E shtune, 27.04.2024, 02:28 AM (GMT+1)

Faleminderit

Azem Hajdarit pas dhjetë vjetësh i jepet titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

E enjte, 11.09.2008, 08:40 PM


Presidenti Topi pas ceremonisë së dekorimit të Azem Hajdarit (pas vdekjes) me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Nga Armand Maho

Kanë kaluar dhjetë vjet tashmë. Shumë ujëra kanë rrjedhur, politika nuk ka ndryshuar dhe partia për të cilën ai luftoi ka ardhur sërish në pushtet. E që prej dhjetë vjetësh ai nuk jeton më. Një dorë kriminale do e qëllonte natën e 12 shtatorit, një vrasje e cila do të trondiste nga themelet politikën shqiptare. Një vrasje që do i hiqte këtij vendi një nga figurat më të shquara të lëvizjes për demokraci, një humbje e cila ndihet dhe sot e kësaj dite. Politikës i mungon ai njeri, i cili nuk bënte kompromise, i cili besonte se Shqipëria bëhet, i cili e donte lirinë, e donte integrimin, e donte vendin e tij, dhe mbi këto parime nuk shkelte kurrë. Ishin këto parime, për të cilat ai luftoi dhe u vra, dhjetë vjet më parë.

Dekorimi

Është dekoruar dje nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes, Azem Hajdari. Udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90. Në këto vite tranzicion Azem Hajdari ka qenë personazhi më i spikatur i së djathtës shqiptare, por dhe i politikës në përgjithësi. Por më mirë vonë se kurrë, të paktën shokët e tij të partisë (por jo të idealeve, ata janë ende larg figurës së politikanit që shihte ai), u mblodhën dje në Pallatin e Brigadave. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast fjalët ishin të tepërta. Të gjithë në atë sallë e dinin shumë mirë se kush ka qenë Azem Hajdari, e dinë shumë mirë se ç’ka bërë ai për atë parti dhe për këtë pushtet që gëzojnë sot. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit nga Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik, si një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore”, presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të Azem Hajdarit urdhrin e lartë së bashku me dekretin përkatës.

Në emër të familjes e mori fjalën bashkëshortja e Azemit, Fatmira Hajdari. Në fjalën e saj ajo i falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur dekorimin e Azemit, presidentin, kryeministrin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. “Besoj që jo vetëm unë si bashkëshortja e Azemit dhe tre fëmijët e mi këtu, dhe familjarët e tij, ndihemi kaq të gëzuar dhe të lumturuar për këtë dekorim kaq të lartë nga Presidenti i Republikës. Dua t’ju falënderoj të gjithëve, kryeministrin Berisha, bashkëpunëtorët e Azemit, të gjithë ata që bënë këtë propozim për dekorimin e Azemit në 10-vjetorin e vrasjes së tij, pasi ata nuk e kishin për 10 vjet në mesin e tyre. Falënderoj Presidentin e Republikës, që e mirëpriti këtë propozim dhe bëri të mundur dhënien sot në 10-vjetorin e Azemit dekoratën e lartë të Urdhrit të Skënderbeut. Le të shërbejë kjo dhuratë e Azemit dhe ky dekorim i Azemit me rastin e 10-vjetorit, për të gjithë demokratët, për të gjithë shqiptarët, që të bëjnë të mundur implementimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri. Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen. Faleminderit dhe njëherë”, - tha Fatmira Hajdari.

Ekzekutimi

Azem Hajdari u ekzekutua më 12 shtator të vitit 1998 përpara selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutorët e tij, një klan kriminal nga Tropoja, në shumicë u vranë, dhe ndonjë tek-tuk ka mbetur pas hekurave të burgut. Gjithsesi, megjithëse u fol shumë për urdhëruesit, ata sërish mbeten enigmë. As ardhja e demokratikëve, shokëve të tij të idealit, nuk mundësoi gjetjen e urdhëruesve, megjithëse kjo u konsiderua si vrasja e shekullit. Ka dhjetë vjet që vetëm flitet për këtë vrasje, fjalë dhe asgjë....... Por gjenden ose jo urdhëruesit e vrasjes së Azem Hajdarit, kjo është shumë herë më e parëndësishme se ajo çka na la pas ai, besimi që kishte ai tek e ardhmja, besimi tek idealet e së djathtës dhe të vlerave të demokracisë. Besim, i cili na vlen të gjithëve.


Biografia

- Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri të Tropojës, Shqipëri.

- I martuar, me tre fëmijë, Kirardi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit.

- Shkollën tetëvjeçare dhe të mesme i kryen në vendlindje.

Më 1987, pas një shkëputjeje, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike.

Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1995 diplomohet si jurist në Universitetin e Tiranës.

Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjuhë angleze e filozofi.

Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen në Gjermani.

Aktiviteti politik

Dhjetor 1990, Udhëheqës i Lëvizjes Studentore

Dhjetor 1990-shkurt 1991, Lider i Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në Shqipëri, kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj Partie

1991-1993, Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj drejtues

31 mars 1991, Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën

22 mars 1992, Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun

26 maj 1996, Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën

29 qershor 1997, Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën

1992-1996, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK

Nëntor 1996, Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare

Qershor 1997, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare

1995-1998 President i Klubit të Futbollit “Vllaznia” Shkodër dhe President i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale


Vlerësime


Pishtar i Demokracisë

Urdhri “Nderi i Kombit” (2002)

Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” (2003)

Më 10 shtator 2008 organizohet ceremonia për dorëzimin e Urdhrit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës


“Azem ti je gjallë”, shfaqet dokumentari në kinema “Imperial”

Dje në mbrëmje, në ambientet e kinema “Imperial”, u shfaq filmi dokumentar “Azem ti je gjallë” i realizuar nga regjisori Saimir Kumbaro, në 10-vjetorin e vdekjes së tribunit të lirisë, Azem Hajdari. Pas shfaqjes së filmit, kryeministri Berisha vlerësoi se ky film dokumentar ishte i realizuar me shumë ndjenjë, dashuri, përkushtim dhe me profesionalizëm të lartë nga Saimir Kumbaro, njëri prej dëshmitarëve dhe vëzhguesve më të vëmendshëm të atyre ngjarjeve të mëdha dhe një nga miqtë e heroit, tribunit të lirisë, Azem Hajdarit. “Ishte me të vërtetë një film dokumentar i shkëlqyer, në të cilin u shpalos para publikut gjithë personaliteti i madh, virtytet dhe kontributi historik i tribunit të lirisë. Me këtë rast, përgëzoj autorin e këtij filmi dhe të gjithë ata që kontribuuan për këtë film dokumentar shumë të rëndësishëm”, - tha Berisha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora