E shtune, 27.04.2024, 07:39 AM (GMT+1)

Faleminderit

"Sekretarin" e Fishtës, diktatura e la pa varr

E marte, 26.08.2008, 04:40 PM


Nga Brikena Shllaku

 

Shkoder - Zemra pushoi së rrahuni, - po, por dhe ai s'jetoi ma. E varrosën në një shkreti, larg jetës e larg njerëzve". Kështu do ta parashikonte fundin e tij tragjik Qemal Draçini në një skicë në vitin 1939, "Vet-vetes". Ndonëse ishte vetëm 17 vjeç kur shkroi këtë skicë, ai parandjeu tragjedinë e jetës së tij dhe faktin se do të mbeste pa varr. Nuk kaluan më shumë se 8 vite, kur ishte 25 vjeç, profecia tragjike e skicës së tij do të plotësohej. Diktatura komuniste do ta mbyste intelektualin e mirënjohur shkodran e do ta linte pa varr. 6 mars 1922 e 10 tetor 1947. 25 vite jetë të përkushtuar, pa luhatje në shërbim të misionit të ndritur për të luftuar të keqen, errësirën, për të mbajtur të gjallë shpirtin e kombit, dëshirat dhe shpresat liridashëse. Ndonëse u "shua" shumë i ri dhe dhunshëm nga diktatura, Draçini, la pas një emër të nderuar; një krijimtari letrare cilësore; angazhim social; politik dhe pedagogjik. Pas rreth 60 vitesh nga vrasja e tij në burgjet e tmerrshme të sigurimit të shtetit, për ironi të fatit ai nuk ka as dhe një varr ku të afërmit dhe dashamirësit e tij, t'i vendosin një buqetë me lule në shenjë respekti. Diktatura e atyre viteve ishte kujdes në perfeksion për një fakt të tillë.
 

SHKRIMTARI


Qemal Draçini ishte pjesë e asaj gjenerate intelektualësh shkodranë dhe shqiptarë të viteve të errëta të pasluftës, që sakrifikuan rininë dhe jetën e tyre për çështjen e drejtësisë shoqërore dhe të lirisë së Atdheut. Të jetosh kaq shkurt sa "Profesor" Draçini dhe të lësh pas një respekt të madh; shumë dashuri, adhurim nga ata që e njohën..., siç duket është një dhunti e atyre që kur lindin, Zoti u fali shumë pasion; ëndrra; vullnet; aftësi intelektuale dhe rebelim ndaj autoritetit të imponuar dhunshëm. Por që ishte në dorën e tyre të zgjidhnin dhe t'i përdornin këto dhunti në shërbim të vërtetash të shenjta e fisnike. Edhe Qemal Draçini i përkiste kësaj kategorie njerëzore, që sikur ta dinte se nuk kishte shumë kohë në dispozicion, konsumoi me një frymë e energji të paparë të gjithë pasurinë e tij të brendshme shpirtërore. Në 25 vjetët e jetës së tij, ai paraqiti mjaft vlera si intelektual, shkrimtar, përkthyes dhe mësues. Ishte vetëm 16 vjeç, kur i madhi Gjergj Fishta do t'i propozonte të bëhej sekretari i tij. Sipas kujtimeve të sjella gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e dhënies së titullit "Qytetar Nderi" i Shkodrës, nga të njohur e ish-nxënës të tij, tashmë të thinjur, Draçini ende nuk i kishte mbushur 15 vjeç, kur rrinte në shoqërinë e heronjve të popullit, Qemal Stafa dhe Emin Duraku.
 

HISTORIA


Në moshën 16 vjeç e gjysmë, ai do të ishte në bankën e të akuzuarve së bashku me anëtarë të grupit komunist të Shkodrës, ku më pas u burgos në Mbreshtan. Dy vjet më vonë, pikërisht ditën kur mbaronte maturën burgoset përsëri, këtë herë nga fashizmi. Idealet e atdhedashurisë dhe ndërgjegjja demokratike e rreshtoi në radhën e intelektualëve përparimtarë të kohës që aspironin prosperitet e zhvillim. Pesë vjet më vonë, ai do burgosej për herë të tretë, këtë radhë nga diktatura e re komuniste. Dashuria për qytetin e tij të lindjes, pasioni për letrat dhe dëshira e zjarrtë për lexime, ishin ato që e karakterizonin në rininë e tij të parë kur studionte në lice. Si shkrimtar lëvron prozën tregimtare, poezinë dhe prozën studimore e kritikën letrare. Proza dallohet për frazën konçize, të saktë, të prerë, me gjykim objektiv e arsyetim racional, ku përçohen emocione të shumta. Qemal Draçini studion në Itali, ku kthehet në vitin 1943, ndërsa në fillim të vitit 1944 arrin të botojë revistën "Fryma" së bashku me Myzafer Pipën. Më 1945 jep mësim si mësues letërsie, ekonomie politike dhe drejtësie në Institutin "Donika Kastrioti" dhe në Liceun e Shkodrës. Në pranverën e vitit 1946 dhe gjatë verës të po atij viti, ai punoi për tekstet e reja të letërsisë së shkollave të mesme në Ministrinë e Arsimit, së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Skë-nder Luarasin dhe Sterjo Spasen. Arrestohet pa asnjë motivacion të qartë dhe torturohet për rreth një vit çnjerëzisht, derisa vdes nga torturat. Më pas trupi i tij i pajetë hidhet pa ditur se ku...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora