Kulturë
Mercedes Gega: E vogla zhurmëmadhe!
E hene, 29.01.2018, 10:11 PM
Mercedes Gega
E vogla zhurmëmadhe!
Një mizë e vogël zhurmëmadhe
E dëgjoj tek më fyen qetësinë
Vëmendje kërkoka sot patjetër
Kjo mizë as e zezë e as gri!
Dëgjoj të vërtitet nëpër dhomë
Në ajër shoh akrobaci
Pa pyetur e vogla zhurmëmadhe
E kujt ishte kjo shtëpi!
Pa dale, avitu të të shquaj
Pa më thuaj nga hyre
Ashiqare?!
Mbyllur i kisha gjithë dyert!!!
Mbyllur i kisha dhe dritaret!!!
Ahhh ... moj ti e pabesë
Vetë se ditke,
por as kush s'ta ka mësuar
Me lajka s'është blerë ndonjë mbretëri
E aq më pak,
në këmbë të ketë qëndruar!
Ndaj mësoje e vogla zhurmëmadhe
Në hyn tinëz aty ku kush s'të fton
Aty jo që dot s'imponohesh
Por as përcjelljen jo dot s'pretendon!
21.10.2017
Kujtim i ajërt
E ulur jam në një stol...në park
Është fundvjeshte, sigurisht
Në qiell dy re lozanjare me diellin luajnë kukafshehti...
Frymëmarrjen lë një çast të shplodhet
Në ajrin që fletët e fundit numëron
Nga larg shoh tek befas fekset
Kujtimi yt...kujtimi jonë!!!
Erdhe me vjeshtën
Po po me të
Kujtohem mirë, ish' ditë si kjo
Era me drurët po përshëndetej
Ti pranë m'u ule, po në këtë stol!
Stola të tjerë kish' parku plot
Dhe vende bosh kish' padyshim
Por ti s'hetove të shihje kund
Duket e ndieve pritjen tek unë!
Vjeshta të tjera erdhën dhe ikën
Për ty më pyetën se ku je vallë
Përse në stol sot gjendem vetëm
Përse s'të shohin pranë meje...ndanë?!
Ç't'ju them më thuaj Përgjigje s'di.
T'ju them se vjeshta Të lodhi ëndrrën?!
Apo se njohe një diell të ri?!
Ca pikëza shiu më puthin ballin...
Sa poetik ky shi vjeshtor
Qetësia parkun ka përqafuar
Ndërsa vjeshta nis e tregon...!
23.10.2017
Mëngjesi im!!!
Mëngjesi im i dashur
Ai , ai i imi
Kur supet m'i puth
i diellti
I ëmbli varg frymëzimi...
E dua dhe kafen time
Kur më thotë:
"Mirëmëngjes"
E pranë saj ulur më pret
Dhe një ëmbëlsirë e lehtë!
Por, veçmas, unë dua atë çast
Kur dhe hapi i ajrit hesht
Kur qetësia dëgjon në heshtje
Pra, kohën kur shpirti flet!
A ka çast më magjik
Ju pyes:
"A e dini?!"
Se një mëngjes poeti
Mëngjes si ky i imi ?!
28.10.2017
Lamtumirë...
Një copë miqësie e vjetër
Më bëri sot të qaj
Si fëmijë
Kur e pash
Pas kaq kohe...
Mall pa tretur
Në një kryqëzim jete,
të ri!
Nuk di përse m'u përvodh
shikimit mall që s'rrëfehej
Përse iu tha nuk ju njoh
Dy syve nga të cilët dikur dehej...
Lamtumirë, i dashur,
brengë pa thënë
Lamtumirë, nëse ke ekzistuar
Kush s'vdes nga çfarë e ka lënduar
Rilind më i fortë për të jetuar!
18.12.2017
16:00