Kulturë
Aleko Likaj: Tregimi i Faruk Myrtajt
E shtune, 04.02.2017, 08:29 AM
Jeta,
fati dhe drama e individit në tregimin e Faruk Myrtajt
Nga Aleko Likaj
Thonë se mërgimi të bën që të jesh më i ndjeshëm e më njerëzor në dramat dhe në fatet e njerëzve që i ke pranë, dhe ashtu si ty, ata bëhen e janë pjesë e një realiteti që nuk e kanë njohur më parë, ndaj i përjeton në një mënyrë aq të brishtë dhe me emocion, duke u bërë më i qenësishëm dhe koherent me udhët e jetës së tyre. Ndjehet tek ata lëvizja në kohë dhe në hapsira gjeografike. Por edhe me ata që kemi lënë pas në vise të largëta, ashtu siç e thotë edhe Çajupi (Andon Zako), një veteran në mërgimet e hershme shqiptare, ''Atje ku na ka rënur koka'', për njerëz që kemi njohur, vënde dhe ngjarje, që në laboratorin e krijuesit tashmë, marrin tjetër kuptim e dimension të gjërë njerëzor
Kjo ndodh edhe me krijmtarinë e shkrimtarit e prozatorit të talentuar Faruk Myrtaj, veçanrisht në tregimet e një dekade të fundit që i gjejmë në përmbledhjet ''Hijet e Virgjëreshave'', ''Dritat e Italisë'' dhe tek përmbleshja e fundit që Shtëpia Botuese ''Milosao'' hodhi në treg në fund të vitit që lamë pas "Ndershmëria Vetëm".
Autori vendos në qendër të tyre, pa përdorur kësisoj e gjetur në rastin konkret ndonjë "peshore a etalon" që përcakton e klasifikon, ''njerëz të ndershëm me jetën, me zgjidhjen që kanë bërë, me trishtimin dhe gëzimet e zgjedhura, me marrjen përsipër të jetëve për të cilën jetojnë, por edhe ata që mbase qortohen nga pak, prej këndvështrimit të ndershëm dhe vetëm ndaj ndershmërisë qortohen, me sa më shumë dashuri, duke i justifikuar sa më shume që ...njerëz janë dhe, si të tillë, janë deri në fund të justifikuar, madje të nderuar në lojën e jetës që kanë zgjedhur...se vetëm ndershmëria përballë vetëve, vetëm ajo mjafton, jo gjykimi e gjyqet tona për të...!
E njëjta atmosferë ndjehet e ndodh brenda katërmbëdhjet tregimeve që autori na shpalos në faqet e librit të fundit të tij, e që zë fill me "Atë orë të fundit muzike", ku metafora e përzier me një naivitet fëmije, tenton që të na japë një relitet e një kohë meskiniteti, që në realitetin e sotëm nuk tingullon dhe nuk le gjurmë. Detaji i një krahu që do të simbolizonte vëllazërinë dhe sinqeritetin duke përbysur naivitetin e moshës, për një nxënës së klasës së gjashtë në shkollën e një province gati të përhumbur dhe të haruar, që na vjen në formën e një përjetimi, bëhet shkak që mësues Pasho me cen në biografi, të akuzohet për armik i shoqërisë e njeri i degjeneruar pa moral e me vese mikroborgjeze. Tek tregimi "Filma me luftë dhe me dashuri" vizatohet dhe jepet tablloja e realiteti i një jete të zbrazët e krejt të vakët, që të kujton pa dyshim filmat e skenat e neorealizmit italian, fill pas luftës së dytë botërore. Një vizatim i përkorë i qytezës së puntorëve që hynin e dilnin nga tunelet e nëntokës, si qënie pa mendim e botë shpirtêrore, dhe kur afër mbrëmjes mblidheshin para të vetmes kinema të qytetit, një sallë e improvizuar, pa stenda reklamash e afishesh, e përshtatur më shumë për mbledhje. Detaji i njê shtylle, "Shtylla e Ahut", aty afêr saj, e cila shërbente më tepër për afishimin e lajmeve të vdekjes së rradhës, Hysa, kinooperatori që shfaqte në bezen e bardhë filma, nxitonte e nuk nguronte aspak që të vendoste aty edhe afishet për filmin e rradhës. "Filmat mbi vdekjet dhe vdekjet mbi filma shtresonin njëra tjetrën" dhe ku "vdekja e bën hilen njëlloj si jeta" nënvizon autori. Në seanca ku ndryshe nga afishja shfaqeshin filma tjetër për tjetër, një personazh nga Pallati i Beqarëve përballë, Reso Pajtimi thotë: "Po edhe ti ke të drejtë të na gënjesh nga pak, o Hysë! Tek e fundja ti na gënjen për filmat, të tjerë na gënjejnë për jetën!"
Në këtë shtrat janë dhe lëvizin ngjarje të tjera e personazhë që e kanë lidhur jetën e tyre me minierën, dhe që vinë e na shfaqen realë në atë realitet të trishtë e asfiksues qyteze nën një kolor gri, edhe tek tregimi tjetër, "Mënëfundja e një jete", që në fakt e mbyll ciklin e rrëfimeve e portretizimeve të karaktereve, dramave të njerëzve me subjekte të para viteve nëntëdhjetë tek ne, ku në qendër të tij është përsëri miniera, qyteza e puntorëve dhe jeta në galeri të cilën autori e njeh shumë mirë, edhe për shkak se atje ka kaluar fëmijërinë e tij. Bie në sy figura e Pozaetit me bllok, numratorit tek dera e galerisë dhe e Nebiut minatorit që kishte lënë fshatin për një jetë krejt ndryshe, që e reflektojnë dramën e tyre për të cilët myrtaj thotë se, "E drejta për të jetuar një jetë më të mirë është iluzioni i pashtershëm i njeriut"
Pastaj hapsira, dimensioni dhe gjeografia e tregimeve të tjera në librin e Farukut zë e na shpalos tjetër realitet e në një kohë po të tillë. Tek tregimi "Mongolë që vinë dhe vdesin në amerikë" rrëfimi vendoset këtë herë në hapsirat e pamata ndërkontinentale që zënë fill nga Shkretira e Gabit atje në zemër të azisë, në mongolinë e largët, ku ndjehet boshllëku e lëvizja e errërave, si një rekuem i një perandorie e hordhie të Çingis Khanit, tashmë të tretur poshtë dunave të rrërave të heshtura e të pajeta dhe kontinetit të përtej atllantikut. Janë në qendër tre vëllezërit khan, që autori i përshkruan e na tregon se ngjajnë me gishtot e përrallave tona, ku duket se është marrë edhe lënda e teknikat e rrëfimit, që pasi kanë mbritur në amerikë si emigrantë, shkojnë e flasin, telefon çdo javë me vetminë e prindërve të tyre. Kjo pikpjekje në hapsirë e në kohë, duket se i tret dhe i fik një nga një edhe jetët e tyre, pasi në bisedën e fundit telfonike ka mbetur vetëm i vogli i khanëve."Vdekja mërgon në vise e troje të panjohura pa kriter moshe" thotë një prej personazheve të tregimit, sepse nuk e kishin rradhën ata. Ndërsa në tregimin " Natyra ka rënë".zonja tetëdhjetvjeçare e Diego brenda një metafore brilante, rreken të mbajnë qëndrim që e përjetojnë si një moral në raport me natyrën dhe ambjentin që na rrethon.“Ti dhe Diego jeni gabim! Ju e shikoni lulishten si natyrë. Ajo zonjë ka të drejtë. Kërkoi leje, se ajo respekton ligjin. Ajo e di që dheu i kësaj lulishteje është sjellë prej pronarit të pallatit, është pronë e tij...” thotë një prej personazheve emigrant në fund të tregimit.
" Midis orës pesë dhe gjashtë të mëngjezit" është një rrëfim tjetër i ndjerë për emigracionin, që kësaj rradhe ka në qendër të tij Monën dhe Erikun, që kanë mbritur nga një cep i ballkanit të largët me ëndëra intelektualësh, për të cilat thonë se, nuk kishin mundur që ti ngrinin e ndërtonin atje në atdheun e tyre. Pas dy a tre muajsh në kurse intensive gjuhe, ata verejne se po mbarojne leket e sjella nga atdheu si garanci, dhe se tashmë do tu duhej që bukën e gojës ta fitonin vetë. Pastaj, pa bërë dallime shpërfillin ëndërën, fitojnë një punë për të cilën në intervistë thanë me një gojë, se e kishin bërë në dheun e tyre, dhe se kishin edhe përvojë në atë fushë. Braktisja e everestit të ëndërës i coi që atë mbrëmje në dyert e një institucioni që kërkonte shërbim pastrimi në orët e natës. Mëngjezet i gjenin të lodhur e të raskapitur që të dy, e nën një përhumbje dallditëse në rrugën e kthimit për në shtëpi. Krejt ndryshe, lufta për mbijetesë u dha para edhe pse ndjeheshin gjithmonë midis orës pesë dhe gjashtë të mëngjezit, të këputur e të cfilitur ashtu siç nuk e kishin menduar kurrë, u dha edhe shpresë se "të paktën do të kishin mundësitë të shkollonin fëmijët dhe do tu jepnin një drejtim në jetë. Pikërisht atë që u kishte munguar vetë atyre në atë vend, dhe që nuk do ta realizonin dot ashtu siç e kishin menduar, në një realitet krejt të ri. Rëfimi në fjalë ka nota të fuqishme në përcjelljen e mesazhit dhe të emocionon në tepri, duke e bërë kësësoj pa dyshim si një nga tregimet më të mira të vëllimit me tregime.
"Po ti, kush je ti?" është titulli i një tregimi tjetër i shkrimtarit myrtaj, që ka në thelb dramën e vetmisë, të cilën e përcjell në mënyrë shumë të dhimbëshme e të natyrshme në përditshmërinë e një jete në qendër të metropolëve të mëdha, atje në veriun e kontinentit amerikan. Vjen si një relitet i trishtë i Cecilia Tilbeth dhe i heroit të tregimit, një emigranti korekt dhe i kujdesshëm deri në tepri për ta bërë sa më mirë punën e tij; i cili ka ardhur nga larg, ku ndjehet në atë ambjent humbja e identitetit dhe e personalitetit njerëzor, i shpërvjelur në kohë e hapsirë "Jam ketu nga që s'jam atje ku kam qenë. Na duhet që të mbetemi tek vetja" është thirrja për të pereceptuar realitetin e ri
Në të njëjtin hulli vijnë pastaj edhe tregimet si "Mbreti i huaj", "Kur njeriu e rrëfen dashurinë e tij të bletëve", Diçka e shpëtuar në Varkën e Noes", " Babai fshihet dal-nga-dalë" të cilat shpalosin për lexuesin një labirinth dramash, vende dhe karakteresh të njerëzve që ka ndeshur e njohur në udhë autori. Ndërkohë që mund të themi se, "Burgu i ri" e "Shpellë e dashur" vijnë në këtë vëllim si parabole, formë e mjet që në fakt krijuesi zgjedh e parapëlqen për të përcjellë mesazhin e tij. Ndjehet sarkazma dhe ironia e mprehtë që në mënyrë alegorike e simbolesh stigmatizon e godet fenomenin e njeriun me vese, me një tingêllim migjenian dhe një gjuhë figurative kafkiane. "Po jeta, çfarë është. Të kesh jetuar çdo të thotë, e di?" Këtë sentencë gati shekspiriane e gjejmë tek "Shpellë e dashur" e cila tingëllon si një gong në jetën bosh të individit.
Ajo që bie në sy në faqet e librit, dhe mes rreshtave të rrëfimeve të shkrimtarit Faruk Myrtaj,.është dimensioni human, karakteri e dinjitetit që shfaqin personazhet, që i ndeshim të ndjerë e të vizatuar mirë dhe me shumë dashuri, si mësues Pasho, Ledio, Adelajda, Ekaterina; Ana, Hysa, Pilua, Akim Ermeni, Cecilia Tilbeth, Diego, Nebiu, Pozaeti, Mona, Eriku, Fabiani e plot të tjerë. Të krijohet përshtypja ndêrsa i shfleton faqet duke i lëçitur që autori i do dhe vuan me dramat ku kalojnë ata, sikur të ishte pjesë e vetë jetës së tyre në atë sfond e kohë, ku i ka vendos për ti sjelë aq pranë për lexuesin e tij sqimtar që i ndjek librat e tij.. Kjo jo vetëm edhe për shkak të mjeshtërisë së rrëfimit e teknikave të ndërthurjes, që të krijojnë herë pas here kurthe si në njê lojë, por edhe prej stilit e gjuhës.së kultivuar të pastërt letrare, ku çdo fjalë ka vendin e vet në arkitekturën e pasur dhe të larmishme të prozës, si një tipar dallues në krijimtarinë e tij.
Pa dyshim që Faruk Myrtaj sot në prozën e shkurtër të tregimit shqiptar, është një nga zërat me të veçantë, e përfaqsues në letërsinë shqiptare të këtyre dy dekadave të fundit
Aleko LIKAJ http://aleko-likaj.blogspot.com/