E premte, 26.04.2024, 07:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Bota në botën e syve të poetes

E shtune, 11.02.2017, 09:52 AM


BOTA QË SHOHIM NË DETIN E SYVE TË  POETES

Nga Dr.sc. Bardhyl Maliqi

Marjeta di se çka merr nga jeta, se më kot nuk do ta pagëzonin kështu. Ndaj në librin poetik “Në detin e syve të mi” ajo mishëron vlerat e motiveve jetësore dhe të begata, jo vetëm në detin e syve të saj, por të gjithë syve tanë dhe të brezave që do të vijnë, se poetët nuk janë kohëshkrues të ditëve të tyre, por edhe të ardhmërisë, bile edhe kur ata s’janë më, se poetët janë  vizionarë.

Kam besuar te Marjeta poete kur e dëgjoja në klasë në komunikimin me nxënësit, kur ndiqja nga afër si këshilltar arsimor analizat dhe komentet e saj. Tonaliteti i zërit, bukuria e fjalës, lakoret e gjuhës, thellësia e mendimit, fëshfërimat ndjenjësore, sensi kritik, vlerësimet e sinqerta  më bënin të isha gati i bindur se ajo nuk ishte thjesht një mësuese e gjuhës dhe letërsisë, as një mësimdhënëse e gjuhës frënge, por ishte një  poete. Nuk di pse nuk e nxita, pse nuk i thashë: -Marjeta është koha tënde! Se poetet ose shkrepin si të këtilla që në vajzëri dhe bejnë fark si Alma (Kullai), ose nuk arrijnë të mbushin ujë në gurgullimat e krojeve të tyre të begata si Anila (Veliu), së cilës i kam redaktuar para 20 vjetësh një libër të mrekullueshëm që ajo s’e botoi kurrë, ose vijnë pasi i kanë mbaruar të gjitha angazhimet martesore e mëmësore ashtu siç vjen në poezi edhe Marjeta Shatro. Vjen e pasur, vjen e begatë, plot ndjesi dhe përvoja jetësore, se jo më kot njëri nga mbiemrat e Marjetës është Rrapaj si për të na bindur se ajo tani është si rrepet për nga thellësia e rrënjëve, për nga lartësia e shtatit dhe  degëzimi e gjelbërimi i kurorës. Mirëserdhe në Klubin e Krijuesve Jonianë Marjeta!

Marjta me poezinë e saj kërkon të na bindë se ne jemi valë e kaltërsi në detin e syve të saj, jemi pulëbardhë në hapësirat qiellore; se sa herë jemi larg, ne shpirtërisht jemi edhe më afër, jo vetëm pse shohm të njëjtin yll në qiellin e natës, porse ky është ylli ynë i dashurisë, toka e premtuar e ëndrrave tona parajsore. Marjta na thotë se vetëm sytë e saj e dinë gjuhën e syve tanë, pasi ata na ngushëllojnë, na joshin, na dehin me ëmbëlsinë, me çiltërsinë dhe me bukurinë e tyre.

Në poezinë e Marjetës fryma poetike vjen si valëzim dhe trazim i detit të shpirtit, thotë redaktori i librit poeti Agron Shele. E nëse do të donm të bënim një rrugëtim poetik në përmbajtjen e librit, gurë kilometrazhi, semaforë e ndriçues kemi titujt e poezive, shpesh të drejtpërdrejtë e kumtues të vërtetash jetësore të thënë poetikisht me shumë sinqeritet. Sytë përkëdhelës të dashurisë njerëzore ta tërheqi vëmendjen menjëherë, mbrëmjeve të verës kur heshtim e nuk ndihet më gurgullima e të ëmblave fjalë. Ne u ngjajmë kristaleve, nuk jemi robër të iluzioneve, por bij të refleksioneve! Të duash dhe të vuesh janë shpesh dy medalje të monedhes jetë. Ëndraat dhe zhgjëndrrat e prindërve tanë, tonat e të fëmijëve tanë. Ndodh kështu ndoshta se jeta nuk është vetëm muzë, det veror, vendlindje malli e kohezion, por edhe mëri e heshtur perëndish, jo vetëm në perëndime dielli, por edhe ditën në det të hapur. Dje jo vetëm kur jemi të lodhur dhe u ngjajmë ëndrrave fragmentare apo rrëfimeve në paskohë duke kërkuar të metat tona. Ku gabuam vallë?!

Por na ndodh që mëmgjesi çel me një puthje si gonxhe trëndafili dhe ne qasemi si drita që puth sytë. Largohemi si vela anijesh  erëvalëzuese në lundrimin tonë virtual. Ndahemi prej vetmisë e na ndodh që pikërishtkjo ndarje të jetë një veçim i ri. Dhe shkruajmë për dashurinë në të tjera rrugëtime. Fryn erë por tinguj violinash dëgjohen. Lotët e hyjnive janë lotë realë apo jë iluzion i ri?! Nuk e dimë. Vera dhe largësitë shpesh janë gënjeshtare. Dritarja egoiste e dhomës sonë dëgjon lutjet tona rituale, nuanca ngjyrsh e ëndrrash vjeshtake vërtiten në erë. Gurmët e jetës vdesin atje tej, embrione të tjera lindin, më shumë dhe më bukur. Dhe shpirti shpërthen në simfoni të përhershme dhe një ndjesi dehje na lehtëson. na bën fluror, të gatshëm për të rrokur hapësira të reja në fluturime.

Marjeta shkruan se shpirtrat tanë komunikojnë në heshtjen e natës. Sytë e sjellin shpirtin tënd në kufijtë e qenies, se ata mbajnë sekrete të pashprehura, që vetëm zemrat  tona i  dinë, pasi gjuha e syve është më e fuqishme se mijëra fjalë! Sytë e detit dhe sytë e dashurisë na ngushëllojnë, na  joshin ,na dehin me ëmbëlsinë dhe bukurinë e tyre,  se vetëm sytë e detit e dinë gjuhën e syve tanë! Marjeta është krijuese e brigjeve të Joint, poete e Klubit të krijuesve jonianë ndaj thotë:

“,,, detin e kisha të gjithin për vete dhe rrezet dhe të kaltrën ngjyrë e rrëmbeva për sytë e mi dhe të bardhat valëzime bardhësi mistike dehin trupit tim. Unë dhe deti, vetëm ne të dy dhe kufij të pambarimtë, të dashurisë sonë gjer në përjetësi…O det i thellë blu…! Gjurmë valësh shkumëzon tallaze dhe oshëtima dhimbje përcjell bregut të bardhë e në paqe dergjesh, sa herë falemi pranë teje, zhytemi e shkrihemi në një, harrohemi tek ti o dashuri e pakufi, o frymëzim i përskuqjes, perëndim i mistershëm në përjetësi.”

Dhe me tej: “Të dua çmendurisht, me gjithë forcën e shpirtit gjer në thellësi të poreve të tua!” Dhe ndodh që ëndrrat e Marjetës si albatros mbi detin plym furtunë fluturojnë drejt nesh se ne jemi qielli për të e ajo deti i valëzuar që në kohë me stuhi egërsohemi dhe kur shtjellat shpërndahen ngjyrat e ylberit i falim njëri-tjetrit dhe ashtu koloritësh pa fund puthemi në paqe !

Por jeta nuk është det veror, por edhe furtunë dimërore, plot egërsi dallgësh, që si desh përplasen në shkëmbenjtë e pritjes. E ndodh që nxjerrin në breg jo vetëm leshterike e mbetje anijesh, por edhe edhe lëvore fjalësh vetanake, moralizime e rima foljore si të papërshtatshme për një poezi të kultivuar, plot nerv e jetë sociale. Heshtja vazhdon...Akuartitete muresh të mbyllur. Retorikë pa fjalë zemërimesh të mbështjella si lëvore druri trungjeve të heshtur. Por fjala e bukur të qetëson mendjen e shpesh bëhet çelës i portave më të larta të shpirtit, por ndodh …të kafshojë plot dhimbje e të helmojë pareshtur, kur fytyra e vërtetë fshihet pas maskës. Dhe kumti poetik  është teje njerëzor. Në jetë sa njerëz kanë ikur, e të tjerë në radhë vijnë! Në pritje të dëshirave të panumërta, për të sfiduar ashpërsinë e kësaj bote … dhe dashurinë të këndojë ndër buzë! Pastaj ikën pa keqardhje. Falja, zemrën tënde…

Të gjithë e dime se Vendlindjes na bën të lirë! Si zogj fluturojmë vendlindjes në ajrin e lëndinave, në kundërmimin e çajit, sherebelës dhe rigonit; krojeve që gurgullojnë të ftohtin ujë rendim të lirë me vështrimin tej në horizont e me zë të fuqishëm thërrasim: - Të duam natyrë e vendlindjes sonë! Ti na zgjat krahët që të përpijmë retë dhe po Ti na zhyt honesh e përherë na ringre në frone perëndish.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora