E shtune, 27.04.2024, 07:48 AM (GMT+1)

Speciale

Qemal Murati: Emërtesa etnike shqiptar

E shtune, 27.09.2008, 06:30 PM


Eqrem Çabej
EMËRTESA ETNIKE SHQIPTAR

Nga Qemal MURATI

Rreth emërtesës etnike shqiptar janë dhënë një mal shpje­gi­mesh nga një varg autorësh të shquar, të huaj e të vendit, si G. Majer, M. Lamberci, A. Ch. Chatzis, E. Çabej, Sh. De­mi­raj, I. Ajeti, E. Sedaj etj, po asnjëra prej etimologjive të de­ri­ta­sh­me nuk ka gjetur një miratim të përgjithshëm e të përligjshëm shke­n­­­cor.

Rezultatet e kërkimeve të deritashme rreth prejardhjes së këtij emri, ato më kryesore, mund të përmbledhen në këto teza: 1. Emrim shqiptar G. Majeri e lidh me foljen shqiptoj, e këtë e nxjerr nga lat. Excipio “ndiej, dëgjoj”, kështu që shqiptar vjen të thotë “ai që kupton” (si sloven që lidhet me slovo “fjalë” dhe do të thotë “ai që flet e kupton”). 2. Lamberci këtë emër e bie të ardhur nga shqipja, shqiponja, si emër të një totemi, dhe kjo lidhet me atë se shqiponja konsiderohet si shpend kombëtar i shqiptarëve. 3. Dijetari grek Chatzis emrin shqiptar e nxjerr nga greqishtja e re skippetton “ushkë”, fjalë që vjen prej ital. Schioppetto, kështu që sipas tij shqiptar do të thotë “pushkatar”, khs. Si te mbiemri familjar Tufekxhiu me të njëjtin Pushka në anë të Kosovës etj. 4. M. Shuflaj emrin shqiptar e lidh me emrin e një familjeje Schipudar, Schepudar, Schapudar, Scapudar, që del të përmendet qysh më 1368-1402 në Drisht (Drivastum).

Gjuhëtarët dhe dijetarët e tjerë të mëpastajmë kanë mbë­sh­te­tur dhe kanë përforcuar njërën apo tjetrën nga këto tezat e më­si­përme, kështuqë etimologjia e këtij emri mbetet e pasqaruar përfundimisht dhe pa një zgjedhje fatlume që do të miratohej prej të gjihëve.

Në këtë lëmë do të shënojmë edhe këtë, se as patriarku i albanologjisë shkencore Prof. E. Çabej nuk mban në këtë mes një qëndrim të prerë, po përcaktohet për një rrugë të ndërmjeme – asnjërën teori nuk e hudh poshtë, as nuk e mbështet plotësisht. Gjykimi i Prof. Çabejt më konkretisht anon në këtë, se emri shqiptar u përdor në krye të herës për të caktuar shqipen si gjuhë dhe që prej këndej gjuha duket si u shtri për të quajtur popullin dhe vendin[1]. Kjo tezë, që prej ndajfoljes shqip me kuptimin shqiptoj “flas kuptueshëm”, kjo si një rrjedhesë nga lat. Excipio, të jetë formuar dhe emri etnik shqiptar dhe ai i vendit Shqipëri, deri më tani duket se ka gjetur ithtarë më të shumtë (Sh. Demiraj, E. Sedaj etj)., por ka dhe kundërshtarët e vet.

Në shtjellimin e këtij emri kërkimtarët etimologë metodologjikisht kanë rrahur një rrugë jo të drejtë: së pari këtij etnonimi i janë sjellë së jashtmi, e pastaj së brendshmi, prandaj dhe rezultatet e tyre duhet të pranohen me rezevë. Parimi themelor në etimologji për të sqaruar rrjedhën e një fjale është ky, që së pari fjala duhet të këqyret brenda caqeve të gjuhës përkatëse, brenda fushës së shqipes, e pastaj duhet të kalohet në krahasime të jashtme me të gjuhëve të tjera.

Po t’ i sillemi këtij emri me një rrugë më të drejtë me­to­do­lo­gjike shkencore, pra në hollimin e metodave të kërkimit, si fill drej­timi do të marrim a do të nisim nga këto premisa.

1.       Teza e parë që emrin etnik shqiptar e lidh me foljen lat. Excipi, që duket si më e afërt, në të vërtetë është më e largëta, më e pagjasshmja, nga shumë anë të këtij problemi. Asnjë emër etnik, fisnor apo gjeografik, nuk është krijuar nga foljet e ndajtoljet. Nga ana tjetër, latinizmat i takojnë një shtrese më të vjetër të shqipes, kështu që refleksi latin i shqipes excipio do të duhej të dilte qysh në periodën antike, e me këtë dhe substantivi shqiptar. Leksema shqip e përdour fillimisht me kuptim ndajtoljor “flas kuptueshëm, qartë, kthjellët, haptas, troç”, si refleks i përgjegjëses latine excipio, excipere, nuk është e domosdoshme të lidhet me emrin shqiptar. Këto do të jenë dy fjalë krejt të ndryshme, po të afërta në format e tyre me të cilat krijojnë homonimi të rastit.Vetëm përdorimi i saj i mëvonshëm si mbiemër (gjuhë) shqip i ngjit këto dy fjalë shqip e shqiptar në një të përbashkët. Të flasësh shqip (lat. Excipere) nuk do të thotë patjetër të flasësh “qartë”,kuptueshëm”, por “të flasësh në gjuhën shqipe”, ashtu sikundër dhe të flasësh në këto gjuhë.

2.       Etimologjia e M. Lambercit që emri etnik shqiptar të jetë një rrjedhesë prej emrit të shpendit shqipe, shqiponjë, megjithëse nuk duket të jetë shumë naive, nuk mund të jetë as e drejtë. Zhvillimi do të jetë këtu me konversion, që emri etnik shqiptar do të ketë dhënë emrin e shpendit shqipe, shqiponjë, jo e kundërta.

3.       Zanafilla e emrit shqiptar nga greq. e re skippetton a ital. Schioppetto, me kuptimin “pushkë”, pushkatar”, emërtim mbi bazë të profesionit a të mjeshtërisë që ka ushtruar, që e mbështet tash rishmë dhe Th. Kacori[2] nuk do të ketë një bazë të qëndrueshme, edhe kësaj i mungojnë provat materiale reale. Ç’është e vërteta, emri shqiptar nuk njihet fare as sot e kësaj dite në Greqi e në Itali, ku shtegtoi popullata shqiptare në këto anë në shek. 14 dhe 15, prej nga do të ishte bartur në vendin e të parëve të tyre.

4.       Më të drejtë ne e gjejmë tezën që emri me të cilin sot quhen shqiptarët të jetë i ardhur nga një familjeje e Drishtit Schipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder, të dokumentuar qysh më 1368-1402[3]. Pa dyshim kjo është prova më e bindshme materiale që kemi sot në dorë, po të gjykojmë sipas parimit të drejtë shkencor nga e panjohura, që domethënë nga faktet te zgjidhja reale e problemit. Të gjitha rrugët e tjera të çojnë në kontruksione imagjinare.

Emrat me të cilët thirren popujt, nënvizonin me të drejtë Prof. I. Ajeti, të shumtën e herës dalin të errët e burojnë zakonisht prej ndonjë fisi të vogël të tyre, sikundër është emri me të cilin gjermanët e quajnë veten e tyre - Aleman, apo frencezët nga Frankët etj.

Emri familjar Schipudar, Schepuder, Scapuder (1442, Jilerçek, Romani II 336), rrjedh në thelb nga ndonjë emër personal Scipio, Scipionis, sikundër e hasim të dëshmohet këtë emër vetjak qysh në shek. 13 në Dubrovnik (Jireçek, Romani II 201). Më këtë ky emër në formë të patronimizuar (familjarizuar) do të jetë marrë e do të jetë përdorur si ofiq, nofkë, dhe në këtë funksion do të jetë ngritur e përgjithësuar për mbarë popullin. Që emrat vetjakë marrin zhvillime të këtilla është një gjë që provohet gjithkund. Me në fund edhe emri etnik arbën/arbër, arbënesh/arbëresh, i periodës antike e mesjetare, që ishte në përdorim deri në kohën e Skënderbeut, para se të shfaqej emri i ri shqiptar, ka dalë në thelb nga një emër i vjetër fisnor Arban, Alban, të cilin e përmend Ptolomeji qysh në shekullin e dytë pas Krishtit[4]. Po kështu edhe emrat e sotëm gegë e toskë, me të cilët cilësohen shqiptarët me të folme të dallueshme dialektore të Shqipërisë së Veriut dhe të Jugut, s’ janë gjë tjetër veçse emra fisesh, ngritur më pas dhe në emra krahinash, e këta rrjedhur po ashtu nga emra personalë.

Emri shqiptar (familjar e nacional) ngërthen edhe kup­ti­min “ai që e kupton këtë gjuhë”. Kjo mund të dëshmohet dhe me shpre­hjen më të zakonshme të shqiptarëve të Ukrainës: Ti shqy­p­ton si ne?, me të cilën duan të thonë” a kupton si ne, a e kupton gju­hën tonç?”[5]– veçse ky është një kuptim i përftuar më vonë.

Emrat personalë dhe emrat e popujve, sikundër shpreht me të drejtë J. Dragasheviç (Makedonski sloveni 15), nuk i marrin nje­rëzit dhe popujt vetë, por ato ua japin të tjerët, të afëmit e tyre dhe fqinjët. Dhe meqë fqinjët mund të jenë më shumë se një, shpesh ndodh që njëri ta quajë një popull fqinj të tij me një emër, e tjetri me një emër tjetër. Kështu, p.sh. sllavët polakë i ka­në quajtur gjermanët Shvabe, kurse sllavët e Sarmatisë së Po­sh­tme po ata gjermanë i kanë quajtur Njemci, sigurisht sipas lu­mit Njemen (J.Dragasheviq), dhe jo si mund të shprehet dikush si­pas etimologjisë popullore nga cilësoi nem “memec, i pagojë, ish­temët, që nuk mund të kuptohet”. Po kështu edhe dy emrat kom­bëtarë të shqiptarëve, Arbër e Alban, origjina dhe kuptimi i të cilëve ëshë vështirë të dihet, i pari nga këto Arbër ka qënë më i njohur në gojën e shqiptarëve, kurse i dyti Alban ka qenë dhe vazh­don të përdoret në gojën e të huajve.

Unë gjykoj këtu, në vijën e këtij parimi të mësipërm, që nga këto dy trajta Alban do të jetë me moshë më të vjetër se Arbër, ndryshe pra nga ç’shprehet E. Çabej[6].

Te emri i sotëm shqiptar sigurisht kemi të bëjmë me ndo­një ofiq a nofkë që na e dhanë të huajt, përdorur së pari si emër fa­miljeje. Motivimi i këij emri me kohë ka marrë e është zve­të­nuar, është demotivuar, këshu që sot ka humbur kuptimi i pri­mi­ti­vit. Por një gjë këtu mund të zbërthehet, që fjala “shqiptar” në go­jën e të huajve kishte një kuptim tepër fyes, siç del të dë­sh­mo­het kjo dhe në një dokument arkivor në vitin 1461 në Fano të Ita­lisë qendrore, ku sipas atij teksti një zonjë pa ditç dikë që ka fyer shërbyesen e saj si “shqiptare”[7]. Edhe për popujt e tjerë em­rat etyre nacionalë kanë kryesisht kuptime keqësuese apo ci­lë­­sime të vetive të tyre, khs. Këtu p.sh. dhe temin Shule për mi­no­ritetin etnik sllav në Shqipëri (sajuar nga një leksemë e sll. vj. Sçlë “shërbëtor), pastaj çoban, çobenj për aromunët në Shqipëri etj.

Si përfundim, emri shqiptar nuk mund të barazohet me “ai që kupton” ashtu sikurse edhe emri sllav, slovenin që nuk mund të lidhet me slovo “fjalë”, “ai qeë flet e kupton”. Ky i fundit Slaven, bashkë me rrjedhojat Slavan, Slavjan, Slavin, Sloven, Slovin, Slovak në thelb ka karakter gjeografik, të vendit Slave, Slavisko në Sarmati e në Dnjepër, prej nga u shkulën dhe erdhën në Gadishullin Ilirik (tani Ballkanik). Ky emër, pra, nuk shkon me slave (gloria), siç është menduar dikur, apo slova (logos) siç mund të mendojë sot dikush[8]. Karakter të këtillë gjeografik ka edhe emri i sotëm nacional serb, që reflekton në thelb edhe topikun Sarbske në bregun e Detit Balltik dhe pranë liqenit Sarbskesche See, prej nga janë ardhur në truallin ilirik[9].

 



[1] Studime gjuhësore III 87.

[2] Seminari XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Tiranë, 1995.

[3] M. Syflay, Srbi i Arbansi – Njihova simbioza u srednjem vijeku, Beograd 1925; K. Jireçek, Romani u gradovima Dalmacije II 366.

[4] Šuflaj, Srbi i Arbanasi 25.

[5] Sh. S. Islami, Material gjuhësor nga kolonitë shqiptare të Ukrainës, “Buletin për shkencat shoqërore”, Tiranë, 1955, nr. 2.

[6] SGJ III 87.

[7] Alain Ducellier, Shqiptarët në Italinë qendrore të mesjetës: nga emigrimi te integrimi, “Përpjekja” 9, Tiranë, 1996, f.87.

[8] J. Dragasheviç, Makedonski sloveni 16.

[9](J. Drashgaviç, Makedonski sloveni 24.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora