E hene, 29.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Faleminderit

Edip Tërshana, simbol i rezistencës kundër diktaturës komuniste

E hene, 25.08.2008, 04:59 AM


Me rastin e 60-vjetorit të ekzekutimit të Mësuesit të Merituar, dekoruar me medaljen "Shqiponja e artë"

Nga Reshat KRIPA

Fisnikëria lind bashkë me njeriun. Ajo trashëgoi brez pas brezi. Ajo reflektohet në veprimet dhe sjelljet e tyre karshi të tjerëve. Atë nuk mund ta përçudnojë asgjë. Ajo është një dhuratë e Zotit, të cilën nuk mund ta kenë fat të gjithë.

Ky gjak nuk mungonte në dejet e familjes Tërshana. Edipi i lindur më 15 mars 1907, ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe Sabries. I ati anëtar i klubit patriotik "Bashkimi" merr pjesë në Kuvendin e Dibrës më 23 korrik 1909. Punon për hapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin dhe është pjesëmarrës me armë në dorë i përpjekjeve të mëdha të viteve 1912-1913 kundër serbëve.

Shkollën fillore, Edipi e filloi në vitin 1916 në shkollën shqipe të Dibrës. Më 1920, ajo mbyllet dhe ai fillon punë si çirak në një repart qeleshpunuesish. Në vitin 1922, vendosen në Peshkopi. Po atë vit vazhdon shkollën qytetëse të hapur në Tiranë me vendimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, për fëmijët dibranë. E mbaron në vitin 1923, dhe po atë vit fillon shkollën normale në Elbasan të cilën e mbaron në vitin 1928.

Më 16 shtator 1928, fillon punë si mësues i klasës së parë në shkollën platore Shijak. Kështu vazhdon vite me radhë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë. Refuzon me përbuzje propozimin për t'u rregjistruar si anëtar i partisë fashiste. 27 nëntor 1942, 30-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Me nismën e tij vihet në skenë drama e Foqion Postolit. "Lulja e Kujtimit", Entuziazmi ishte i paparë. Sallën e ndezën më tepër fjalët e zjarrta të Edip Tërshanës dhe Beqir Haçit. Të nesërmen manifestimi i madh në shesh për ditën e flamurit. Përleshje me forcat e kuesturës.

Në pranverën e vitit 1942, bie në kontakt me elementë antifashitë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi. Ata e njohin me punimet e Konferencës së Pezës. Në bazë të vendimeve të saj, shtruan nevojën e krijimit të Këshillit Antifashist të Dibrës. Me krijimin e tij zgjidhet kryetar i këtij këshilli. Motivi kryesor i tij ishte lufta kundër pushtuesve fashiste. Në të bënin pjesë të gjitha forcat politike të vendit.

Në 8 shtator 1943, Italia kapitullon. Edipi merr kontakt me kapitenin anglez Hendz dhe komandantin e batalionit italian "Firence" Armando Picci, për të ardhmen e këtij batalioni. Vendosin që forcat e këtij batalioni të vihen në dispozicion të Komandës së Divizionit të Lartë Aleat të Lindjes së Mesme. Divizioni largohet nga Dibra. Këshilli Antifashist del nga ilegaliteti, por rrugët morën një rrjedhë tjetër, farë të papranueshme. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane që priste kthimin e Haxhi Lleshit. Çuditërisht filluan plaçkitjet në qytet. U dogjën edhe disa shtëpi, kryesisht të nacionalistëve. Më 9 shtator 1943, organizohet një mbledhje në Prefekturë. Edipi kërkon shpjegime për gjendjen, por askush nuk i kthen përgjigje. Tradhëtia e madhe e Konferencës së Mukjes kishte filluar të vihej në zbatim nga krerët e lëvizjes komuniste. Edipi detyrohet të japë dorëheqjen nga kryetari i Këshilit Antifashist në shenjë proteste.

Tashmë pasojat e Mukjes ishn shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Edipi dhe kapiteni angelz Hendz, kërkojnë të gjejnë një rrugë pajtimi ndërmjet forcave që po vinin drejt një lufte vëllavrasëse. Më 24 shtator 1943 organizohet një takim i Mithat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit, me krerët dibranë, Fiqiri Dine dhe Cen Elezi që kishte si qëllim organizimin e një Komiteti Kombëtar dibran. Por ngjarjet kishin marrë rrugë. Komunistët kishin mundur të marrin në dorë drejtimin e këshillit. Sipas udhëzimeve të tyre, krahas flamurit shqiptar u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhëtisë së madhe që do vazhdonte më vonë me dorëzimin e këtyre krahinave jugosllave. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.

Në mars 1945, shkon të takojë dhëndrrin e tij, Habib Gegën që ndodhej në burg. Merr kontakt me Qenan Dibrën, i cili i rekomandon për avokat Suat Asllanin. Ata e informojnë për lëvizjen antikomuniste që kishte filluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e personave të rrymave të ndryshme. Ata i parashtruan organizimin e një organizate të tillë antikomuniste dhe demokrate në Dibër. Këtë gjë, Edipi filloi ta vinte në zbatim porsa mbërriti në qytetin e tij. Aty takohet me miqtë e tij, Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Rasin Fetahun, Islam dhe Xheladin Ndreun, me të cilët krijon bërthamën e organizatës që do të quhej "Bashkimi Demokratik" dhe që do të përmblidhte rreth vetes përfaqësues nga rryma të ndryshme si social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rrezistencës. Lidhjet me Tiranën i mbante nëpërmjet Qenan Dibrës.

Aktiviteti i mësipërm nuk kishte si të mos binte në sy të sigurimit të shtetit. Për këtë sipas udhëzimeve nga qendra, Edipi tërhiqet për pak kohë. Cen Elezi me 10djemtë Islam , Xhelalin ,Ganiun Xheladin Ndreu etj, Dan Kaloshi dhe Menajt e Lurës, detyrohen të marrin malet. Shefqet Shehu, Rasim Fetahu dhe Eqerem Kukeli, arrestohen. Po ashtu, arrestohen në Tiranë edhe Qenan Dibra, Suat Asllani, Ivzi Golja dhe të tjerë. Kishte filluar terrori i tmerrshëm komunist.

Ardhja e Hysni Alimerkos si profesor i letërsisë në fund të shtatorit 1946 i dha hov të ri lëvizjes. Ajo kishte gjetur në personin e tij njeriun që dinte të drejtonte dhe të jepte leksione të shkëlqyera organizimi. Hysni Alimerkua i lindur në Tragjas të Vlorës, mori mësimet fillore dhe të mesme në vendin e tij. Pastaj shkoi për studimet e larta në Firence të Italisë ku u diplomua për letërsi. Gjatë luftës ka qenë sekretar i Financës së Komitetit Krahinor të Organizatës së Ballit Kombëtar për Vlorën. Takimi me Edipin bëri që pikpamjet e tyre të ishin të njëjta. Së bashku me Jani Ikonomin, Alqi Nushin dhe Kozma Gjergon, u bënë strumbullari i lëvizjes antikomuniste në Peshkopi.

Më 17 maj 1947, në Dobrovë, shefi i sigurimit krimineli Kopi Niku, kryen arrestimin e Edip Tërshanës. Arrestohen gjithashtu edhe Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë. Për të detyruar të arrestuarit të pranonin akuzat falso u provuan llojet më të tmerrshme të torturave. Vetëm ata që i kanë provuar ato në shpinën e tyre mund t'iu tregojnë për to. Por më mirë të mos flasë. Ato duken si të pabesueshme dhe të sajuara. Megjithatë një gjë dihet. Të gjithë qëndruan si luanë pa u përkulur para dhunës së ushtruar. Në mbarim të hetuesisë, Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ky takim la mbresa në shpirtin e tij. Ju kujtua e kaluara. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë "Bashkimi" që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha. Pastaj vendosi t'i jap fund jetës, duke prerë damarët. Të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë shkruan:

"Endrra ime është që Shqipëria të bëhet siç dua unë. Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin si bij të saj. Të jeni kryelartë se vdes si shqiptar".

Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit, ndërmjet të tjerave, thekson me krenarinë e një nacionalisti të vërtetë: "Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju, jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por, sot pushteti juej i quejtun popullor asht në robni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht. Kjo asht tradhëti!

Jam kundra për varsjet me gjyq dhe pa gjyq qi i bahen këtij populli. Jam kundra për burgosjet e 20.000 apo 30.000 shqiptarëve vetëm e vetëm se nuk janë komunistë. Dhe kjo vetëm pse kështu don sllavi. Kjo asht tradhëti!

Më 17 nëntor 1947, filloi gjyqi kundër 12 të akuzuarve. Para gjykatësve kukull ndodhen Edip Tërshana, Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Ali Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Elez Selishta, Ferit Pervizi dhe Munir Shatku, para gjykatësve të arrestuarit qëndruan si heronj.

Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi, Hysniu dhe jani dënohen me vdekje me pushkatim.Të tjerët me burgime të rënda. Të arrestuarit kthehen në qeli në pritje të zbatimit të vendimit. Në fund të dhjetorit lejohet takimi i fundit. Xhevria e shoqja dërgon fëmijët. Fjala e fundit e Edipit drejtuar atyre ishte:

"Mos vishi petkun e tradhëtisë"!

Personalisht kam patur fatin të njihem me dy nga personazhet kryesore të këtij grupi. Avokatin Jani Ikonomi e kam njohur në kampin e Urës Vajgurore. Një burrë i veçantë. Një intelektual dhe idealist i rrallë. Një mësues i ndjenjave nacionaliste për ne të burgosurit e brezit të ri. Shpesh herë na thoshte: "Mos u ligështoni, mos u përkulni para torturave dhe urisë! Qëndroni me kryet lart, ashtu si kanë qëndruar paraardhësit tanë! E ardhmja e Shqiperisë është e sigurtë. Gjaku i të rënëve është ushqimi i saj. Do të vijë koha kur njerëzit do të shkëputen nga demagogjia e kuqe dhe do të fillojnë të ndërtojnë të ardhmen e atdheut, të ardhmen me të vërtetë demokratike. Për këtë jam i sigurtë.

Sot, Jani nuk jeton më, por ideali i tij triumfoi mbi dogmat komuniste.

Me Hysniun u njoha mbasi doli nga burgu, por më tepër u lidhëm me ndryshimet demokratike, kur luftonim në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, për realizimin e amanetit të të rënëve tanë, për çrrënjosjen e komunizmit nga vendi ynë. Idhulli i tij ishte Edip Tërshana. Kur u lirua nga burgu i Burrelit mbas 20 vjetësh dhe po kthehej për në shtëpi, ndaloi në qytetin e Kavajës. Donte të takonte Xhevrien, Lirinë dhe Nihatin, familjen e mikut të tij më të mirë, të cilët banonin atje. Trokiti në portë. Ajo u hap dhe ata mbetën të shtangur. Ju duk sikur para tyre u shfaq Edipi. Ndenjën atë mbrëmje gjithë natën, duke biseduar dhe të nesërmen ai u nis për në Vlorë.

Nuk mund të harronte çastet e fundit të mikut të tij të pavdekshëm, Edipit, të përshkruara me aq dhimbje para tij: "Kishte kaluar mesi i natës dhe ne qoftë nga ngarkesa prikologjike, qoftë nga të ftohtit, nuk na kishte marrë gjumi. Duhet të ketë qenë ora dy e gjysëm e natës, kur dëgjojmë një urdhër që u jepet ushtarëve:

Përgatitni armët! Nga biruca e tij dëgjojmë zërin e Edipit që na thotë:

-Nuk janë shenja të mira. Unë jam njëqind për qind i vdekur. Sidoqoftë, kushdo që do të shpëtojë t'u tregojë fëmijëve të vërtetën. Amanet djalin! S''vonoi shumë kur dëgjojmë Kopi Nikun që i drejtohet Edipit. - Qenke bërë gati? Dil atëherë.

E hipën në makinë dhe u nisën. Zhurma e saj u dëgjua edhe pak kohë pastaj e mbuloi zhurma e lumit. Mbas pak u dëgjua një breshëri armësh. Edipi ishte ndarë prej nesh. Një reshter nga Pogradeci, që shërbente aty na tregoi çastët e fundit të tij. Kur e kishte pyetur prokurori për fjalën e fundit ai u përgjigj:

-Rroftë Shqypnia! Në sytë e Hysniut pashë të rridhnin dy pika lot.

Edip Tërshana, u ekzekutua pse denoncoi tradhtinë kombëtare të enveristëve të Tiranës

Dekorohet nga presidenti B. Topi, një demokrat i vërtetë

Figura e Edip Tërshanës është emblematike, paçka se e lënë në harresë, përkohësisht.
Dje ai u dekorua nga Presidenti Bamir Topi.
Presidenti është treguar në lartësinë e misionit të tij në këtë vlerësim, në kohën kur janë bërë qytetarë nderi dhe janë dekoruar nga presidentët e mëparshëm, pas vitit 1997, persona të dyshimtë. Për të treguar vlerën e këtij nderimi të një personaliteti të shquar të përkushtimit ndaj atdhedashurisë, demokracisë dhe burrërisë, shpresoj të mos merret si largim nga tema, krahasimi me persona, të cilët sot kanë tituj të pamerituar, të dekretuar nga etja për të nxjerrë në pah veprimtarinë servile ndaj diktatorit, ekzaltimit të një diktature mizore, dhe meskinitetit të paskrupullt.
Krahasimi më sjell në kujtesë një intelektual të kohës së diktaturës që i ka vërtet ato tre minuse të rënda të personalitetit të njeriut që u cekën më lart: 1: Prof. Skënder Luarasi e ka stigmatizuar publikisht që ia ka blatuar një ish-kryeministri të kohës së fashizmit, me dedikim, vëllimin e tij me poezi (“....”). 2. Në një shkrim të botuar me emrin e një personi të njohur për korrektesën e autorit të shkrimit, (1993, siç më duket) jepet një episod vërtet trishtues i personit që mori titullin e “qytetarit të nderit”: Kur gjatë luftës civile brenda luftës së madhe, pasojë e interesave të emisarëve të Titos, kryetarit të një njësiti partizan të luftës, që ishte “i nderuari me titullin e pamerituar”, gjatë periudhës pasdiktatoriale, i prunë katër a pesë “robër”, të lidhur: I pa, njërin pas tjetrit, nga koka te këmbët e iu dukën të rrezikshëm. Tha, në mënyrë të prerë: “Të ekzekutohen”. U tha, u bë! 3. Ndër të shtrirët e përgjakur, i zuri syri, në gishtin e njërit, një unazë ari, që shkëlqente së tepërmi në dritën e rrezeve të diellit, kur u pushkatuan njerëz pa gjyq: U ul në gjunjë, e këqyri gishtin ngultas, nxori nga xhepi një biçak dhe me një gjakftohtësi cinike, i preu gishtin: nuk mundej dot t’ia shkëpuste unazën pa këtë “operacion”! Kjo është ajo që cilësuam si meskinitet i paskrupullt. Dhe, nëse nuk ia kemi përmendur emrin, këtë e kemi bërë për të mos ndotur, figurën e ndritur të Edip Tërshanës, kryetarit të Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Dibrës, të cilit i njihet ajo thënia e famshme, me shkrimin e tij: “Enver, kjo asht tradhti kombëtare”! Doemos u ekzekutua edhe kjo figurë e pastër e atdhedashurisë shqiptare, (18 janar, 1948).
Dibranët nuk kanë për ta harruar kurrë atë që kanë dëgjuar nga etërit e tyre, për kohën pas 8 shtatorit të vitit 1943 (Rënia e Musolinit), kur Edipi u ndesh dhëmb për dhëmb me Svetozar Tempon, më 13 shtator. Tempo kërkoi të ngrinte flamurin maqedonas në Dibrën e madhe, ku valëvitej flamuri shqiptar. Tempo kishte ardhur me forcat e tij partizane jugosllave dhe urdhrat e tij kuptohej se jepeshin në emër të mareshalit! Bëhet një ballafaqim i ashpër i këshilltarëve, me Edipin në krye, në kundërvënie ndaj Tempos, që kishte ardhur pas vënies së flamurit jugosllav në Kërçovë, gjë që donte ta bënte edhe në Dibër, duke e gjetur të çliruar qytetin, me rënien e italianëve, pa zbrazur asnjë pushkë! Tempo e pa se forcat e veta ishin shumë më të pakta se ato të Edipit. Pas bisedës thikë më thikë, e zbriti pazarin: të ngriheshin të dy flamujt! Radoslaveviçi i shkruante komitetit krahinor të PK-së jugosllave: “Dibra është çliruar, por ne nuk e kemi pushtetin në dorë. Atë e kanë disa nacionalistë që nuk janë aspak afër me vijën tonë”. Prapamendimet ishin të qarta: Po futeshin elementët komunistë në radhët e Këshilli Nacionalçlirimtar. Jo “po futeshin”, por po “vërshonin”. Kjo po bëhej me zellin e Komandës së Përgjithshme, domethënë të komandantit të saj, që dihet se cili ishte, pas Spiro Moisiut.
Në fund të shtatorit 1943, forcat partizane po shkonin drejt një konflikti të armatosur. Mezi u shmang përplasja, që mund të shkaktonte lumenj gjaku...
Tipare të luftës civile, të projektuar nga M. Popoviçi dhe nga D. Mugosha!
Edip Tërshana e shmangu këtë gjakderdhje, por në Gërhot të Gjirokastrës Hysni Lepenica, me 33 të tijët, u vra nga pushtuesit. Dhe provokuesit komunistë e shpallën Hysni Lepenicën ...fashist!
Në gjyqin-farsë që u bë kundër Edip Tërshanës, ai tha se Lufta la mënjanë Kosovën dhe Çamërinë dhe nuk u vu në zbatim Rezolucioni i Pezës. Në ndërhyrjen e Prokurorit: - “Ju keni propaganduar një qeveri koalicioni”, Edipi dha këtë përgjigje: - “Formimin e Qeverisë së koalicionit e quaj të drejtë, mbasi në kët mënyrë do të krijohej nji bashkim vllaznues i të gjithë shqiptarëve”. Mendimet e tij pluraliste Edipi i ka shfaqur edhe në gjyq.
Presidenti i republikës ka ditur të çmojë ithtarët e shoqërisë pluraliste, përkundrejt dhunimit të frymës antidiktatoriale të Asamblesë Parlamentare të KE-së, që përdhosën edhe Rezolucionin e Pezës. Autori i Librit “Edip Tërshana”, Gafur Zoto (Tiranë, 1999), i ka argumentuar të vërtetat për këto të dhëna, me dokumente arkivore, me analizën e dosjes gjyqësore dhe me citate dëshmish gojore. Protagonistët e majtizmit shqiptar as që duan të dinë se sot ekziston një vendim i Asamblesë Kombëtare, të cilin e kanë përdhunuar.
Vlerësimi i figurave të tilla si ajo e Edip Tërshanës është një detyrim moral dhe politik.
Është e natyrshme, pra, përse kjo nuk u bë gjatë periudhës se qeverisjeve socialiste.
Ata edhe sot flasin për Rezolucionin e Pezës, sikur të ishte një rezolucion komunist! Sa për emrat që ata i kanë për zemër, -si ajo e të paemrit, që përmendëm në këtë shkrim,-do të duhej që njerëzit të rronin si në kohët biblike, që Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli e të tjerë, ta thoshin fjalën e tyre për atë të paemër dhe ta ngrinin zërin gjersa të oshtinte: - Nuk e duam nderimin tuaj, zotërinj hipokritë!

G. 55, 06.11.2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora