E enjte, 02.05.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Lulzim Logu: Tahir Bezhani - Mësuesi i Smolicës

E hene, 06.02.2017, 07:51 PM


NE VEND TE PARATHENIES

NGA LULZIM LOGU

Monografia si kronikë dhe dokument, si rikthim në vlera dhe si mesazh për kohën në vazhdim mbetet një ndërmarrje serioze e autorëve të përgjegjshëm të cilët padyshim e kuptojnë rëndësinë e patjetërsueshme të evokimit të figurave dhe kontributeve historike në kohra të individëve apo grupeve të ndryshme shoqërore.Tahir Bezhani ka provuar disa herë sprovat monografike, sidomos për figura që në një moment të caktuar të duket se janë harruar në tisin bukur të rënduar të periudhave të caktuara historike dhe bash atherë janë kujtuar me respekt dhe realizëm prej tij nëpërmjet kronikave konçize dhe adekuate, duke ju përmbajtur të vertetave dhe duke shmangur emocionalitetin alla patriotik, që shpesh tingëllon fals, kur faktin e përmbyt ekzagjerimi dhe teprimi.Aq më tepër kur shfaqet dukuria e librave të porositur dhe të sponsorizuar për efekte dhe shkelqime natyrisht të pamerituara dhe aspak në konotacion me ngjarjet dhe rrjedhat e njohura historike.

Tahir Bezhani si një krijues modest i qaset ndriçimit të figurave të vëndlindjes, në rrënjën dhe gjenezën e vet, duke kuptuar dhe besuar se kësisoj mundet të rrokë më tej edhe përmasa më të mëdha historike dhe jo vetëm. Duke besuar se të arsimuarit përbën bash thelbin e zhvillimit normal dhe bashkëkohor të një shoqërie në një stad të caktuar, ai joshet dhe kerkon të zbulojë fijet më të ndritshme të historisë së arsimit lokal dhe më tek kombëtar, duke sensibilizuar dhe përkujtuar mbështetur në emrat me renome dhe tash ikona të memories arsimore, siç është në këtë rast mësuesi Sadri Nuza .

Momente pikante dhe domethënëse, vlera të dukshme karshi antivlerave në sulm të vazhdueshëm,shfaqje të kombëtares dhe atdhetarizmit, theksim konkret i detyrave tona imediate ndaj vendit dhe të ardhmes, përbëjnë thelbin e mesazhit lehtësisht dhe qartësisht të dallueshëm në faqet e këtij libri që vjen si një traktat dhe praktikë pozitive përkujtimi dhe vlerësimi pikërisht për mësuesin, pionerin e përjetshëm të qytetarisë, vetëdijësimit dhe edukimit të një shoqërie , e cila vjen nga një kalvar vuajtjesh, pushtimi dhe humbjesh njerëzore.Ku bash arsimi, të mësuarit, libri dhe shkronjat mësuar bodrumeve të fshehta, shtëpive dhe vendngujimeve si sfidë mbijetese dhe qendrese njerëzore, kanë provuar të jenë çelësi i saj ,emblema dhe kujtesa e një kombi, duke mos humbur orientimin dhe shpresat historike.

Sadri Nuza është një mësues modest, një veprimtar i natyrshëm i çeshtjes kombëtare, njëri ndër mijra të tjerët, por në këndvështrimin dhe qasjen interesante të autorit, përmasat dhe limitet e tij rriten dhe bëhen më konkrete, më të besueshme, hapen në kohra dhe hapësira, duke kaluar nga emri i përveçëm tek dukuri dhe shembuj kombëtar, ngërthejnë fate dhe përplasje, humbje dhe fitore, ulje dhe ngritje, përherë me besimin e patundur se jetësimi i ardhshëm dhe përcaktimi i vendit dhe trendit të tij aktual kalon pikërisht nga traseja dhe binarët e arsimit, pishtarët e të cilit janë bartësit e të vertetës si Sadri Nuza me shokë.

Monografia tingëllon si një këngë, si një baladë, leximi ngjan me një moment përkujtimi, nga ato momente të përditshme që shpesh i harrojmë brigjeve të halleve tona.Janë pikërisht krijuesit që na ndërgjegjësojnë, që na shkundin harresën e kohës, që na kthejnë mallin dhe rivlerësimin, që na kujtojnë identitetin dhe korsitë e hapura të jetës, ku zhvillimi dhe prespektiva na pret.Dhe ku mësuesit, intelektualët janë padyshim maja, lartësia prijëse, fari ndriçues i cili na kujton gjithmonë dallimin e vlerave nga antivlera dhe na vetëdijesojnë për kahun e duhur objektiv të zhvillimit dhe qasjes sonë kombëtare.

Nuk ka rëndësi madhësia e një libri në fletë, as tërheqja ndaj shpikjeve dhe të paqënave historike, ashtu modestisht, si një bisedë rasti,si një komunikim i zakonshëm dite, si një kontakt miqsh, si një bisedë brezash, rast pas rasti, kronikë pas kronike, me dëshmi të sinqerta, në këto pak faqe vjen një histori e madhe, një shembull i duhur, një portret mbresëlënës, një përkujtim adekuat, një mesazh i ngrohtë. Stili konçiz, objektiviteti dhe mbizotërimi i faktit dhe kujtimit sublim që vjen nga kujtesa e ndershme njerëzore e bëjnë librin të suksesshmëm dhe thërrasin për një vemendje të shtuar ndaj vlerave gjithnjë të rrezikuara nga harresa në rrjedhat e globalizmit dhe tjetërsimeve.

Bezhani, poeti i njohur, tregimtari dhe publicisti, tash e shkruan me meritë emrin e tij në kronikat e përkujtimit dhe ndriçimit historik të vlerave të arsimit tonë kombëtar.

-Per ZemraShqiptare, nga TROPOJA, Shkurt 2017-



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora