E hene, 05.05.2025, 05:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Lamtumirë qenies fizike të Agollit!

E diele, 05.02.2017, 01:59 PM


Dritëro Agolli

 

Naim Frashëri

 

Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë përzier

Dhe na duket sikur me qënjen  tonë janë shkrirë,

Sa i kemi  thithur mes qumështit, frutave, erës

Dhe në burime me ujin e kemi pirë

 

Çdo rrokje e varg e poemë është rritur

Tok me lisat e gjatë e me barin në gurë

Dhe në kurorat e pishave është ngjitur

Dhe, si në pisha, s`humb blerimi kurrë.

 

Ti, si bujk i mirë, lërove arën e fjalëve,

Arën e fjalëve të stërgjyshërve mbetur djerrë,

Mbuluar nga barëra të liga maleve;

E lërove që djerrë mos mbetej asnjëherë...

 

Ish punë e vështirë plugimi i asaj are.

Fjalë të tjera frymën ja merrnin fjalës stërgjyshore,

Po ti gjoksin  ja  vure përpara

Dhe rrënjët  gremit të hidhur  ja nxore.

 

Dhe  tek lëroje këtë arë në vapë e në shqotë,

Gabove kur the se perëndia na qenke kudo: në lulet e lisat,

Pse  s`the që vargjet e tua do të ishin kudo: në tokën e ngrohtë

Në lulet, në barin, në plisat...

 

Vargjet e tua me  thrrimet e  dheut janë përzierë

Dhe na duken sikur me qënjen  tonë janë shkrirë.

Rrugën marrim në male e në buzë i mbajmë ngaherë:

“O malet e Shqipërisë...”

Frashër,1969

 

Lamtumirë qenies fizike të Dritëro Agollit!

Me rastin e vdekjes së  Dritëro Agollit (13 tetor 1931 - 3 shkurt 2017) nënvizojmë këtë diskurs thirrmor: shkrimtar i përmasave kombëtare: poet lirik finok, prozator satirik; njeriu që ushtroi ndikim në letrat shqipe për gjashtë dekada, kultivuesi i  poemave të famshme : “ Devoll, Devoll”; “Baballarët”; “Toka ime, kënga ime”; “Rebelimi i parë”; “Poemë malore”; “Poemë për babanë dhe për  vehte”; “Nënë Shqipëri” e të tjera.

Letërsia dhe kultura e shqip-shkrimit humbi  poetin dhe shkrimtarin nga më të talentuarit, nga më prodhimtarin, njëri  nga kultivuesit më origjinal të së bukurës dhe të së madhërishmes; krijues që ndikoi  për gjatë gjithë periudhës së Diktaturës dhe pas saj në Shqipëri, dhe tek shqiptarët e okupuar në Jugosllavi.

Dritëro Agolli pohoi me çiltërsi përkatësinë e tij komuniste, por tumiri, kritikoi dhe përqafoi    rrjedhat  e shumë-mendësisë demokratike për shoqërinë shqiptare, rikthimin në djepin e përkatësisë Perëndimore, të shkëputur padrejtësisht nga ndarja e sferave të interesit mes fuqive që vendosnin fatet e kombeve mes  Evropës dhe SHBA-së.

Ndonëse dogma e realizmit socialist zotëroi periudhën e shfaqjes, rritës dhe pjekurisë së Dritëro Agollit si shkrimtar, kultivues i  të gjitha llojeve e gjinive letrare; megjithatë poeti, shkrimtari me talentin e vet, mundi t`iu shkëputej kthetrave ideologjike në letërsi, dhe t`i jepte artit letrar vlera të mirëfillta artistike. Në krijimtarinë Dritëro Agollit hasen pleksje partishmërie, por  finokëria e tij (po)etike nuk lejoi të ngufatej nga parimet e partishmërisë në artin letrar. Për këtë pohim, le të sjellim si ilustrim romanin humoristik-satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo

Dritëro Agolli la një fond të pasur veprash në poezi, prozë, tregime, novela, romane, drama, e tjera.  U përkthye edhe në një varg gjuhësh të huaja.

Si  rrallë kush nga shkrimtarët shqiptarë në të gjallë të tij, shkrimtari që tashmë e përmbylli jetën fizike, pothuaj se ishte i pakapërcyeshëm nga  doracakët shkollor dhe plan-programet e letërsisë shqipe të gjitha niveleve. Këtë  nder dhe respekt do ta ketë , po ashtu,  dhe Ismail  Kadare.

Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, në relievin e vlerave letrare-artistike, estetike dhe risimtare, përbëjnë  njërin nga binomet e konfiguracionit më të gjerë e më të lartë në letrat shqipe.

Letërsia shqipe dukshëm do të ishte më e varfër pa krijimtarinë  artistike,  pa frymën kombëtare dhe univerzale,  dhe  pa  ndjeshmërinë dhe depërtimet figurative, ideore, estetike e filozofike të Dritëro Agollit.

Dritëro Agolli me artin e fjalës tij, trajtoi heroizmin dhe tragjiken e Kosovës, duke ç`mitizuar mitet e shpifura të mendësisë shovene serbe mbi dhe për Kosovën. Le ta nënvizojmë polemikën  argumentuese të  D. Agollit  përkitazi  arsenalit të paragjykimeve, racizmit dhe albanofobisë serbe për luftëtarët mbrojtës të Shkodrës nga pushtuesit malazez: “laprat e qafave të zgjatura si sisë derrash…

Ai me fuqinë e artit do të frymojë në brezat e tashëm dhe të ardhshëm.

Gilan, më 3 shkurt 2017

Mehmetali Rexhepi, shkrimtar



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx