E enjte, 28.03.2024, 09:09 PM (GMT)

Kulturë

Vjollca Pasku: Dashuria nuk vret

E diele, 28.01.2018, 12:52 PM


Vjollca Tiku Pasku

DASHURIA NUK VRET

Elegji

Dashuria është veshur me të zeza. Një pëllumb i bardhë i qiellit, me një shirit të zi në këmbe fluturon me zemër të plagosur. Nuk ka të drejtë të kthehet më në toke. Jeta e një vajze u pre ne emër te egoizmit maskilist, që mbante vulën e rreme të dashurisë. Në cilin qiell do të pushojë ai shpirt i bardhë?!... Në ç’lule të parajsës do të qëndrojë?!... Oh sa errësirë ka dhimbja!... Sa i tejdukshëm është loti!... Muzika funebre zgjoi në shpirtin e një të riu, mendimin të qëllojë me dy plumba të ashtuquajturën dashuri, të përgjaki ajrin dhe të spërkati me dhimbje tokën. Tmerr i çastit, plagë zemrash, plagë toke.... Mallkoj egon maskiliste, dritën që nuk hyri kurrë në shpirtrat mashkullore, kthetrat e ashtuquajtura të “luanit” mashkullor, që e shohin femrën e tyre si një robinë dhe ajo bëhet preja personale në çdo moment që duan! Oh, grua, motër, nënë, perëndi toke! Me qumështin e bardhë të gjirit tënd, ti mëkon dashurinë! Ti ndez pishtarin e shpresës për jetë! Ti përkëdhel ëndrrat blu të qiellit! Dashuria që fal ti, është si kroi i dritës, për shpirtin e fëmijëve të tu. Pse gjinia mashkullore është si shpirti i gurëve, jashtë reflekton dritën dhe brenda drita nuk depërton! Oh të mjerat gra, nëna, motra dhe serialet e vrasjeve nuk kanë të sosur, por vazhdojnë... Ato e kane zanafillën që në kohën e egërsisë njerëzore. Asgjë nuk ka ndryshuar... Kanë rrjedhur në breza me fishekun në pajë. O princesha qiellore gra! Ju kurrë nuk iu puthi dashuria! Ju kurrë nuk e ndjetë jehonën e saj! Buzëqeshjen tuaj e shqeu varfëria dhe egërsia e burrit. Të dashurat e mia të pagoja! Ju keni ndjerë putrat e bashkëshortëve t’ju shtypin e t’ju godasin, në vend të përkëdheljes! Ju keni ngrënë psherëtima e lot pa zë, në vend të ëmbëlsirës së fjalëve! Ju mblodhët në gjoksin tuaj pikëllimin dhe vrerin në vend të puthjes! Brenda trupit tuaj, penetronte bisht gjarpri dhe jo kënaqësia e burrit! Oh, të dashurat e mia të pagoja! Ju nuk kishit të drejtë të kthenit sytë nga lulishtja e artë, sepse ishte e ndaluar. Të dashuroje, do të thoshte sikur të kapje një cifël të prehtë xhami në fletët e dëborës! Shtrati i lumturisë martesore, ishte shtrati i vdekjes. Ju skllavet e përulura punonit njësoj, sikur të ishit në lashtësi, vetëm për të kënaqur burrin, i cili ju bënte vend në dy metra tokë. Për çfarë e doni pronarin burrë, kur ju ka blerë me çmim martese! Kur vjen në shtëpi e kërkon çdo punë të mbaruar dhe del përsëri me pronarët e tjerë për të hedhur gojës me erë një gotë alkool! Të dashurat e mia të gjalla! Ju që jeni akoma gonxhe ende të paçelura; A ia vlen që të këmbeni lumturinë tuaj me këtë çmim. Ju që keni provuar dashurinë, a ia vlen të bëheni pronë e meshkujve, qoftë brenda apo jashtë vendit, duke qepur himenin tuaj! A ia vlen, kur t’ju vijë dashuria papandehur, t’ju dridhet shpirti dhe të imagjinoni atë në vend të pronarit tuaj. Shpirti është në harmoni kur dy zemra buzëqeshin. Pra, gjejeni buzëqeshjen e sinqertë të zemrës. Dielli do të lindë përsëri nesër dhe pronarët të varfër, apo të pasur qofshin do të dalin për gjah... E dini se censura mashkullore do jetë me një art fals, derisa t’ju shtrëngojë shpirtin?.. Hapni sytë, mos e shisni shpirtin tuaj qumështor, për interesa rehatie, por bëhuni zonja të vetvetes! Ju duhet të luftoni në jetë, në pozicionin e një luaneshe! Trishtimin e madh që ndjej sot për jetët e këputura e qaj me lotët e shiut e me dridhjet e stuhisë. Trupat tuaj në varre do djegin fosfore e do ngrenë zjarre yjesh, rreth mermerit të bardhë, do mbijnë trëndafila dhe lule të tjera...Shpirti im u thotë: U prefshi të qeta!...



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora