E enjte, 01.05.2025, 09:54 AM (GMT+1)

Faleminderit

Kostaq Stefa, shembull i shenjtë i atdhedashurisë

E premte, 22.08.2008, 11:03 PM


Nga Ylli Polovina, Tiranë

Popujt, edhe pse formojnë bashkësi të mëdha njerëzish, janë si vetë  individët: bëjnë gabime apo zgjedhje jo të dobishme. Edhe pse më e shumta që  ndodh në fatin e tyre vjen e imponuar nga rrethana që zhvillohen jashtë  mundësisë për t'i kontrolluar, jo pak edhe nga tërmete gjeostrategjikë në  rajonin përreth, çdo popull ka përherë disa raste që mund t'i shfrytëzojë  për të mirën e vet. Kjo aftësi varet nga shumë faktorë, mes tyre edhe nga  shkalla e civilizimit të brendshëm qytetar. Varet patjetër edhe nga fuqia  ekonomike e tij, përcaktohet edhe nga dimensioni etnik, pra sa numerikisht  është. Kur janë popuj të vegjël doemos që e kanë të kufizuar mundësinë e  zgjedhjes dhe të kapjes së rastit fatlum. Shqipëria hyn tek këta raste të fundit. Ajo nuk mund ta zgjidhte dot vetë  çastin e shkëputjes nga perandoria osmane dhe shpalljen e pavarësisë. E kishte nisur përpjekjen dukshëm që tre dekada më para se të vinte viti 1912.  Po kështu shqiptarët nuk mundën dot të zgjidhnin se i duhej më tepër Fan Noli apo Ahmet Zogu, apo të dy bashkë duke u alternuar në një shoqëri  pluraliste. Kjo ndodhi sepse të dy rivalët dhe grupet pas tyre nuk përdorën  votën e lirë, por edhe mjetet e forta. Ca më pak populli ynë pati mundësinë  t'i shmangej pushtimit fashist italian e gjerman dhe vetë Luftës së Dytë  Botërore. Ishin zhvillime fatale e jashtë fuqisë së shumë popujve.  Ndërkohë shqiptarët në rast se kanë patur rastin me më pak shans për të zgjedhur të ardhmen, e tyre ky ishte komunizmi. Për të mos instaluar  fashizmin ja dolën, edhe pse ai ishte që nga viti 1923 shumë afër, vetëm pak orë udhëtim me anije, në Gadishullin Apenin.
Aty ishte qeliza tumorale e  fatkeqësisë së re të popujve. Në Romë. Ahmet Zogu e nisi periudhën e tij të  mbretërimit e qeverisjes në Shqipëri, saktësisht në të njëjtën kohë me  marrjen e pushtetit në Itali nga Benito Musolini dhe ideologjia agresive  fashiste. Ndërsa modeli i regjimit italian nuk u bë shembëll për Ahmet Zogun dhe popullin e shqiptarëve, u bë për Adolf Hitleri dhe popullin gjerman. Çuditërisht, tirania e re fashiste hodhi rrënjë në dy nga popujt më të vjetër e më të qytetëruar të kontinentit. Nuk zuri asnjë fije vend në Shqipëri.  Por shmangëm fashizmin (për meritë edhe të Ahmet Zogut) dhe ai na erdhi me avionë luftarakë e anije, uniformë, tanke, blinda, motorra e biçikleta, pllaka gramafoni, balila fashistë e dopolavoro. Fashizmi na erdhi si  pushtim. Me t'u shembur tirania e boshtit Romë-Berlin-Tokio, gati si "për  inat", na mbërriti komunizmi. Shqiptarët u gjetën të papërgatitur. Si në të  gjithë euro/kontinentin komunizmi erdhi si antifashizëm, mbante veshur këtë  joshje. Dhe e përpiu gjysmën e Europës.   Madje e pushtoi, sepse në formë pushtimi erdhi. Dhe nuk mund të thuhet se tiranitë pushtojnë vetëm vendet e vogla. Komunizmi në fillim kishte pushtuar një nga hapësirat më të mëdha të globit, Rusinë  cariste. Atje e kishte hedhur farën e ngritur folenë, prej andej u shpërnda me kengë internacionale në buzë. Shqipëria para këtij fati fatal nuk  pikëtinte dot.

Sot është shumë e lehtë të gjykohet se si shqiptarët u pajtuan me këtë  rrjedhë të tyre dhe rezistencën kundër e kryen vetëm një pakicë. Mjaft lehtë  sot mund të arsyetohet se me atë regjim nuk mund të bashkëjetohej asnjë  minutë dhe se duhej përmbysur brenda njëzetë e katër orësh. Ndryshe nga ne  që e jetuam gjenerata e re e pasvitit 1990 e ka të vështirë të kuptojë se ajo ideologji e egër bashkonte në një truk manipulimi gjigand realitetin me  dogmën, ëndërrën me zhgjendrën, tiraninë ndaj "armikut klasor" me kujdesin  social, arsyen me marrëzinë, botën e re me atë të katandisur gjer në uri. Njerëzimi nuk ka patur kanosës më dinak të të ardhmes së tij se sa komunizmi  stalinist. Nuk po e shtyjmë më tej idenë se shqiptarët nuk e kishin në dorë të  ndërtonin një shoqëri tjetër nga ajo që iu imponua pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjes së re të rendit global. Në rast se pas vitit 1990 Shqipërisë i ndodhi t'i çelte shpresa rënia e diktaturës komuniste kjo nuk  do të thoshte se e ardhmja tash e tutje do të ishte gjë e thjeshtë:  mjaftonte që të dekomunistizohej. Dekomunistizimi i vërtetë është të ngresh  një shoqëri të lirë dhe të begatë, ta ndërtosh atë përditë. Ja përse gjysmëshekulli bolshevik mund të mbetet vetëm histori dhe aspak  peshë ndikuese mbi Shqipërinë e viteve dymijë, duke zbatuar një teknologji të  kujdesshme të çrrënjëzimit të tij.
E para mbetet zbulimi dhe denoncimi i  veprave të tij kriminale, përfshi edhe emra autorësh që kanë peshuar në  realizimin e tyre. E dyta është shpirti i tolerancës dhe akti i faljes. Këtë  gjë nuk mund ta bëjë dot një shoqëri e tërë, të paktën përderisa nuk ka  ngjarë asnjë kërkesë ndjese nga ata që ndërgjegjshëm e mbajtën në kembë atë tirani. E treta mbetet ndërgjegjësimi kombëtar se mund të ndodhë që një  individ apo një familje, një fis apo një qytet, mundet edhe një popull i  tërë të falë, por historia në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojë nëpër mend të  falë atë gjysmëshekull të rendë. As vetë historia e kombeve nuk mund të  falë. Do të ishte gjesti më absurd që shqiptarët të zbonin nga historia atë  që u ndodhi në vitin 1913, kur etninë ua ndanë përgjysëm. Po të kishte  ndodhur kjo gjë atëhere nuk do të kishim vitin 1999, muajt kulmorë të luftës  çlirimtare të Kosovës me përkrahje dhe mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Po e lamë mënjanë historisë, si të ishte thjesht një aksident kalimtar, tiraninë e "komunizmit real" atëhere jo vetëm nuk do të kishim revolucionin  tonë të qytetëruar të Lëvizjes së Dhjetorit, por edhe asnjë dëshirë e  projekt për të hyrë në Bashkimin Evropian. Historia duhet ta kujtojë,  analizojë e dënojë regjimin diktatorial edhe që të na shtojë pasionin e  vullnetin për t'u bashkuar me vendet e zhvilluara e demokratike të  kontinentit. Gjërat i duhen lënë në dorë lirisë, zhvillimit, qytetërimit. Qytetërimi nuk  ka mllef, por nuk harron.
 
Ky është edhe motivi që kësaj rradhe na çoi te një emër dhe një jetë e  veçantë. Tani është një emigrante si mbi një million bashkështetasit e saj.  Quhet Vitore Stefa-Leka. Ajo është gjymtyrë e një prej familjeve më të  persekutuara nga diktatura dhe ka lajmotiv të jetës së saj faljen për të  gjithë ata që u sollën keq me prindërit dhe familjen e saj, me atë vetë.  Jeta në liri e Vitore Stefës doemos që nuk është përpjekje për të fshirë nga  historia atë që i ka ndodhur. Ajo deklaron se fal, por jo që harron. Vitore  Stefa-Leka nuk fal në emër të hobisë për të falur. Nuk fal as për hir të  mëshirës kristiane. Bashkëkombasja jonë Vitore fal në emër të bashkimit të  të gjitha energjive të shqiptarëve për të ndërtuar një shoqëri të standarteve perëndomore. Mënyra e të arsyetuarit të saj është e thjeshtë: jemi pak, përse duhet t'i rihyjmë një grindjeje të re brenda vetes. Ajo  beson se falje për të gjithë fajtorët nuk mund të ketë dhe do të dëshironte  që individë të veçantë ta "paguanin" sadopak, qoftë edhe simbolikisht,  padrejtësitë që kanë bërë, veç ka merak se mos tronditet shumë ëndërra e saj  e vjetër, ajo e të gjithë familjes Stefa: të qënit bashkuar. Duke qënë edhe poete Vitore Stefa në vëllimin "Vetmi e largësisë", në  kopertinën e të cilit gjenden pranë njëra-tjetrës pamje të Beratit,  vendlindjes së saj dhe të Triestes, qytetit ku ka emigruar që në vitin 1990,  ka një poezi kuptimplote "Falja dhe kujtesa". Në të thuhet "Më thotë koha: Duhet të falësh!/ Atë që shkoi lëre pas! /Kur zemra ende m'i ndjen plagët/ Plagë të  reja dikush më hap.../Më thotë koha: Duhet bashkuar/Shpirti i shqiptar kudo  në botë! /Po ku ta gjej zemr'e coptuar/ Atë fjalën "falje", që mund ta  thotë?! /Më thotë koha, po zemra ç'thotë?!/ Zemr' e lodhur, ç'thua ashtu?!/ Tek  unë bën tmerrësisht ftohtë,/ Kujtesa ime ka ngrirë aty!". Autori i këtij shkrimi me temë raportet mes dëshirës individuale të faljes  dhe rreptësisë së historisë pas tragjedive të mëdha kombëtare e të  shkaktuara sëbrendshmi, më shumë se me analizë mund t'i shërbejë shkembimit  të mendimeve me lexuesin edhe duke rrëfyer fare shkurtimisht atë që i ka  ndodhur familjes Stefa dhe vetë Vitores.
 
Ceremonia e dorëzimit të Madaljes së Mirënjohjes, dhënë nga Presidenti i  Republikës Alfred Moisiu, Vitore Stefës iu krye në Romë, në ceremoninë e 28  nentorit 2006, Ditës së Flamurit. Ky lloj organizimi u bë veçanërisht sepse  ajo dhe Flamuri kombëtar janë një. Janë simbole të njeri-tjetrit. (Nga  poezia "Dita e Flamurit": "Dhe unë nënë, motër, bijë e këtij kombi/ Në gjunjë  sot bie dhe puth atë flamur/ Ju lutem!/ Me të në zemër, Atdheun nderoni/ Dhe bëni që syri mos t'i qajë kurrë!").
Atdheu është shtylla e të gjithë jetës së Stefajve. Të paktën që kur ishte  Konstandin Kristoforidhi, stërmbesë e të cilit Vitorja është. Gjyshi i saj  Gjergj Stefa ka qënë kryetar i degës së Lidhjes së Prizrenit në Berat.  Zëvendëskonsulli francez në Janinë, Ners, i shkruante qeverisë së tij  franceze më 1878 se, "Shqiptarët e Beratit duan ndarje nga Turqia. Një rol  drejtues dhe komandues loz dhe kapedani trim Gjergj Stefa". Kur ndërroi  natyrshëm jetë varrimi i tij u bë madhështor. Sipas shtypit të kohës  "vegjëlia e Beratit dhe e Sanxhakut fqinjë mori pjesë në të dhe banda  muzikore këndoi himnin kombëtar.".
Kostaq Stefa ishte i biri i këtij mëmëdhetari. Mes fëmijëve ishte edhe  Telemaku, djali tjetër. Sërish flamuri kombëtar i drejton në jetë të dy  pasardhësit e Gjergjit. Kur mbushi të tetëmbëdhjetat Telemak Stefa mori  rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E nis bojaxhi, por  më pas filloi të merret me gazetari. Po ashtu referoi në Kishën e Shën  Pjetrit dhe të Shën Pavlit, qendra patriotike të shqiptarëve të Amerikës në  Boston. Nga malli në vitin 1936 u kthye në Shqipëri, por duke qënë se kishte  punuar si sekretar pranë Fan Nolit dhe kishte ide të afërta me të u arrestua  nga mbreti Zog dhe u internua në Gramsh të Elbasanit. Pas internimit mori  përsëri rrugën e mërgimit për Amerikë, ku në Boston bashkëpunoi me gazetën  "Liberty". Mes të tjerash aty në artikullin "Çfarë  iu këshilloj të rinjve  shqiptarë?" nënvizoi dukshëm "T'i ruani zakonet e bukura shqiptare si besën,  trimërinë, mikpritjen për mikun dhe urrejtjen për armikun. Mos harroni të  martoheni më shpesh midis jush, paçka se ka dhe amerikane apo europiane të  mira dhe kryesorja është që ato që jua mësuan prindërit tuaj, t'ua mësoni fëmijëve tuaj.".
Kristaq Stefa, i jati i Vitores, pati jetën më dramatike nga të gjithë  fëmijët e veprimtarit të spikatur të Lidhjes së Prizrenit, Gjergjit. Në vitin 1926 arriti të mbarojë shkëlqyeshëm Shkollën Teknike me drejtor dhe  pedagog Harri Fulcin, i cili e mbajti aty mësues. Njohës i shkëlqyer i  gjuhës angleze dhe i vizatimit teknik, atij iu ngarkua si detyrë të jepte këto dy lëndë. Kështu pedagogu i ri i Shkollës Teknike ishte vetëm njëzetë e  një vjeç. Në vitin 1927 Kostaq Stefa u zgjodh kryetar i organizatës së parë  të boy scouts në Shqipëri. Prej amerikanit Harri Fulc ai mësoi shumë dije që i duhen një shoqërie demokratike. Veçanërisht "Puna është shtylla e  flamurit" dhe "Sot jemi qytetarë të një shkolle, nesër do të jemi qytetarë  të atdheut. Për t'u bërë qytetarë të mirë të atdheut, duhet të bëhemi  qytetarë të mirë që në bankat e shkollës..." Kostaq Stefa kur Shqipërinë e  pushtoi fashizmi ishte një qytetar i mirë. Kjo e bëri të linte përgjysëm studimet për jurisprudencë në universitetin e Firences në Itali dhe  menjëherë të kthehej në atdhe e lidhej me luftën çlirimtare.
Ka një libër me  titullin "Ikja nga Shqipëria" me autore e Agnes J. Mangerich, të publikuar  nga Universiteti Kentucky në 1999, ku ashtu siç i treguan Evelin M. Monahan-it dhe Rosmary I. Neidel-it, përshkruhet hollësisht ndihma që  familja Stefa e sidomos Kostaqi u dhanë (nga nëntori 1943 deri në 30 janar 1944) dymbëdhjetë infermiereve amerikane që të hipura në një avion ushtarak  transporti C-53 një stuhi dhe ndjekja nga aeroplanë gjermanë Messerschmitt i detyroi të bëjnë ulje të detyruar natën në një fushë në afërsi të Beratit. Njeriu që i strehoi dhe pastaj i shoqëroi nëpër një marrshim të vështirë në  mes të atij dimëri të njohur si nga më të egërit e gjysmëshekullit ishte Kostaq Stefa. Prej dy rrëfimtareve në libër dëshmohet se "Çifti Stefa kishte katër fëmijë, më i vogli i të cilëve ishte vetëm tre muajsh", se Kostaqi u  ka deklaruar amerikanëve: "Populli im e ka parë gjithmonë vendin tuaj si  shembull të demokracisë" dhe se Presidenti Wilson  "Ishte personi i vetëm që  foli për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve atëhere kur dukej sikur vendi ynë do të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Ne  u ndjemë sikur ai kuptoi dëshirën për liri të një vendi paçka se i vogël."  Në libër të dy infermjeret dëshmojnë se patrioti i ditur shqiptar u ka thënë  miqësisht "Nëqoftëse ju dhe anglezët do të na armatosnit, ne mund të bënim shumë më shumë për të luftuar gjermanët. Ne jemi lutur e lutur për armë dhe pajisje..."
           
Vitore Stefa ka një poezi të titulluar "Kujtimit të atit tim, Kostaq Stefa",  pushkatuar më 3 mars 1947". Të tre strofat e saj thonë "Të priti Nëna, të pritëm ne/ I shtrenjti ynë, o Ati im!/ Mos bëftë gjumë kurrë mbi dhe/ Kush të dënoi me pushkatim!/ Kush të qëlloi, të preu rrugën.../Oh, ç'rrugë të gjatë kishe ti!/ Aty diku të prisja unë/ E duke pritur do vdes, e di!/ Pa ty, o Ati im pafaj/ Pa ty, i urti, Ati im/ Nëna u ndje si zog pa krah/ E unë gjithë jetën fëmi jetim!". Por si ndodhi që diktatura, e cila po instalohej, i mori jetën një njeriu i cili ishte lidhur me çështjen e çlirimit, një bashkëkombasi që në shtëpinë e  tij para se të strehonte e ndihmonte dymbëdhjetë infermiere amerikane në  vitin 1942 kishte strehuar fshehurazi për dy ditë e netë Mehmet Shehun (kishte qënë mësues i tij) apo më pas kishte bashkëpunuar me Kahreman Yllin?  Gjithçka nisi të përmbysej me properëndimorët që regjimi kishte filluar të  likujdonte fizikisht që nga gjysma e parë e vitit 1945. Kostaq Stefa tashmë  ishte një njeri që admironte demokracinë amerikane, presidentin Wilson, kishte studjuar te Harri Fulci dhe ishte për një shoqëri të hapur ndaj  lirisë. Në kujtimet e saj "Ditë ankthi" Eleni Kostaqi, bashkëshortja e tij  dhe gjatë diktaturës e thirrura me respekt nga shumë bashkëqytetas si  "Statuja e Dhimbjes", sot Mësuese e Popullit, do të shkruante "Në zgjedhjet e 2 dhjetorit propaganda komuniste ishte shumë e fortë, që kështu votat t'iu  jepeshin vetëm komunistëve, por ne të gjithë ishim me ata që çliruan  Shqipërinë dhe nuk e merrnim dot me mend se çfarë drejtimi do të merrnin ngjarjet..."
               
Natën e errët të 8 shtatorit 1946 Kostaq Stefën e rrëmbyen para gruas e  fëmijëve të vet. Me tre mars 1947 e pushkatuan. Për disa herë rresht, duke  filluar nga 18 janari 1993, Televizioni Shqiptar transmentoi gjetjen e  eshtrave. Ndodheshin në Uznovë të Beratit. Bashkë me profesor Kostaq Stefën  gjendeshin edhe ato të Baba Bedri Carkanjit, Hamit Myftiut dhe Tajfur Hasnedarit. Kërkimet e eshtrave me një eskavator kishin zgjatur dhjetë ditë  e netë. Të katër skeletet u gjetën të lidhur me një zinxhir kafshësh e të kyçur me një dryn të madh. Një dëshmitar afër vendpushkatimit tha: "Erdhën  policët duke i rënë fort derës së shtëpisë dhe na ngritën nga gjumi. Ne tre  më të rinjve na thanë "Hajde shpejt, merrni kazma dhe lopata!" Ne i dëgjuam pushkët, por nuk e menduam se aty në buzë të përroit do të gjenim katër  kufoma të torturuara çnjerëzisht. Aty kishte gjak dynjaja...("Kostaq Stefës  i kishin thyer krahun për së gjalli" do të pohonte dëshmitari). Policët  këndonin dhe losnin me çallmën e babait të Teqes, duke e përdorur si top  futbolli. Ndërkohë ne i hodhëm njeri pas tjetrit në gropë dhe i mbuluam. Kur  mbaruam punë ata na thanë "Për aq sa patë e bëtë këtu, po e hapet gojën  gjëkundi, do të përfundoni dhe ju si ata".
 
Në të hyrë të Triestes, tek tuneli që thirret Galeria Natyrale dhe ku  madhështisht është gdhendur profili i Dantes, në vitin 1992, kur ndodhi  aksidenti i një emigranti shqiptar 18 vjeçar, të cilës Vitore Stefa (e thirrur shpesh edhe si Nënë Terezë për shpirtin e pakursyer të ndihmës për  bashkëkombasit e pambrojtur), sapo i kishte gjetur në vend pune, ajo bashkë  me vajzën e saj po ashtu poete, Mardenën, ngriti një lapidar. Anash tij  është flamuri shqiptar dhe në ballë janë rreshtuar emrat e atyre që kanë  humbur jetën në emigracion. Triestinët kur dalin apo hyjnë nga tuneli i bjenë buries tre herë, duke  përshendetur poetin e tyre të madh. Shqiptarët kur e kanë të mundur ndalen  edhe ata pranë lapidarit të tyre dhe nderojnë bashkëkombasit që duke kërkuar  një fat më të mirë, nuk jetojnë më. Vitore Stefa në atë lapidar të bërë vullnetarisht nga ajo dhe familja e saj  ka gdhendur edhe një poezi. Në të nuk flitet përshembëll se si njëherë ajo  ndihmoi një djalë të ri të sapo emigruar dhe shumë vonë, kur e pyeti se si  quhej, u trondit: ishte nipi i hetuesit të të jatit. E megjithatë nuk u pendua që i dha dorën.

(«Unë fal, po historia nuk ka përse», Gazeta Shqip, prill, 2007, riprodhoi për botim elektronik : Baki Ymeri.)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx