Kulturë
Blerim Rrecaj: 10 vjet refugjatë në shtet-shtëpi
E enjte, 25.01.2018, 07:45 PM
10 vjet refugjatë e qiraxhinj në të tonën shtet-shtëpi
Nga Blerim Rrecaj
Të shkruash e të thuash diçka ose jo, kjo është çështja. Kishim qenë naiv sa e sa herë kur kemi thënë se kështu s’shkon më, s’shtyhet më, u mbush e u stërmbush kupa. Dhe ka shkuar, ka ecur, edhe kupa kur është derdhur. Eh, ec e mos plas. Po si je tash, si ndjehesh, që ia nise në këto çaste të shprehesh? Pa mundësi për punë, pa mundësi për mos me u përly nëpër partiçka dhe degë të pista të tyre qofshin këto biznese, medie, organizata, bordele…
Lodhshëm? Uh! Mërzitshëm? Ah!. Absurd e kaos? Mos pyet. Faqet e zeza? Anëekënd. Gjëra tjera mbrenda e jashtë kontrolllit. S’paska më keq, më zi, më rëndë, s’paska më vështirë se të numërosh e mendosh se deri ku kemi mbërrij, për këtë burim plogeshtish marramendëse, të cilat na kane shndërruar në qenie të përçudshme e të përçartura, të përgjumura e dembele, rebele ndaj njëri tjetrit e jo ndaj sistemit, qenie me fare pak gjak e pak frymë. Qenie të shterrura energjie e fuqie që bredhim e endemi nëpër hapësira e horizonte skllavërie të (pa)përballueshme.
Gjithmonë duke e shtyer.Duke lëpirë, kapërdirë, puthur e pështyrë atë që na urdhërojnë padronët dhe hiearkia e tyre me lojërat e tyre të stërzgjatura. Ne jemi në degradim të vazhdueshëm. Ku na mbet dinjiteti? “Jo unë kam mendu se ky shtet nuk do të jetë si dërrzhava e mëparshme e armikut se mbasi u ba edhe kjo si ajo kshtu e ashtu ja bafsha” shan dikush me mllef sa për t’u shfryrë.
Paramendojeni si na ka ardhë puna, ne jemi duke shkuar e sharruar çdo herë thellë e më thellë në vend se… Dhe ajo që dihet nga të gjithë pavarësisht se sa e pranojmë në prag të 10 vjetorit te 17 shkurtit(ditës tonë të pavarësisë) është se ne kolektivisht vazhdojmë të jemi refugjatë dhe qiraxhinj në shtet-shtëpinë tonë, refugjatë qiraxhi që s’i mban dot as kjo shtëpi…e për këtë ndashim mund të marrim një shembull, ndashim dy, ndashim dhjetë e sa te duam prapë do të perfundojmë në një labirinth të gërditshëm, të zymtë, mjeran, në rrugë qorre e pa-krye. Si u bë kjo copë atdheu e bukur e plagëshumë një kënetë që kutërbon, o njerëz, o shqiptarë ku spërkatemi me jashtëqitje korrupcionesh, skandalesh e kotësirash e idiotësish.
Vazhdojmë të rropatemi në këtë jetë e cila vazhdon të jetë kjo që është, ne qenie në kërkim të lirisë edhe pse mund të na pëlqejnë përrallat me mbretër dhe me shkopinj magjikë…