E premte, 03.02.2023, 02:33 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Dy skica për pluhurin

E merkure, 31.01.2018, 07:29 PM


Blerim Rrecaj

Ëndërr por edhe qëllim: T’ia heqim kurorën mbretit pluhur

Pluhuri i pragpranverës na shqetëson të gjithëve. Edhe këtë herë si përherë ai do fillojë të ngre krye, të ngjitet lart, të na ngacmojë, të na nxisë ndonjë të kollitur, të na turbullojë sytë, dhe të na alarmojë mendjet.

Dhe ç’mund të bëjmë ne kundër këtij “mbreti” që tashmë më mirë ia vërejmë kurorën shkëlqyese që hap plagë e na trazon. E prej të cilit ndjejmë aq nevojë të ikim e të strehohemi diku përkohësisht për një orë a dy ose për ditë fundjavësh.

Dhe kthimi në “vatrën e pluhurit” do na mundësoj të krahasojmë më qartë dy pamjet.

E para duke u ngopur me ajër të pastër, duke ngrënë me shije e duke” kullotur” sytë në shkëlqimin e një ambienti të larë, të këndshëm si brenda ashtu edhe jashtë mureve ku pos tjerash bëjmë dhe gjumin.

E dyta… pamjen e dytë e paskemi përmendur që në fillim dhe s’paskemi shumë nevojë për ta përsëritur. Pra te pamja e dytë e ‘brendshmja’ dhe e ’jashtmja’ janë fort në kundërshti me njëra tjetrën dhe ne pikërisht po flasim për zbutjen e kësaj kundërshtie që siç është s’na nderon e s’na ka hije.

Dhe dihet e të gjithë e pranojmë se cilësia e ajrit, e ambientit sa më të pastër, e pastërtisë në përgjithësi  jo vetëm që ishte me shekuj por vazhdon të jetë njëri nga standardet njerëzore, dhe për të cilin secili ka obligim ta japë kontributin e tij për të jetuar me sa më dinjitet e sa në harmoni.

Ky pluhur pragpranvere pos tjerash na bë të ditur për pjesën e përgjegjësisë që kemi secili prej nesh. Na duhen pak fjalë e shumë veprim. Dhe jo vetëm në ditët që vijnë ne mund të na gëzojë a na hidhërojë rezultati…

Përsëri për pluhurin

Derisa vërej se pluhuri vazhdon ritin e përvitshëm të ngre kokën për të na përqafuar sa më denjësisht më vie në mend një artikull që e pata shkruar gati para gjashtë vjetësh për të. Dhe në mend më vijnë po ashtu shumë artikuj që kanë të bëjnë me bërrllogun e faktorë të tjerë ndotës që i kontribuojnë një ambienti të papastër. Para sysh kam edhe gjithë ata kontenjerë mbeturinash të fotografuar dhe të hedhur në faqe gazetash. Kundërmimin e tyre e kemi vërejtur vetëm kur kemi kaluar pranë e skaj tyre.

Edhe me sytë tanë kemi kaluar rrugës duke parë ndonjë kontejner të përmbysur që na ka ngjarë me ndonjë emër të korruptuari. Të mendosh për pluhurin dhe përmasat e tij nuk është edhe aq e këndshme. Ashtu siç s’është e këndshme të kontaktosh me grimcat e tij që diku do të zënë vend në qenien tënde. Përkundrazi.

Dhe pluhuri ka aq pak dallim me politikën. Edhe nëse s’merremi me të ai merret me ne. Statistikat për të mund të na trembin. Edhe mund të bartim lëngime për të cilat jemi dhe s’jemi të vetëdijshëm. Vërtet është shumë e dhimbshme se si mundohemi “t’ia nxjerrim yndyrën” ajrit të Gërmisë dhe vendeve të tjera në të cilat mungon dominimi i pluhurit.

Atëherë të besojmë se kurrë s’është vonë. Dhe kurrë të mos themi kurrë. Le ta zbukurojmë vendin. Kemi nevojë për buzëqeshje e jo për kaq shumë pluhur përzier me lloj-lloj gazrash lotsjellës, elegjikë…

Kështu do të jetë më mirë për të gjithë. Lufta le të vazhdojë me beteja për rezultate. Ditët ikin shpejt…e duam pamje tjera…Sikurse shtëpive edhe nëpër peizazhe hapësinore le të ushtojnë zhurmat e makinave pluhurthithëse. Kështu është e do të jetë më mirë për të gjithë. Le ta kthejmë pak kokën pas dhe të shohim me sytë e mendjes e të zemrës e le të buzëqeshim pakëz për gjërat që ndonjëherë i quajmë “të pamundura”…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora