E enjte, 24.07.2025, 09:56 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mesila, një nga të shtatët

E shtune, 16.08.2008, 06:17 PM


Mesila Doda

Sapo ka lexuar të fundit nga shtatë librat “Harry Potter”, me një kureshtje që do t’i përshtatej mirë dhe në moshën kur ishte fëmijë e një familjeje me shtatë anëtarë. Ndërsa sot është kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, të përbërë po nga shtatë veta, si dikur komisioni i grevës së urisë së studentëve, ku Mesila ka qenë anëtare, si numri i përsosmërisë në Bibël, që e pagëzuara katolike e njeh mirë. Shumë rastësi! Por Mesila Doda në jetë nuk është mbështetur te rastësitë: në të kundërt, ajo ka zgjedhur

Dy zgjidhje ka: të zgjedhësh ose t’i lësh të tjerët të zgjedhin për ty. Mesila Doda është nga ato që këtë të dytën nuk e ka hiç për zemër e, mesa duket, as e ka çuar nëpër mend kur është bërë fjalë për gjërat që i përkasin asaj. Që nga gjërat sipërfaqësore, si zyra e kryetares së KKRT, që ajo me të hyrë e shndërroi sipas stilit të saj, te ato formale, si mbiemri i vajzërisë, që e ka ruajtur dhe pse mbiemri i bashkëshortit të saj, Enkel Demi, publicitetin e ka të garantuar e deri te diçka shpirtërore, si besimi fetar.

Në fakt, Mesila ka zgjedhur besimin e saj fetar në një moshë madhore dhe është pagëzuar katolike bashkë me bashkëshortin e me vajzën, ardhjen në botë të së cilës e mësoi pikërisht atë ditë. “I bie që vajza ime të jetë pagëzuar dy herë: një herë në barkun tim e një herë pasi lindi”.

Dhe për zgjedhjet e saj, ajo ka gjithë motivet që i duhen para vetes, që i mbeten njëlloj të vlefshme, si atëherë kur ka bërë zgjedhjet dhe tashmë.

“Unë do t’i mbaja me kënaqësi të dy mbiemrat, por këtë ligji shqiptar nuk e njeh. Gjithsesi, unë në të gjitha dokumentet firmos me të dy mbiemrat, sepse “Demi” është mbiemri i bashkëshortit dhe fëmijëve të mi, që janë familja ime. Megjithatë, për këtë arsye, nuk mund të hiqja dot dorë nga mbiemri im. I kisha bërë ca gjëra në jetë me mbiemrin  Doda, të cilat janë gjëra që më përkasin mua, që më identifikojnë dhe nga të cilat nuk kisha pse shkëputesha as formalisht”.

Dhe këto gjëra janë vërtet për t’u mbajtur fort pas vetes, pas identitetit, aq më tepër që në rastin e Mesilës kanë diçka vërtet të veçantë. Duke filluar që nga dokumentet e shkollës, një provë për një fakt thuajse të jashtëzakonshëm, të cilin pakkush e ka besuar dhe prandaj ajo më pas ka zgjedhur ta anashkalojë: është futur në klasë të parë që në moshën tre vjeç e gjysmë. “Isha e vogla e pesë fëmijëve, kështu që isha rritur mes librave. Shkoja në shkollë me më të mëdhenjtë dhe, kur më bënë atë testin elementar para fillimit të shkollës, unë dola e aftë për të nisur që në atë kohë shkollën. Një fakt pas të cilit im atë nuk donte të tërhiqte vëmendjen që unë të konsiderohesha si fëmijë i jashtëzakonshëm, sepse si mjek gjykoi që nuk do më bënte mirë diçka e tillë. Gjithsesi, unë nuk isha gjeni. Vërtet isha tre vjet më e vogël se të tjerët, por më pas kam qenë një nxënëse që kisha nota shumë të mira, ashtu si dhe nota më pak të mira, pa shfaqur diçka të jashtëzakonshme. Por ky mbetet një fakt që duket se të shënjon jetën e sikur i jep fatit një kthesë të veçantë”.

Në rast se kjo nuk ishte pikërisht një zgjedhje, atë kthesën në jetë ia kanë dhënë ca të tilla. Ashtu ka ndodhur pasi ajo vendosi të përqafojë besimin e saj fetar.

Të qenit brenda kryeqendrës katolike të botës, në Vatikan, ku ka bërë fakultetin e saj të dytë, këtë herë për filozofi, dhe një vit specializim për filozofi teorike, sigurisht ka qenë një nxitje e jashtme. Por jo e vetmja. “Ka shumë arsye që e shtyjnë dikë drejt besimit. Sigurisht, qëndrimi në Vatikan ka qenë një nxitje e jashtme, por jo gjithçka. Unë pastaj kam vendosur të pagëzohem, së bashku me Kelin, vite pasi isha kthyer që andej”.

Kjo ceremoni mund të quhet edhe si martesë fetare për ata të dy, por gjithsesi nuk do të thotë se e kanë ndarë mendjen ta lënë me kaq. Mesila dhe Keli nuk kanë pasur një festë klasike martese dhe në planet e kryetares së Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, nuk mungon as një martesë në kishë, ku ajo do vishet me fustanin e bardhë, ndërkohë që Keli do jetë në altar dhe dy fëmijët, Joni dhe Hana, do mund të thonë se e kanë parë mamin dhe babin e tyre të martohen.

Do jenë dhe aty të katërt, ashtu siç ndodh thuajse përherë në familjen e tyre, sapo angazhimet e dy prindërve e lejojnë. Madje, ndonjëherë, edhe kur këto angazhime nuk e parashikojnë.

“Në udhëtimin e fundit që bëra në Paris, ku isha e detyruar të qëndroja disa ditë, i mora të gjithë me vete. Madje nga Bari në Paris udhëtuam me makinën tonë, ku unë dhe Keli këmbenim turnet për të ngarë makinën. Nuk doja t’i lija vetëm për shumë ditë, sepse dhe pse prej vitesh mamaja e Kelit kujdeset për ta kur ne mungojmë, gjithsesi janë mësuar që zakonisht pasditeve të më shohin në shtëpi. Dhe fundjavat apo pushimet i kalojmë gjithmonë të katërt. Zakonisht shkojmë në shtëpinë tonë në Golem, ose bëjmë ndonjë udhëtim jo shumë të largët. Nuk jemi familje e vendeve ekzotike”. Kështu ka zgjedhur Mesila Doda. Të përpiqet të kalojë maksimumin e kohës me fëmijët e saj, të luajë atë rolin tradicional të gruas në familje, që “bën kompromise, absorbon goditjet me një funksion jastëk në vetvete për të ruajtur harmoninë në marrëdhëniet e të gjithëve” dhe njëkohësisht të ketë një karrierë të sajën.

Por kur përmend karrierën, nuk e ka fjalën për një post drejtues, si ky që mban në KKRT. Për t’i shkuar deri në fund kësaj detyre, ajo ka bërë një tjetër zgjedhje nga të sajat, por jo se ka realizuar një ëndërr. “Kush e tha që “karrierë” do të thotë vetëm të drejtosh? Të shkruash në shtyp apo të drejtosh një emision televiziv nuk është më pak e rëndësishme. Madje unë kujtoj me shumë mall periudhën kur kisha emisionin “Në shtëpinë tonë” në TV Koha, që është puna ime më e dashur e të gjitha kohëve. Ndryshe nga këtu, atje kisha hapësirë të krijoja”. Prandaj ajo shpesh kalon nëpër mend rikthimin në televizion (publik, në rast se ai do të ishte në nivelin që duhet të jetë) për të realizuar dhe prezantuar një emision politik ose social.

Por edhe në postin e kryetares së KKRT ajo çfarë të realizojë. “Dixhitalizimi tokësor i plotë në gjithë Shqipërinë, është synimi ynë kryesor. Madje në fund të verës disa televizione do kenë sinjal dixhital tokësor. Për këtë jemi duke punuar dhe kjo ka për të ndihmuar në shembjen e një monopoli të ngurtë, që ka ekzistuar deri pak më parë në radiotelevizionet tona. Këtë monopol kam synuar të rrëzojë këto kohë që jam në drejtim të KKRT-së, duke bërë kombëtare televizione që nuk kanë qenë të tillë. Kjo është ajo që dua të arrij. Si dua që ky institucion të mund të vërë në jetë kompetencat e tij, për të cilat has shumë pengesa dhe ky është trishtimi im më i madh. Në fakt, kam përshtypjen se ne, brezi i studentëve që u përfshimë në lëvizjen për ndërrimin e regjimeve, jemi ende të pajisur me këtë dëshirën për përmirësim, me shpresën për t’i parë gjërat mirë; kemi dëshirën për të naviguar në shoqëri dhe prandaj, mendoj unë, këta individë janë figura të shoqërisë së sotme e nuk kanë mbetur anonimë”. Mesila Doda, në të vërtetë, ka qenë më shumë se thjesht e përfshirë në lëvizjet e atyre kohëve. Studentja e Fakultetit të Ekonomisë ishte një nga shtatë anëtaret e Komisionit të Grevës së Urisë (prej kësaj, në ’96-ën i është dhënë Medalja e Trimërisë nga presidenti i Republikës). Dhe sot, si për koincidencë, është sërish një nga të shtatët në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, që përbëhet nga shtatë anëtarë. Ashtu si dikur në familjen e saj, me dy prindërit dhe pesë fëmijë, ku Mesila ishte më e vogla. Numri shtatë, numri i përsosmërisë në Bibël, mesa duket, e ka shoqëruar katoliken e sotme që herët.

Dhe pse, të paktën në fushën që mbulon KKRT, vështirë se mund të bësh përqasje me përsosmërinë. “Ky institucion nuk ka hapësirën ligjore për të vepruar si duhet, për të mos folur për mungesën e një hapësire fizike”. Gjithsesi, këtë të fundit Mesila e ka zbutur disi, sepse zyra e saj në katin e katërt të ish-hotel “Drinit”, ku ndodhet KKRT, nuk ka pamjen e tërë godinës. Dëshira që të ndihet mirë aty ku rri, ka përmbysur gjithçka, menjëherë pasi u vendos se do hynte në atë zyrë “aq burrërishte”. Shija klasike e asaj që ka ideuar gjithë arredimin është marrë pastaj me detajet. “Unë jam një tip klasik. Në veshje, në shije, në jetën që bëj. Stili modern nuk ka të bëjë me mua”. Megjithatë, poshtë hyrjes së institucionit ndodhet fuoristrada e saj, të cilën pëlqen ta ngasë vetë, që mund të quhet ekstravaganca e një gruaje aq klasike sa ajo, e cila nuk është e vetmja. Të qëndrojë zgjuar deri në orën 3 e gjysmë të mëngjesit për të lexuar “Harry Potter 7”, (ajo i ka lexuar edhe gjashtë të tjerët) si ju duket?

“Ndoshta nuk tregohem një katolike e mirë, por s’kam çfarë bëj – këto libra më tundojnë”. Do ta rrëfejë vallë katolikja këtë mëkat të përsëritur shtatë herë? Gjithsesi e ka bërë publikisht. Ndoshta ne të tjerëve na duken shije të çuditshme për një grua si ajo, me një imazh aq serioz. Gjithsesi ajo është në rregull: shijet i përkasin asaj.

Cilat janë pasionet dhe pëlqimet e Mesila Dodës (disa prej)?

Pasioni më i fundit: teknologjia (në krye të KKRT, kjo nisi si detyrë, por i ka hyrë në zemër)

Pasioni shtëpiak: gatimi (një pasion i përbashkët me Kelin: eksperimentojnë suksesshëm kuzhinën italiane)

Skuadra e zemrës: këtu e ka lënë Kelin vetëm. Ajo nuk do të shohë ndeshje futbolli me sy

Sporti i preferuar: e quan veten njeriun më josportiv të botës, megjithatë i pëlqen shumë të ngasë makinën e saj dhe ndoshta do guxojë të provojë garat Rally

Ëndrra më e madhe: ka të bëjnë me familjen, pastaj me vendin ku jeton ajo dhe familja e saj, pastaj me punën e gazetares, pastaj me tërë botën... ajo pranon e lumtur që nuk e ka humbur aftësinë për të ëndërruar

Sommario të mundshme

“Kush e tha që “karrierë” do të thotë vetëm të drejtosh? Të shkruash në shtyp apo të drejtosh një emision televiziv nuk është më pak e rëndësishme”

...për këtë pakkush e ka besuar dhe prandaj ajo më pas ka zgjedhur ta anashkalojë: është futur në klasë të parë që në moshën tre vjeç e gjysmë

“Dhe fundjavat apo pushimet i kalojmë gjithmonë të katërt. Zakonisht shkojmë në shtëpinë tonë në Golem, ose bëjmë ndonjë udhëtim jo shumë të largët. Nuk jemi familje e vendeve ekzotike” 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx