E shtune, 27.04.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Faleminderit

Xhafer Leci: Letër mikut tim

E diele, 07.09.2008, 07:59 PM


Xhafer Leci
Letër mikut tim

(Në lidhje me ''Deklaratën individuale të Agim Gashit'')

I dashur miku im Agim Gashi,

Me të lexuar deklaratën tënde u impresionova shumë, e njëherë më kaplojë një emocion dhimbjeje për njeriun që tërë jetën ia kushtoi atdheut. Menjëherë më erdhi ndërmend porosia jote përmes vargjeve të këngëve tua se:“ Liria ime nuk është vetëm e imja”. Miku im i dashur, ti kishe të drejtë, por ja që në kohën kur njeriu ka më së shumti nevojë për liri personale, ti ndjehesh i zhgënjyer në politikë, duke jetuar një jetë të varfër dhe me sëmundje e cila të ka goditur qëkur ishe në burgjet serbe, nga torturat që t’i bënin. Edhe sivjet gjatë qëndrimit tim në Kosovë e vizitova edhe Lipjanin tënd, dhe kur pyeta  se ku gjendet shtëpia e Agim Gashit më thanë: “Agim Gashi nuk ka shtëpi, atë ia dogjën serbët më 1998”! Po ashtu më thanë se askush s’të kishte ndihmuar që ta rindërtosh shtëpinë e djegur...!

Të njoh mirë, miku im Agim. Të njoh në shpirt dhe në jetë, prandaj më dhimbsesh shumë kur gatuan në këtë moshë, sepse s’ke para që ta blejsh as bukën, pranë përballjes me të gjitha vuajtjet tjera, sëmundjen dhe peripecitë tjera të jetës. Ti kurrë nuk tentove të identifikohesh me popullin dhe atdheun: dy nocione të shenjta për secilin njeri, sepse siç ke thënë edhe vetë; nuk guxojmë të vejmë monopol mbi këto dy krijesa.
Si krijues dhe intelektual i madh u përpoqe që këto dy nocione ta ruajnë kuptimin dhe drejtë peshimin, duke i kënduar mëkëmbjes dhe ringjalljes së tyre me gjak të ri dhe kuadro të reja. Ti me zërin dhe këngën tënde na ke mësuar se si shqiptarët në kohërat më të vështira nuk çajnë kokën për ekzistencë individuale, por për atë kolektive, për ta mbijetuar robërinë.

E di se je i sëmurë. E, zemra jote nuk mundi më t’iu përballojë vuajtjeve të popullit tënd, por as vuajtjeve personale. Mos respekti dhe mos konsiderata nga shteti yt, e di se në kohë të fundit të ka bërë që të tërhiqesh nga angazhimi politik, por e di se ti nuk do t’iu dorëzohesh zhgënjimeve të çastit, se Kosova “është gjaku ynë që nuk falet” e as nuk shitet. Vargjet tua: “ se s’ka më vështirë se me vdekë nën shkurrat e huaja“ flasin për ty më shumë se çdo gojë tjetër. Megjithatë, nuk besoj se e ka pranuar fatalitetin!

Agim Gashi
Shpeshherë më bien ndërmend mesazhet tua brilante nga takimet tona: „Mirë që populli e ka fiksuar shkaktarin e së keqes“. Andaj shumë gjëra i ke alarmuar me guximin dhe shkathtësinë tënde me mjeshtri të rrallë. Në ato shkapërderdhje të kohës, ti me këngën tënde mbrojte gjuhën, shkollën, historinë, çmove dhe respektove njerëzit e mëdhenj të kombit siç ishin Dr. Ibrahim Rugova, komandanti Adem Jashari, Sali Çekun, Fehmi Lladrovcin si dhe shumë trima e dëshmorë tjerë që u flijuan për atdhe, e që u këndove me mall dhe krenari. Ata i bëre të pavdekshëm dhe i bashkove, sepse ti e dije se nuk është atdhetari të jetosh në mënyrën vetjake, por është dhunti, diçka njerëzore, madhështore...Me zërin tënd arrite që shumë kënd ta largosh nga violenca dhe dyshimi. Largimin tënd nga politika e shoh si vazhdimësi të shpirtit tënd demokratik, të filluar shumë më herët në ecjet tona  kombëtare. Ti ishe edhe kundër bunkerizimit të tmerrshëm kombëtar, sepse e dije që ai ishte shkatërrimtar për qenien tonë, ishte linçim i kombit. Andaj,  rrugë e vetme dhe e sigurt mbesin për ne proceset e reja shoqërore dhe demokratike, e jo organizimi i shtetit mbi baza farefisnore dhe bajraktariste.

Miku im i dashur, të uroj shëndet dhe çdo të mirë në jetë. Do të jem me ty gjithmonë, do të më kesh pranë, jo vetëm mua por edhe miqtë e shumtë që i ke. Nga ti kemi mësuar shumë; se si duhet ruajtur dhe kultivuar traditat, kulturën, këngën shqipe burimore, sharkinë dhe gjithë historinë tonë kombëtare.

Të dëshiroj shëndet, mirësi dhe suksese në veprimtarinë tënde krijuese prej rapsodi të madh gjithëkombëtar. Zoti të shpërbleftë për punën e madhe që ke bërë dhe që po bën për të mirën e popullit shqiptar! 

Xhafer Leci
Gjermani, 7 shtator 2008



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora