E shtune, 27.04.2024, 09:19 AM (GMT+1)

Speciale

Ramadan Asllani: Disa formime prapashtesore në onomastikë sipas Eqrem Çabejt

E hene, 29.09.2008, 05:23 PM


Eqrem Çabej
DISA FORMIME PRAPASHTESORE NË ONOMASTIKË SIPAS EQREM ÇABEJT

Nga Ramadan Asllani

Një nga studimet e rëndësishme gjuhësore të A. Xhuvanit dhe E. Çabejt janë edhe parashtesat dhe prapashtesat e gjuhës shqi­pe. Prandaj, në këtë kumtesë do të paraqesim disa formime pra­­pashtesore në onomastikë sipas tyre. Ato janë vështruar krye­sisht në patronimi, toponimi dhe mikrotoponimi. Në shqyrtim ja­në marrë disa prapashtesa më prodhuese për formimin e em­ra­ve topike si: -aj, -ajë, -shtë, -th dhe –zë. Me këto prapashtesa ja­në formuar emra të hershëm topikë, jo vetëm në të folmet e ta­ni­sh­me shqipe, por edhe në disa të folme të mehershme, të cilat, për shkak të spastrimeve etnike, që janë bërë para 120-vjetësh nga pushtuesi serb, në ato vendbanime nuk fliten më. Mirëpo aty ka­në mbetur formimet toponimike shqipe me prapashtesat në shqyr­tim. Këto të dhëna dëshmojnë ruajtjen e tyre edhe atëherë kur janë përballur me shkatërrime totale shpirtërore e materiale. Si të tilla ato janë ruajtur fort mirë, (që dëshmohen edhe tani), du­ke pasur dashurinë për gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Edhe pse Çabej në studimet e veta gjuhësore-etimologjike në fushë të shqipes, i ka bërë më vonë siç janë krijuar fjalët dhe pa­suria e tyre, një numër sish, edhe sot vazhdojnë të mbeten të pa­luhatshme sipas shpjegimit fjalëformues të Çabejt me pra­pa­shte­sim. Kjo është forma më besnike që duhet të vazhdojë e ruaj­tur edhe në formime të tjera të reja me prapashtesa shqipe. Pra­pashtesimi i huaj i bashkangjitur në tema emërore shqipe, e ka pasur dhe e ka prapavinë politike të mohimit të etnosit shqip­tar. Këtë gjë e pat filluar, (e për fat të keq e vazhdon edhe me tej) pushteti okupues sllav me këto mjete të vogla leksikore, e he­rë-herë edhe me ndërrimin e krejt toponimit, të cilat kanë pe­shë shumë të madhe. Kështu p.sh., dikur në Kosovë, në sektorin e gjendjes civile (për shqiptarët), pa marrë parasysh emrin e tij, mje­ti leksiko prapashtues sllav –ovi? ka qenë i pashmangshëm, në vend të atij shqip më –i(-uta) ose –aj: Bajrami, Bajramaj; Ha­sa­ni, Hasanaj, Shabani, Shabanaj etj., e jo Bajramovi?, Ha­sa­no­vi?, Shabanovi? etj. Elementi i tillë sllav në trojet e banuara me shqip­tarë ëshë ende i pranishëm. Një pjesë e mië e shqiptarëve të Maqedonisë edhe sot janë të regjistruar me prapashtesën –ovski si: Mehmedovski, Limanovski, Isakovski etj., në vend të aty­re me –i (-uta) ose – aj: Memeti, Mehmetaj, Limani, Li­ma­naj, Isaku, Isakaj etj. Po kështu ngjan edhe te një pjesë e shqip­ta­rë­ve të Malit të Zi, të cilëve iu është prapashtuar poashtu pra­pa­sh­tesa sllave –i?: Balshic, (nga Balsha), Bushi?, Sukali?, Te­li?, etj., në vend më –a, -aj, -i ose –u siç i shënuam më sipër.

Këto mjete të vogla (në shikim të parë), kanë pasur ndikim të madh në praninë tonë hapësinore, edhe pse në realitet kemi ekzistuar, por ka munguar idenfikimi gjuhësor prapashtesor, nga i cili kanë dalë emërtime joshqipe të derivonshme. Të gjitha këo e kanë pasur prapavinë e qëllimshme politike të mohimit enik dh gjuhësor të shqipes dhe të popullit shqiptar. Banori serb, sa herë që kaloi dhe u gjend në troje të banuara me shqiptarë, puna e parë që bënte ishte ndërimi i emërtimeve shqipe të toponimeve, të patronimeve, të antroponimeve, të rrugëve, të lagjeve etj., me emra të personaliteteve dhe të kulturës sllave, që fatkeqësisht i kemi edhe tani (kuptohet të dhunshme mbi ato shqipe).

E bëmë një vështrim të tillë për të treguar se gjuhës shqipe nuk i kanë munguar dhe as që i mungojnë mjete përkatëse gjuhësore, por ato janë bërë për qëllimet e njohura, të cilat po shihen edhe në ditët tona.

Në këtë punim tonin, do të bëjmë fjalë për formimin e pat­ro­nimeve, toponimeve dhe mikrotoponimeveme prapashtesat: -aj, ajë, -ishë, -th, dhe –zë në onomastikën shqiptare. Prapashtesa e sotme shqipe –aj është një trajtë e hershme –anj, e cila ende është dhe vazhdon të jetë e pranishme, sidomos në patronimi dhe toponimi. Formime të tilla ka mjaft në onomastikën tonë, që vërtetojnë edhe lashtësinë e saj gjuhësore. Sa për ilustrim po përmendi toponimin Bunjaj të Hasit, i cili për herë të parë na paraqitet më 1330 në Krisobulën e Deçanit, pastaj antroponimi Vranaj, Zotaj për të vazhduar me veprat e autorëve të vjetër e këndej.

Sa i përket prejardhjes së kësaj prapashtese, Vajgandi e kundërshon burimin latin dhe njëherit pëdorimin e saj në emra familjesh. Ky mendim i fundit nuk qëndron me të vërtetën, sepse pikërisht aty ajo prapashtesë është më e shprehur dhe më e zgjeruar edhe në emra topikë e të familjes. Prapashtesa –aj, në patronimi është shumë e shprehur në të gjitha zonat e viseve shqiptare: në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Çamëri, në Labëri etj., si Likaj, Rrapaj, Demiraj, (kujto studiuesin, Shaban Demiraj), Hysenaj etj., nga emrat Likë, Rrap, Demir, Hysen etj. Përveç në Labëri, patronime të tilla mjaftë të përhapura ka edhë në Kosovë. Kështu, p. sh. në katundin Bob të Kaçanikut, të gjitha lagjet janë formime të kësaj natyre: Demaj, Zenelaj, Çakaj e Kukaj; në Stagovë: Hysaj, Brahaj, Krrabaj, Jahaj; në Kaçanik të Vjetër: Përrzhaj, Hodaj, Prushaj; në Runevë (Runjevë): Kokaj, Ukëmetaj; në Gjelbinë (Sllatinë): Elezaj, Rudaj, Likaj, Shorraj; në Vataj: Neziraj, Nemaj, Hajdaraj, Baftiaj etj. Meqë jemi te rrethi i Kaçanikut, ëshë me rëndësi të përmendim se të gjitha katundet në veriperëndim të qytetthit të Kaçanikut janë të formuara me prapashtesën e zënë ngoje –ajsi: Duraj, Elezaj, Koxhaj, Doganaj, Vataj, Nikaj, kurse Bibaj, Rakaj, Balaj, janë formime toponimike të rrethit të Ferizajt dhe në vetë qyteti i Ferizajt. Në Kosovën perëndimore ky formant është më i shprehur pergjithësisht në onomastikë. Një prani e tillë është më e përhapur në Shqipëri, ecila më e theksuar ëshë në veri, sidomos në rrethin e Shkodës, të Bajram Currit, të Kukësit etj., si: Cimaj, Lekaj, Ukbibaj, Sumaj, Lluqaj, Kernaj, Markgegaj, Gjonpepaj, Shikaj, Bicaj etj. Sipas kësaj shihet se prapashtesa –aj, është shumë prodhuese në mbarë truallin shqiptar.

Vetëm në vitin 1938, në Shqipëri (sipas një regjistrimi të vitit të përmendur për prapshtesat), me prapashesën –aj, janë evidencuar rreth 260 emra fshatrash. Sipas këtyre të dhënave del se kjo prapashtesë është më prodhuese për formimin e ojkonimeve, e cila përfshin gati 10% të të gjitha emërtimeve të vendbanimeve në Shqipëri.

Disa familje shqiptare në Kosovë i kanë pasur këto emërtime deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, një pjesë e tyre kanë vazhduar të mbeten edhe tani me ndonjë ndryshim fare të vogël. Deri atëherë, emërtimet tona “visheshin” me një stolisje prapashtesore sllave dhe turke. Këto stolisje ishin (dhe pë fat të keq janë ende aty-këtu) prapashtesat: -i?v, -vi?, -ovi?, -ski, -ovski, -ov, -lli etj. Për fomime të tilla prapshtesore sllave dhe turke, A. Kelmendi në një punimth gjuhësor kishte evidencuar mbi 130 mbiemra (llagape), patronime vetëm me prapashtesën –iqi dhe 140 me –olli. Shumicës se këtyre emërtimeve iu kishin hequr prapashtesat gjatë viteve 1941/44, kur u bë bashkimi i një pjese të truallit shqiptar nën sundimin italo-bullgaro-gjerman dhe u fut në përdorim administrata shqiptare dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe, por mjeisht kanë mbetur ende. Mr. Ahmet Kelmendi, gati me të gjitha shkronjat e alfabeit tonë kishte gjetur shembuj patronimesh me prapashtesim të huaja (disa prej të cilave përdoren edhe sot, sidomos ato turke). Kështu përmend patronimet me formant sllav si: Bacoviqi, (Baciqi), Bardoviqi, Baliqi, Cekiqi, Gjoniqi, Doçiqi, Kukiqi, Llukiqi, Mavriqi, Shehiqi, Memiqi, Tufiqi, Tufoviqi etj., pastaj ato turke: Baholli, Begolli, Bekolli, Buzolli, Cakolli, Dasholli, (Tasholli- në Gadime, R.A), Vranjolli etj., në vend të njërës prej këtyre prapashtesave shqipe: -i, -u, - a, - aj, Baci (Bacaj), Shehu, Ceka (Cekaj), Vranja (Vranjaj) etj.

Nga këta dhe shumë shembuj të tjerë shihet një “dhunim” gju­hësor-prapashtesor mbi bazën e emrit shqip. Prandaj, të gji­tha këtyre emërtimeve lehtë dhe bukur do t’u prapashtohej ndo­një­ra prej prapashtesave të sipërshënuara, e sidomos ajo –aj, ash­tu siç u janë shtuar edhe toponimeve shqipe, Ferizaj, Ske­nde­raj, Balaj, Shkabaj etj., edhe pse këto të fundit janë kijime të reja to­ponimike, por me mjete të mirëfillta morfologjike-fjalë­for­mue­se.

Se është bërë emërtim i dhunshëm jo vetëm në prapashtesa, po edhe në krejt toponimin, flet kjo e dhënë: Ferizaj është themeluar aty kah viti 1873, kur është ndërtuar hekurudha Mitrovicë-Shkup, mirëpo sipas Ami Bues, ky vendbanim lidhet me emrin e shqiptarit, Feriz Shashivari, i cili në vitin 1863 kishte hanin në udhëkryqin e rrugëve Shkodër-Kosovë-Shkup. Ndësa emërtimi i tij sllav, Uroshevac, është bërë pas vitit 1912, ose më saktë, më 1914, kur pushteti serb e riemërtoi me emrin e mbretit Urosh. D.m.th. edhe ato pak emërtime që më herët kanë qenë shqipe, administrat pushtuese serbe i ka riemërtuar me emra sllavë, siç ka bërë edhe me Hanin e Elezit në Gjeneral Jankoviq, me Skenderajn në Serbica etj.

 

Paraqitja e prapashtesave gjatë kohës

 

Prapashtesat shqipe –aj dhe –anj, janë të vjetra e të pra­ni­sh­me në trojet shqiptare. Forma e tyre siç përmendem edhe më lart na paraqitet te toponimi Bunjaj i Hasit, më 1330 në Kri­so­bu­lën e Deçanit dhe te dokumenti i një tregtari raguzas për bor­xhlinjtë, Mihail Llukareviqi i Novobërdës, të cilin e publikoi his­toriani, Mihailo Diniq, më 1957, ku gjendet i shënuar mbie­m­ri, Vranaj, Zataj (po me gjasë Zotaj, etj., për të vazhduar me vep­rat e shkrimtarëve të vjetër, të Buzukut, të Budit, të Bogdanit etj., e deri në ditë tona. Këta shembuj kanë një rëndësi të shu­më­fi­shtë: së pari, dëshmojnë ekzistimin e prapashtesës shqipe –aj në vitet 1411-1438 në mbiemra të enosit shqiptar të këtyre anë­ve; dhe së dyti, dëshmojnë procesin e serbizimit të an­tro­po­ni­mi­së së etnosit shqiptar, po ashtu të këtyre anëve, si p.sh., toponimi Vra­niq në vend të Vranaj. Ëshë me rëndësi të përmendim ruaj­t­jen e kësaj prapashtse në Serbinë Jugore dhe në Çamëri. Për këtë të fundi, studiuesi Fatos Mero Rrapaj në veprën e tij, “Fjalori ono­mastik i Epirit”, na sjell mbi treqind emërtime to­po­ni­mi­ke patronimike e antroponimike me –aj dhe –anj, pa e marrë pa­ra­sysh një zhvillim të prapashtesës –enj, po ashtu shumë të për­ha­pur, e cila, kujtoj është e përafert me atë –anj,. Shtrirjen e pra­pa­shtesës –aj e kemi hasur edhe në ish-trojet shqiptare të San­xha­kut të Nishit, ku shqiptarët u ndoqën me dhunë nga i njëjti pu­shtues si ky i sotmi para 120-vjetësh. Populli shqiptar u ndoq nga trojet e veta, por i ruajti emërtimet onomastike dhe formimet pra­pashtesore shqipe si toponimet: Rataji (i Vranjës), Krivaja (e Pro­kuples), Dobranja(e Leskocit), Bubanji (i Nishit), pastaj ato me –ishte, përkatësisht me –iste: Dardiste (Dardhishtë), Ram­niste (Ramnishtë), në rrethin e Leskocit; Panadjuriste (Pa­na­gjyrishtë), Manastiriste (Manastirishtë), Guriste (Gurishtë) etj. Gjithashtu, janë të pranishme edhe patronimet: Banjajt nga rre­hi i Banjës së Kurshumlisë, Gjakajt (nga Gjak e Toplicës), Le­pajet (nga Lepaja e Toplicës), Dallkajt (nga Toplica), Devcajt (nga Devca e Toplicës, Bajrajt (nga Bajra e Vranjës), Lecajt (nga Leca e Jabllanica), Arnautajt (e Cfircës), Bucajt (nga Bu­ca), Sfarçajt (nga Sfarça e Toplicës), Rracajt (nga Prollomi i Top­licës), Arnautaj (nga Arbanashka e Toplicës), Nicajt(nga Ni­ca e oplicës), Pllanajt (nga Leskovçiqi), etj. Siç shihet, pra­pa­shtesa –aj në trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit ëshë ruaj­tur me së shumti në patronimi, e cila si e tillë vazhdon te ruhet edhe sot në vendbanimet e shpërngulura. Ndërsa, prapashtesa –ishtë, me së shumti është ruajtur në toponime dhe mik­ro­to­po­ni­me për të cilat do të flasim më vonë.

Ajo çka shënon një veçanti, ëshë prania asimiluese e to­po­ni­meve shqipe, e cila nuk haset vetëm te shqiptarët e ish-trojeve të tyre, po edhe në vende të tjera të banuara me shqiptarë.

Këto asimilime toponimike janë emërtime të mirëfillta shqipe nga antroponime të hershme si: Dodiq, nga Dodë-Dodaj, Gjinoviq nga Gjin-Gjinaj), Gjonoviq nga Gjon-Gjonaj), Lekiq nga Leka Lekaj, Zotoviq nga Zot-Zotaj) etj., të cilat kanë shtrirje bukur të gjerë në emërtime shqiptare.

Për ta parë një vazhdimësi asimiluese toponimike na dë­sh­mo­jnë edhe disa emërvende e patronime, të cilat në mungesë të fo­nemave (shkronjave) përkatëse në gjuhën e tyre, atëherë e sot i ka­në shkruar të bastarduara. Ky bastardim ëshë përcjellë deri sot me këto emërtime dhe me këto prapashtesa: Bardiqi (i Pejës) në vend të Bardhaj ose Bardhi, Bardoc ( i Shkupit), Bardoec e Bar­du­nica (të Ohrit ose Prespës); Mahalla Bardiqve (lagje), Kisha Ba­rdiqve, (lat. Barllovo (i Toplicës) etj., të gjitha me bazen emë­ro­re shqipe Bardh-i,-aj. Siç shihet, nga mungesa e shkronjes dh, ja­në zëvendësuar shkronjat d e ll. Ndërsa tek emërtimet e tjera ono­mastike tipike shqipe, fjalët bazë i kanë veshur me elementin pra­pashtues sllav –iq si: Baliq, Baloviq, Buliq, Bulanoviq, Bu­l­ko­vec, Bulliq, Bullajiq, Koliq, Shahiq etj., për Balaj, Bulaj, Buj­kaj, Kolaj, Shahaj etj. Prandaj, edhe pse një pjesë e kë­­tyre emërvendeve apo i llagapeve qe ende janë në ono­ma­s­ti­kën shqiptare, duhet te përdoren në gjuhën e së cilës janë krijuar, e jo në atë që janë dhunuar.

Një zgjerim i prapashtesës –aj, është edhe prapashtesa –ajë, e cila formon emërtime të ndryshme onomastike më pak se të tjera. Kjo ka një shtrirje më të vogël hapësinore se pra­pa­sh­te­sa –aj, edhe pse arsyetohet prania e saj në troje të banuara me shqi­ptarë, dhe atë mjaft herët. Një prani të dukshme të saj, për­veç në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kemi hasur edhe në ish-trojet e banuara me shqiptarë të Sanxhakut të Nishit dhe në Ça­mëri. Kështu gjallojnë emërvendet: Hergajë, Shylemajë, Kri­va­jë, Bugajë, Arelugajë, Gurajë, Ramabajë, Gurabajë, Ajlajë, Bogdanajë etj.

Prapashtesa -ishtë është njëra ndër prapashtesat më pro­dhi­mtare në toponimi. Për burimin e kësaj prapashtese janë shfa­qur mendime të ndryshme. Sipas A. Xhuvani, kjo pra­pa­shte­së është latine –etum dh greke –euv.

Ndërkaq, në studimin e përbashkët me E. Çabejin për parashtesat dhe prapashtesat thonë se buron nga sllavishtja jugore, të cilët përmendin edhe emrat topikë si: Bilisht, Blinisht, Tushemisht të cilët i shohin me këtë rrugë.

Megjithatë, duke vlerësuar këta formant, studiuesit e hi­s­to­ri­së së shqipes, krahas përqasjes së antroponimeve e toponimeve ili­re me apelativë të shqipes së sotme, Hahni së pari veçoi dy for­mantë. Ato ishin formanti –at(ë) i shqipes nga ilirishtja –at dhe formantin –esh e – isht(ë), të shqipes nga ilirishtja –estae. Më vonë këtyre formantëve u shtohen edhe studimet e Nor­bert Joklit, të cilat do të konfirmohen edhe në studimet e Ça­bejt “Ilirishtja dhe Shqipja.

Në kërkimet tona këtë prapashtesë e kemi hasur shumë të për­hapur në trojet shqiptare të banuara dhe të ish-banuara me ta, të cilët për shkak të dhunës u dëbuan nga vendet e tyre. Me­gjithatë, prapashtesa –ishtë te shqiptarët paraqitet mjaft herët, por jo në trajtën e sotme shqipe, -ishtë, po –ista. Këtë fomë të kë­tij formanti e kemi gjetur në librin e një tregtari raguzas, te to­ponim Gumnista, katund i Anamoravës. Ky variant në fjalë për­mendet i shënuar në gjysmën e parë të shek. XV, që edhe sot to­ponimi e ruan trajtën Gumnishtë. Prandaj, forma e tillë mund të na shërbejë për një vjetërsi mjaft të hershme të kësaj pra­pashtese në emërtime të emërvendeve në trojet shqiptare. Ngja­shëm me toponimin e përmendur e kemi hasur edhe një for­mim tjetër toponimik dhe mikrotoponimik në rrethin e Leskocit, Ram­niste, dhe në rrethin e Vitisë, Ramnishtë. Edhe pse shqip­tarët nga Sanxhaku i Nishit janë larguar me dhunë nga shkiet para 120-vjetësh, është ruajtur toponimi dhe forma e pra­pa­shtesës –ste, përkatësisht –ishtë.

Meqë jemi tek ish-trojet e banuara me shqiptarë, që dë­sh­moj­në shumçka, e veçmas në onomastikë, po sjellim disa she­m­buj, ku prania e prapashtesës –ishtë është mjaft e përhapur si: Ko­rishta, Selishta, Arbanishta, Letovishta të rrethit të Les­ko­cit, pastaj patronimet: Orlishtët nga Orlishtja e Toplicës, Ig­ri­shtët nga Igrishtja e Kosanicës së Toplicës, Svinjishtët nga Svi­njishta e Kurshumlisë, etj. Të kësaj natyre janë edhe: Da­r­diste për Dardhishtës, Panadjuriste për Panagjyrishtë si dhe mjaft mikrotoponime të tjera të cilat kanë për bazë elementin e shqi­pes: Firishë, Tallishtë, Kullishtë, Zgurishë, Kuqishte; Lu­lishtja e Imerit, Kallishtja e Zahirit, Prroni i Kronishtës.

Kjo prapashtesë na del e ruajtur edhe në onomastikën e Ça­mërisë, kryesisht në mikrotoponimi. Megjithatë, ajo si e tillë mja­fton për të konstatuar paninë e saj në ato troje shqiptare. Këto formime mikrotopike me prapashtesën –shtë i kemi nxjerrë nga një vepër e re onomastike e Fatos Mero Rrapajt. Nga ai, formimet mikrotopike dalin të shënuara me prapashtesën e mirëfilltë –shë, e jo si në trojet e Sanxhakut të Nishit me –iste, qe në fakt është –ishtë. Prandaj, edhe këtu kemi një dëshmi se fomanti –ishtë është i hershëm në të folmet shqipe dhe atë të shumtën e rasteve mbi baza emërore shqipe. Sa për ilustrim po përmendim vetëm dy emërvende, toponimin Çerçishtë, katund i Kosturit dhe Dobrolisht, sot Kallohorit.

Ky sufiks më prodhues na del në mikrotoponiminë e katundit Trestenik, si: Bllatishtë, (pyll me dushk). Fjerishta (ara), Fsht e Kërçishtit (fushë), Nisrishte (ara), Okulisht (vreshtë). Një pranim të këtij formanti është edhe në fshatin Vidohova si: Lum i Kërlishtit (lum), Sërt i Kalevishtit (kodër), Kallamishtë (arë) në Vishocicë, Kutlishtë (kodër me ara e pjesërisht e veshur me dushk) në Vin’ani, Muqishtë (ara) në Pandalejmoni, Gropishtë (livadh) në Spartar, Ferrishtë (arë) Çeflik, Përroi Ullishtes (përrua) në Mazrek, Dhrapanishta (ara) në Oraganj etj. Edhe në Kosovë, kjo prapashtesë ka shtrirje të gjerë, ashtu si edhe në Maqedoninë Perëndimore.

Me të drejtë bashkautorët, A.Xhuvani dhe E. Çabej kanë kons­tatuar se prapashtesat –tu dhe –zë janë formantë, që for­moj­në emra zvogëlimi në të shumtën e rasteve, por nganjëherë ato shër­bejnë vetëm si pjesë formuese. Njëkohësisht, ata kanë vënë re edhe gjininë prapashtesore të tyre, duke treguar se pra­pa­shte­sa – th u shtohet zakonisht emrave të gjinisë mashkullore dhe for­mon emra zvogëlimi prej tyre, kurse prapashtesa –zë atyre fe­më­ro­rë. Ky mendim i tyre i ka përfshirë emrat në përgjithësi, por edhe ata topikë. Megjithatë, ne do t’i vështrojmë kryesisht në onomastikë. Paraqitja e këtyre formantëve është e hershme, qysh te autorët e vjetër: Buzuku, Budi, Bardhi etj., mirëpo në fu­shën onomastike këto prapashtesa paraqesin një shtrije te veçantë gjeo­grafike e dialektore, edhe pse kemi pasur rastin të gjejmë pa­t­ronime me këtë prapashtesë në hapësira të tjera, ku sipas me­n­dimit tim është më pak e pranishme, si në Shqipërinë e Mesme, në Malësi të Shkodrës dhe në Sanxhakun e Nishit. Në ono­mas­tikë këto prapashtesa kanë shtrirje të gjerë në Shqipërinë ju­go­re dhe në Çamëri, pa e përjashtuar mundësinë e pranisë së saj edhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë. Prandaj, është me rë­ndësi të theksohet se në onomasikë, përkatësisht në mik­ro­to­po­nimi prapashtesat –th dhe –zë e ruajnë përkatësinë gjinore të ty­re, e cila nganjehërë paraqet kundërvënie fonologjike e gji­no­re. Këto prapashtesa në këtë lagje emrash, jo vetëm që paraqesin një qëndrim besnik gjuhësor dhe vërtetim shkencor të ba­sh­kau­to­rëve të këtyre studimeve parashtesore, po edhe një reliktë të her­shme të ekzisimit të tyre para veprave të autorëve të vjetër. Kë­shtu p.sh. patronimi Linethi na shfaqet në shkrime, më 1415 dhe njiheshin disa banorë si: Paul Linthi (1417), Nicha Linthi, Gjergj Linthi (1415) si dhe toponimi i Matit në Shqipërinë e Me­s­me, Frankthi i vitit 1467 dhe Lekiqithi – një famullitar i Pro­kup­les i shek. XVII.

Ajo që thash pak më parë, se këto dy prapashtesa kanë një shtr­irje të posaçme gjeografike e dialektore është se, gjatë pu­ni­mit të kësaj kumtese më së shumti kemi gjetur shembuj në pje­sën jugore të Shqiperisë, e sidomos në Çamëri, sesa në zona të tjera. Megjithatë, kujtoj se në këto hapësira edhe gjatë për­do­ri­mit praktik, ato janë më të pranishme sesa në Shqiperinë veiore, në Kosovë apo në Maqedoni. Kështu formime mikrotopike me pra­pashtesën –th, vetëm në katundin Shalësi kemi shënuar disa sosh si: Borithi (ara – V), Brikhi (faqe mali – P), Gumradha e Rip­thit (zallishtë –L), Malth i Barçit, Rrapthi (ara V), Rripthi (ara –L), Udha e Malthit (udhë në Markat – L); Mejdanthi (shesh i vogël në mal-V) në katundin Drams; Kujthi (ara-J), në ka­tundin Grikëhuar; Kroi me Gurthi (krua me ujë jo të pijshëm –P), në katundin Reçati; Fikthi (krua-VP) në katundin Sopik; Kli­sha e Shtogthit (J) në katundin Shenica; Shtrikthi (moçal-P) në kat. Vrastovë; Krauthi (krua ivogël- L) në kat. Dhragomi; Sheshi i Ahthit (shesh mall-P) në kat. Lazarat; mironi Turkth (VL) në Sa­randë; Mala e qytekthit (majë mal e Arilës – P) në Arpicë; Mal’e Sumjthit (majë) në kat. Guria; Liqen i Liqethit (ara-L) në kat. Kurtesi (sot Mesovuni); Kalethi (pyll e ara-P) në kat. Lua­rat; Bregu i Druthit(breg – L) në Millokoqezë; Fiqt’e Shtegthit (ku­llotë –V) në Spatharat F.nota 53 ) etj. Kjo prapashtesë ka një shtri­je edhe të të folurit shqipe në Mal të Zi, si: Brekthi (top. Breg i vogël në Bisaq), Lamthi (top. Mal i vogëlth në Malësi të Ma­dhe), Prakthi (top. Pragu në Koritë – Tiepsh) etj.

Edhe prapashtesa zvogëluese –zë, në shkrime të vjetra pa­ra­qitet po ashtu në patronimi, në Shkodër, më 1417 në këtë tra­j­të, Tatezë-a, pastaj antroponimi Lekezë-a, më 1485, emri vetjak Mal­­zë F.nota 55). Si e tillë është hasur dendur në mik­ro­to­po­ni­mi­në e Çamërisë, si: Qershizë (pyll m qershit’egra-L), Shkallëza (gry­kë mali) në kat. Pandalejmoni, Dardhëza në Picari, Baltëza (arë – JP) në Sklavi, Shegëza (brinjë-J), në Vërselë, Erëza (arë-J) në Shqefari, Kokëlza (brinjë) në Gumenicë, Mollëza (fushë me ullinj –L), Portëza (grykë shkëmbore – P), në Arvenicë, Kro­një­za në Muzinë, Grykëza (ah e pishë-J) në kat. Dardhë.

 

Përfundim

 

Prapashtesat: -aj, -ajë dhe –ishtë në onomastikë, përveç fun­ksionit prapashtesor, ato njëherit paraqesin edhe mbaresat e një shumësi kolektiv, qoftë formime prej emrash vetjakë, qoftë prej atyre të përgjithshëm, (ku zakonisht formimet e emër­ven­de­ve me prapashesat –ajë dhe –ishtë kanë për bazë një emër të për­gji­thshëm). Për këto prapashtesa, bashkautorët Xhuvani Çabej nuk thonë se kanë një shumës kolektiv, sikur thonë për pra­pa­shte­sën –as.

Në onomastikë, prapashtesa –aj ka një shtrirje të për­gji­th­sh­me gjeografike-gjuhësore në trojet shqiptare, së cilës, gjatë his­torisë, më së shumti iu bënë “dhunime” gjuhësore-pra­pa­shte­so­re sllave dhe turke. Me këtë prapashtesë formohen më së shu­m­ti emra topikë, por sidomos patronime e antroponime shqipe. Pra­nia e saj është e hershme në hapësirat shqiptare, e cila u “dhu­nua” nga pushtues të ndryshëm, duke u përshtatur sipas te­ke­ve të tyre. Variantja e kësaj prapashtese -ajë është më pak e për­hapur në hapësiat shqiptare.

Një përhapje të gjerë ka edhe prapashtesa –shtë, por vë­re­hen anime të saj. Më e pranishme gjendet në Kosovë dhe në Ça­më­ri në formën e sotme të mirëfilltë –ishtë, kurse në Sanxhakun e Nishit, ajo na del në formën –iste, po gjendet aty-këtu edhe në for­mën –ishtë.

Në vështrimin tonë, prapashtesat –th dhe –zë, në ono­ma­sti­kë, na janë dukur që kanë karakte regjional. Ato, sipas nesh, for­moj­në emra topikë e mikrotopikë kryesisht në Shqipërinë Jugore dhe në Çamëri, pa e mohuar praninë e saj sporadike edhe në ven­de të tjera.

Këto prapashtesa, të cilat në fjalëformim dhe në studimet e A. Xhuvanit dhe të E. Çabejt për to, njihen si prapashtesa zvo­gë­lue­se e pejorative, në onomastikë, kujtojmë se ato më shumë ka­në vetëm rol fjalëformues e më pak zvogëlues, për arsye se shu­mi­ca e tyre emërtojnë vende të vogla që nuk kanë lidhje me ma­dhë­sinë e primitivit, sepse nuk kanë dalë prej tyre, megjithatë, ka edhe përjashtime.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora