëtar i Komisionit organizues, në renditjen zyrtare i shënuar i treti pas Androkli Kostallarit (Përmet 1920-1992 Tiranë.) e Mahir Domit (Elbasan 1915-2000 Tiranë) dhe para 16 të tjerëve. Ishte delegat me të drejtë vote në renditje ndër kryesorët pas minisitrit Thoma Deliana (Elbasan), Kostallarit e Domit, e para 83 të tjerëve. Ishte i treti me radhë nga 15 anëtarët e Komisionit për hartimin e Projektrezolutës të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Anëtar i Presidiumit të Kongresit dhe autor i kumtesës: „Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes“. Mori pjesë aktive dhe në diskutimet. Në Rezolutën e Kongresit, tekstin e së cilës e kishte propozuar Komisioni ku bënte pjesë Çabej dhe të cilën e kishte miratuar Kongreesi, ndër të tjera, konstatohej: „Shqipja letrare e kohës sonë ka hyrë tashmë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj, në fazën e kristalizimit të plotë e përfundimtar. Ajo funksionon si një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Kjo shkallë e lartë e zhvillimit kërkon edhe përcaktimin e normave drejtshkrimore sa më të plota, sa më të njësuara dhe të qëndrueshme“. Rezolutë e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-25 nëntor 1972, I, Tiranë, 1973, 185. Në këtë botim është dhënë faksimili me nënshkrime të Rezolutës nga ana e delegatëve të Kongresit, ku Çabej është i katërti me radhë. Aty mungon vetëm nënshkrimi i Lasgush Poradecit në numrin rendor 54.

[24] Fjalor serbokroatisht-shqip, V(ojisllav), Dançetoviq (Vuçitërn1905-1935 Beograd), A. Xhu-vani, K. Cipo, E. Çabej, Tiranë, 1947, 412.

[25] Fjalor i gjuhës shqipe, K. Cipo (kryetar), E. Çabej, M. Domi, A. Krajni, O. Myderrizi, Tiranë, 1954, 648. Shih Domi, 1979, 5.

[26] Çabej ishte bashkautor i Fjalorëve të terminologjisë tekniko-shkencore: Terminologjia e botanikës, 1963; Terminologjia e matematikës dhe e mekanikës teorike, 1963; Terminologjia e energjisë atomike, 1963; Terminologjia e termodinamikës, 1963; Terminologjia e optikës, 1963; Terminologjia akustikës, 1963; Terminologjia e elektromagnetizmit, 1963; Terminologjia e mekanikës, 1963; Terminologjia e elektroteknikës, 1963; Terminologjia e kimisë, 1963; Terminologjia e gjeologjisë, 1964; Terminologjia e arkitekturës, 1964. Fjalorët ishin shqip-rusisht-frëngjisht. Redaktor i të gjithëve ka qenë L. Dodbiba, ndërsa kanë marrë pjesë dhe Xhuvani, Kostallari, Domi, Riza.

[27] Shih raportin për fjalën e M. Ndojës në Buletin i Institutit të Shkencavet, 1-2, 1950, Tiranë, 177.

[28] Zihni Sako (Gjirokastër 1912-1981 Tiranë). Sosyr (Ferdinand de Saussure), linguist zviceran, praraardhës dhe themelues i strukturalizmit në gjuhësi. Në botën sovjetike qysh atëherë ishte kritikuar si borgjez, formalist, idelaist, etj. Edhe emri i tij nga Sako ishte lexuar sipas modelit rus të tejshkrimit.

[29] Gustav Meyer (1850-1900), lingvist komparatist, albanolog i shquar austriak.

[30] Diskutimi i Dhimitër S. Shuteriqi (Elbasan, 1915) në Konferencën për gjuhën, Buletin për shkencat shoqërore, Tiranë, 1952, 1, 52-58.

[31] Sidomos për veprën Për gjenezën e literaturës shqipe të botuar në vazhdime te Hylli i dritës dhe pastaj si vëllim i veçantë.Në Prishtinë u ribotua për herë të parë nga Rilindja: Për gjenezën e literaturës shqipe, 1970, 11-67.

[32] E. Çabej, 1968, 18.

[33] S. Riza, 1936.

[34] Riza, 1944, 228; Riza, 1996, 221-222.

[35] Ky artikull i S. Rizës do të jetë më vonë objekt i kritikave nga Kostallari. Më 1970 Kostallari jepte këtë vlerësim: “Të gjitha këto pikëpamje i kanë çuar mbartësit e përkrahësit e tyre përpara çlirimit në pozita regresive e antihistorike dhe në një skepticizëm të thellë gjuhësor. Këtë skepticizëm e kul-tivuan për qëllime të caktuara politike e ideologjike sidomos krerët e klerit katolik shkodran që në vitet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Një nga organet e këtij kleri shkruante më 1918 se “kan me u dasht qinda vjetsh para se gjuha komtare e jona të çohet m’nji shkallë të madhe e të naltueshme”, ndërsa më vonë, në vitet ‘30, kur po përvijoheshin më qartë mundësitë për formimin e një gjuhe të vetme letrare, drejtuesit e klerit katolik dolën haptas për të mbrojtur përjetësimin e dy gjuhëve dialektore, ose, siç u shprehën ata, për të mbrojtur “rrnesën e djalektevet”. Në thellimin e tij të mëtejshëm ky koncept mohues arriti në fund të fundit deri në përfundimin fatalist se “sikundër shkabën e flamurit e kemi me dy krerë, ashtu edhe gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte”, duke hequr dorë kështu edhe nga përpjekjet për të kërkuar si pikëmbështetje argumente shkencore” (theksimet tonat, r.i.). Kostallari, 1970. Kostallari, madje, kishte pohuar se elemente të teorive të tilla ishin hetuar dhe ndër pjesëmarrës të sesionit të dytë gjuhësor të 1952-së në Tiranë, e më vonë.

[36] Shkodër 1920-Washington 1997.

[37] Pipa, 1989, 133.

[38] Demiraj, 1990, 23.

[39] „Tek ne, vazhdimësia e çdo pune shkencore me formimin teorik të punonjësve tanë është siguruar. Përparimi shkencor është një ndërtesë ku secili vë një gur e mbi të vendojnë gurë të tjerë ata që vijnë më pas. Këto rezultate i detyrohen në rend të parëmetodologjisë marksiste-leniniste. Partia e Punës e Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë udhëheqësi i madh i saj, shoku Enver Hoxha, i kanë kushtuar vëmendje të pandërprerë vënies së studimeve shqiptare në udhë të drejtë dhe kanë krijuar kushtet për mbarëvajtjen e tyre,” Demiraj, 1990, 50-51; Mansaku, 1979, 200, megjithë mbrojtjen që i kishte bërë E. Hoxha më 1961: „Eqrem Çabej është një shkencëtar, njeri me kulturë të gjerë“, Hoxha, 1961, 10. Kastrati, 1965, 97.

[40] Kostallari, 1962, 19. Cituar sipas Kastrati, 1965, 167.

[41] Të firmuar nga: Ramiz Alia, Manush Myftiu, Nexhmije Hoxha, Tefta Cami, Aleks Buda, Foto Çami, Petrit Radovicka, Dritëro Agolli, Nesip Ibrahimi, Kolë Popa, Luan Omari, Androkli Kostallari, Stefanaq Polli, Mentor Përmeti, Mahir Domi, Fejzi Hoxha, Dhimitër Shuteriqi, Odhise Paskali, Resul Zani, Shaban Demiraj, Anastas Dodi, Jorgji Gjinari.

[42] Vdiq prof. Eqrem Çabej, Nekrologji, Bashkimi, 15 gusht 1980.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora