Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Si po na shkojnë punët?!
E marte, 23.01.2018, 07:52 PM
Sejdi BERISHA:
R e f l e k s i v e
“ESE” MË TË SHKURTËR NUK KAM SHKRUAR NDONJËHERË...!
Një ditë, në një prej kafeterive të qytetit, ku isha duke pirë kafe me mikun tim, një djalosh shtathedhur, me vrull shkollimi dhe arsimimi, që e adhuron letërsinë, mu drejtua:
-I nderuar shkrimtar, si po të duket,... Si po na shkojnë punët?!
U stepa, dhe nuk dija as pse më pyeti kështu por as nuk dija si t’i përgjigjem...
Mu dha ashtu, si pa lidhje:
-Po Ti, çfarë mendon?!
Ai, me plot pezëm ma ktheu:
-Po. Këtu, as armikun mos e pafsha duke jetuar!...
Sërish nuk dija ç’të them, dhe në këtë pyetje nuk dija si të përgjigjem, por edhe dot nuk mund e përtypja.
Ngela duke e shikuar të riun me vetulla të serta dhe zi si futa e me sy me shikim pafund...!
Ika me mikun tim, të dy të mbushur plot helm... Nuk e di, a për pyetjen e shtruar apo për atë mallkim aq të rëndë...