E shtune, 27.04.2024, 10:24 AM (GMT+1)

Faleminderit

Shpendi, ramboja shqiptar që tmerroi serbët

E hene, 25.08.2008, 06:32 PM


Heroi Skerdi Llagami
Ka lindur në Tiranë, me origjinë është nga Kosova, dhe ka rënë në luftën çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë. La në shtëpi nënën, babanë dhe motrën pa ju treguar asgjë rreth misionit të tij, që e shkroi përjetësisht në histori, luftën për çështjen kombëtare.


Nga Luan Kondi

Ish-“ramboja” shqiptar i forcave speciale “Brisku”, la repartin për të shkuar atje ku e thërriste detyra ndaj kombit. Skerdi Llagami, një nga 28 luftëtarët vullnetarë nga Shqipëria që ranë dëshmorë në luftën e Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, sot është simboli i shqiptarisë, pasi dha jetën për kombin e kujtimi i tij do të jetë i paharruar. Po mbushen gati dy vjet nga koha e rënies së tij në krye të detyrës, për liritë e të drejtat e mohuara të shqiptarëve. Skerdilaidi, ish-drejtuesi i njësive speciale të UÇK-së, ku luftoi deri në pikën e fundit të gjakut, dha jetën në Maqedoni. “Ai ka qenë gjithnjë atje ku vdekja ishte e sigurtë në drejtim të batalionit të dytë të Br.134 të UÇK-së, në Koshare, (zonë e Dukagjinit), por edhe në Preshevë e Maqedoni”, të thonë bashkëluftëtarët e Skerdit. Komandant “Shpendi”, siç e pagëzuan në luftë, ishte trimi nga Shqipëria, tashmë dëshmor i kombit, që kujtohet me respekt nga të gjithë. E ndërsa Bardhyli, e ka quajtur Skerdilaid, pasi e kishte tërhequr figura e mbretit ilir, legjendë e historisë së lashtë shqiptare, nuk e dinte se i biri do të ishte legjenda e kohës së sotme. Babai i dëshmorit, që është rreth të 60-tave, tregon për gazetën se si ra heroikisht i biri në Bogovi të Maqedonisë. Edhe pse ka humbur djalin e vetëm, nuk derdh lotë dhe kur ndonjë pikë loti i shpëton pa dashur, ai për t´u “justifikuar” të thotë një shprehje të Leon Tolstoit: “S`po më largohet kjo e shkretë rrufë”.

Bardhyli: “Ju tregoj se si e edukova tim bir”

“Është e çuditshme - thotë Bardhyli - se si rodhi jeta e tim biri. Ai që fëmijë ishte një djalë i dhembshur, i urtë, i ndrojtur dhe fjalëpak. Ky karakter vazhdoi që ta shoqëronte edhe më vonë”. Halli i tjetrit ishte preokupacion edhe për Skerdin, i cili, mbas të 14-ve, u muar me stërvitje fizike dhe krijoi një trup të jashtëzakonshëm. Duke u rritur, ai u bë edhe më i heshtur dhe kishte për zemër historinë e Shqipërisë, e nëpërmjet saj njihte të gjitha trevat brenda dhe jashtë vendit. “Gjatë gjithë kohës, që Skerdi rritej, i kam treguar ngjarje të ndryshme, ku spikatnin figura të shquara të kombit shqiptar për trimëri, besë e mençuri. Mbi të gjitha, i kisha shpjeguar mirë se prejardhja jonë e hershme ishte nga Gryka e Rugovës. Këtë informacion më duket se e “treti” në vete, duke e ruajtur si gjënë më të shtrenjtë të të gjithë veprimtarisë së tij të mëvonshme. Historia më interesante, që i mbeti në mendje, ishte ajo e stërgjyshit të tonë, Moç Llagami, i cili në moshë tepër të re, kur luftonte kundër serbëve, vrau komandantin armik e dogji post-komandën. Që nga ajo ditë, Moçi u largua për të mos u kthyer përgjithmonë në vendlindje. Kështu u formua tre shekuj më parë fisi Llagami, në Tiranë”, tregon Bardhyli, i ati i Skerdi Llagamit. Skerdi ishte krenar që ishte pasardhës i avokatit të parë të Tiranës, patriotit të trevave të Shqipërisë së mesme, Myslim Llagami, gjyshi i të atit, që e kaloi jetën në burgje e internime, nga turqit, serbët dhe që u dënua me vdekje nga Esat Pashë Toptani. “I kisha treguar se si u dënua me vdekje im gjysh, por vendimi nuk u ekzekutua falë ndërhyrjes së gjyshit të Aleksandës Meksit, i cili mundi ta kthejë dënimin e Myslimit në internim. Skerdi ndihej mirë kur i tregoja histori të tilla, por, njëkohësisht, u mbrujt me urrejtjen kundër serbëve, për shkak të veprimtarisë së tyre të shëmtuar antishqiptare. Këto histori, ai nuk i harronte kurrë”, rrëfen Bardhyl Llagami. Më vonë, ndjenja e burrërisë, e përkushtimit ndaj atdheut të stërgjyshëve të tij, u bë tema kryesore e bisedës së Skerdit me shkokët, të cilët ishin çuditërisht më të mëdhenj në moshë se ai. Sipas Bardhylit, i biri, pasi mbaroi shkollën e mesme, për një farë kohe, u mor me punë të ndryshme si elektromekanik. Ndërsa në vitin 1997, Skerdi u ingranua në strukturat e Ministrisë së Rendit. Në trazirat e marsit të atij viti, 28-vjeçari me muaj të tërë nuk ka fjetur në shtëpi, por në autoblindat e policisë, që kanë stabilizuar rendin në kryeqytet. Më pas, për një kohë të gjatë, ka punuar në repartin special “Brisku”, ku ka realizuar detyra tejet të vështira për vënien në pranga të shumë personave në kërkim. Shokët e Skerdit tregojnë se ai ishte njeri që nuk e njihte frikën dhe këtë ia kishin transmetuar edhe familjes së tij, e cila ishte e shqetësuar.

Skerdi, në shërbim të çështjes kombëtare

Revoltat e shqiptarëve të Kosovës e prekën thellësisht ndërgjegjen e Skerdit. Në qershor të vitit 1998, si rezultat i një pjekurie të arrirë plotësisht, lidhur me detyrën që ndjente ndaj kombit, Skerdi, pasi ka trajnuar rreth 400 persona shqiptarë, që kishin ardhur nga e gjithë bota për të luftuar kundër serbëve, duke ndjekur rrugën Burrel-Tropojë, hyri në Kosovë. “Kishte kohë që bënte biseda për çështjen kosovare në shtëpi. Madje, që nga viti 1993, nga persona të afërt, që i kam kontaktuar më vonë, mësova më tepër rreth vizionit dhe veprimtarisë së tij të mirëfilltë kombëtare. E them me sinqeritet se, përveç kontributit që unë kam dhënë, duke i folur për origjinën e fisit tonë, nuk kam ndonjë meritë në aktivizimin e Skerdit në luftën e Kosovës”, vazhdon Bardhyli. Skerdi merr kështu me ndërgjegje të plotë vendimin për të qenë krah vëllezërve kosovarë në luftën e tyre të drejtë për liri dhe pavarësi. Në shtëpi kishte thënë se do të shkonte në Itali për të punuar, pasi ndjente keqardhje për prindërit që po i linte vetëm. Në fakt, ndodhi krejt e kundërta, gjë e cila nuk i kishte shkuar në mendje as familjes së tij, pasi Skerdi shkoi të radhitej në formacionet e UÇK-së, duke u vënë në krye të shqiptarëve të tjerë të ardhur nga të katër anët e botës për të njëjtin qëllim. Bashkëluftëtarët e tij kanë thënë se Skerdi, i shndërroi këta atdhetarë të flaktë në luftëtarë të zotë, pasi ata nuk kishin prekur ndonjëherë armë me dorë e jo më të ishin përdorues të tyre.

Komandant “Shpendi”, ose tmerri i serbëve

Formacioni ku bënte pjesë Skerdi Llagami vepronte në Koshare, Junik, zona të Dukagjinit, por edhe në zonën e Pejës. Në UÇK, ai do të kryente detyrën e komandantit të batalionit të dytë të Br.134, e më pas po në këtë batalion, por që tashmë i përkiste Br.138 të UÇK-së. Në luftë e pagëzuan me emrin komandant “Shpendi”, kjo për arsyen e thjeshtë që si shpend guximtar ai kishte fluturuar ngë Tirana në Kosovë. Një bashkëluftëtar i Skerdi Llagamit, nga Kukësi, kur tregon se si ua punonte serbëve komandant “Shpendi” thotë: “Serbët e njihnin mirë për fytyrë komandant Shpendin. Madje, ata arrinin të dallonin edhe zërin e tij sa herë ai fliste me komandën eprore, apo dhe me luftëtarët në radion marrëse-dhënëse. Komandant Shpendi ishte bërë për ta një tmerr i vërtetë dhe për këtë ishte një nga personat më të kërkuar. Serbët donin të identifikonin vendndodhjen e tij me patjetër për ta goditur e asgjesuar më pas. Komandant Shpendi i kishte parashikuar këto gjëra dhe e kishte porositur efektivin se vendndodhja e tij në fushën e betejës do të ishte numri që komunikonte në radio plus edhe shifrën tetë. Ka ndodhur shpesh që ai thoshte numrin dhe serbët bombardonin fuqishëm kuotën që kishin dëgjuar në radio, por habiteshin kur e dëgjonin përsëri zërin e tij. Komandant Shpendi, i ndërronte shpesh kodet për të ruajtur efektivin nga armiku. Ai ishte i lidhur shumë me vartësit, të cilët shikonin te komandant Shpendi eprorin trim, të paepur dhe të sakrificave. Nuk mund të harroj se si ai i merrte në krah shokët e plagosur dhe i ngjitej malit me shpejtësi. Sa i rreptë ishte në detyrë, aq i dhembshur ishte kur përcillte për në banesën e fundit shokët e vrarë”. Raste si këto i kanë treguar shpesh Bardhylit, babait të komandant Shpendit, i cili tashmë e ka kuptuar se i biri nuk i përket vetëm atj, por gjithë kombit shqiptar. Drejtuesit e luftës në Kosovë e Maqedoni, e kanë cilësuar komandant Shpendin si luftëtar tejet të zotin. Ata nuk ngurrojnë të thonë se ai kishte mirë të ngulitur në mendje thënien e një strategu të madh ushtarak dhe shpesh u thoshte ushtarëve: “Shokë, po më patë që sulem përpara më ndiqni, po vutë re se kthehem prapa më vrisni”. Kjo kishte të bënte me formimin e mirë ushtarak që tashmë kishte marrë ky njeri. Ata që e kanë njohur në betejë komandant Shpendin thonë se karakterizohej nga profesonializmi i lartë dhe nuk e njihte aspak frikën. Madje, sipas tyre, në zgjidhjen e situatave të vështira ai ishte i pari. “Një herë duhej të sulmonim drejt një bunkeri, nga i cili qëllonte papushuar një mitraloz serb. Komandant Shpendi, i veshur tërësisht me dinamit, u vërsul mbi ta. Serbët të alarmuar e lanë bunkerin dhe u larguan të tmerruar”.

Familja, asnjë dijeni për Skerdin

Gjatë gjithë periudhës së largimit, familja e Skerdit nuk dinte asgjë për vendndodhjen e tij në Itali, ku kishte thënë se do të shkonte. Ata, madje, ishin të shqetësuar. “Një herë, një kushërira jonë na tha gjithë gëzim se kishte dëgjuar në edicionin e lajmeve të kanalit 5 italian se një shqiptar kishte fituar çmimin e parë për trupin më të bukur. Ajo mendonte se ky ishte Skerdi. Mbasi u interesuam, u sqaruam se nuk ishte ashtu. Dhe kjo do të vazhdonte deri kur pas mbarimit të lutës në Kosovë në një gazetë të përditshme u botua intervista me një nga komandantët e UÇK-së, nga Shqipëria, që quhej Artan Dyrmishi. I intervistuari pyetjes së gazetarit se a kishte të tjerë shqiptarë që luftonin në Kosovë iu përgjigj: “Aty ku vdekja ishte më e sigurtë Skerdi Llagami ishte komandant batalioni”. Nëpërmjet këtij lajmi ne mësuam vendndodhjen e djalit tonë, por ishte e pamundur të kontaktonim me të. Më pas, Skerdi na ka bërë një telefonatë të shkurtër, ku na tha se do të shiheshim së shpejti. Vonë e mësuam se telefonata na ishte bërë nga Lugina e Preshevës”, vijon Bardhyli. Me mbarimin e luftës në krahinën e Preshevës, komandant Shpendi u kthye në Kosovë e vazhdoi veprimtarinë e tij fillimisht në përbërje të forcave të TMK-së, efektiva të Ministrisë së Rendit Publik të Kosovës.

Skerdi vullnetar edhe në luftën e shqiptarëve të Maqedonisë

Pas fillimit të veprimeve luftarake në territorin e Maqedonisë, komandant Shpendi bashkë me 40-50 persona të tjerë vullnetarë shkoi në Prizëren, për t´u përshëndetur me shokët që do të qëndronin në Kosovë, pasi do të nisej për në Maqedoni. Valboni, zëvendëskomandanti i batalionit, që drejtonte komandant Shpendi, duke e ditur se sa i njohur dhe i kërkuar ishte eprori i tij nga armiku, i thotë me zë të drithëruar në mes të burrave: “Komandant Shpendi, unë mendoj se ti ke luftuar boll. Ke qenë në disa luftra dhe mos rreziko, pasi armiqtë të kanë në shënjestër”. Komandant Shpendi e përqafoi Valbonin në shenjë miratimi dhe tha: “Edhe sikur shtatë luftra të bëhen për Shqipërinë, te të shtata do të jem”, dhe u nis për në shtabin e Ali Ahmetit. Me të mbërritur atje, organizoi njësitet speciale për vendosjen e situatës dhe komandant u emërua ai vetë. Kishte përzgjedhur djem trima, të përkushtuar dhe të përgatitur fizikisht. Komandant Shpendi drejtoi situata të rrezikshme luftarake dhe doli gjithnjë me sukses në zgjidhjen e detyrave.

Si u vra komandant Shpendi

Ditën e diel, më datën 1 korrik të vitit 2001, në orën pesë pasdite, në zbatim të një urdhri, u vra në krye të detyrës komandant Shpendi. Kishte marrë përsipër të spastronte nga elementët armiq qytezën e Bogovisë. Ai ishte në krye të njësitit dhe u godit me dy plumba, në pritë, nga një snajper. Plumbat e mbërthyen për vdekje, njëri në zemër dhe tjetri në bark. Shokët e njësitit, të papërmbajtur dhe në shenjë hakmarrjeje, e shkretuan të gjithë vendin, ku u vra komandanti i tyre. Komandantin trim, të njohur me emrin Shpend, e varrosën në Malësinë e Sharrit, në fshatin Selcë e Keqe, pranë një xhamije. Edhe pse komandant Shpendi u vra, shokët e tij vazhdonin të raportonin te varri i tij detyrat që kryenin në misionet e tyre tepër të vështira. Njesitit special që drejtonte iu dha emri “Shpendi”, në kujtim të tij. Të gjithë specialët veshën bluzat me simbolin UÇK, ku në krahun e djathtë shënohej “Njësia Speciale Shpendi”. Megjithëse po bëhen dy vjet që nga rënia e komandant Shpendit, bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë njerëzit që e kanë njohur, të asaj zone, vazhdojnë të flasin për të sikur të ishte gjallë, e midis tyre.

Tubimet për ndër të të rënëve në luftë

Më 5 maj të vitit 2003, Bardhyl Llagamin e ftuan në Sllupçan, pranë Kumanovës, sepse atje do të organizohej një tubim, nga Partia Demokratike për Integrim, me rastin e njësimit të 5 majit si Ditë e Dëshmorëve dhe të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare në Maqedoni. Atje, pas përshëndetjeve të Ali Ahmetit, Faslli Veliut (Daja), e të tjerëve, figura të shquara të UÇK-së, foli edhe babai i dëshmorit Skerdilaid Llagami, Bardhyli. Të gjithë të pranishmit u mrekulluan nga thëniet e tij të matura, ku ndër të tjera citoi: “… Ne edhe mund të na vrasin, por nuk mund të na zhdukin. Ne do të vazhdojmë të jetojmë përjetësisht në trojet tona”. Dy ditë më vonë, në një tjetër tubim në Bogovi, vendi ku ka rënë edhe komandant Shpendi, me rastin e shkuarjes atje të profesor Bardhylit, babait të tij, pas bashkëluftëtarëve fjalën e mori poeti i atyre anëve, Agimi, i cili u shpreh: “Ne nuk do të vendosim trandafila mbi varrin e komandant Shpendit, sepse ai ishte më i bukur se çdo trëndafil. Ai ka qenë komandanti më i hijshëm që kam njohur mbi dhe. Mbi varr do të mbajmë ngritur flamurin shqiptar që na ka lënë ai dhe nuk do të harrojmë kurrë porositë e tij”. Bashkëluftëtari i komandant Shpendit, me emrin “Bejdo”, i komunikoi babait të tij, Bardhylit, se dy prej shokëve të batalionit, që kishte drejtuar i biri, u kishin lindur djem, të cilët ishin pagëzuar njëri me emrin Shpend, e tjetrin Skerdilaid. Ndërkohë, edhe në Tiranë shoqata me të njëjtin emër, kërkon të vlerësohet denjësisht figura e Skerdilaid Llagamit, ose siç e njohin atyre anëve, komandant Shpendi.

DËSHMORËT E SHQIPËRISË PËR KOSOVËN E TROJET ETNIKE NË MAQEDONI

Kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, në formacionet e UÇK-së, më shumë se 100 shqiptarë. Disa prej tyre kanë qenë edhe në postet drejtuese në Shtabin e Përgjithshëm, apo dhe në krye të njësive e reparteve. Nga lista e publikuar nga UÇK, rezulton se 28 shqiptarë janë dëshmorë të rënë në krye të detyrës në luftë me serbët. Dëshmorët janë nga Tropoja, Hasi, Kukësi, por edhe nga Tirana, Pogradeci, Kavaja, Berati e Vlora.

1- Arjan Brahimi nga Shkodra. Rënë më 18 korrik 1998 në Rahovec
2- Fatmir Doçi nga Tropoja. Rënë më gusht 1998 në Smolnicë (Dreçan)
3- Hazir Malaj mjek nga Tropoja. Rënë më 8 maj 1998 në Qafë Mali
4- Indrit Cara nga Kavaja. Rënë më 31 mars 1999 në mal të Gallushës, Pagarushë
5- Halil Coka nga Kukësi, banues në Bathore, Tiranë. Rënë më 3 prill 1999 në Ratishë, Dreçan
6- Artan Kovaçi nga Vlana, Krumë. Rënë në maj 1999 në Pashtrik
7- Ramë Geca nga Kruma. Rënë në maj 1999 në Pashtrik
8- Astrit Suli nga Lumasi, Berat. Rënë më 27 maj 1999 në Gorozhup
9- Xhem Bardhoshi nga Letaj, Krumë. Rënë më 15 maj 1999 në Majën e Zezë, Pashtik
10- B. Breçani nga Markaj, Tropojë. Rënë më 25 maj 1999 në Shkozë, Koshare
11- Qazim Dautaj nga Tropoja. Rënë në maj 1999 në Shkozë, Koshare
12- Arif Dautaj nga Tropoja. Rënë në qershor 1999 në Koshare
13- Besnik Brati nga Golaj, Krumë. Rënë më 26 gusht 1998 në afërsi të Godenit
14- Naim Cema nga Kruma. Rënë më 26 gusht 1998 në afërsi të Godenit
15- Astrit Prushi nga Qarri, Krumë. Rënë më 26 gusht 1998 në afërsi të Godenit
16- Dine Koleci nga Kishaj, Krumë. Rënë më 2 qershor 1998 në afërsi të Godenit
17- Agim Muja nga Kruma
18- Hamdi Mula nga Dobruna e Hasit
19- Xheladin Dautaj nga Golaj, Krumë
20- Muharrem Dauti nga Zahrishta e Hasit
21- Adem Mazreku nga Vranishti i Hasit
22- Xhevat Lleshi nga Kishaj i Hasit
23- Isa Malaj nga Peraj i Hasit
24- Enver Vila (nuk dihet nga është). Rënë në vitin 1999
25- Lefter Bica nga Berati. Rënë në qershor 2001 në Shkup
26- Skerdilaid Llagami nga Tirana. Rënë më 1 korrik 2001 në Bogovinë, Maqedoni
27- Ndriçim (mbiemri nuk dihet) nga Pogradeci. Rënë në qershor 2001 në Shkup
28- Gusel (mbiemri nuk dihet) nga Vlora. Rënë në qershor 2001 në Shkup


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora