E shtune, 27.04.2024, 01:53 PM (GMT+1)

Faleminderit

Skenderbeu. Ja 7 djemtë jashtë martese të dinastisë

E marte, 26.08.2008, 06:21 PM


Nga Ylli Polovina

Gjon Kastrioti u martua në vitet 1475 apo '76. I takon të ishte njëzetë apo njëzetë e një vjeç. Gjenetikisht prej të atit dhe së ëmës, Kastriotët dhe Arianitët, kishte traditë për lindje djemsh. Me siguri e ëma, Donika, e cila u kujdes për këtë martesë, nuk pati asnjë merak që të birit do t'i ndodhte ndryshe. Kështu edhe ndodhi. Çifti lindi mashkull dhe menjëherë atij iu vu emri i gjyshit të famshëm: Gjergj. Trashëgimia ishte siguruar. Gjoni, i cili edhe vetë, sipas rregullave dinastike feudale pati ringjallur gjyshin e tij, babanë e Skënderbeut, nuk e mbylli këtu çështjen e pasardhësve të vet. Ndërsa Gjergji u lind në fillim të vitit 1477, pothuaj më pak se një vit më pas, Erina dhe Gjoni u bënë me djalin e dytë. I vunë emrin Kostandino. Djali i tretë doli në jetë po kaq shpejt. U quajt Federiko. Afërsisht, rreth vitit 1495 lindi mashkulli i katërt si edhe pa u vonuar një vajzë, e cila u pagëzua me emrin Maria. Mund të ketë ngjarë edhe e kundërta: Maria ka lindur në fillim dhe më pas Federiko. Në kontrollin që disa studiues italianë e veçanërisht Prof. Xhankarlo Valone i kanë bërë librave të famullive të vendndodhjeve të Kastriotëve në Pulia, ku në feudet e veta rrinte shumicën e kohës Gjoni (e ëma, Donika, qëndronte në oborrin mbretëror në Napoli) nuk gjendet asnjë ditëlindje e regjistruar e të katër fëmijëve të tij. Sigurisht kjo u ndodhte shumëve atë kohë. Të bën përshtypje se pas lindjes së menjëhershme të dy djemve të parë (1477-'78) çifti Gjon dhe Erina presin mbi pesëmbëdhjetë vite për të nxjerrë në jetë, sërish fare afër njëri-tjetrit, dy fëmijë të tjerë. Këtë pauzë të padokumentuar mund ta interpretosh në mënyra të ndryshme, por një hamendje hap shteg patjetër: mos ndërkohë, në këtë të quajtur pauzë të gjatë të pajustifikuar, Gjoni ka pasur edhe fëmijë të tjerë, natyralë? Emërtimi "fëmijë natyralë" ka të bëjë me lindjen e tyre nga lidhje jashtëmartesore. Ndërsa të lindurit nga martesa zyrtare quhen juridikisht fëmijë të ligjshëm, ata të krijuar nga marrëdhënie dashurore apo seksi me gra të tjera, në vend të cilësimit si "fëmijë të paligjshëm", term i pasaktë juridikisht, thirren "natyralë". Janë prej gjakut të babait, pasojnë linjën e tij mashkullore. Gjoni jetonte në kohën kur të paktën për të fuqishmit e të pasurit, veçanërisht me dinastitë, lindja e fëmijëve natyralë ishte gjë e pranuar dhe e justifikuar nga opinioni. Madje në Mbretërinë e Napolit, vetë monarku Ferdinand nuk ishte bir i martesës zyrtare të të atit të tij Alfons. Ishte krijesë lidhjeje jashtëmartesore, të cilin në mungesë të një djali nga martesa zyrtare, vetë mbreti Alfons ia kërkoi Papës, siç atëherë ishte rregulli, ta shpallte trashëgimtar të fronit të tij. Dhe kështu ndodhi, edhe pse kundërshtarët e mëvonshëm politikë të monarkut Ferdinand e thërrisnin me përçmim "bastardi". Sidoqoftë ndryshe nga i ati i tij Skënderbeu, që u martua shumë vonë (afërsisht dyzetë e tetë vjeç) dhe bëri vetëm një fëmijë, i biri vuri kurorë njëzetë e një dhe në fund të jetës së tij të mbyllur më 1505 kishte të ligjshëm katër fëmijë. Ndërsa Skënderbeu ndërroi jetë 63 vjeç dhe për këtë shkak iu bë infektimi nga malaria, i biri jetoi vetëm pesëdhjetë vite. Dhe nuk iu ndanë disa drama që i erdhën njëra pas tjetrës. I biri i tij njëzetvjeçar, Kostandini, që nga fundviti 1497 ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë, duke tronditur veçanërisht gjyshen e tij, Donika, e cila i ngriti në një nga kishat e Napolit një varr monumental. Të dhëna të tjera jo plotësisht të sigurta dëshmojnë se në vitin 1500, pra kur ndërroi jetë Kostandini, mund të ketë vdekur edhe djali i tretë, Federiko. Secili lexues që po e ndjek me vëmendje këtë shtjellim të pemës gjenealogjike të Skënderbeut, do të thotë: Sidoqoftë është gjallë djali i parë, Gjergji, sipas rregullit dinastik vetë trashëgimtari. Mirëpo këtu pas dy dramave të para do të mbërrinte edhe e treta, më e madhja e tyre. Djalin e madh, pikërisht ngjallësin e emrit të Skënderbeut dhe trashëgimtarin e principatës në Shqipëri dhe të titullit të fisnikërisë, duke filluar nga fillimi i vitit 1501 Gjon Kastrioti nuk e pa më. Ai nën nxitjen dhe në shërbim të Republikës së Venedikut shkoi për mision kryengritjeje në Shqipëri, ku dështoi keq dhe nuk u kthye më. U bashkua me turqit dhe u vendos në Kostandinopojë. Për fat Gjoni iku nga kjo jetë vetëm pak muaj pasi në shtëpi i mbërriti gjëma. Për pesë vite ishte përmbysur e gjithë qëndrueshmëria dhe ardhshmëria e brezit të pestë me emër të Kastriotëve. Shpresa e vetme mbeti vetëm djali i fundit, i vogli Ferrante. Kur i ati u nda nga jeta, ai ishte po aq sa edhe vetë Gjoni kur mori rrugën e emigrimit: vetëm trembëdhjetë vjeç. Këtu edhe u kalua trashëgimia e dinastisë. Nuk e bëri dot Gjoni, i cili deri sa mbylli sytë akoma priste të rikthehej në shtëpi djalin e madh, Gjergjin. Kështu të drejtën e trashëgimtarit dinastik e kreu e ëma, Erina.
Ferrante, ky djalë që nuk duhej të ishte më shumë se pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç kur Marin Barleti në krye të librit të tij "De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis" ("Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Princi i Epirit") do t'i bënte përkushtimin e zjarrtë, mbetet edhe kyçi i të gjithë historisë në mos dhe keqkuptimit.
Pasardhësit
Pikërisht me fëmijët e Ferrantes nis pyetja dhe kërkohet përgjigjja përfundimtare nëse u shuan apo vijuan pasardhësit në linjë mashkullore të heroit kombëtar shqiptar. Më shumë se në Shqipëri kjo vazhdimësi, e përsërisim, kishte rëndësi tepër të madhe në Itali dhe në të gjithë Evropën, ku Skënderbeu zotëronte famë pothuaj globale. Viti 1505 do t'i sillte trashëgimtarit, Ferrantes ende të vogël, jo vetëm dhimbjen e vdekjes së të atit, por edhe të gjyshes. Donika ndërroi jetë vetëm pak muaj para të birit, Gjonit. Dha shpirt në Spanjë, në oborrin mbretëror Aragonez. Ajo jetoi edhe tridhjetë e shtatë vite më shumë nga i shoqi, por në vjeshtë 1505 vdekjen e saj e pasoi papritur i biri. Kështu ikën nga kjo botë së bashku ata dy që sërish së bashku, nënë e bir, në pranverën e vitit 1468 patën lënë Shqipërinë me shpresë të riktheheshin. Ferrante ishte me titull të trashëguar nga i ati, Gjoni, dukë i Galatinës dhe kont i Soletos. Sipas sërës së tij u martua me një familje fisnike italiane. Ajo quhej Adriana Akuaviva (Adriana Acquaviva) dhe ishte bijë e dukës së Nardosë, Belisario Acquaviva. Lindja e parë qe sipas traditës: djalë. Pas diçka më shumë se një viti fëmija e dytë. Doli vajzë. Duka Ferrante i vuri emrin e nënës, Erina. Janë afërsisht vitet 1516-18. Me një djalë u duk sikur problemi jetik i trashëgimit të dinastisë për Ferranten u zgjidh, por nuk është kështu. Këtu nis pjesa më e ndërlikuar e të gjithë historisë gjenealogjike të pasuesve të Skënderbeut në Itali. Është edhe më spektakolarja.
Ndërsa e kishte djalin si trashëgimtar dhe po ashtu një vajzë mjaft të bukur, Erinën, e cila do të bëhej edhe shumë e mënçur, nipi i Skënderbeut, Ferrante, lindi fëmijën e tretë. Është djalë. I vë emrin Federiko. Ndodhemi në 1519, pra një vit më pas nga lindja e Erinës. E papritura: Ferrante këtë djalë nuk e ka me gruan e tij të ligjshme, dukeshën Adriana Akuaviva, por me një tjetër. Ajo quhet Pacienca Polastra (Pazienza Pollastra), bijë e një qytetari të thjeshtë. Me Federikon nis cikli i fëmijëve natyralë të nipit të vetëm të Skënderbeut dhe po ashtu mbyllet lindja e fëmijëve të ligjshëm. Ferrante dhe Adriana jetuan bashkë normalisht, duke bërë 46 vite martuar. I nipi i Skënderbeut ndërroi jetë në 27 dhjetor 1561 dhe bashkëshortja e tij në 10 dhjetor 1568. Pra të dy i ndau vetëm vdekja. Atëhere përse ndodhi që Adriana Akuaviva, me sa duket një grua shumë e urtë përballë të shoqit tepër të trazuar nga pasionet dhe protagonizmi, nuk bëri më fëmijë? Pikëpamja ime, të cilën nuk e kam dëgjuar nga asnjë tjetër edhe përmatanë brigjeve, është se ajo nuk ka mundur dot të lindë më. Patjetër Ferrante ishte i ndërgjegjshëm dhe i vendosur që trashëgimtarin e dinastisë Gjergj Kastriot Skënderbeu ta vijonte nga martesa me Adrianën. Doemos edhe vetë Adriana këtë gjë e dëshironte shumë, ca më tepër që ashtu pasonte edhe emrin e derës së saj prej dukeshe nga Akuavivat. Si grua, deri edhe për sfidë ndaj flirteve të tij dhe grave rivale, ajo do t'ia kishte "rrëmbyer" Ferrantes të paktën një djalë. Kastriotët prodhonin djem. Për Adrianën zemërbutë shtysa e rënies shtatzënë për trashëgimtarin e ligjshëm do të ketë qenë jo vetëm e vazhduar, por edhe tepër torturonjëse, po të tregojmë se djali i saj i vetëm vdiq papritur në moshën dhjetëvjeçare. Kësaj krijese të pafajshme nuk i gjendet emri, por sipas studiuesit italian Alessandro Laporta, jeta e tij e shkurtër u harkua mes viteve 1516 dhe 1528. Këtë çast tragjik nipi i Skënderbeut kishte edhe një djalë natyror, Federikon, por kjo nuk e zgjidhte lehtësisht vijimin ligjor të dinastisë. Adriana Akuaviva donte të lindte fëmijë me të shoqin, por patjetër nuk ka mundur dot biologjikisht. Për fat të trishtë ajo grua e mirë duhet të jetë shterpuar, ndoshta nga ndonjë sëmundje. Krijesa e katërt e Ferrantes është vajzë, sërish fryt dashurie jashtëmartesore. Quhet Lukrecia (Lucrezia). Nëna nuk është saktësuar dot. Fëmija vijues quhet Alfons. Nipi i Skënderbeut e ka me Pacienca Polastrën, me atë që pati lindur Federikon. Tashmë ajo është rreth të tridhjetave. Pra Ferrante për më shumë se pesëmbëdhjetë vite nuk e ka braktisur.
Krijesat e tjera të nipit të Skënderbeut janë djem. Njërit iu vu emri Pardo dhe nëna e tij quhej Porcia de Urizio (Porzia de Urrisio), nga një familje e njohur e dukatit të Galatinës. Tjetri u pagëzua me emrin Akile (Achile) dhe për nënë kishte Dianora Koronitën (Dianora Coronita), një skllave, të cilën Ferrante ia kishte blerë një anijeje greke apo venedikase dhe e pati shpallur të lirë. Djali pasonjës quhet Çezare (Cesare). Nëna e tij mbetet e paidentifikuar. Djali i gjashtë Annibale, pagëzuar më 3 shtator 1552, pa të dhëna për nënën. Më 7 gusht 1554 lindi vajza me emrin Porcia (Porzia), frut i lidhjes jashtëmartesore të Ferrantes me Maria Vilamarin (Maria Villamari). Një vajzë tjetër, emri i të cilës do të ngjallë gjyshen Donika (Adronica) do të ishte krijesa e re. Ajo ka nënë Porcia de Urrizion, me të cilin nipi i Skënderbeut pati edhe djalin Pardo. Më vonë një vajzë e katërt jashtë martese do të marrë emrin e gjyshit Gjon (Giovanna). Më 3 maj 1562 u pagëzua i shtati djalë. U quajt Ferrante, në kujtim të të atit, sepse tashmë i nipi i vetëm i Skënderbeut kishte disa muaj që pati ndërruar jetë. Shtatë djem, katër vajza, katër gra jashtë martese dhe dy të tjera akoma anonime, janë bilanci (ndoshta i përkohshëm) i jetës intime të dukës Ferrante. Këtu ka nisur pështjellimi, pse jo edhe shumë dëshirë që historia e pasardhësve të Skënderbeut të mbyllet njëherë e mirë. Mirëpo pikërisht këtu, në këtë rrëmujë me pasion të tepruar (pse jo edhe të intriguar), gjendet fare mirë edhe hapësira për qartësim, shpjegim dhe mirëkuptim. Të lëmë mënjanë qejfet e Ferrantes,atë kohë gjë rutinë, por krahas dramës që pati bashkëshortja e tij fisnike Adriana Akuaviva, ka mjaft prova që na bëjnë të mendojmë se nipi i Skënderbeut dhe trashëguesi i atij emri shumë të famshëm në Itali dhe Evropë, është më pak mëkatar dhe përgjegjës nga sa duket me shikim të parë. Ferrante i trajtoi dukshëm të gjithë fëmijët e vet natyralë si t'i kishte të ligjshëm. Këtë gjë e bëri jo vetëm me vetëdije, por edhe me pëlqimin e gruas së tij Adriana. Më së pari u dha mbiemrin e tij, pra përkatësinë e dinastisë. Ata ishin të gjithë Kastriotë Skënderbej. Profesor Xhankarlo Valone ka gjetur një dokument të 12 majit 1566, ku thuhet se në Galatinë në martesën e dy shqiptarëve (Kirenti me Korinën) janë të pranishëm bashkë "zoti Don Achile, zoti don Pardo dhe zoti don Cesare, djemtë e të nderuarit Zotit Dukës sonë". I nipi i Skënderbeut u dha emrat më të shtrenjtë të Kastriotëve: Donika dhe Gjon. Po ashtu siç edhe e kishin vënë rregull pas ikjes në Itali u vunë edhe emrat e dy monarkëve të Mbretërisë së Napolit, at e bir, Alfons dhe Federik. Ferrante u dha pasuri. Federikos, djalit të parë natyral, i dhuroi për martesë 6000 dukate, një shifër shumë hutuese. Andronikës i bëri pajë 1400 dukate, Pardos një shtëpi të madhe me oborr në qendër të qytetit. Lukrecias po ashtu i dha pajë 545 dukate në dorë dhe 600 të tjerë në pasuri të paluajtshme.
I nipi i Skënderbeut pothuaj të gjithë fëmijëve të tij natyralë u kujdes t'u jepte tituj fisnikërie, kompetencë që e kishte vetëm mbreti. Federikon më 26 gusht 1548 e martoi me Aurelia de Nohan, të motrën e Vinçenso Marias (Vincenzo Maria), baron i Nohës. Djali i tij trashëgimtar Gjoni (Giovanni) u bë baron i Galianos. Akili mori grua Izabela Sanseverinon (Isabella Sanseverino), derë princërore dhe pasardhësit e tij u bënë baronë. Pardo lidhi jetën me Antonela Stafanjolin (Antonella Stefagnoli) nga një familje fisnike vendase. Çezare më 2 gusht 1587 është baron i Bakaricos (Baccarizzo) dhe i Santo Xhorxhos (Santo Giorgio). Lukrecia u martua me Çezare Baronin (Cesare Baroni), feudal i Disos. Xhovana u martua me Mario Kavacën (Mario Cavazza) nga një familje baroni me origjinë nga Taranto. Ferrante bëri gjithçka që djemtë e tij natyralë të kishin autoritetin e të ligjshmëve. U dha gjakun e tij. Kështu, me sa mundi, e zgjidhi vazhdimësinë e dinastisë dhe në atë jetën tjetër me siguri është i qetë dhe pa brengën e tmerrshme se mbylli derën e zëshme të gjyshit të tij. Kur e mendon se tek emri i Gjergj Kastriotit ne shqiptarët ruajmë një simbol të madh a nuk është pak si tepër ngurtësi që nuk pranojmë se Skënderbeu nuk e ka shuar vazhdimësinë në linjën mashkullore, por e ka vijuar deri sot. Konkretisht si? Kjo është temë tjetër. Me këtë cikël bëmë vetëm një përpjekje të zhbllokojmë brezin e akuzuar, atë të nipit të tij të vetëm Ferrante. Pastaj në shpjegimin degë pas dege të pemës gjenealogjike të heroit tonë kombëtar (sepse pasardhësit e tij janë sot të gjallë) do të jemi më të qetë. Në të gjithë këtë histori të gjysmës së harruar të Skënderbeut nuk lypen as tituj fisnikërie e ca më pak ndonjë fron apo kurorë. Thjesht kërkohet njohja sa më e plotë e rrënjëve tona, e identitetit që kemi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora