E shtune, 27.04.2024, 07:13 AM (GMT+1)

Faleminderit

Mesha të posaçme në institucionet e kultit në të gjitha trojet shqiptare

E diele, 07.09.2008, 12:47 AM


Nga Gazeta 55
 
Në përvjetorin e largimit në amëshim të së Lumes Nënë Terezë kujtojmë mesazhin e dashurisë, që ajo, si përfaqësuese e kombit shqiptar, përcolli për të gjithë botën Sot, duke kujtuar Nënë Terezën, nga India e nga krejt bota ngrihen zëra për t’i dhënë fund dhunës kundër të krishterëve, për paqen, tolerancën e respektin ndërmjet feve. Një pyetje gjen vend në fund të zemrës së secilit: ç’do të kishte bërë ajo, cilën lutje do të kishte pëshpëritur, me ç’vepër do ta kishte shoqëruar këtë thirrje drejtuar Zotit për Indinë, ku jetoi e punoi? Ndoshta do të kishte përdorur fjalët, që i thoshte shpesh e që mbeten perla të vërteta të urtisë e përshpirtërisë së saj: “Fryt i heshtjes është lutja. Fryt i lutjes është feja. Fryt i fesë është dashuria. Fryt i dashurisë është paqja”. Paqja është fryt i dashurisë. E në asnjë vend tjetër nuk është vërtetuar aq mirë kjo e vërtetë, se sa në ato geto dëshpërimi e mjerimi njerëzor siç janë të ashtuquajturat “slums” (slams) të Kalkutës, e më pas të gjitha vendet karakatinë të botës, të shndërruara nga përkushtimi i Nënë Terezës dhe i motrave të saj në qytete gëzimi. Por rregulli i dashurisë është universal, nuk ka fushë apo ambient ku të mos zbatohet. Pra, edhe ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme, siç janë të krishterët dhe hinduistët. “Njeriu është i paarësyeshëm, i pallogjikshëm, egocentrik: s’ka gjë, duaje” – do t’u thoshte kjo rregull si njërit, ashtu edhe tjetrit, me fjalët e Nënë Terezës. “Ç’ke ndërtuar mund të shkatërrohet: s’ka rëndësi, ndërto”, do të ngulte këmbë e Lumja, duke iu drejtuar ndoshta katolikëve, që sot jetojnë e punojnë në Indi, mes vështirësish të panumërta për t’i qëndruar besnikë Ungjillit. “Njerëzit që i ke ndihmuar, ndoshta nuk do ta dinë për nder: s’ka rëndësi, ndihmoji”. Nuk ka asnjë arësye thjesht njerëzore, që mund t’i bëjë ballë rregullit çarmatosës të dashurisë. “E ku fillon dashuria?”, mund të pyesë një i krishterë në Indi, apo diku tjetër. Nënë Tereza do t’i përgjigjej: “Ku fillon dashuria? Në familje. Si fillon? Duke u lutur sëbashku. Familja që lutet sëbashku, qëndron e bashkuar. E nëse ju do të qëndroni bashkë, do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si ju do Jezusi”. Utopi? Jo, sepse Nënë Tereza e ka dëshmuar këtë në kohën tonë e gjithkush mund ta imitojë. Janë utopistë ata që besojnë se ndërmjet të krishterëve dhe hinduistëve të Indisë mund të ekzistojë një paqe, përtej horizonteve pragmatike të politikanëve dhe diplomatëve? Jo, do të përgjigjej me besim të patundur “lapsi” i vogël i Zotit. “E mira që bën ndoshta do të harrohet nesër: s’ka gjë, bëj mirë”. Me një fjalë: shuaje jetën për të mirën, sepse ajo është e vetmja bazë e qëndrueshme për çdo marrëdhënie njerëzore. E me realizmin e një gruaje, që ka parë mijëra ringjallje nga mijëra ferre dëshpërimi e brakistjeje, do të theksonte: “Jepi botës ç’ke më të mirë prej vetvetes e do të të kthehen me shqelma: s’ka rëndësi, jep ç’ke më të mirë”. Nënë Tereza ka qenë disa herë në Shqipëri e në Kosovë. Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, Ati i Shenjtë e përmendi si model të shqiptarit e të asaj ç’ka ai më të mirë. E Misionarja e madhe pati fjalë të urta edhe për bashkëkombasit e vet: Imzot Lucian Avgustini, ipeshkëv i Sapës, për Nënë Terezën e shqiptarët/Katedralja e Vaut të Dejës është e vetmja katedrale në botë, që i kushtohet Nënë Terezës, emrin e së cilës e mbajnë kisha të tjera, edhe famullitare, por jo në rangun e katedrales. Nesër, gjatë shugurimit, në elter do të vendosen reliket e Misionares së Bamirësisë. Imzot Lucian Augustini ka qenë i pranishëm, atëherë jo si ipeshkëv, në ceremoninë e varrimit të Nënë Terezës. Ja si e kujton ai e ç’mendon për mënyrën se si shqiptarët duhet të ndjekin shembullin e Gonxhe Bojaxhiut… Kosova shpreson që në vitin 2010 të kremtojë 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës në katedralen e së Lumes/Në Dugojevë të Pejës u kremtua Mesha në përkujtim të Nënë Terezës. Kryesoi ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili vuri në dukje se kanë filluar punimet për katedralen e Prishtinës, kushtuar së Lumes shqiptare dhe uroi që deri në vitin 2010, të ketë përfunduar baza për kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut. Të dëgjojmë Rabije Ibrajn nga Prishtina. Biografi e së Lumes shqiptare/Në katin e parë të Shtëpisë kryesore të Motrave të Bamirësisë në Lower Circular Road, është një kapelë e thjeshtë e pa stoli, ku që nga 13 shtatori 1997, pas funeralit solemn shtetëror, pushojnë eshtrat e Nënë Terezës. Jashtë, në mesin e rrjetit të imtë të rrugicave, zhurmat shurdhuese të motropolit indian: zile karrocash, zëra fëmijësh, frenat e një trami, që përshkon udhët e ferrit e të mjerimit. Ndërsa brenda, duket sikur koha ndalet, e kristalizuar në një lloj flluske, që nuk e lë të shkojë përpara. Në kapelë gjendet një varr i varfër, pa shumë lajle e lule, një bllok i bardhë betonarme ku është vendosur Bibla personale e Nënë Terezës dhe një shtatore e Zojës me një radhë lulesh në qafë, pranë një pllake mermeri, mbi të cilën është shkruar në anglisht një rresht nga Ungjilli i Shën Gjonit: “Duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë juve” (15,12). Nënë Tereza, në shekull Agnes Gonxha Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup të Maqedonisë së sotme, nga një familje katolike shqiptare. 18 vjeç vendosi të hyjë në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës sonë të Loretos. U nis më 1928 për në Irlandë e një vit më vonë ndodhej në Indi. Në vitin 1931, Agnes mori kushtet e para me emrin e ri motër Mari Tereza e Jezusit Fëmijë (zgjedhur për devocionin e saj ndaj shenjtes së Lizjësë), dhe për rreth 20 vjet u mësoi histori e gjeografi vajzave të familjeve të pasura në kolegjin e murgeshave të Loretos në Entali, zona lindore e Kalkutës. Pas murit rrethues të kuvendit ishte Motijhil, me erën e athët e mbytëse, një nga baltovinat më të mjera të megalopolit indian, plehu i botës. Nga larg, motër Tereza mund të ndjente erën e keqe që arrinte deri në kolegjin e saj luksoz, por nuk e njihte. Ishte fytyra tjetër e Indisë, një botë më vete për të, të paktën deri në atë mbrëmje të shënuar të 10 shtatorit 1946, kur ndjeu “thirrjen e dytë” ndërsa po shkonte me tren për në Darjeling, për ushtrimet shpirtërore. Gjatë asaj nate një frazë vazhdoi t’i ushtonte në kokë gjatë krejt udhëtimit, thirrja plot dhimbje e Jezusit në kryq: “Kam etje!”. Një thirrje e mistershme, që me kalimin e orëve bëhej gjithnjë e më e qartë dhe më e pranishme: ajo duhej ta linte kuvendin për më të varfërit e të varfërve. Për atë lloj njerëzish që nuk janë asgjë, që jetojnë të braktisur nga të gjithë, për botën e të mjerëve që çdo ditë jetojnë agoninë e vet në trotuaret e Kalkutës, pa pasur as dinjitetin për të vdekur në paqe. Motër Tereza la kuvendin e Entalisë me pesë rupi në xhep dhe me sarin me shirita blu të indianeve më të varfëra, pas gati 20 vjetësh të kaluara në kongregatën e Motrave të Loretos. Ishte 16 gushti i vitit 1948. Gonxha e vogël nga Shkupi bëhej Nënë Tereza dhe fillonte, nga ai moment, rruga e saj prej gjiganteje. Më 7 tetor 1950 Kongregata e re fiton njohjen e saj të parë zyrtare, atë dioqezane. Është dita e një feste mariane, festa e Rruzares, e sigurisht nuk është e rastit, meqë familja e re rregulltare i kushtohet pikërisht shën Marisë. Dashuria e thellë e Nënë Terezës për Zojën kishte rrënjë të forta në fëmijërinë e saj, në Shkup, kur e ëma, Drande, që ishte shumë fetare, i çonte gjithnjë fëmijët e saj (përveç Gonxhes ishin edhe Lazi e Agia) në kishë e tek të varfërit, dhe çdo mbrëmje thonin rruzaren sëbashku. “Urdhri ynë - lexohet në kapitullin e parë të Kushtetutës - i kushtohet Zemrës së Papërlyer të Marisë, Shkak i Gëzimit tonë dhe Mbretëreshë e Botës, sepse lindi si kërkesë e saj e falë ndërhyrjes së saj të vazhdueshme u zhvillua e vazhdon të rritet”. Figura e Virgjërës frymëzoi aq shumë Statutin e Misionareve të Bamirësisë, saqë secili prej 10 kapitujve të Kushtetutës fillon me një citim nga ngjarjet mariane të Ungjillit. Zoja quhet Misionarja e parë e Bamirësisë për arësye të vizitës që i bëri Elizabetës, ku dha prova bamirësie të flaktë në shërbim të kushërirës më të vjetër, e cila kishte nevojë për ndihmë. Përveç kushteve të zakonshme të varfërisë, pastrisë dhe bindjes, çdo misionare e Bamirësisë bën edhe një të katërt: “shërbimin e përkushtuar e pa interes për më të varfërit ndër të varfër”, duke pasur shën Marinë si shembull e ikonë shërbimi me gjithë zemër, bamirësie të vërtetë. Përshpirtëria ndaj Zemrës së Papërlyer të Marisë është një aspekt tjetër i karizmës mariane dhe misionare të veprës së Nënë Terezës, praktikuar me mjetet më tradicionale e më të thjeshta: Rruzarja e Shenjtë që thuhet çdo ditë e në çdo vend, edhe rrugës; kulti i festave mariane (marrja e kushteve caktohet gjithnjë në këto festa); lutja plot besim drejtuar shën Marisë dhe shpërndarja e medaljeve të mrekullueshme (Nënë Tereza ua dhuronte të gjithë njerëzve që takonte); imitimi i virtyteve të Nënës së Zotit, sidomos të përvujtërisë, heshtjes, bamirësisë. “I thirst” (Kam etje) është e shkruar në kryqin e Shtëpisë Nënë e në çdo kapelë - në çdo anë të botës - të çdo shtëpie të familjes rregulltare të Nënë Terezës. Kjo frazë, thirrja e dhimbjes së Jezusit mbi kryq, që i kishte jehuar në zemër mbrëmjen e “thirrjes së saj të dytë”, përbën çelësin e përshpirtërisë të së Lumes. Figura e imët e Nënë Terezës, trupi i saj i brishtë i përkulur nga lodhja e sëmundja, fytyra e saj e gdhendur nga rudha pa fund janë tashmë të njohura në mbarë botën. Kush e ka takuar, sikur vetëm një herë, nuk ka mundur ta harrojë më: drita e buzëqeshjes së saj pasqyronte dashurinë e saj të madhe. Të tërhiqje vështrimin e saj, të syve të saj të thellë, të dashur, të qartë, të krijonte ndjesinë e habitshme se ishe në qendër të vështrimit të vetë Hyjit. Aktive dhe kontemplative njëkohësisht, tek Nëna përqëndroheshin idealizmi dhe realizmi, pragmatizmi dhe utopia. Asaj i pëlqente ta quante veten “lapsi i vogël i Zotit”, një mjet i thjeshtë në duart e Tij. Pranonte me përvujtëri, se kur lapsi të bëhej një bisht pa vlerë, Zoti do ta hidhte tej, duke ua besuar të tjerëve misionin e saj apostolik: “Kush beson në mua, veprat që bëj unë edhe ai do t’i bëjë, e do t’i bëjë më të mëdha” (Gj 14,12). Nënë Tereza vdiq në Kalkutë, në mbrëmjen e së premtes 5 shtator 1997, në orën 21.30. Ishte 87 vjeç. Më 26 korrik 1999 u hap, tri vjet para pesëve të parashikuara nga Kisha, procesi i lumnimit të saj; kjo, për vullnet të Atit të Shenjtë Gjon Palit II, i cili deshi ta përshpejtonte procedurën. Për njerëzit, Nënë Tereza është shenjte që tani. Mesazhi i saj është gjithnjë aktual: Secili duhet të kërkojë Kalkutën e vet, të pranishme edhe në rrugët e Perëndimit të pasur, në ritmin frenetik të qyteteve. “Mund ta gjesh Kalkutën në të gjithë botën - thoshte ajo - nëse ke sy për të parë. Kudo ka njerëz që s’i do kush, për të cilët nuk kujdeset kush, të braktisurit, të harruarit”. Bijat e bijtë e saj shpirtërorë vazhdojnë t’u shërbjenë “më të varfërve ndër të varfër” në jetimore, lebrozarë, shtëpi për të moshuar, për vajza nëna, për njerëz të destinuar të vdesin. Janë rreth 5000, duke përfshirë edhe dy degët mashkullore, më pak të njohura, të shpërndarë në rreth 600 shtëpi në të gjithë botën; pa numëruar mijëra vullnetarët e laikët e shuguruar që vazhdojnë veprën e saj. “Kur të vdes - thoshte Nënë Tereza - do të jem në gjendje t’ju ndihmoj më shumë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora