E diele, 28.04.2024, 01:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Samir Perihana: Mosha e Nënës

E marte, 07.02.2017, 08:03 PM


Samir Perihana

 

MOSHA E NËNËS

 

-Cikël poetik -

 

Riti ynë

 

Do ta gjej një këngë të kënduar nga të tjerë,

të krjuar kushedi se ku me stof të shtrenjtë

Do ta gjej një vjershë nga një libër, nga një fletë,

të krijuar në kohëra të tjera, për njerëz të tjerë.

Do ta gjej një valle që Dionisin përshëndet,

nga një kohë që u njom nga tjetër vese.

Me buzët e mia kam për ta kënduar këngën.

Në zemrën time kam për të mbajtur vjershën.

Me trupin tonë kapur me ty dorë për dorë

rrethuar mes malesh me kurorë do të vallzojmë

të dehur nga rrebeshi i dëshirës dhe pasionit

Ky do të jetë riti dhe dëshmia jonë

e më pas nëse na pyesin e dashur

se ku e gjetët këngën, vjershën , vallen

të padëgjuara dhe të papara ndonjëherë

do t’u themi se ato kanë qenë tonat perherë

 

Mjerim

 

Vetëm ajo punonte,

herë here edhe ai

E kam parë të pirë udhëve

të kërrusur, të rrudhur të pistë

tek mbeshtetej nëpër mure

në rrugët qorre dhe pa dritë

 

Vetëm ajo punonte,

herë herë edhe ai

Me një rrogë të vogël,

gjithë gjithë 28 mijë

 

Vetëm ajo punonte,

herë herë edhe ai

E shihja tek dilte nga dera

e veshur, e mbathur, e mirë

 

Punonte e varfra nënë.

Punonte në errësirë rënkonte.

Punonte për fëmijët e saj për 28 mijë,

aq sa i bie për çdo ditë 7 kokrra vezë

me një të kuq të mbuluar me mjergull

Ose për dy bukë të zeza me grure

të ardhur nga vise pa dritë

ose për një lakër të bardhë,

ose ...tjetër unë nuk e di

 

x x x

 

Është e sigurtë se një ditë do të rrëzohemi në hon

duke lënë të pakënduar një këngë (në fakt shumë )

Do të lëmë pathënë një fjalë ( në fakt shumë ).

Do të lëmë përgjysëm një punë (në fakt shumë ).

Do të lëmë pa ndezur një zjarr (në fakt shumë).

Do të lëmë pa lexuar një libër (në fakt shumë ).

Do të lëmë pa parë një qytet (në fakt shumë ),

pa vizituar një port, pa qënë në një aeroport tjetër,

pa qënë të mundur për të marrë vesh një të vërtetë,

pa pasur mundësi për të dashur më shumë,

pa pasur mundësi për një dashuri,

ah jo veç këtë s’duhet ta lejojmë kurrësesi

 

Mosha e nënës

 

U thinja edhe unë o nënë

edhe pse se mbaj mënd thinjën e pare,

atë fije floku  të bardhë mbi zverk a qafë

që më bëri të vishem me dëborë në mal

 

Qesh me vete o nënë u plaka s’jam më i ri

por më vjen  çudi si s’pate ndonjëherë moshë ti  ?

 

Poezia

 

Poezitë e shkruara me gjak,

poezi  të shkruara në biruca

nga poetë që  xhelatin ne derë

prisnin si të vetmin  vizitor dimër verë

Poezi të shkruara pa laps e tastierë

 

Poezitë e njerëzve të panjohur

që kanë jetuar pa u ndjerë

që kanë dashur pa zhurmë dhe poterë

që kanë shkruar në copa letre

 

Poezitë e një çifti të dashuruar

mbi një urë në mes të thëllimit

që nuk pyet aspak për kalimtarë

të mbështjellë në mes te dimrit

 

Poezitë e një të papuni,

e një të droguari sepse do  të harrojë

ditët e tij monotone të njëllojta,

poezi pa lustër,  poezi në nevojë

 

Poezi që del nga vatra e një zemre,

poezi që kthehet në një armë të  vetme

 

Beteja

 

Disa beteja nisin nganjëherë krejt rastësisht

si moti, gjethet që duhet të bien për të dalë sërisht

si gjaku dhe breznitë që duhet të ndërrohen periodikisht

 

Disa beteja nisin nganjëherë qëllimisht

nisen  ja ashtu nga një fjalë nga një dëshirë, ide

për të nisur diçka të re

 

Disa beteja është më mirë të mos i fillosh asnjëherë

e disa të tjera jane fitore kur nuk marrin fund

si psh beteja ime e përditshme me ty

ku ti kthehesh  në një Eve e unë në një Adam

edhe pse kopshtin e Edenit ende se kemi parë

 

E ëndërrt

 

Pashë një bohem duke dirigjuar

simfoninë  e një ëndrre në vjeshtë

pemët  muzikant që loznin

meloditë e degëve me gjeth

 

“Jeta është e ëndërrt

E ëndërrt je o jetë

Të të prek me duar që digjen nga dëshira

dhe gjithçka humbet “”

 

Pamjen e bohemit

unë nuk e kam fiksuar

ndoshta ma kujton ti

që më mban në duar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora