Mendime
Prend Buzhala: Heroizmi, lufta e paslufta, një përqasje paradoksesh
E marte, 04.06.2019, 08:15 PM
HEROIZMI, LUFTA E PASLUFTA,
NJË
PËRQASJE PARADOKSESH
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Nga Prend BUZHALA
Lufta
që ndodhi ishte luftë.
Nuk
ka luftë "të mirë" a "të keqe".
Ka
shembuj e "shembuj". Shembuj të një sakrifice luftëtarësh që
kufizojnë me legjendën dhe shembuj që të lënë mbresa të pakëndshme. Shembuj
solidarësie të pashoqe, dhe shembuj të matrapazllëkut mu në vorbullën e
tragjedive të mëdha.
1. Arma dhe njerëzit duarthatë
Heroizmi
nuk matet vetëm me peshën e armës në duar.
Matet
me aktin sublim të veprimit e të jetës.
A
ishte arma gjithçka?
Jo!
Ti
e kishe armën, por as që ke guxuar ta shkrepësh, aty ku në mesin e popullatës
gjendeshin forcat serbe, sepse do të bëheshin shumë ploja. Të është dashur të
vetëpërmbahesh dhe të plasësh shpirtërisht!
Ti
e kishe armën... dhe ka ndodhur që e ke shkrepur nga zemra e plastë; apo, ashtu
i shkujdesur e karagjoz, vetëm të jesh dukur me uniformën e UÇK-së në mesin e
popullatës, diku në male, kurse nga distanca forcat serbe kanë gjuajtur aty me
minahedhës, dhe kanë vrarë dhjetëra njerëz...
Kush
arriti t'i mbronte ata?
Nuk
kemi nevojë t'i bëjmë aktakuzë askujt!
Ka
shembuj të panumërt heroizmi të njerëzve pa armë: të ndonjë femre burrneshë për
ta mbrojtur nderin; të sa e sa të tjerëve që nuk deshën të dalin nga shtëpia,
por aty ranë, nën breshërinë e plumbave armik; të njerëzve që nuk kanë pranuar
të ikin, por të qëndrojnë e ta ndajnë fatin me popullatën dhe të parët dalin
për t'u pushkatuar; të prindit, që, për ta shpëtuar djalin;, del vetë për ta
marrë plumbin armik... e kësisoj pafundësisht.
Të
rënët janë të rënë: luftëtarë e joluftëtarë.
Kategori
e luftës ishin të gjithë; luftëtarë e populli duarthatë: populli që gatuante
bukën a që shëronte varrë, që lante rroba civile e ushtarake, që lante flamuj
të përlyer a të prekur nga gjaku, që qepte rroba a që vuante njësoj, i dëbuar
(në ekzil) a në male...
Kategori
e luftës, është edhe popullata e dëbuar...
(Të
gjitha këto raste, i kam përfshirë në shkrimet e mia gjatë luftës dhe të
publikuara po në ato vite...)
2. Patologjia shoqërore
e pasluftës
E
paslufta?
Paslufta
nxori në pah aq shumë karaktere "të fshehura", sa as lapsi nuk i rrok
dot!
Vrapimi
për të rrëmbyer sa më shumë privilegje në emër të luftës; përpjekjet e ethshme
për të nxjerrë nga të rënët sa më shumë dëshmorë. Njoh jo pak raste që, i rëni,
as që e ka pasur armën në dorë, dhe prite ti: vrapi për ta shpallur dëshmor
(për të rrëmbyer privilegje politike e sociale), nuk ndalej!
Nuk
nderohet i rëni duke ia vënë në dorë armën që nuk e kishte pasur kurrë në dorë.
Akti i tij ishte njerëzor, kombëtar e heroik, pa e pasur fare atë armë (ah,
Kulti i armës, shih se ku të çon)!
Koncepti
i trimërisë?
I
trimërisë me armë a pa armë?
Eh...
ku na çon ky koncept, që ngrihet, nganjëherë në kult i kthyer në ANTIKULTIN E
TRIMËRISË pas luftës, për rrëmbime benificionesh e privilegjesh... Vetëm
shikojeni se cilat kategori u pasuruan, me ligj e pa ligj, dhe rrënja katrore e
këtyre fenomeneve shfaqet vetvetiu.
Dhe
paslufta, duke nxjerrë në sipërfaqe termet si “hero” “dëshmor”, “martir”,
“viktimë”, “e dhunuar” etj etj; duke kategorizuar sipas një hierarkie meritash
bëmat dhe përkatësinë; duke kategorizuar “kategorinë e luftës” e “kategorinë e joluftës”;
i ka mjegulluar, i ka deformuar dhe i ka errësuar së tepërmi domethënien për
sakrificën, për bëmat dhe për luftën vetë; ka shkaktuar përçarje artificiale;
ka prodhuar deformitete etike dhe të tjera...
Nëse
luftërat e fundit i rrënuan këto hapësira, pasluftërat ia zunë frymën, atëherë
edhe idealistët, siç janë poetët, do të përpiqen që ta zgjojnë nga agonia a nga
koma ku kanë rënë po këto hapësira ekzistence e etnie.
Revolta
njerëzore është një shans kundër një kohe kaq të ligë.
Epo,
revolta është cilësi e njerëzve të thjeshtë: secili prej nesh shpreh
pakënaqësinë e tij në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme a në situata të
veçanta.
Çka
ka ndodhur me njerëzit në këtë dinamizëm kaq marramendës, në këto vorbulla kaq
përplasëse të fatit të njeriut? Njerëzit, shumica ndër ta, duke vrapuar për një
siguri materiale e jetësore, në këtë nxitim e shpejtësi turbulluese, u dridhet
trualli nën këmbë. Dija dhe profesionalizmi, normat morale dhe ligjore, i
rrezikojnë interesat e atyre që janë mësuar të jetojnë në shtete jofunskionale,
ku mekanizmat e kontrollit partiak të shtetit shtrihen gjithandej.
Nëse
idealistët duan ndryshime, ruajnë cipën e nderit dhe ëndërrojnë përsosmërinë e
idealeve, atëherë ç'bëjnë të tjerët?
Vrapojnë
pas atyre gjërave që ua shkatërrojnë jetën dhe lumturinë, që e mbushin kokën e
tyre me gënjeshtra, ndërsa të zhgënjyerit nga iluzioni i madh i lirisë e
demokracisë, jetën nuk e shikojnë më si diçka të vlefshme, përthekohen nga
mendimi mbi vdekjen e shuarjen.
3. Kodi i heroit dhe
aktet e mëdha
Trimëria
nuk ka nevojë për para. I rëni, kur është gjendur përpara plumbit armik, nuk e
ka përfytyruar Çastin e Pasluftës: po bie që të marr para gjaku! Trimëria nuk
është bërë për t'u votuar as dje e as sot. E ç'vota iu paskan dashur dëshmorit
për të rënë në luftë?
Prandaj,
nuk ka nevojë të bëhen DIFERENCIME POLITIKE, si mendësi e së kaluarës...
Kodi
i heroit dhe kuptimet e fjalës hero, kanë ndryshuar nëpër kohë. Dikur ai dilte
nga mitet dhe legjendat, nga eposet dhe nga luftërat. Sot Fjalorët evropianë e
përkufizojnë një hero si "një person i admiruar për akte të mëdha apo të
guximshme ose cilësi të shkëlqyera". Nuk përmendet arma.
Kam
pasur rastin që, duke shkruaj për sa e sa shkrimtarë e për vlerat e veprave të
tyre. Lexuesit e paemancipuar më thoshin: “Përse po e shpall hero atë shkrimtar
apo atë tjetrin”?!
Eh,
ja si konsiderohet shkrimi te ne: me masën ideologjike (hero- qyqar).
Shkrimtari
shkruan për heronjtë. Mund të jetë shumëfish më i njohur e më “i vlefshëm” se
një hero, dhe të mos ketë fare nevojë të quhet “hero”!
Edhe
jeta i ka heronjtë e saj pra!
(Prend Buzhala, 4 maj
2019)