E hene, 29.04.2024, 09:39 AM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Korçarët e Bukureshtit. Dhimitër Polena (1915-1994)

E merkure, 20.08.2008, 06:16 PM


Dh. Polena dhe Thanas Gjika (me syze)
Korçarët e Bukureshtit. Dhimitër Polena (1915-1994)

“Mos më pyesni për Shqipërinë ngase më kaplon vaji kur e kujtoj”

Nga Baki Ymeri

Edhe në lagjet e Bukureshtit dëgjohen hyjnitë e Shqipërisë, kujtimi i një të shkuare fisnike, jehona e zërit të rilindësve tanë, shqipja e ëmbël e Lasgushit, Kosova e Gjergj Bubanit dhe Mitrush Kutelit, hapat e Asdrenit trotuareve të qytetit që mban emrin më të bukur shqip, përmallimi i Thans Kristo Rëmbecit ndaj gjuhës shqipe, shqipja si gjuhë e perëndive. Shqiptari për mik, është tretë e është fikë, thonë kosovarët. As që ta merr mendja se sa shumë e admironte shqipen një korçar i këtushëm: Dhimitër Polena. Sa herë që i vjente Thanasi në vizitë, pasi që kuvëndonin me orë të tëra për shqiptarët dhe Shqipërinë, kur merrte të kthehet në shtëpi, Dhimitri e përcjellte Thanasin deri te porta e shtëpisë, duke llafosur shqip, nga bulevardi Një Maji e deri në Sheshin Mataqe. Pastaj, në vend që t’i urojnë natmirime njëri-tjetrit, e përcjellte Thanasi Dhimitrin deri te porta e shtëpisë së tij, dhe kështu i kaplonte mesnata duke e përcjellë njëri/ tjetrin, duke u ndarë si dy rilindas të etshëm për të llafosur shqip, njëmijë kilometra tejmatanë kufinjve të Atdheut.
Dhimitër Polena u lind (më 17 gusht 1915) në një familje të varfër korçare, në lagjen Penço, dhe u shua para disa vitesh në spitalin Colentina, përballë godinës ku banon familja patriotike e Fatime Aliut, shqiptarja me rrënjë nga Liseci i Tetovës e cila i pat thënë me fjalë të ngjashme ishpresidentit Mojsiu: “Ne jemi pasardhës të Skënderbeut që bërë çmos për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe në familje, ngase është gjuha më e bukur në botë”. Dhimitri ishte i biri i Thimit dhe Eleonorës. Pasi kreu Liceun Francez të Korçës, përfitoi një bursë për të vijuar studimet në Rumani (në vitet 1930). Erdhi në Bukuresht, te e motra Praksithea, që ishte gruaja e Spiro Gjikës. Vendosi të regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, për të specializuar Historinë. Pati fat ta njohë qysh si student, dijetarin më të madh të Europës, Nikolla Jorgën. Emri i tij ndërlidhet ngushtë me admirimin e Jorgës për shqiptarët dhe Shqipërinë. Nën drejtimin e tij, në vitin 1936 pregaditi tezën e liçencës me titull “Mi?carea na?ional? albanez?” (Lëvizja kombëtare shqiptare), të cilën Nikolla Jorga e vlerësoi me notën dhjetë, duke propozuar përmes nënshkrimit të tijË Ky studim mjaft i mirë, mund  të botohet me mjetet nga fondi që ia kam dhuruar fakultetit (1936).
Dorëshkrimi në fjalë, i përkthyer në gjuhën shqipe nga dr. Luan Topçiu, e pa dritën e botimit pas 60 vitesh në Bukuresht, falë liderit të komunitetit shqiptar të Rumanisë, dr. Xhelku Maksutit. Fondi kulturor i Dhimitër Polenës nuk ndalej vetëm te ky dorëshkrim. Atij i shtohet dorëshkrimi i pafinalizuar i fjalorit të parë shqip-rumanisht dhe anasjelltas, me rreth njëqindmijë fjalë, studime dhe reçensione të përkthyera, dokumente të ndryshme të Dritës, bashkëpunimi me zbuluesin e dorëshkrimit të Kyezerit (Toderici), korrespondenca e Naços,  libra, broshura, apele, të gjitha të ndërlidhura ngushtë me shoqëritë shqiptare të Bukureshtit. Nga arkivi i tij kanë shfrytëzuar material për studime dhe dizertacione: Vehbi Bala, Catalina Vatasescu, Nicolae Ciachiri, Xhelku Maksuti, Thanas Gjika, Ismet Dërmaku etj.

Shoqeria Lira e Bukureshtit, 1918
„Jorga ishte filoshqiptar i ndezur”

Edhe në pleqëri të thellë, Dhimitër Polenës i kujtohej Jorga me kapelën e tij të gjerë dhe me udhëzimet prindore që ua jepte studentëve: Zgjeroni vazhdimisht horizontin e njohurive! Mos u përkufizoni vetëm në historinë e thjeshtë, por përvetësoni të gjitha disiplinat që bashkëpërkojnë me historinë: historinë e letërsisë, atë të arteve, madje, regjistrohuni edhe në fakultete tjera!  Kjo ndikoi që paralelisht me historinë, Polena të ndjekë edhe studimet e drejtësisë, dhe ta ndjekë pareshtur shtypin: Ishte një jetë e përbujshme. Pata fatin të njoh periudha shumë dramatike të popullit rumun, dhe se harroj kurrë dhembjen që përjetoi ky popull kur mori lajmin e zi mbi likuidimin e Jorgës nga legjionarët rumunë. Jorga ishte filoshqiptar i ndezur. Fliste me admirim për trimërinë dhe bujarinë e shpirtit shqiptar. Na admironte për lashtësinë, besnikërinë dhe fisnikërinë e shpirtit që kemi. Punimin mbi lëvizjen kombëtare shqiptare, që ma vlerësoi ai me notën më të lartë, e ruaj si një dhunti të shenjtë, ngase më duket se ky ishte studimi i fundit, i korektuar nga dora e tij.
Në vitin 1942, profesor Polena ushtroi profesionin e profesorit të gjuhës shqipe në Shkollën Italiane të Bukureshtit, kurse një vit më vonë, shkon në Shqipëri. Pas 6 muajsh kthehet përsëri në Bukuresht, për të regjistruar doktoraturën në degën e Historisë, të Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë. U regjistrua me të njëjtën tezë të liçencës: Lëvizja kombëtare shqiptare, por kësaj rradhe nën udhëheqjen e një dijetari tjetër, poashtu të famshëm: Gheorghe Bratianu, ngase Nikolla Jorgën e kishin likuiduar kriminelët e një organizatë filofashiste të “patriotëve” të veshur me këmisha të zeza. Pas reformës arsimore të vitit 1948, veproi një kohë në kuadrin e Ministrisë së Metalurgjisë, në një shkollë profesionale, në komunën Rëshnov të Brashovit, deri më 1952. Atje mbante korrespondencë me bashkatdhetarin Atanasie Papano dhe shqiptarë tjerë të këtushëm. Pastaj, pasi mori lejen për t’u vendosur në Bukuresht, u martua dhe filloi jetën arsimore, duke dhënë lëndën e historisë në liceun “Doamna Stanca”, si dhe në shkolla tjera të Bukureshtit, derisa u pensionua (1973). Janë këto disa nga fazat që dëshmmojnë se si një shqiptar i Korçës (Dhimitër Polena), apo një tjetër i Kërçovës (Xhelku Maksuti), ua mësonin rumunëve historinë e Rumanisë. Dhimitër Polena u shua pas një sëmurjeje të gjatë, në moshën 79 vjeçare, në njërën nga dhomat e spitalit Colentina. Varrimin e tij e nderuan veteranë të komunitetit, përfaqsues të ambasadës shqiptare, si dhe kryesia e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. (Ka dhe më)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora